Zgjedhjet qendrore të 14 shkurtit 2021 e sollën një pasqyrë më të qartë të zhvillimeve në Kosovë, duke e nxjerrë një mazhorancë absolute me fitoren historike të A. Kurtit & Vjosa Osmanit, të cilët sipas statistikave i fituan rreth 52% të votave të përgjithshme të atyre që dolën në zgjedhje.
Edhe pse në Kosovën e pas luftës kishte mjaft shumë zhvillime pozitive, të cilat kanë lënë gjurmë në ecejaket e saj, siç ishin shpallja e pavarësisë, nxjerrja e kushtetutës, rregullimi i infrastrukturës ligjore, rregullimi i infrastrukturës rrugore, siç janë autostradat, rrugët magjistrale, regjionale, rrugët që lidhin shtetet fqinje, u rregulluan dhe u asfaltuan 98% të rrugëve nëpër fshatra, si dhe u shtruan rrugët me kubëza, rregullimi i kanalizimeve dhe ujësjellësve nëpër të gjitha fshatrat, etj zhvillime këto që e bënë zhdukjen e dallimeve midis fshatit e qytetit. Pastaj me ndihmën e diasporës dhe të shoqatave humanitare ndërkombëtare, u ndërtuan të gjitha shtëpitë e djegura nga policia dhe ushtria serbe gjatë luftës së fundit. Ato u bënë shtëpi të reja, të cilat janë të përafërta me ato të standardeve Evropiane. U rregulluan shumë hapësira të gjelbëruara, u bë aeroporti modern, i cili i plotëson të gjitha standardet Evropiane dhe një ndër vijat kryesore të transportit ajror me rreth një milionë udhëtarë në vit, të cilët udhëtojnë drejt vendeve të ndryshme të Botës. U bënë universitete nëpër të gjitha qendrat e Kosovës, si dhe shkolla të reja pothuajse nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat e Kosovës, të cilat po japin rezultate të konsiderueshme në ngritjen e nivelit arsimor, si dhe shumë zhvillime të tjera, të cilat duhet kohë për t’i përmendur.
Përveç zhvillimeve pozitive të lartpërmendura, vendi pati edhe shumë zhvillime negative në qeverisjet e mëparshme, duke filluar nga punësimet nepotike me familjarë dhe të afërm të pushtetarëve, duke e stërmbushur administratën shtetërore dhe e shndërruan shtetin në punëdhënësin dhe njëherësh harxhuesin më të madh të buxhetit në vend, pasi kishte dhe njerëz që i mbanin me nga dy e deri në tetë vende të punës në të njëjtën kohë, atëherë kur shumë të rinj të vendit i kryenin shkollat dhe kërkonin punë, por kjo iu pamundësohej atyre me arsyen se nuk ka punë. Kishte edhe shumë institucione ku persona të caktuar merrnin rrogë, pa qenë fare të punësuar, por vetëm i zhvatnin rrogat nga buxheti i shtetit, etj. Kështu që të rinjtë e vendit duke mos parë perspektivë në vend detyroheshin që të migrojnë nëpër vende të ndryshme në Evropë dhe më gjerë. Qeveritarët i caktuan vetes rroga sipas dëshirës së tyre, kurse shtresës së popullit iu caktuan rroga minimale deri në vijën e mbijetesës së tyre. Dallimi në mes të rrogave minimale dhe atyre maksimale ishte 1:200, apo dyqind fish më të mëdha se sa rrogat minimale, në vend se ato të jenë 1:5, pra rrogat maksimale të jenë pesëfish më të mëdha se sa rrogat minimale. Ata, qeveritarët i caktonin vetes benefite përrallore me makina të shtrejta, si dhe mëditje të larta, telefona, hotele nga më të shtrenjtat, etj. Privatizimi i fabrikave dhe i ndërmarrjeve shtetërore u bë në mënyrë të atillë, që ato u shitën tepër lirë dhe pa asnjë plan konkret për privatizimin e tyre. Sidomos u bënë keqpërdorime të pronave shoqërore, të cilat i morën njerëz të afërt me pushtetin, duke i blerë ato me çmime minimale, të cilat pastaj ua shitën shtetit me çmime marramendëse deri në 200 fish më shtrenjtë, duke i shkatërruar kështu pronat e shtetit dhe duke e dëmtuar buxhetin e vendit. Po ashtu me këto prona u bënë edhe shumë keqpërdorime të tjera, si prsh. Ishin shitur me spin off special me qëllim për të rritur prodhimin dhe të punësonin sa më shumë punëtorë, u bë e kundërta, pasi atyre ua ndërruan destinimin, duke i shitur tokat e tyre për t’i bërë dyqane tregtare dhe shërbime të tjera.
Qeveritë e mëparshme përveç që nuk arritën që t’i ndalin keqpërdorimet, ato nuk arritën as t’i përmbushin disa obligime shtetërore ndaj qytetarëve, si prsh: Të nënshkruajnë kontratën kolektive, si dhe të krijojnë sigurimin shëndetësorë, i cili është themelor për një shoqëri të avancuar, ku njerëzit të ndihen të sigurt, në rast të sëmurjes së tyre, të mund t’i përballojnë shpenzimet shëndetësore për vete dhe për familjarët e tyre, si dhe të ketë shërbime spitalore të kënaqshme. Politikat zhvillimore për të ndërtuar ekonominë përmes sektorit privat, pothuajse dështuan në tërësi, pasi sektori privat jo vetëm që u la të zhvillohej në mënyrë stihike dhe të pa planifikuar, nuk u ndihmua aspak dhe ndodhi e kundërta, iu rënduan taksat dhe iu vunë pengesat e tjera ligjore, duke i ngulfatur ato ende pa u zhvilluar, apo i jepej përparësia bizneseve që ishin të afërta me pushtetarët, të cilët në mas të madhe e bëjnë pastrimin e parave nëpër biznese të ndryshme.
Korrupsioni ishte në shkallë të lartë dhe ishte bërë përditshmëri e kësaj administrate. Pra ishte e vështirë që të kryeje ndonjë shërbim, nëse nuk i jepje ryshfet nëpunësve të shtetit. Zbatimi i ligjshmërisë ishte në nivel të ultë, pasi prokurorët dhe gjykatësit vepronin me standarde të dyfishta, me rastin e prurjes së aktgjykimeve, ku për ata që ishin të afërt me pushtetin bëheshin aktgjykime të lehta, apo liroheshin fare edhe nëse kishin kryer vepra të rënda kriminale, kurse qytetarët me standarde më të ulëta, që nuk ishin afër pushtetit, merrnin dënime të rënda gjyqësore. Kjo bëri që shumë nga keqpërdoruesit më të mëdhenj të buxhetit të shtetit, siç jemi mësuar që ti dëgjojmë me cilësimet si “peshqit e mëdhenj”, të lirohen si të pafajshëm edhe pse ata e kanë dëmtuar më së shumti pasurinë e shtetit.
Ligji i luftës, i cili u votua në Parlamentin e Kosovës, solli shumë paqartësi dhe parregullsi në implementimin e tij, pasi duke qenë shumë i pasaktë, krijoi mundësinë e keqpërdorimit të tij deri në një masë të skajshme, pasi iu dha mundësia disa mashtruesve, të cilët e rritën numrin e veteranëve nga rreth 20000 që llogariteshin se kishin qenë luftëtarë të vërtetë, arriti deri në 60 mijë, e që këta po e dëmtojnë rëndë buxhetin e shtetit, si dhe po e pamundësojnë që veteranët e vërtetë të marrin paga të dinjitetshme, e jo paga minimale dëshpëruese siç aktualisht janë duke i marrë.
Këto dhe shumë keqpërdorime të tjera të cilat janë bërë gjatë qeverisjeve të kaluara, e bënë që të shfrytëzohen në mënyrë perfide nga A. Kurti dhe V. Osmani për t’i fituar votat dhe kjo bëri që elektorati të lëvizë nga partitë më të mëdha që ishin deri atëherë, të shkojnë drejt LVV së Kurtit dhe lista “Guxo” e V. Osmanit, pasi kjo e fundit e krijoi një qarje të madhe në partinë e saj LDK, duke marrë pjesë të madhe të elektoratit dhe iu bashkua A. Kurtit. Fushata u bë përmes një strategjie të punuar mirë nga një ekip i tyre, duke angazhuar një armatë të tërë të fejsbukerëve, të cilët kishin për detyrë që të hapin me nga disa profile në FB dhe të shanin sa më shumë pushtetarët e qeverive të kaluara dhe duke bërë lloj lloj video dhe reklama të ndryshme, duke i gjetur rastet më negative të qeverisjeve të kaluara, apo edhe duke montuar gjëra të pa qena në formë të lajmeve “fake news”, të cilat e kanë një fuqi të madhe propaganduese të efektshme, pasi kjo funksionon në principin që: demanti kurrë nuk e arrin rezultatin e propagandës, edhe kur ajo është e pa vërtetë. Elektoratit iu bënë premtime nga më të mëdhatë, duke filluar nga rritja e rrogave, rritja mirëqenies, nënshkrimi i kontratës kolektive, e njëra ndër premtimet kryesore ishte: largimi dhe burgosja e atyre që kishin abuzuar me pronat e shtetit, etj. Poashtu edhe V. Osmani u kishte bërë të njëjtat premtime përkrahësve të saj edhe pse e pati themeluar një parti të re, të quajtur “lista Guxo”. Ajo duke qenë bashkë në një fushatë me Kurtin, arritën që të korrin një sukses të madh historik në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke ardhur me shumë premtime, sikurse të tjerët që bënin nëpër fushata.
Zgjedhjet u fituan dhe filloi jetësimi i premtimeve të tyre, të cilat ua kishin dhënë elektoratit të vet. Me lehtësi u ndanë pushtetet në mes të Kurtit e Osmanit. Ky kryeministër e ajo kryetare, kurse kryetar i parlamentit u zgjodh G. Konjufca.
Ditën që i fitoi zgjedhjet A. Kurti e bëri gabimin e parë të tij në pyetjen e gazetarëve, nëse do të vazhdonte dialogun me Serbinë? Ai deklaroi se nuk e kishte prioritet këtë punë dhe se e kishte vënë në prioritetin e gjashtë. Ky qe gabimi trashanik i tij, pasi Kosova problemet kryesore i ka për shkak të status quo s në të cilën gjendet aktualisht, sepse duke qenë në këtë gjendje, nuk po mund të zhvillohet as në sektorin ekonomik, e as në sektorët e tjerë për shkak të mos përkrahjes nga faktori ndërkombëtar. Vënia e dialogut në prioritetin e gjashtë, ndikoi shumë keq te faktori ndërkombëtar dhe vendor, duke i zhgënjyer në masë të madhe. Gabimin tjetër trashanik që e bëri A. Kurti duke e refuzuar rezolutën e LDK së, për ta ratifikuar marrëveshjen e Washingtonit, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në prezencën e presidentit Trump, ku u arrit një marrëveshje historike, përmes të cilës Kosova dhe Serbia do të bënin një moratorium që të mos e pengonin njëra tjetrën, pra (për një vit Kosova nuk do të kërkonte njohje ndërkombëtare, kurse Serbia nuk do të lobonte kundër njohjeve të saj). Po ashtu aty u nënshkruan dhe një varg marrëveshjesh ekonomike, siç ishin lidhjet hekurudhore në Balkan, autostradat, dokumentat, bërja e fizibilitetit të Ujmanit, etj. Por marrëveshja kryesore dhe më e merituara ishte që edhe Kosova edhe Serbia duhej që të bashkohen në Unionin Real të “Minishengenit” së bashku me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor siç janë: Shqipëria, Maqedonia, Mali I Zi dhe Bosnia, marrëveshje kjo e dalë nga Mbledhja e Berlinit, e cila më vonë e ndërroi emërin në Open Balkan. Refuzimi i kësaj marrëveshje të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, e nervozoi pa masë Amerikën, e cila i ndali të gjitha komunikimet dhe të gjitha ndihmat e tyre për Kosovën, duke e izoluar Kurtin e me këtë u izolua edhe Kosova.
Qeveria e re e mori detyrën në kushte pandemie dhe të një ekonomie të brishtë, e me probleme të shumta sociale. Mirëpo kjo qeveri në vend që t’i përvishej punës dhe të bënte një plan qeverisës, ajo po merrej kryesisht me propaganda qeveritare, duke u deklaruar se “gjithçka që u bë më herët duhet të prishet, sepse gjithçka fillon me A. Kurtin” Pra në njëfarë mënyre donin ta bënin që: historia e Kosovës fillon me Kurtin e Osmanin. Kjo bëri që të krijojë nervozë tek ndërkombëtarët dhe vendorët, të cilët u zhgënjyen rëndë, pasi ishte bërë një punë e madhe për të ngritur shtetin e Kosovës.
Nga e gjithë puna e kësaj qeverie u karakterizua me shkarkime masive, duke i zëvendësuar ata me familjarë e militantë të vet, çka e bëri një qeveri me performancë edhe më të keqe se sa qeveritë e mëparshme. Diplomatja e jashtme Schwartz, e cila ishte e thirrur në OKB që të raportonte për Kosovën, në vend që të flasë për problemet që i ka vendi, ajo fliste për fitoren e saj dhe të Kurtit, çka kjo e bëri që të shkaktojë nervozë dhe zhgënjim te ndërkombëtarët. Poashtu politika e jashtme u dështua nga padituria e saj, duke i shkarkuar blanco pothuajse të gjithë ambasadorët, pa pasur ambasadorë të tjerë për t’i ndërruar ata të cilët ishin duke e kryer detyrën, e shkaktoi një kollaps në diplomacinë e jashtme, pasi 20 ambasada ngelën pa ambasadorë, veprim i cili po ndodh për herë të parë në historinë e diplomacisë. Poashtu me politikën e gabuar e mbyllën Kosovën, duke mos pasur kontakte pothuajse me asnjë diplomatë të huaj, nuk vjen askush ti takojë, e as nuk i thërret askush për t’u takuar me ta, etj.
Por skandalet kryesore që i shkaktuan A. Kurti dhe V. Osmani janë ndër skandalet më të mëdha të njohura deri tani. Shkuarja e Kurtit në zgjedhjet qendrore të Shqipërisë, si kryeministër i Kosovës dhe bërja fushatë për të rrëzuar kryeministrin Rama, duke u lidhur në koalicion me Berishën, Bashën e Metën, të cilët më vonë u vunë në listën Non Grata të SHBA (Berisha), cilësohet si një nga skandalet më të mëdha në historinë e të dyja shteteve, pasi u bë mosmirënjohës nga të gjitha të mirat dhe ndihmat që i kishte bërë me shekuj Shqipëria Kosovës, të cilat duhet kohë për t’i numëruar. Poashtu i theu të gjitha rregullat e neutralitetit në zgjedhje të shtetit tjetër, çka kjo do të ishte një skandal ndërkombëtar, nëse do të ndodhte me shtetet e tjera. Kjo ndoshta nuk do ta kishte rëndësinë aq të madhe, sikur të ishte kundër ndonjë lideri tjetër, por Rama është përkrahësi më i madh i Kosovës dhe i fitoi zgjedhjet në mënyrë absolute, duke e krijuar një shumicë të madhe, duke e fituar mandatin e tretë, kurse Kurti pësoi një fiasko të madhe e u nda me turp.
Por shtrohet pyetja pse e bëri Kurti një veprim të tillë kaq skandaloz, i cili ndikoi jashtëzakonisht shumë në marrëdhëniet në mes të dy qeverive? Arësyet mund të jenë të shumta, por njëra ndër arsyet kryesore është se Kurti u frustrua shumë në fitoren e tij të madhe në Kosovë, duke i hyrë vetja aq shumë në qef, sa mendoi se duke shkuar në Shqipëri, duke bërë fushatë kundër Ramës, do t’i fitojë zgjedhjet edhe atje, e të bëhet “Baba” i Kombit.
Më kujtohet kur ishim fëmijë, mësuesi na e tregonte një përrallë të Ezopit kur shqiponja iu kishte lëshuar një qengji dhe e kishte ngritur në ajër, e kishte marrë me vete. E pa sorra dhe mendoi të bëjë të njëjtën gjë. Por kjo e frustruar nga shqiponja e cila e ngriti qengjin në ajër, iu lëshua dashit dhe kur po mundohej ta ngrinte, i ngelën këmbët në lesh dhe nuk po mund të ngrihej. E zuri bariu, ia preu krahët ua dha fëmijëve të lozin me të dhe u tha: Sorra kurrë nuk mund të bëhet shqiponjë. Kurti në këtë rast u tregua jashtëzakonisht shkurtpamës, pasi u mat me hijen e mëngjesit, duke mos i bërë mirë llogaritë se çka e dallon atë nga Rama.
Edi Rama ishte shkolluar në Francë me nota të larta dhe pas kthimit të tij në Shqipëri u angazhua në Partinë Socialiste të Shqipërisë, e më vonë u zgjodh kryebashkiak i Tiranës, ku me punën e tij largpamëse u zgjodh kryebashkiaku më i mirë në Botë, pasi bëri reforma të mëdha në Tiranën e shkatërruar nga Berisha. Më vonë u zgjodh Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe i ushtroi një varg postesh ministrore, si dhe duke qenë në krye të kësaj partie, i fitoi tri palë zgjedhje radhazi, duke i thyer të gjitha rekordet e deritanishme në Shqipëri dhe u shpall kryeministri më i suksesshëm në Evropë, i dyti pas kancelares Merkel në Gjermani. Gjatë gjithë karrierës së tij, përveç zhvillimeve të mëdha që i përjetoi Shqipëria, nuk e pati asnjë aferë korruptive, përkundrazi tregoi lidership të fortë, duke mos lejuar që asnjë nga ministrat e tij të mos ketë afera korruptive. Përveç kësaj, për dallim nga Kosova, Shqipërinë e karakterizon një elektorat mjaft i ngritur dhe i edukuar, të cilët nuk i përkrahin ata që ngrihen përmes dhunës, e dinë saktë se çka duan dhe e zgjodhën për herë të tretë atë që kishte kontribuar më së shumti për vendin.
Kurse Kurti e kishte filluar karrierën e tij si student në lëvizjen studentore dhe më vonë si përkthyes në Zyrën e UÇK së në Prishtinë të udhëhequr nga Adem Demaçi. Më vonë u arrestua në burgun e Serbisë dhe u lirua pas lufte. Pastaj e filloi punën e tij në një shoqatë të përzier shqiptarë dhe serbë, e derisa më vonë filloi që të bëjë kritika dhe protesta kundër UNMIK ut dhe Qeverisë së Kosovës, e sidomos organizoi protesta të mëdha kundër mallrave serbe dhe kundër tyre, duke i rrëzuar kamionë me mallra, të cilët vinin nga Serbia për në Kosovë. Më vonë filloi që të propagandojë Bashkimin Kombëtar të Shqiptarëve, me të cilin arriti që të bëhet faktor në Kosovë, duke e formuar edhe partinë LVV, e cila me kohën u forcua shumë, derisa edhe i fitoi disa herë zgjedhjet. Njihet për gazin lotsjellës që e hodhën në parlamentin e Kosovës dhe për shkatërrimet që ia bëri qytetit të Prishtinës, si dhe gjuajtja me armë kundër parlamentit. Pra e tëra ngritja e tij është e bazuar në dhunë dhe shkatërrime, çka arriti që të fitojë përkrahjen e atyre që kryesisht janë të dhunshëm dhe nivel i ulët intelektual. Por ajo që e karakterizon Kurtin, është se e ka një elektorat kryesisht të dhunshëm dhe nga sjelljet e tyre nëpër rrjetet sociale, sidomos armata e fejsbukerëve, të cilët rrinë kujdestar në FB dhe e shajnë e fyejnë çdo njeri që e kritikon Kurtin dhe qeverisjen e tij të dobët, tregon për një nivel të ultë të elektoratit të tij, i cili nuk është aspak i pranuar në Shqipëri për të fituar vota, prandaj dhe ky e pësoi një fiasko të madhe atje, nuk arriti t’i fitojë as 500 vota edhe pse u bë një investim tepër i madh i tij.
Por ndër skandalet më të më mëdha të tij ishte kur e refuzoi ndihmën e Shqipërisë me vaksina falas, të cilat i refuzoi me pretekstin se ato janë kineze. Pra Kurti për shkak të inatit që e pësoi një fiasko në zgjedhjet e Shqipërisë, i refuzoi ndihmat e saj, duke dalë mbi të gjitha standardet e OBSH e cila i kishte pranuar këto vaksina, të cilat shpëtuan jetët e miliarda njerëzve nëpër Botë, si dhe të shqiptarëve të Shqipërisë. Pastaj e sabotuan marrëveshjen për të blerë vaksina me firmën Astra Zeneca, duke eksperimentuar me jetët e njerëzve, dhe e lanë popullin në mëshirën e fatit, çka rezultoi më vonë me vdekje enorme të popullsisë në Kosovë, për shkak të mosdijes dhe të neglizhencës që ia bënë virusit vdekjeprurës.
Për shkak të skandaleve të lartcekura, si dhe zhgënjimeve që i po i përjetojnë votuesit e tyre, Kurti e Osmani po e humbin në mënyrë rapide përkrahjen e votuesve të vet, duke rënë shumë në sondazhe. Por janë edhe shumë arsye të tjera, të cilat po ndikojnë shumë në rënien e përkrahjes për ta. Për shkak të mbingarkesës në institucionet e shtetit, nuk po arrijnë që t’i kënaqin të gjithë përkrahësit e vet, të cilëve u kanë premtuar shumë dhe kjo po shkakton pakënaqësi të madhe dhe zhgënjim te ta. Përditë po dalin zërat për standarde të dyfishta që i përdorin kundër votuesve të vet, duke i dhënë përparësi atyre që i kanë më afër familjarisht. E njëjta po i ndodh edhe presidentes Osmani, e cila u kishte premtuar shumë votuesve të vet, të cilët duke shpresuar në premtimet e saj, jo vetëm që i kishin formuar degët, por kishin marrë edhe zyre me qera, të cilat pastaj janë detyruar që t’i paguajnë vetë, pasi sipas tyre askush më nuk ia hap telefonin, e le më t’i punësojë ata.
Por ndër skandalet më të mëdha që i shkaktoi Osmani, është se ajo përveç që e fajësoi diasporën se e paskan sjellë virusin në Kosovë, ajo e fajësoi edhe shtetin e Zvicrrës se qenka burim i infeksionit në Kosovë, duke nxitur edhe skandal diplomatik.
Duhet shumë kohë për të shkruar për dështimet e njëpasnjëshme të këtyre liderëve, të cilët nga mosdija e tyre, për shkak të mungesës intelektuale në radhët tyre, si dhe për shkak të sjelljeve arrogante të Kurtit e Osmanit, e sollën vendin para kollapsit diplomatik, pandemisë, e cila po merr jetët e qindra Kosovarëve për çdo javë dhe nuk po i shihet fundi. Për shkak të ngecjeve ekonomike, vërshimit të mallrave serbe, shkurtimit të pagave punonjësve shëndetësorë, të cilët janë në vijën e parë të frontit, si dhe largimin e shumë punëtorëve shëndetësorë gjatë kohës së pandemisë. Për shkak të paaftësisë së kësaj qeverie që të qojnë përpara ndonjë projekt madhor, kjo qeveri nuk po bën asgjë konkrete dhe ka ngelur në vend numëro.
Për shkak të paaftësisë së tyre për të qeverisur, po mundohen që t’i fajësojnë të tjerët, për dështimet e një pas njëshme, tregon për ngritjen e kësaj qeverie në mënyrë artificiale, të cilët do të bien edhe më shpejt se sa janë ngritur, sikur një kullë prej kashte.
Autori është luftëtar dhe epror i UÇK së Mr. Sc. Shkencave Juridike, shkrimtar romansier.