Në familjen Rrahimi të fshatit Gegaj, (ish – Dobratin) të Llapit, më 5 janar të vitit 1958 u lind dëshmori i kombit, Sabit Rrahimi – Ylli. Prindërit: Halimi dhe Shehidja kishin tre djem e katër vajza (Hakifin Sabitin, Samiun, Feriden, Nefisen, Salën dhe Selveten).
Sabiti, shkollën fillore e mbaroi në fshatin e lindjes, kurse shkollën e mesme teknike në Besianë. Studimet i ndoqi në shkollën e Lartë Teknike në Mitrovicë. Pas studimeve inkuadrohet në Radio-Prishtinë ku punoi deri në pushtimin serb të këtij institucioni, në vitin 1990.
Veprimtaria e tij atdhetare vërehet që nga viti 1981 kur merr pjesë aktive në demonstratat e organizuara kundër okupatorit serb, për të vazhduar me pjesëmarrje aktive në të gjitha demonstratat dhe protestat e mbajtura në Besianë dhe në Prishtinë.
Në vitin 1997 angazhohet aktivisht në KMDLNJ-së, në Besianë, ku punoi deri në kyçen e tij aktive në UÇK.
Në kohën e zgjerimit të UÇK-së në Llap, ai lë punën në KMDLNJ për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së. Por, komandanti i Zonës, Rrustem Mustafa, Remi, vendosi që Ylli të qëndrojë edhe për një kohë në qytet dhe të kryejë atje disa punë.
Kështu ai përcillte situatën në terren dhe kryente shumë detyra që iu besuan nga komanda e ZOLL-it. Ai vazhdimisht ka punuar dhe ka merita të mëdha në mobilizimin e masës kundër okupatorit serb dhe përgatitjen e të rinjve që u bashkëngjiteshin radhëve të UÇK-së. Kështu veproi, derisa filloi të bie në sy të armikut për veprimtarinë e tij.
Ndonëse nga eprorët e UÇK-së ishte i caktuar që veprimtarinë e tij bashkë me shumë shokë të tjerë ta kryejë në qytet, ai këtë punë e kryen deri në shtator të vitit 1998. Pasi konstaton se veprimtaria e tij në qytet po vjen duke u ngushtuar, meqë kishte hetuar se përcillej nga okupatori dhe bashkëpunëtoret, Sabiti bëhet pjesëtar i rregullt i UÇK-së.
Në shtator të vitit 1998 angazhohet në Policinë Ushtarake në fshatin Bradash, te komandant Nuredin Ibishi – Leka. Në fshatin Bradash ku ishte komanda e Brigadës 152 “Shaban Shala“, Sabiti ngarkohet me detyrën e Shefit të Shërbimit Informativ pranë kësaj brigade.
Sabiti edhe më herët kishte bashkëpunim me disa shokë, të cilët tanimë ishin struktura të larta komanduese në Zonën e Llapit si: Rrustem Mustafa – Remi, Latif Gashi – Fati, Nuredin Ibishi – Leka, Arif Muçolli-Profa, e të tjerë me të cilët bashkëpunonte. Ai ka bashkëvepruar edhe me Mehdi Rekaliun, me Raif Babatincën (dëshmor i kombit) e shumë të tjerë.
Në bazë të meritave dhe aktivitetit që kishte zhvilluar në UÇK, u emërua shef i shërbimit informativ në kuadër të Brigadës 152 “Shaban Shala”. Këtë detyrë, që ishte me përgjegjësi të madhe, Sabiti e udhëhoqi me mjaft sukses. Ai vazhdimisht ishte në terren me ekipin e policisë ushtarake të Brigadës 152,duke marr pjesë edhe shumë herë në shumë aksione luftarake. Ka qenë mjaft i suksesshëm në zbulimin e rrjetit të shërbimit sekret serb, në zbulimin e planit dhe lëvizjes së forcave të ushtrisë serbe, duke falënderuar punën e tij dhe bashkëpunimin me ushtarët e UÇK zbulohet çdo formë e përpjekjeve të armikut që në radhët e UÇK-së të inkuadrojë bashkëpunëtorët e vet me detyra speciale.
Falë Yllit dhe bashkëpunëtorëve të tij, armiku nuk arriti asnjëherë që ta befasojë. Këto informacione i ndihmonin Sabitit në hartimin e planeve për ndërmarrjen e veprimeve të UÇK-së. Vlen të veçohet se në lokalitetin e Llapiasit, (ish-Kërpimehut) ku ishte edhe stacioni i policisë serbe, kishte bashkëpunëtorët të cilët e njoftonin çdo ditë për lëvizjet e policisë serbe. Madje nëpërmes të bashkëpunëtorëve kishte arritur të grumbullonte të dhëna për numrin e pjesëtarëve në këtë stacion policie dhe armatimin që ata dispononin. Këto informacione të sakta i dispononte deri në ofensivën e madhe, që u zhvillua në këto anë në mars të vitit 1999, kohë kjo kur Zona e Llapit u sulmua nga të gjitha anët. Andaj në ofensivën që erdhi nga Përpellaci-Dumnica e deri në Buzëllap, ishte pjesëmarrës edhe Sabiti, i cili ra heroikisht në këtë betejë.
Sabiti ka qenë pjesëmarrës aktiv i shumë betejave që janë zhvilluar në Llap ku tregoi heroizëm dhe trimëri të pashoqe.
Ishte pjesëmarrës i Betejës së njohur “Te Tabet e Llapashticës” betejë kjo që u zhvillua, më 24 dhjetor të vitit 1998, pastaj i betejave tjera të atij muaji, që u zhvilluan në Kastrat, Peran e Katunishtë. Po ashtu edhe gjatë muajve të parë të vitit 1999 në shumë fshatra të Llapit u zhvilluan shumë beteja në të cilat ishte pjesëmarrës Sabiti. Ai ishte shembull për luftëtarët.
Mori pjesë betejë pas beteje, deri në betejën e njohur të marsit të vitit 1999 ku në Llap u zhvillua betejë me përmasa të mëdha.
Forcat e armikut numerikisht të shumta kishin mësyrë të depërtojnë në Llap nga anë të ndryshme si nga Tasheci, Përpellaci, por edhe nga pjesë tjera të Kosovës ku tashmë ishin stacionuar. Sabiti gjendej aty ku ishte më e nevojshme dhe shkonte nga një front lufte në tjetrin, për t’u dalë në ndihmë shokëve.
Kur filloi ofensiva banorët këtyre fshatrave ishin në shtëpitë e tyre dhe për dy ditë u ndal ofensiva serbe derisa popullata u largua dhe u vendos në fshatrat malore të Llapit, të cilat mbroheshin nga UÇK-së. Ylli çdoherë ka qenë në ballë të aksioneve, pa e kursyer as jetën, vetëm e vetëm që këtë popull ta mbrojë nga barbaria serbe.
Më 24 mars 1999, Sabiti bashkë me disa shokë shkon në fshatin Buzëllap për t’u dalë përpara forcave të armikut që kishin depërtuar nga fshati Përpellac nëpër Dumnicë dhe kishin arritur në Llaushë. Edhe në këtë betejë Sabiti tregoi trimëri të rrallë deri në momentin kur bie heroikisht në frontin e luftës. Ai ra për të mos vdekur kurrë në lagjen “Te Lugu” të fshatit Buzëllap.
Është varrosur me nderime ushtarake, më 25.3.1999 në orën 4.00 të mëngjesit, në varrezat e fshatit Gegaj.
Në kohën e rënies ka qenë i ngarkuar me detyrën e Shefit të Shërbimit Informativ dhe ndihmëskomandant i Brigadës 152 “Shaban Shala“ të ZOLL-it. Pas vetes ka lënë gruan, Vahiden, djemtë: Florentin e Shkëlzenin si dhe vajzën, Burbuqen.
Një lapidar, në nderim dhe përkujtim të dëshmorit, është ngritur pranë varrit në fshatin Gegaj dhe një pllakë përkujtimore në vendin e rënies, në fshatin Buzëllap.
Për jetën dhe veprën e dëshmorit janë botuar shumë shkrime në gazeta e revista si dhe janë dhënë emisione në radio. Biografia e tij është përfshirë edhe në librin “Dëshmorët e UÇK-së të Zonës Operative të Llapit”.
Për veprën e dëshmorit, pas luftës, familja e tij është nderuar me dekorata dhe mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, SHP i UÇK-së të ZOLL-it , SHFD etj. (M. K.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …