Masat e ndërmarra të xhonturqve për osmanizimin a turqizimin edhe të mëtejmë të viseve të pushtuara nga kjo Perandori, në një formë a metodë më “moderne” nuk u pritën as me “lepe e peqe” dhe as me “lule e pekule” nga popullata shqiptare e Kosovës, revoltë kjo që u manifestua me kryengritje të armatosura gjatë muajit prill dhe maj 1910, pothuajse në gjithë
Kosovën, gjë që kjo bëmë famëmadhe bëri jehonë të shumëfishtë jo vetëm në Kosovë e gjithandej trojeve shqiptare, por edhe më gjerë. Kështu rapsodi popullor këndoi:
“N`Kaçanik dej n` Boletin,
Tanë Kosova a` mlue n`tym, A mlue n`tym, i ka dalë flaka,
E dogj me topa Dërgut Pasha. Ç`a kanë retë ç`i vetojnë?
Dy dragoj po luftojnë, N`Kaçanik e n`Cërnalevë Isa Begi e Idriz Seferi Dërgut Pasha me niqin mij` Isa Begi me shqiptari:
– Kadal, pashë, se s`je n`xhami Tash po sheh burrë me sy.
Ç`i djeg vetin, t`përvëlon ty!
………..
Kaçanikut i raftë pika
Nuk po e di se çka asht friga Shtatë sahat tue u therë me thika U therën me thika shtatë sahat, Derisa ra kali me not në gjak.”
Sipas të dhënave kryekomandanti turk Shefqet Turgut Pasha, kah gjysma e muajit prill 1910, ishte përgatitur të nisej nga Shkupi, drejt Grykës së Kaçanikut, për të shuar kryengritjet shqiptare.
Por i dërguari i sulltanit kishte bërë “hesapin pa hanxhinë”, meqë në Grykë të Kaçanikut, më 23 e 24 prill 1910 ia kishte zënë pritën Kreshniku Karadakut, Idriz Seferi, me bashkëluftëtarët e tij nga Karadaku, KOSOVA LINDORE (Lugina e Preshevës), Anamorava, Kaçaniku dhe nga fshatrat e kësaj komune: Kërbliqi, Drenogllava, Begraca, Stagova, Nikoci, Gjurgjedelli etj.
Gryka e Kaçanikut, për nga konfiguracioni, nga bashkëkohësit u quajt “Termopile shqiptare”, ku prijësi i Lëvizjes Kombëtare dhe i luftës për pavarësi, Idriz Seferi, udhëheqës popullor bashkëvepronte me krerët si: Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Islam Spahiu, Hasan Hysen Budakova, Ramë Avdyli e sa e sa prijës të tjerë.
Marrja e Grykës së Kaçanikut nga Idriz Seferi, te Guri i Shpumë, me bashkëluftëtarët e tij të paepur, shkaktoi pezëm tek gjenerali turk, i cili kërkoi ndihmë nga Stambolli me qëllim për të shuar, me çdo kusht dhe me çdo çmim kryengritjet e shqiptarëve, të cilët kishin zënë pozita të duhura në Grykë të Kaçanikut, ku u zhvillua kjo betejë e përgjakshme, që mori namin në popull si Ploja e Grykës. Në saje të strategjisë së tij Idriz Seferi u quajt Kreshniku i Karadakut, duke zgjuar kureshtjen e sa e sa historianëve, publicistëve, shkrimtarëve, piktorëve, skulptorëve, kompozitorëve, këngëtarëve, që bëmat e tij prej luftëtari shembullor të përjetësohen e të kujtohen brez pas brezi me krijimet e tyre në fushëveprimtari të shumta, kush më pak e kush më shumë, për këtë Betejë – të njohur si Ploja e Grykës së Kaçanikut.
Për çdo përvjetor, të Betejës së Kaçanikut, e shohim të arsyeshme t`i themi disa fjalë për Njeriun – Idriz Seferi: strateg, udhëheqës dhe patriot i shquar, i cili krahas udhëheqësve tjerë shqiptarë, së bashku ishin për një Gjuhë – Komb – Shtet të përbashkët shqiptar, duke qenë të gatshëm të japin edhe jetën e tyre, që brezat që do të vinin pas tyre të jenë të lirë, kudo në trojet e veta, denbabaden shqiptare.
Pra, në këtë vështrim përmbledhës për Plojën e Grykës së Kaçanikut, me rastin e përvjetorit të kësaj ngjarjeje historike, mbase është e udhës që t`i themi shkurtimisht disa nga të dhënat më karakteristike, për personalitetin e Idriz Seferit.
Fred Boissonnas:
Kryengritësit shqiptarë në Grykën e Kaçanikut, prill 1910
Idriz Seferi, apo Kreshniku i Karadakut, u lind në fshatin Sefer të Karadakut (Malet e Zeza) të Shkupit, më 1847. Qyshkur ishte i ri u shqua për guxim, duke qenë luftëtar i pakompromis ndaj padrejtësive e posaçërisht ndaj pushtuesve turq, serbë e bullgarë. Kështu, duke qenë i gatshëm që t`u kundërvihet në vazhdimësi pushtuesve të pareshtur, ai ishte pjesëmarrës (që nga mosha 16- vjeçare) i rregullt i tubimeve e kuvendeve të burrave atdhetarë, që bënin marrëveshje për organizim të kryengritjeve. Prandaj, duke qenë përherë aktiv ai qe burgosur, së pari nga autoritetet osmane, më 1875. Megjithatë, ai mori pjesë, pa u ndalë dhe pa frikë se do të mund të burgosej pareshtur edhe më vonë. Kështu, i mishëruar me dashurinë për atdheun e tij, ai iu përkushtua me zell të pashoq çështjes së kauzës kombëtare. Falë angazhimit të vazhdueshëm atij i takoi atributi i tribunit popullor – Udhëheqës i Kryengritjes së Kosovës, ku më 1910 u shqua për strategji luftarake në Grykën e Kaçanikut, përballë forcave të armatosura të kryekomandantit turk Shefqet Turgut Pasha.
Kreshniku i Karadakut, jo vetëm më 1910, por edhe më vonë do të jetë në fushëbetejat e pareshtura si në Karadak, Moravë, Shkup,Preshevë, Gjilan, Kumanovë, Ferizaj e gjetiu. Idrizi qysh i ri ishte përballur me çetat çetnike serbe, ku në Hogosht të Kamenicës ishte plagosur, por që nuk ishte zmbrapsur, duke luftuar edhe kundër trupave ushtarake osmane, duke u plagosur sërish dhe kapur e dënuar me 101 vjet burg, nga i cili u lirua pas luftës ruso-turke.
Kurdoherë, në rastet më delikate të kohës, përherë ishte në shërbim të atdheut, duke qenë i gatshëm së pari të sakrifikojë veten. Prandaj, në saje të gatishmërisë së tij të pareshtur, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878), duke mbajtur lidhje me Sylejman Vokshin, Mic Sokolin, Ali Ibër Nezën etj. Vlen të theksohet se Idriz Seferi mori pjesë edhe në Kryengritjen e Drenicës, në atë të Shalës së Bajgorës (1893), në Kuvendin e Pejës (1899), përkrah Haxhi Zekës dhe Bajram Currit.
Në korrik të vitit 1907, në Pasjak të Gjilanit u përballë me çetat e çetnikëve serbë. Po ashtu, vlen të theksohet se Idriz Seferi luajti rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e Kuvendit të Ferizajt (1908) si dhe në organizimin e disa tubimeve kundër pushtuesve xhonturq, ku ishte burgosur e liruar pastaj. Por meritë e jashtëzakonshme e tij ishte bashkëveprimi me Isa Boletinin, më 1910, duke qenë të dy udhëheqës të Betejave të përgjakshme, njëri në Grykë të Kaçanikut e tjetri në Grykë të Caralevës. Pastaj, veprimtaria e tij prej atdhetari të shquar u dëshmua edhe në udhëheqjen e kryengritësve të trojeve verilindore të Kosovës, në betejat e Drenogllavës, Pozharanit, Smirës, Nikocit, Kurbalisë etj. Kështu, vit pas viti, por me vullnet e përkushtim të lartë vazhdoi edhe më tej përkrah Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Bajram Currit etj. Po ashtu, vlen të vihet në pah se ai ishte edhe pjesëmarrës në Kuvendin e Junikut (1912), ku mori pjesë në çlirimin e disa qyteteve të Kosovës si dhe të Shkupit etj.
Duke qenë njeri atdhetar i dëshmuar dhe strateg i pakrahasueshëm i sa e sa luftërave ndaj pushtuesve të njëpasnjëshëm, Idriz Seferi organizoi dhe udhëhoqi kryengritjen e armatosur të shqiptarëve kundër deportimit të ushtrisë serbe, në tetor të vitit 1912, në vijën e kufirit Merdar – Kumanovë. Kështu, në nëntor të vitit 1912 u kap nga ushtria serbe, diku në rrethinën e Shkupit dhe u mbajt në burgun e Beogradit, deri në vitin 1913. Po në këtë vit (1913) kundërshtoi me ngulm të madh vendimet e Konferencës së Ambasadorëve, mbajtur në Londër (1913), që faktikisht u copëzua Shqipëria, duke lënë disa vise shqiptare jashtë Shqipërisë Etnike, me sa e sa kufij shqiptaro-shqiptarë!
Gjithashtu, vlen të theksohet se Idriz Seferi edhe gjatë Luftës së Parë Botërore, gjatë periudhës 1913-1915, ishte luftëtar i pakompromis ndaj pushtetit serb, sikurse që ishte edhe gjatë viteve 1916-1918 ndaj pushtetit bullgar që sundonte aso kohe në këtë pjesë të Anamoravës, Karadakut dhe Kosovës Lindore.
Kreshniku i Karadakut, Idriz Seferi asnjëherë, kurrën e kurrës, nuk iu gjunjëzua asnjërit pushtet, duke i qëndruar përherë përballë dhe pa kurrfarë marrëveshje ai qëndroi stoik dhe shembullor me të gjitha virtytet prej një atdhetari sypatrembur. Ai vetëm ndërroi jetë, më 1927, në moshën 80-vjeçare, në Zhegër të Gjilanit (vë në pah Fitim Rifati), duke lënë gjurmë të pashlyeshme në analet e historisë sonë kombëtare, për t`u përkujtuar e rikujtuar përherë nga brezi në brez, gjeneratë pas gjenerate, duke qenë shembull se si dhe sa duhet AT(MËMË)DHEU, të cilit asgjë nuk i mori, pos dy metra tokë (dhé) por ia dhuroi jo vetëm djersën, mundin, gjakun, por mbi të gjitha dashurinë prej atdhetari të përbetuar në tokë, qiell, ujë e ajër, për të gjitha viset shqiptare që deshi t`i shihte përherë të bashkuara, të gjitha – NJË, ku shqip bukës i thonë bukë e ujit i thonë ujë. Bëmat e shumta dhe të mëdha, për çështjen e kauzës sonë kombëtare, të Idriz Seferit, gjatë 80 vjetëve jetë, janë të brumosura me domethënie të vlefshme dhe gjithmonë udhërrëfyese për të gjithë ne, sidomos udhëheqësit se si e sa ta duan Atdheun e tyre të Shenjtë.
Prandaj, sot me emrin e Tij janë të emërtuara sa e sa institucione e asociacione, rrugë e sheshe, ku shihen shtatore, buste, obeliskë, piktura, portrete, vepra letrare (monografi, romane), kaseta, CD dhe filma dokumentarë për Idriz Seferin – Kreshnikun e Karadakut – Tribun Shembullor i Shqiptarisë.
Sabit JAHA: P L O J A E G R Y K Ë S
(Prill 1910)
Bubullimë, oshtimë e rrëmujë…
Plot e përplot trazira si tërmeti
Ushtria si lavë kishte marshuar
Dallgë – dallgë vinte si deti.
Krisma pushkësh s`pranin fare
Shqipeve t`malit u dhimbsej Toka
Tym e flakë qe mbushur Gryka
Shkrumb nga ploja e hi në boka.
Kushtrimit iu përgjigjen malësorët
“Kokë për Tokë!” – thanë këta shqiptarë
Tok qenë bërë zogjtë e shqipes
Idriz Seferin e kishin të Parë.
Në ballë të Burrave qe Idriz Seferi
Kryengritësve zëshëm u thërret:
“Zini pritat, rrnofshi Burra!
Secili plumb nga nji… ta vret`!”
Vargmaleve jehoi Kushtrimi
Logu i Burrave te Guri i Shpuar
Për Plojën e Grykës s`Kaçanikut
Kënduan rapsodët, poetët kanë shkruar.
Krismat e pushkëve shtoheshin
Gjithnjë e më shumë derdhej gjaku
Shqipet e malit mbi xhonturqit
Luftonte Kreshniku nga Karadaku.
“Heeej! Heeeeej!” – oshtinte
Gryka Kryengritësit suleshin si luaj
Mbi pushtuesit – breshër i plumbët
Vdisnin njerëz e shkallmoheshin kuaj.
Uji i Lepencit qe turbulluar
Si uji i Nerodimes – i kuq
Shqiptarët e njihnin vetveten
S`pranonin të bëheshin turq.
Sa shkrihej një togë ushtarësh
Togat e tjera i kapte lemeria
Urdhër pas urdhri jepte pashai
Ardhur nga larg, nga … Turqia:
“Vrani! Preni! Therni!
Të mitur, të rritur a pleq…
“Kaç!” nga ky farë “mileti”
Ç`sherr na zuri, o … dreq!?”
Stagova, Begraca, Bobi, Runjeva,
Kërbliqi, Nikoci,… dhe Drenogllava
Mizorisht u dogjën n`atë plojë
Ashtu siç qe djegur edhe Anamorava.
Grykës së Gurit mësynte ushtria
Nëpër kreshta shkëmbinjsh dërrmohet
Në Stamboll vajti edhe ky lajm:
“Grykës së Kaçanikut s`kalohet!”
Grykës së Gurit sogjonin skifterët
Bashkë me ta edhe Idriz Seferi
Turgut Pashën e kishte kapur marazi
Deshi të pëlciste nga vreri…
Në jug të Kosovës qe mbyll PORTA
Tek Grykë e Gurit të Kaçanikut
Ç`PORTË e kyçur pa farë dryni?!
Ndaj pushtuesit turk – armikut.
Legjenda e PLOJËS SË GRYKËS…
KUVEND BURRASH… në KARADAK:
“NË KAÇANIK DO TA ZËMË PRITËN,
PËR TOKËN TONË S`KURSEJMË AS GJAK!”
PLOJA E GRYKËS mori
Dhenë Anekënd … SHQIPTARISË
Zogjtë e Shqipes mbrojtën
Folenë Përballë Përbindëshit të Azisë.
Stagovë, 1980
BETEJA E KAÇANIKUT
(1910)
Beteja e Kaçanikut u zhvillua ndërmjet kryengritësve shqiptarë nën udhëheqjen e Idriz Seferit dhe të forcave osmane, të komanduara nga gjenerali Shefqet Turgut Pasha. Forcat osmane, të përbëra nga 17.000 ushtarë, me 64 topa e 120 mitralozë, filluan operacionin për marrjen e Grykës së Kaçanikut. Përballë tyre qëndronin rreth 4.000 luftëtarë të Idriz Seferit. Beteja u zhvillua në muajin prill 1910. Forcat osmane u hodhën në sulm nga Ferizaj dhe nga Shkupi. Për dy ditë rresht u zhvilluan luftime të ashpra, të cilat u zhvilluan edhe trup me trup. Më 1 maj kryengritësit u detyruan ta lënë Grykën e Kaçanikut dhe e vazhduan qëndresën në Anamoravë, Karadak, Preshevë, Gjilan, Bujanoc e Kumanovë, deri më 6 maj 1910.
Gryka e Kaçanikut, gjatë Kryengritjes së vitit 1910 e më vonë, luajti rol tejet të rëndësishëm falë pozitës strategjike, me të cilën krenohen shqiptarët, sikurse krenohen grekët me Grykën e Termopileve apo turqit me Grykën e Çana Kalasë (thekson Isa Bicaj).
Kënga “GRYKA E KAÇANIKUT”
Teksti: Paulin Shtjefni
Muzika: Pjetër Gaci
Kënduan: Bik Ndoja, Shyqri Alushi, Bashkim Alibali dhe grupi
Ushton Gryka e Kaçanikut
Morën zjarr tan` gurt` e malit,
Përmbi çallmat e Anadollit
Ndizet huta e shqiptarit.
(Refreni)
Hej, Kaçanik, o shkëmb e gur
Vritesh e pritesh për flamur,
Për flamurin e Skënderit
Luftojn` djemt` e Idriz Seferit.
Kurrë nuk çarten kullat tona
Vendit ton` i dalim zot,
Tirqit, gunat e xhubletat,
Thur i kemi, o me barot.
(Refreni)
Hej, Kaçanik, o shkëmb e gur etj.
……………………………………………
Turren trimat nga Kabashi
Nga Lubishta e Stagova
Thërret me t`madhe Turgut Pasha
– Ndihm` sulltan se sot mbarova!
(Refreni)
Hej, Kaçanik, o shkëmb e gur etj.
……………………………………………
P. s.
Ky tekst, i kësaj kënge, u mor nga Ansambli i Këngëve e Valleve të Radio Shkodrës, nga treshi i këngëtarëve: Bik Ndoja, Bashkim Alibali dhe Shyqri Alushi, që shfaqi program muzikor në Ferizaj, në Sallën e Sporteve, gjatë muajit tetor 1980. Dhe, nga ky manifestim, kjo këngë pothuajse mori primatin e Himnit Kombëtar, ku këndohej e këndohet pareshtur, anekënd trojeve shqiptare (S. J.).