leoni

Shaban Shala

Sabile Keçmezi-Basha: Shaban Shala ( 1933- 1963)

Atdhetari, Shaban Shala para se të emërohej mësues në fshatin Tugjec, ai edhe më herët kishte krijuar një biografi të pasur patriotike. Në radhët e ONDSH-es ishte angazhuar qysh nga viti 1949. Ishte i lindur me 16 shkurt 1933. Shkollën fillore e kishte mbaruar në fshatin e lindjes, ndërsa të mesmen –Shkollën Normale e kishte mbarua në Prishtinë. Qysh si i ri, kishte filluar që të punonte si mësues. Mirëpo, krahas punës që bënte me fëmijë, duke e parë mjerimin e madh të popullatës shqiptare pas “çlirimit”, ai e ndjente rëndë robërinë që kishte rënë mbi Kosovën. Dhe, me tërë punën dhe aktivitetin që bënte dhe me tërë dashurin e madhe që kishte për atdheun, atij i kishte ngelur vetëm një rrugë. Rrugë e gjatë dhe e mundimshme, për çlirimin e Kosovës dhe mori për obligim që ta qoi deri në fund amanetin e të parëve që e kishin gjakuar me shekuj. Ai si i ri u angazhua në organizatën patriotike-ilegale të NDSH-es. Aktiviteti i madh i atdhetarit i bie në sy organeve të UDB-es, nga disa të afërm njoftohet se ata- udbashët i kanë rënë në gjurmë, dhe ai vendos që të arratisej nga vendi, nga Kosova. Por, hijet e përcillnin hapa pas hapi, dhe hetojnë që ai po përgatiste arratinë, kështu s’bashku me Ibrahim Demollin, Nuhi Gashin dhe Shaban Zhieqin, shkojnë deri në kufirin slloven, në Maribor, por aty kuptojnë se janë të përcjell nga organet e UDB-es, dhe vendosin të kthehen. Por, posa arrijnë në Podujevë, ata arrestohen me 1952, në muajin gusht. Pas torturave dhe mundimeve të mëdha, nga ata kuptohet se ishin anëtar të NDSH-së. Pas kësaj fillojnë arrestimet e grupit të anëtarëve të NDSH-së me në krye Sabit Kapitin. Me grupin e Sabit Kapitit arrestohet edhe Shaban Shala, por në mungesë të argumenteve ai lirohet pas dhjetë muajve të kaluara në burg.

          Pasi lirohet si i pafajshëm, ai s’bashku me mikun e tij të idealit, Nuhi Gashin, përsëri vazhdon aktivitetin e tij në ilegale, duke iu treguar dhe duke i bindur bashkëfshataret se rruga që shpije drejt lirisë dhe për çlirim kombëtar është angazhimi sa më i madh i tyre në radhët e NDSH-es. Shabani, organeve të sigurimit iu ra në sy me aktivitetin e dendur që zhvillonte me popullatën. Pas kalimit të tij për të punuar si mësues në fshatrat e Dardanës (ish- Kamenicë), saktësisht në fshatin Tugjec, formon organizatën e re të NDSH-së, në të cilën merrnin pjesë edhe Ali Peci- Boletini, Emrush Bejta nga Perlepnica e Gjilanit, Selim Buzuku e shumë të tjerë, të cilët gjatë procesit gjyqësor, të arrestuarit nuk i përmendën emrat e tyre. Në aktakuzën e lëshuar nga Gjykata e Qarkut në Gjilan, me numër K-45/56, thuhej se, ata dënohen për një mori veprash “armiqësore”, për të cilat duhet dënuar pa hezituar.

Edhe pse kishte qëndruar në burg, pas lirimit nga burgu, ai përsëri filloi të merret me veprimtari atdhetare. Pas arrestimit më 1956 në Gjilan. Në këtë burg, ai përjeton torturat më ç’njerëzore nga organet hetuese sa që pushtetarët qenë të detyruar që ta dërgonin në Spitalin Neuropsikiatrik në Beograd. Më vonë, atë e dënojnë me 4 vite burg. Kalvari i jetës së patriotit vazhdon edhe pas daljes nga burgu. Përsëri punon për çështje atdhetare, por përsëri zbulohet dhe përsëri bie në burg. Në bisedë me shokët e idealit, Shabani ishte i vetëdijshëm se një ditë do ta likuidonin edhe fizikisht udbashët, por nuk mërzitej. Ai, ishte i gatshëm që të flijohej për atdheun, vetëm e vetëm që ti bëhej e ditur botës se shqiptarët nuk janë të kënaqur me okupimin e ri.

Parandjenja e tij doli e saktë. Më 1962, Shabani përsëri arrestohet vet i 18-ti, dhe me këtë rast dënohej me 2 vjet burg, por një ditë para se të lirohej, më 20 janar ndaj atij u aplikua një torturë ç’njerëzore, dhe kur anëtarët e familjes shkojnë për ta pritur, ata, udbashët i njoftojnë familjaret se, ai- Shabani, po atë natë kishte vdekur nga një sëmundje e rëndë.

Dhe krejt në fund, edhe pse u zbuluan shumë organizata e grupe ilegale, edhe pse u shqiptuan vite të shumta burgu, megjithatë okupatori më kotë trumbetonte se i kishte zhdukur të gjitha organizatat ilegale në Anamoravë, kjo e dhënë nuk përkonte me të vërtetën, ngase, qëllimet dhe aspiratat e ilegales shqiptare vazhduan të jetojnë ndër shqiptarët si vazhdimësi e lëvizjes së përgjithshme qytetëruese properëndimore, e qëndresës për çlirim të përgjithshëm kombëtar, të mbështetur në traditat e çmueshme të lëvizjes çlirimtare, themelet e së cilës u vunë që në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit ( 1878 ), për të vazhduar edhe gjatë periudhës së Luftërave Ballkanike, gjatë Luftës së Parë Botërore e deri pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, e në vazhdimësi deri më vitin 1999. E këtë amanet të përcjellë brez pas brezi e gjeneratë pas gjenerate, ia doli ta kurorëzoi me sukses bija më e devotshme e këtij populli, e dalë nga gjiri i saj i përflakur – Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …