Një spital i harruar thellë në malet e Zhegocit përkatësisht në Lagjën e Poshtme shtrihet një fushëgropë jo e gjërë por shumë e thellë e rrethuar me male të larta pothuajse në të gjitha anët. Në këtë fushë shtrihet lagjja Hasanaj. Dikur kishte shumë gjallëri kurse sot është pothuajse e shkretë pa njerëz. Lagjja nuk kishte kaluar më shumë se dhjetë shtëpi pasi që njerëzit emigruan gjithmonë drejt vendbanimeve urbane si në Gjilan, Ferizaj, Prishtinë, Lipjan etj. Por shumica e të shpërngulurve kanë emigruar drejtë perendimit konkretisht Zvicrrës. Mërgimtarët kanë investuar në vendlindje e tyre shumë duke ndërtuar shtëpi të bukura dhe të mëdha. Këto investime ishin shumë të shprehura deri më 1999 . Nga 1999 ky vendbanim është pothuajse bosh. Shumica e shtëpive u dogjën nga okupatori e disa u rrafshuan më tokë. Sot aty mund të takosh ndonjë kalimtar rasti apo ndonjë mëgimtar që ka ardhur për të hequr mallin e vendlindjes. Gjallëria e dikurshme sot është e mbytur në heshtje, sidomos në muajt e dimrit mund dëgjohet vetëm gurgullima e ujrave që rrjedhin nga malet. Gjatë kohës së luftës fshati ishte një strehë e madhe për luftarët e zonës së ZOK-ut dhe zonave tjera që kalonin nëpër malet e Zhegocit. Banorët ishin pjesë aktive e luftës për çlirim të Kosovës duke ndihmuar më çdo gjë si të mira materiale dhe ato njerzore. Gjatë luftës lindi nevoja që për luftëtarët dhe banorët të ketë përkujdesje edhe shëndetësore sepse numër i të ardhurëve nga qytetet dhe fshatrat që po digjeshin nga flakët e luftës ishte i madh. Shtabi i ZOK-ut më mundësitë e tij hapi spitalin e UÇK-së, ku për rrethanat e luftës dhe kohës ishte shumë modern. Ai posedonte ambulancën dhe sallën operative. Një kontribut të veçantë në themelimin e tij dhanë Vëllezërit Poroshtica Dr.Fatmiri dhe dr Ilazi. Burgosja e dr Xhevat Demiri nga forcat serbe vështirësoj shumë punën në aktivitetin e spitalit. Rrethimi i hekurt i malësisë së Zhegocit nga forcat bllokoi furnizimin me material si dhe lëvizjen e personelit mjekësor drejt zonës së kontrolluar nga UÇK-ja, por edhe në këto rrethana njerzit ia dilnin të kalonin rrethimin dhe të ofronin mjekim për njerzit në nevojë. Shtëpia ku ishte spitali ishte e familjes së Ismail Ahmeti kurse Salla Operative ishte shtëpia e Tahir Pajazitit. Vlenë të përmendet se këto dy familje ishin në shërbim të luftës dhe pacientëve gjatë gjithë kohës. Shumë shërbime mjekësore u kryen në këtë spital pasi që numri i të plagosurve dhe të sëmurëve ishte i madh dhe e vetmja shpresë për ta ishte ky spital. Spitali kishte pak personel të përhershëm dhe në ato kushte ofronte kujdes të duhur. Bejtush Murati ,Elhame Sallahu dhe autori i këtij shkrimi ishin pothuajse gjithëçka. Ata ishin mjek,kirurg, internistë, pediatër ,gjinekolog etj. Shumë të plagosur kaluan nëpër duart e tona si ushtarët: Estref Uruqi, Afrim Myrtaj, Besnik Shala, Fadil Rashiti, Vëllezërit Nexhat dhe Shabi Selimi .Plagët e luftës morën edhe fëmijët si Xhezide Miftari dhe fëmija i vogël 3 muajsh Albert Miftari dhe shumë të tjerë. Ofensiva e 15 Prillit 1999 ishte një barrë e rëndë për të gjithë sidomos për ushtarët në vijën e zjarrit të cilët me çdo kusht nuk lejonin kalimin e forcave serbe. Luftime zgjatën gjithë ditën, dikur kah mesdita komanda jep urdhër për evakuimin për çështje sigurie të spitalit drejt maleve të Plitkoviqit pasi në atë drejtim ishte si zonë më e sigurt. Natën në qiell të hapur kaluan shumica e njerëzve krejt çka dëgjohej ishte vaji i fëmijëve dhe rënkimi i të plagosurve nga plagët e marrura. Forcat serbe gjatë ditës nuk kishin kursyer askënd gjatë ofensivës së tyre, ata vranë gra ,pleqë, fëmijë dhe prapa forcave serbe mbeti vetëm shkrumb e hi. Sot pas njëzet viteve kujtimet janë të freskëta ndoshta edhe të pa harruara. Takimi me të plagosurit sikur ngjall ngushëllim për kohën e kaluar . Shoqëria jonë ndoshta nga problemet tjera sociale ka harruar një punë të pa kursyer të asaj kohe të spitalit të luftës dhe çuditërisht nuk përmendet kurr askund. Në shtëpitë spital aty nuk ka asnjë mbishkrim apo pllakë mbi ekzistencën e një institucioni të tillë.
Kontrolloni gjithashtu
Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !
Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …