( Intervistë e Xhevdet Shehut me politikanin e njohur, dr. Sabit Brokaj)
Për politikanin e njohur Sabit Brokaj, rrënjët e krizës aktuale duhen kërkuar te marrëveshja e turpshme e prillit të vitit 2008 midis Ramës dhe Berishës, për ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor. Sipas Profesor Brokajt, nëse nuk bëhet ky korrigjim esencial, jo vetëm që kriza aktuale nuk mund të zgjidhet, por do të kemi një riciklim krizash.
Intervista e plotë me Dr. Brokajn:
– Doktor Brokaj, pse jemi sërish në krizë?
– Natyrisht që faktori bazë i krizës aktuale është sjellja jo demokratike dhe deri kriminale në dëm të interesave kombëtare të Sali Berishës dhe elitës së PD-së. Por që të realizohej kjo, natyrisht që ka pasur një tolerancë, në mosndëshkimin e këtyre të këqijave të mëdha nga ana e Partisë Socialiste.
Ka pasur ndërkohë dhe një bazë mjerisht ligjore dhe kushtetuese që e ka favorizuar këtë sjellje të PD-së. Dhe e gjitha kjo ka të bëjë me prillin e vitit 2008. Pazari i 21 Prillit të 2008-s, për të cilin shoqëria civile, madje dikur edhe LSI-ja, protestuan për rreth dy javë, dhe nuk pati korrigjim të saj, do të sjellë padyshim shkaqe dhe probleme për demokracinë në Shqipëri.
Por kjo e keqe shumëfishohet aktualisht më shumë. Nuk ka asnjë parti aktualisht, edhe ata që protestonin dikur, që të kërkojnë ndryshimin e asaj marrëveshjeje, kur të gjithë e dinë se ajo marrëveshjeje antidemokratike dhe antikushtetuese është burimi i të gjitha krizave dhe problemeve që ne përjetojmë.
– Shumë shqiptarë ende nuk e kanë kuptuar këtë transferim të fuqisë zgjedhëse nga sovrani popull te kryetari monark…
– Fare e thjeshtë. Unë mendoj që ka shumë shqiptarë që aty shikojnë burimin e të gjitha të këqijave në vitet pasardhëse. Në të vërtetë, ato ndryshime që u bënë në prillin e 2008-s ishin ato që populli i hodhi poshtë nga Kushtetuta e Berishës në vitin 1994. Dhe populli i hodhi poshtë me një sakrificë të jashtëzakonshme, duke duruar dhe përballuar dhunën dhe terrorin e egër dhe të pashembullt të regjimit të Sali Berishës.
Janë pasoja shumë të rënda ato që kanë rrjedhur nga ajo marrëveshje. Si është mundur që kryetarët partive majtas apo djathtas qofshin, kanë sharë parlamentin, shoqëria civile parlamentin e ka denigruar, kur të gjithë e dinë se shkaku i të gjitha problemeve, burimi që ka pjellë atë parlament është pikërisht ai ndryshim në kodin zgjedhor në prill të 2008-s? Tashmë ata nuk e përmendin këtë fakt.
Kjo është vërtetë fatale, pasi çelësi zgjedhor dhe kushtetues është pikërisht korrigjimi i kodit zgjedhor. Aty fillon dhe mbaron çdo gjë, te korrigjimi i atij gabimi fatal që u bë në 2008-n.
-Pra ju mendoni Doktor se po nuk u bënë ato korrigjime në Kodin Zgjedhor të ndryshuar në vitin 2008, Shqipëria nuk del dot nga qerthulli i krizave të një pas njëshme?
– Pa diskutim. Me këtë kod, çdo kryetar partie mund ta menderosë parlamentin sipas interesave të karriges së tij. Do ndodhë, sikurse po ndodh realisht, që parlamenti të mbushet me listën e deputetëve që kryetari mban në xhepin e pasëm të pantallonave.
– Sidoqoftë, Doktor, a jeni i shqetësuar nga këto protestat e paralajmëruara të opozitës të enjteve në vazhdim?
– Në të vërtetë Berisha mua nuk më ka shqetësuar asnjëherë. Sepse në çdo lëvizje që ai bën kundër qeverisjes hedh një kazmë në varrin e PD-së. E kanë kthyer në një zakon apo në një ritual të mërzitshëm që në mandatin e dytë, madje që në vitin e dytë të qeverisjes së kundërshtarëve të tyre politikë, ata kërkojnë jo vetëm favore, por pushtet në tavolinë, ngaqë e kanë shumë të qartë se nuk e fitojnë dot pushtetin me votë. Për fat të keq në PS i kanë toleruar dhe vazhdojnë t’i tolerojnë.
Shqetësimi im i vërtetë është ky: kjo është një politikë e hapur kundër integrimit. Duhen edhe dy-tre muaj që në tavolinat e Europës të shtrohet çështja e integrimit të Shqipërisë, dhe pikërisht këta ngrenë tani një problem të para dy vjetëve, ndërkohë që ne për disa vite me radhë nuk kemi qenë në vëmendjen e ndërkombëtarëve për probleme të tilla.
– Të jetë ky problemi i vetëm që e shqetëson opozitën shqiptare?
– Jo. Nuk është vetëm ky. Është litari që po afron në qafën e tyre SPAK-u dhe Byroja e Hetimit. Prandaj ata dhe jo thjesht me ndërgjegje i dëmtojnë interesat e vendit. Para interesave të vendit ata shikojnë hallin e tyre. Ky është shqetësimi real në gjithë sjelljen e tyre.
Por mos ndryshimi i asaj marrëveshjes së 2008-s është kulmi i hipokrizisë së partive të djathta apo të majta. Është njëlloj pajtimi me statuskuonë aktuale dhe pranimin e krizave edhe në të ardhmen. Përndryshe duhet të pranojmë që në politikë të vijnë edhe kriminelë, edhe të korruptuar, edhe idiotë, sikurse edhe kanë ardhur. Dhe po u dhe atyre këtë mundësi ata do ta kryejnë këtë mision të ndyrjes së politikës, do të ketë zhgënjime të mëdha…
– Mirëpo si shpjegohet që edhe Edi Rama nuk flet për këtë patate të nxehtë pavarësisht se e di fare mirë që kjo është thembra e Akilit në politikën shqiptare?
– Në qoftë se pritet ndonjë ndryshim pozitiv në politikën shqiptare, ky ndryshim pritet vetëm nga Edi Rama. Nuk e pres unë këtë ndryshim nga Saliu, Ky ishte një lëshim që Edi ia bëri Saliut. Mua më shqetëson fakti që Edi hesht akoma.
-Ju përmendni vazhdimisht Berishën si diktuesin kryesor të politikave të opozitës, kur dihet se kryetar i PD-së, është Lulzim Basha. Pse e bëni këtë?
– Berisha nuk është diktuesi, sikurse e zbutët ju termin, por diktatori i vërtetë i PD-së dhe krejt bishtrave të saj. Fatkeqësi për këtë opozitë që Sali Berisha po e mbyt çdo ditë e më shumë. (Dita)