Sabit Shaban Babatinca (9.8.1949 – 1.4.1999)

Sabit Shaban Babatinca (9.8.1949 – 1.4.1999)

Në Polonicë të Besianës (lagja e Babatincëve), më 9. 8. 1949 u lind dëshmori Sabit Babatinca. Shkollën fillore dhe të mesmen (gjimnazin) i kreu në Podujevë. Më pas u inkuadrua në punë si ngasës i autobusit në ndërmarrjen transportuese “Kosovatrans”, njësia në Besianë. Qysh në shkollë të mesme dëshmori Sabit Babatinca shquhet për veprimtari patriotike. Ndërkaq në demonstratat e vitit 1981 mori pjesë aktive madje edhe me autobusin që e ngiste, duke i ndihmuar demonstruesit dhe bartur ata nga Besiana në Prishtinë. Kur sheh se do të rrezikoheshin demonstruesit nga forcat policore, me autobusin e tij bllokoi rrugën Besianë – Prishtinë që t’ua bëjë të pamundur policisë të kaloi në këtë rrugë. Po ashtu ishte pjesëmarrës edhe në protestat e viteve 1989 – 90. Me daljen në skenë të UÇK – së, Sabiti shfaqi dëshirën për të ndihmuar në çlirimin e vendit. Kështu më 10. 8. 1998 u kyç në radhët e UÇK-së. Po ashtu dha ndihmë të madhe materiale për pjesëtarët e UÇK – së.
Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, forcat serbe filluan të hakmerren në popullatën civile duke mos kursyer asnjë formë shfrenuese të dhunës. Kështu gjatë muajit mars dhe fillimit të prillit, ato ndërmorën në rajonin e Llapit një varg sulmesh me qëllim të spastrimit të terrenit dhe shpërnguljes së popullatës nga vatrat e tyre stërgjyshore.
Gjatë kësaj kohe pothuajse në tërë territorin e Llapit pati luftime të përditshme përfshirë këtu edhe qytetin e Besianës. Luftime të rrepta u zhvilluan edhe në paralagjen e Besianës në Polonicë. Në këto luftime, më 1 prill 1999, në vendin e quajtur “Te Rakita” ranë tre dëshmorët: Sabit, Raif dhe Tefik Babatinca. Më katër prill trupat e tyre u varrosën nga të afërmit, Latif Babatinca, Ramadan Gërguri, Nexhip e Rizah Babatinca dhe Bajram Tovërlani. Ndërsa më 9 korrik 1999 u bë rivarrimi i këtyre dëshmorëve në varrezat e Besianës.
Sabiti ka qenë i martuar me Hatixhe Shehollin – Babatinca të cilët kishin katër fëmijë: Petritin, Lirien, Elizën dhe Shabanin. Pas rivarrimit të Sabitit dhe dy dëshmorëve të tjerë Babatinca, te varret e tyre familja e tij u ka ngritur lapidar që ruan kujtimin dhe pavdekësinë e dëshmorëve.
Pas luftës familja e dëshmorit është dekoruar nga SHP UÇK – së, Zona Operative e Llapit, SHFD të UÇK-së në Besianë etj. (M. K .)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …