Është arrestuar në Merdare gjenerali serb që ka urdhëruar krime në Llap

SABIT SYLA & NURI BEXHETI: FORMACIONET SHTETËRORE SERBE NË KOSOVË MË 1998-1999

Ish-drejtuesi i shtetit serb Sllobodan Millosheviç kishte besim të madh te policia dhe shërbimet sekrete, kështu që ai u dha një prioritet këtyre organizatave. Si rezultat i një logjike të tillë, policia dhe shërbimi i Sigurimit Shtetëror u trajnuan dhe u pajisën më mirë sesa ushtria. Millosheviçit i duhej një forcë e armatosur që do t’ia siguronte pushtetin personal dhe zgjidhjen e gjeti në ndryshimin e rolit të policisë. Kjo e fundit gradualisht mori tipare ushtarake, madje edhe në pamje të jashtme, përfshirë uniformat e kamufluara dhe gradat ushtarake. Kështu, një strukturë tipike ushtarake u prezantua në njësitet policore, e kjo i dha fund policisë së rëndomtë në Serbi. Në kuadër të MPB-së u formuan njësi klasike ushtarake që nuk kishin të bënin fare me punën policore. Në fakt, policia në Serbi ishte shndërruar në një xhandarmëri dhe ishte e pajisur madje edhe me mjete të blinduara dhe mortaja. Disa të dhëna theksonin se Serbia kishte forcën më të madhe të policisë në Evropë në krahasim me numrin e banorëve, afërsisht rreth 40 000 deri 150 000 policë. Fuqia reale e pushtetit nuk bazohej në policinë e rregullt, por në shërbimet sekrete dhe në strukturat e tyre të fshehta. Shërbimi i Sigurimit Shtetëror kishte një rol të veçantë në ruajtjen e regjimit. Policia sekrete deri në vitin 2002 përbënte njërin nga dy sektorët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të udhëhequr nga ndihmësit e veçantë të ministrit. Këta vetëm formalisht figuronin në MPB, kurse për të raportuar i raportonin drejtpërdrejt Millosheviçit. Nga viti 1945 deri në vitin 2002, nuk kishte ndonjë ligj që i referohej ndonjë shërbimi të caktuar të inteligjencës. Në fakt, shefat e shërbimeve sekrete vetëvendosnin mbi formimin e shërbimit, detyrat e tij, kompetencat, organizimin, operimin dhe përgjegjësinë. Në këtë mënyrë u krijua tradita që shërbimi të punonte i pavarur nga ligji dhe sipas rregullave të vetëshpallura.

Me transformimin e Armatës Popullore të Jugosllavisë në Ushtrinë Jugosllave më 19 maj 1992, pas vendimit për formimin e Republikës Federative të Jugosllavisë, të përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi, garnizonet ushtarake në Kosovë u futën në kuadër të Armatës III me seli në Nish, kurse korpusi 52 u emërua si Korpusi i Prishtinës. Përmes kësaj urdhërese në kuadër të këtij korpusi (por edhe te korpuset e tjera) u sistemuan ish-njësitet e mbrojtjes territoriale të Serbisë, respektivisht të Kosovës. Të gjitha brigadat e Korpusit kishin njësitet e tyre të blinduara, të sistemuara pothuaj në të gjitha garnizonet në Kosovë. Batalionet kufitare u emëruan si batalione nr. 53, 55, 57 etj.

Interesimi i Millosheviçit për ushtrinë u rrit më 1997, kur ai u zgjodh kryetar i Jugosllavisë dhe me këtë rast fitoi edhe kontrollin zyrtar mbi të. Në mesin e gjeneralëve ai gjeti kuadro që ishin të gatshëm të konfrontoheshin me botën, jo vetëm për shkak të ideologjisë së tyre nacionaliste, por edhe për shkak të motivimeve personale. Millosheviç kishte nevojë për gjeneralët në mënyrë që ta zbatonte planin për sundimin e përjetshëm, kurse në anën tjetër edhe gjeneralët kishin nevojë për Millosheviçin në mënyrë që të ngjiteshin shkallëve të hierarkisë ushtarake. Kështu, gjeneralët morën pjesë në fushatat politike, bënë prononcime në shtyp, madje bënë edhe kërcënime publike duke theksuar se nuk do të lejonin ndryshimin e pushtetit. Ushtria e Jugosllavisë e kishte Komandën e Përgjithshme gjatë sulmeve të NATO-s, së bashku me forcat policore e paramilitare nën urdhrat e saj sipas ligjit, edhe pse zyrtarët më të lartë të MPB-së qartazi ushtruan një lloj ndikimi gjatë fushatës. Ushtria kontrollonte rrugët kryesore dhe kufijtë, duke koordinuar dhe lehtësuar kështu spastrimin etnik. Policia dhe forcat paramilitare u angazhuan më drejtpërdrejt në dëbimin e shqiptarëve dhe shkatërrimin e fshatrave, përmes mbështetjes artilerike nga ushtria. Gjatë operacioneve të zhvilluara nga të dyja palët, si nga UJ-ja po ashtu edhe MPB-ja, u kryen krime kundër civilëve shqiptarë të grupmoshave të ndryshme e pronave të tyre dhe u shpërngulën me mijëra civilë në masë, nga të gjitha fshatrat dhe qytetet e Kosovës.

Forcat e lartpërmendura në gjithë Kosovën, zhvilluan një praktikë tipike: ushtria dhe forcat speciale policore e rrethonin fshatin dhe e granatonin nga distanca. Më pas, forcat e rregullta dhe ato speciale policore futeshin në fshat, e spastronin atë dhe i grumbullonin civilët në një vend të caktuar. Meshkujt ndaheshin nga gratë e fëmijët dhe merreshin në pyetje lidhur me UÇK-në. Policia e rregullt dhe paramilitarët më pas e plaçkitnin fshatin, vidhnin gjithçka që kishin banorët dhe shkatërronin dokumentet e tyre identifikuese. Fshati pastaj lihej nën mëshirën e policisë, paramilitarëve dhe milicisë lokale serbe, që plaçkitnin atë çfarë kishte mbetur dhe në fund e digjnin atë, vrisnin e masakronin gra, fëmijë e njerëz të moshave të ndryshme pavarësisht përkatësisë gjinore.

 

Ministria e Punëve të Brendshme

Komponentët kryesorë të kësaj ministrie ishin: Sektori për Siguri Publike dhe ai për Siguri Shtetërore. Kompetencat e komponentit të parë sipas ligjit serb të kohës konsistonin kryesisht në ruajtjen e rendit publik, kurse zbatimi i tyre kryhej nga Sekretariati për Punë të Brendshme (SPB). Në Serbi kishte 33 qendra të SPB-së. Nga ky numër shtatë qendra operonin në Kosovë gjatë viteve 1998-1999: SPB Prishtinë – përfshinte komunat: Drenas, Fushë- Kosovë, Lipjan, Obiliq, Podujevë dhe Prishtinë; SPB Mitrovicë – përfshinte komunat: Vushtrri, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq, Skënderaj dhe Mitrovicë; SPB Pejë – përfshinte komunat: Istog, Klinë dhe Pejë; SPB Gjakovë ­- përfshinte komunat: Gjakovë dhe Deçan; SPB Prizren – përfshinte komunat: Rahovec, Suharekë, Dragash dhe Prizren; SPB Ferizaj – përfshinte komunat: Kaçanik, Ferizaj, Shtime dhe Shterpcë; SPB Gjilan – përfshinte komunat: Viti, Kamenicë, Novobërdë dhe Gjilan. Shefi i SPB-së komandonte operacionet në zonën e tij të përgjegjësisë. Gjatë viteve 1998-1999, SPB-ja ishte nën komandën e Shtabit të MPB-së për Kosovën me seli në Prishtinë.

Qeveria e Serbisë gjatë viteve 1998-1999 angazhoi në Kosovë një numër të madh të forcave policore serbe, të cilët vepruan nën ombrellën e Ministrisë së Punëve të Brendshme apo të SPB-së përkatëse në kuadër të Sektorit për Siguri Publike. Kështu struktura e forcave policore ndahej: në policë të rregullt, rezervistë, Njësitë Speciale Policore (NJSP), Njësia Speciale Antiterroriste (NJSA) etj.

Njësitë Speciale Policore (NJSP) – Gjatë viteve 1998-1999 në kuadër të NJSP-së vepronin Brigadat 122 dhe 124 ndërhyrëse, si dhe ekipet: 23, 35, 36, 37, 73, 85 dhe 86 të NJSP-së. Secila SPB në Kosovë kishte së paku një njësi speciale, kurse SPB-ja e Prishtinës kishte dy. Gjatë periudhës korrik 1998 – 24 mars 1999, NJSP-ja në Kosovë përdorte zakonisht uniforma të kamufluara me ngjyrë të kaltër. Ata bartnin etiketën “Milicija”. Trajnimi i pjesëtarëve të NJSP-së për përdorimin e armëve bëhej nga UJ-ja. Armatimi i NJSP-së përbëhej nga: mina këmbësorie, granatahedhëse të kalibrit 60 dhe 80 (apo 82), mitralozë të kalibrit 12.7 mm, top kundërajror, raketahedhëse dore, raketahedhëse zolë etj. Kjo njësi ia kalonte policisë së rregullt për nga specializimi dhe intensiteti i trajnimeve të tyre, si dhe për pajisjet e sofistikuara të armatosjes. Sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë dhe të një analisti të famshëm policor në Beograd, NJSP-ja vlerësohej se kishte 7 000 trupa, edhe pse numri i tyre mund të rritej shpejt përmes rekrutimit të policëve të rregullt. Ministria e Mbrojtjes e Britanisë vlerësonte se NJSP-ja kishte 5 000 pjesëtarë dhe 8 000 rezervistë të ndarë në gjashtë sektorë në Serbi.

Njësia Speciale Antiterroriste (NJSA) – E njohur në opinionin jugosllav si “Specialna Antiteroristička Jedinica”, ishte forcë elitare e trajnuar në mënyrë speciale dhe e armatosur me armët më moderne të kohës. E formuar në korrik të vitit 1996 NJSA-ja përbëhej nga tri njësi me seli në Batanjicë afër Beogradit, ku ishte edhe qendra e tyre trajnuese, në Novi Sad dhe në Prishtinë. Struktura e NJSA-së në Beograd e Prishtinë ishte identike. Përbëheshin nga komanda dhe tri ekipe. Në dhjetor të vitit 1998 shpërbëhet ekipi i NJSA-së në Novi Sad. Sipas disa të dhënave, NJSA-ja kishte rreth dyqind pjesëtarë, nga 100 në secilin ekip. Ndërsa, sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes NJSA-ja kishte rreth 400-500 trupa, kryesisht të rekrutuar nga forcat speciale të UJ-së. NJSA-ja ishte e trajnuar në mënyrë speciale, përdorte armatimet më moderne. NJSA-ja përdorte uniforma të kamufluara me ngjyrë të gjelbër/hiri dhe çizme të modelit “Gore-Tex”. Bartnin etiketën SAJ (NJSA) me shkronja cirilike, dhe poshtë saj mbishkrimin “Policija”. Po ashtu, bartnin emblemën me orlin dykrerësh me sfond të kuq dhe katër shkronja “S”. Nga fundi i vitit 1998 NJSA, përveç armatimit modern të llojit “Heckler-Koh”, filloi të përdorte edhe armatim të rëndë. Në automjetet e tyre u montuan mitralozët e rëndë të kalibrit 12.7 mm dhe granatahedhëse 60 deri 82 mm.

Forcat rezervë – Përveç të tjerash, SPB-ja kishte për detyrë edhe organizimin e forcave policore rezervë. Në Kosovë gjatë periudhës 1998-1999 ekzistuan dy lloj organizimesh të forcave policore rezervë: rezervistët e rregullt, të cilët pas mobilizimit kishin uniforma të policisë së rregullt dhe gëzonin po të njëjtat të drejta, si dhe njësia e policisë rezervë që në fakt ishin njësite lokale të përbëra ekskluzivisht nga serbët lokalë, të cilat, që nga fillimi i vitit 1998 u armatosën nga qeveria e Serbisë, një proces që u intensifikua në muajt qershor-korrik të po të njëjtit vit. Krahas armatimit, këta u trajnuan edhe nga MPB-ja dhe Ushtria Jugosllave në përdorimin e armëve të zjarrit dhe organizimin e mbrojtjes së vendbanimeve të tyre. Mobilizimi dhe armatosja e tyre kishte karakter masiv. Në një raport nga mbledhja e Shtabit të MPB-së, të mbajtur më datë 28 korrik 1998, thuhej se ishin formuar 243 njësi të policisë rezervë në të cilat bënin pjesë banorët e fshatrave/qyteteve përkatëse dhe ishin armatosur rreth 54 683 njerëz, 12 170 prej të cilëve u armatosën nga MPB-ja kurse 34 716 nga UJ-ja, ndërsa 7 797 ishin armatosur qysh më herët. Për më tepër, raporti theksonte se në Kosovë kishin arritur edhe 5 070 armë shpërndarja e të cilave ishte duke vazhduar. U vlerësua se në këtë proces duheshin armatosur rreth 60 000 persona. Një shifër e tillë të rekrutuarish lë të kuptohet se ishin mobilizuar pothuajse të gjithë meshkujt serbë lokalë të aftë për armë. Në mars të vitit 1999 shpallet mobilizimi i përgjithshëm dhe, si rrjedhojë, u mobilizuan të gjithë rezervistët lokalë.

Sektori i Sigurimit Shtetëror, ishte përgjegjës për ruajtjen e sigurisë shtetërore, kurse detyrat e tij përfshinin aktivitete informuese, kundërinformuese etj. Në Kosovë kishte tri qendra të Sigurimit Shtetëror: Gjilan – me degën në Ferizaj; Prishtinë – me degën në Mitrovicë dhe Prizren me degën në Gjakovë e Pejë. Në kuadër të Sigurimit Shtetëror kishte nivele të ndryshme të organizimit, prej të cilave Drejtoria e tretë ishte e ngarkuar me luftën kundër terrorizimit. Në kuadër të kësaj drejtorie vepronte Njësia për Operacione Speciale (NJOS), e njohur si “Jedinstvene Specialne Operacije”, e cila kishte për detyrë “kryerjen e detyrave të veçanta”, që përfshinin sulme në caqe të ndryshme. E formuar në kuadër të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, kjo njësi ishte e mirarmatosur në krahasim me njësitë speciale policore. NJOS-ja zotëronte armatimin më modern të kohës, përfshi edhe topa kundërajrorë dhe dispononte dy helikopterë, MIG-24, të cilat nuk i kishte as UJ-ja. Përveç armëve të prodhuara në Jugosllavi, që përdoreshin nga MPB-ja dhe UJ-ja, NJOS posedonte edhe armatime perëndimore sikurse Heckler Koh, pushkë MP5, mitralozë të rëndë M2 12. 5mm etj. Personeli i NJOS-së përbëhej kryesisht nga pjesëtarët e ish-“Beretave të Kuqe” të formuara më 1991, të cilët kishin marrë pjesë në luftërat në Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë. Kjo njësi ishte një roje pretoriane për Millosheviçin, burimet financiare të së cilës ishin tepër sekret pasi ato vinin kryesisht nga krimi. Pikërisht kjo njësi e lartpërmendur së bashku me Njësinë Speciale Antiterroriste dhe Njësinë Speciale Policore kishin zbatuar operacionin në Prekaz kundër familjes Jashari më 5-7 mars të vitit 1998, i përgatitur dhe i udhëhequr nga Sektori i Sigurimit Shtetëror dhe ai i Sigurisë Publike të MPB-së. John Crosland, atashe ushtarak britanik në Beograd, i cili ato ditë po vizitonte rajonin, kishte parë më 5 mars 1998 shumë pjesëtarë të MBP-së në rajonin në fjalë. Pas një lufte të ashpër me këto njësite elitare të forcave serbe, Adem Jashari ra dëshmor së bashku me 58 anëtarët e tjerë të familjes së ngushtë dhe familjes së gjerë Jashari.

Në kuadër të NJOS-së u angazhuan edhe ekipe paramilitare, që u vunë nën kontrollin e saj, sikurse “Skorpioni” (Akrepat), “Sivi vukovi” (Ujqit e përhimtë), “Arkanovi tigrovi” (Tigrat e Arkanit) etj. Në krye të njësisë ndodhej Frenki Simatoviq, kurse komandant operativ ishte Milorad Ulemek Lukoviq, i njohur si Legija.

Gjatë vitit 1998, baza e NJOS-së ishte në burgun e Dubravës në Istog dhe ajo vepronte krahas policisë së rregullt. Ndërsa sipas disa burimeve të tjera, baza e kësaj njësie ndodhej në Deçan, diku në pjesën e pasme të manastirit të Deçanit. Sidoqoftë, NJOS së bashku me forcat NJSP vepruan në këto rajone: Malishevë – mesi i korrikut 1998; Drenicë e Jabllanicë -1998; Strellc i Epërm – korrik/gusht 1998; Bajgorë, Qyqavicë e Kosmaq – tetor 1998; Istog e Deçan – 1999; dhe Rogovë në janar të vitit 1999 etj. Sipas disa vlerësimeve në Kosovë gjatë tetorit të vitit 1998 kishte 14 000 pjesëtarë të MPB-së. Në fund të tetorit, në pajtim me marrëveshjen e Tetorit (Marrëveshja Holbrooke-Millosheviç), numri i pjesëtarëve të MPB-së (policëve) zbriti në 10 000. Ndërsa në mars 1999 numri i pjesëtarëve të MPB-së u rrit në 14 571, kurse në prill 1999 në Kosovë kishte 15 779 pjesëtarë të MPB-së.

Ndryshe nga Kroacia dhe Bosnja, në Kosovë grupet paramilitare u integruan kryesisht në UJ dhe MPB, saqë u lejuan të vepronin të pavarura. Përkundrazi, ata operuan në bashkëpunim të ngushtë me policinë, ushtrinë, sidomos me Sektorin e Sigurimit Shtetëror. Kishte raste kur paramilitarët dilnin nga kontrolli, por në përgjithësi zbarkimi i tyre në Kosovë dhe koordinimi me sektorët e tjerë të aparatit të sigurisë ishte komponent i planifikuar në Kosovë.

Ushtria e Jugosllavisë

Sipas një raporti të OSBE-së, “Kosovo/Kosova: As seen as Told-Part I”, UJ-ja kishte një personel të përgjithshëm që shkonte nga 85 000 deri në 114 000 veta dhe të një force rezervë që shkonte deri në 200 000 persona. UJ-ja përbëhej nga tri komponentë: ushtria tokësore, ajrore-kundërajore dhe marina. Organi më i lartë i saj ishte Shtabi i Përgjithshëm. Ushtria tokësore ishte komponenti më i madh dhe ndahej në tri pjesë të tjera: Armata I zona e përgjegjësisë e së cilës përfshinte pjesën më të madhe të Serbisë; Armata II që përfshinte Malin e Zi; dhe Armata III zona e përgjegjësisë e së cilës përfshinte Serbinë Jugore dhe Kosovën.

Armata III e Ushtrisë Jugosllave kishte këtë strukturë: Grupi Taktik i Timokut, Korpusi i Nishit, Korpusi i Leskovcit dhe Korpusi i Prishtinës (i njohur edhe si korpusi 52). Këto korpuse përbëheshin nga një numër i caktuar brigadash, batalionesh dhe ekipesh. Korpusi i Prishtinës që përfshinte territorin e Kosovës përbëhej nga:

– Brigada 15 e motorizuar (Prishtinë);

– Brigada 125 e motorizuar (Mitrovicë-Pejë);

– Brigada 549 e motorizuar (Prizren-Gjakovë);

– Brigada 243 e mekanizuar (Ferizaj-Gjilan);

– Brigada 52 e përzier e artilerisë (Gjilan);

– Njësia 52 e Policisë Ushtarake (Prishtinë);

– Regjimenti 83 i aviacionit;

– Regjimenti 82 i inxhinierisë (Krushevc);

– Regjimenti 311 i mbrojtjes kundërajrore (Gjakovë);

– Batalioni 53 kufitar (Gjakovë);

– Batalioni 55 kufitar (Prizren);

– Batalioni 57 kufitar (Ferizaj) etj.

Gjatë vitit 1999 Korpusi i Prishtinës përbëhej nga 12 brigada, të cilat ishin të ngarkuara të vepronin brenda Kosovës. Secila brigadë kishte zonën e përgjegjësisë. Kështu, gjatë vitit 1998, zona e përgjegjësisë së Brigadës 125 përfshinte komunat: Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë, Zubin Potok, Skënderaj, Vushtrri, Klinë, Istog, Pejë dhe Deçan. Brigada 37 e motorizuar me urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, më datë 29 korrik 1998, hyri në kuadër të Korpusit 52 (të Prishtinës) të Armatës III të UJ-së. Korpusi i Prishtinës, i cili ishte përgjegjës për territorin e Kosovës, nuk mund të vepronte pa miratimin e komandantit të Armatës III.

Gjatë vitit 1998 komandant i korpusit të Prishtinës të UJ-së ishte gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i cili në nëntor të vitit 1998 emërohet në pozitën e komandantit të Armatës III të UJ-së, në të njëjtën kohë kur gjenerali Dragoljub Ojdaniq u emërua si shef i Shtabit të Përgjithshëm të UJ-së. Në vend të Pavkoviqit, si komandant i Korpusit të Prishtinës emërohet gjenerali Vlladimir Lazareviq. Ndërkohë, Radomir Markoviq u emërua shef i Sigurimit Shtetëror të Serbisë.

Në këtë periudhë UÇK-ja kontrollonte një pjesë të konsiderueshme të territorit në Kosovë. Në fillim të prillit 1998, Komanda e Korpusit të Prishtinës formoi skuadrat luftuese. Në kuadër të këtyre skuadrave luftuese u inkuadruan edhe Bateritë 20/3 mm M55A4M1 BOV-3 dhe 30/2 mm M-53/59/70 J171A PRAGA V3S me detyra përkatëse: kontrollimi i territorit dhe përcjellja e kolonave ushtarake; ofrimi i ndihmës për MPB-në gjatë realizimit të operacioneve antiterroriste etj. Një ndër detyrat parësore të ARJ – PVD në kuadër të skuadrave luftuese ishte ofrimi i ndihmës njësive të MPB-së të Serbisë, të cilat në terren po zhvillonin operacione luftarake kundër UÇK-së. Ndihma konsistonte në përcjelljen e njësive të MPB-së, kontrollin e territorit dhe sigurimin e rrugëve gjatë realizimit të aksioneve. Në rast të sulmeve të UÇK-së kundër njësive të MPB-së, ARJ përmes veprimeve i kundërvihej sulmit. ARJ përdori kundër UÇK-së një sasi të konsiderueshme municionesh: fishekë 20 mm – 20 280 copë dhe fishekë 30 mm – 65 515 copë.

Qysh nga pranvera e vitit 1998, Ushtria Jugosllave po operonte përmes njësive të kombinuara të quajtura “skuadra luftuese”. Një skuadër e tillë përbëhej nga një kompani e këmbësorisë së motorizuar, një apo dy togje tankesh, gjysmë baterie artilerie dhe mortaja të rënda, disa inxhinierë e trupa logjistike, dhe një tog kundërajror me armë përkatëse antiajrore etj. Në qershor të vitit 1998, Ushtria e Jugosllavisë filloi një kundërofensivë në të cilën morën pjesë 40 000 trupa të shoqëruara me tanke, helikopterë, artileri të rëndë dhe granata. Kështu nga fillimi i vitit 1998 Njësitë Speciale të MPB-së të Serbisë ishin baza e forcave të armatosura të RFJ-së në luftë kundër gueriljes shqiptare, kurse nga qershori i vitit 1998 edhe UJ-ja, kryesisht të Korpusit të Prishtinës. Në korrik të vitit 1998, në pajtim me urdhëresën e veçantë të Shtabit të Përgjithshëm të UJ-së, Komanda e Armatës III dha urdhër për operacionin Grom 98. Ky operacion u zhvillua në bashkërendim me MPB-në, kundër UÇK-së. Madje u urdhërua për detyra ndihmëse edhe Armata I dhe II me njësitet e tyre etj. Edhe operacioni ushtarak i shtatorit 1998 ishte i koordinuar nga UJ-ja me organet e MPB-së, i cili në opinionin shqiptar të Kosovës njihet si “Ofensiva e Shtatorit”, që përfshiu pjesë të gjera të Kosovës. Komanda e Korpusit të Prishtinës përmes një shkrese, të emërtuar si sekret ushtarak tepër konfidencial nr. 880-243, njoftonte më 19 shtator 1998 njësitë vartëse të saj mbi “Urdhëresën për të mbështetur forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme në shkatërrimin e forcave terroriste në rajonin e gjerë të Qyqavicës”. Urdhëresa në fjalë përmbante edhe planin e veprimit, forcat e angazhuara dhe objektivat e parashikuar. Në kuptim të gjerë duheshin arritur dy objektiva me rëndësi strategjike: (a) vënia nën kontroll e forcave ushtarake e policore serbe të rrugëve të komunikacionit: Prishtinë – Vushtrri – Mitrovicë – Klinë e Epërme dhe të asaj Drenas – Skënderaj, dhe (b) vënia nën kontroll e malit Qyqavicë si një pikë avantazhi ushtarak. Në kuadër të këtij projekti ushtarak hynte edhe objektivi për të vendosur kontrollin mbi një pjesë të rajonit të Vushtrrisë përgjatë malit Qyqavicë, respektivisht të fshatrave Ashlan dhe Dubovc, fshatra që ndodhen disa kilometra në jug të Mitrovicës dhe në perëndim të Vushtrrisë. Më 22 shtator, trupat serbe marshuan në drejtim të fshatit Ashlan nga drejtimi i Mitrovicës, ku ishin angazhuar togu 5 i NJSP-së dhe një tog i NJSP-së nga SPB i Mitrovicës, të mbështetura nga grupi luftues BG-125-4, i Brigadës 125 të UJ-së. Objektivi i këtij sulmi konsistonte në shkatërrimin e forcave të UÇK-së përgjatë linjës Akrashticë-Pantinë-Shtitaricë për t’i futur nën kontroll fshatrat Ashlan, Balincë, Jezercë dhe Taraxhë. Objektiv tjetër ishte edhe mbështetja për NJSO-në për shkatërrimin e forcave të UÇK-së përgjatë Qyqavicës, me detyrë specifike parandalimin e tërheqjes së UÇK-së përgjatë lumit Sitnicë. Ky sulm rezultoi me pjesëtarë të vrarë të forcave të MPB-së dhe të plagosur nga NJSP-ja, e po ashtu edhe nga radhët e UÇK-së, si dhe me djegien e shtëpive shqiptare dhe me dhjetëra civilë të vrarë. Në objektivat e fushatës ushtarake serbe qëndronte edhe detyra për ta vënë nën kontroll territorin në linjën Mikushnicë-Lubovec-Dubovc. Në zbatimin e kësaj detyre ishin ngarkuar togu 3 i NJSP-së, një tog i NJSP-së nga SPB-ja e Pejës dhe NJSO, të mbështetura nga grupi luftues BG-125-1 i Brigadës 125 të motorizuar të UJ-së. Këto forca arritën që, më datë 23 shtator 1998 të depërtonin në fshatin Dubovc. Menjëherë filluan me djegien e shtëpive. Banorët e fshatit ikën në pyjet e malit Qyqavicë. Po të njëjtën ditë, më 23 shtator 1998, forcat serbe filluan granatimin e pandërprerë të malit Qyqavicë. Nën zjarrin e artilerisë u gjendën edhe vendet ku strehoheshin mijëra civilë, ku sipas burimeve të Fondit për të drejtën humanitare në periudhën 23-26 shtator 1998, u vranë rreth 130 civilë, midis tyre edhe 28 fëmijë.

Plane veprimi me një bashkërendim të tillë u hartuan brenda UJ-së edhe më 1999. Kështu në janar dhe më pas në prill të vitit 1999 u përgatitën dy plane të mëdha (planet Grom 3 dhe Grom 4).

Në javën e parë të marsit 1999 Brigada 37 e motorizuar nga Rashka zbarkoi në Mitrovicë, në kuadër të Korpusit të Prishtinës, kurse grupi luftues 21 nga Korpusi i Nishit zbarkoi në Ferizaj dhe u vu nën ombrellën e Brigadës 243 të motorizuar. Forcat e UJ-së vazhduan ta përforconin kufirin me Shqipërinë e Maqedoninë. Më 18 mars u thirrën në shërbim rreth 36 449 pjesëtarë të shërbimit rezervë, prej të cilëve u përgjigjën 26 295 apo 72%. Këtij numri duhet t’i shtohet edhe grupi i ushtarëve të cilëve u kishte skaduar shërbimi në mars (që nuk u liruan), por vazhduan të shërbenin si rezervistë. Ishin rreth 7 831 rezervistë të tillë.

Fillimi i operacionit “Forca Aleate” kushtëzoi dërgimin për në Kosovë të përforcimeve të konsiderueshme të UJ-së, para së gjithash nga territori i Armatës III, por edhe nga rajonet e tjera. Mënyrat e organizimit të këtyre forcave shtriheshin në kuadër të grupeve luftuese të formuara në mënyrë të veçantë. Një pjesë e forcave që u dërguan në Kosovë u angazhua në veprime ushtarake kundër gueriljes shqiptare. Nga fundi i marsit 1999, kur u ballafaquan me sulmet e NATO-s, ushtria, policia, paramilitarët dhe grupet e tjera koordinuan aktivitetet e tyre kundër UÇK-së dhe mbrojtjes ndaj sulmeve të NATO-s. Deri në fillim të sulmeve të NATO-s, më 24 mars 1999, Korpusi i Prishtinës kishte më pak se 18 000 ushtarë, deri më 31 mars kishte 17 971 ushtarë. Ky numër ndryshoi drastikisht pasi parashikohej sulmi tokësor i NATO-s. Sipas raportit të luftës, të datës 13 prill 1999, të cilën Korpusi i Prishtinës ia dërgonte Komandës së Armatës III dhe Shtabit Qendror, në Kosovë, nën komandën e Korpusit të Prishtinës gjendeshin gjithsej 61 892 pjesëtarë të UJ-së, përfshi njësitet e tjera të bashkëngjitura dhe vullnetarët. Ndërkohë, sipas Lazareviqit, Korpusi i Prishtinës përmes përforcimeve nga të gjithë sektorët/pjesët e ushtrisë numëronte 75 000-80 000 pjesëtarë, apo edhe më shumë. Kurse nga fundi i prillit besohej që policia dhe ushtria jugosllave kishin në Kosovë edhe rreth 40 000 njerëz, nën mbështetjen e Armatës II të Jugosllavisë të stacionuar në Mal të Zi.

Tashmë kishte filluar grumbullimi masiv i trupave të UJ-së në të gjithë territorin e Kosovës, që si pasojë solli edhe armatosjen e civilëve dhe trajnimin e rezervistëve, sigurimin e armatimit kundërajror, gërmimin e llogoreve për tanke dhe përgatitjen e mjeteve eksploduese përgjatë rrugëve kryesore, shtimin e aktiviteteve të aviacionit ushtarak etj. Gjatë marsit 1999, policia serbe dhe Ushtria Jugosllave kishin dy detyra kryesore: ta mposhtnin UÇK-në dhe të përgatiteshin për sulmet e NATO-s. Për t’i arritur këto qëllime fillimisht ishte e nevojshme që të siguroheshin rajonet kufitare. Por kujdes më i madh iu kushtua pjesës perëndimore të Kosovës dhe kufirit me Shqipërinë. Këtu nuk ishte vetëm mundësia e hyrjes së NATO-s, por ishte një rajon ku UÇK-ja ishte vazhdimisht aktive, me prapavijë të sigurt dhe furnizime nga Shqipëria. Për më tepër këto furnizime arrinin në zona të tjera të UÇK-së, në Kosovë.

Në kuadër të forcave të UJ-së në Kosovë, përveç ushtarëve të rregullt, u angazhua edhe policia ushtarake nën ombrellën e së cilës vepronin njësi të ndryshme, duke filluar nga ato që trajtonin çështje të brendshme të ushtrisë, ato që kontrollonin komunikacionin e deri tek ato që merreshin me operacione speciale dhe antiterroriste. Sipas revistës “Vojska” në kuadër të njësive speciale ushtarake gjatë prillit 1998 përfshiheshin: brigadat kufitare, Brigada 63 parashutiste, Brigada 72 speciale, njësitë antiterroriste të policisë ushtarake – Kobra dhe Fajkojtë, si dhe brigadat e blinduara. Më 14 maj 1999, Shtabi i Përgjithshëm i UJ-së lëshoi urdhrin për futjen në veprime luftarake të policisë ushtarake.

Në kuadër të njësive speciale ushtarake, duke filluar nga korriku i vitit 1998, u inkuadruan edhe kriminelë e grupe vrasësish të cilët po vuanin dënimin në burgun e Sremit. Pasi u liruan nga pjesa e mbetur e dënimit, ata u pajisën me uniforma, armë të ndryshme dhe kartela të pjesëtarëve të sigurimit ushtarak dhe u dërguan në Kosovë me detyra të veçanta nën kujdesin e eprorëve ushtarakë. Kështu nën komandën e Dikoviqit, nga maji i vitit 1998, në Brigadën 37 të motorizuar, oficerë të lartë të sigurimit ushtarak, në mesin e të cilëve edhe nënkolonelët Sllobodan Stoshiq e Miograd Gjorgjeviq, i trajnuan dhe i ushtruan grupet e vrasësve, kriminelëve, madje edhe dhjetëra vrasës të tjerë që po vuanin dënimin në Mitrovicën e Sremit. Nga korriku i vitit 1998 këto grupe u dërguan në Kosovë, në cilësinë e vullnetarëve të UJ-së. Shumicën e të dënuarve për vrasje, me kërkesë të shërbimeve të fshehta policore e ushtarake, gjykata i liroi nga pjesa e mbetur e dënimit dhe ata u liruan nga burgu. Nënkoloneli Stoshiq u dha atyre uniforma, armë moderne, mjete kimike dhe mjete të tjera për likuidime të heshtura, si dhe shenja e kartela identifikuese të pjesëtarëve të sigurimit ushtarak. Edhe në fillim të marsit 1999, u dërgua nga kazerma e Rashkës në Kosovë skuadra luftuese (BG 37). Disa prej tyre ishin pjesëtarë të UJ-së të Brigadës 37 të motorizuar, e shumë të tjerë vullnetarë të trajnuar e të armatosur mirë, midis të cilëve edhe vrasës të dënuar nga gjykata e kriminelë lufte.

Të gjitha njësitë ushtarake që vepruan në Kosovë ishin nën komandën e Korpusit të Prishtinës. Nga data 8 prill 1999 edhe Qarku Ushtarak i Prishtinës ishte në varësi të Korpusit të Prishtinës, duke i vendosur kështu të gjitha detashmentet territoriale-ushtarake nën urdhrat e këtij korpusi, i cili bashkërendoi operacionet e përbashkëta të UJ-së dhe MPB-së. Këto të fundit gjatë mesit të prillit 1999, zhvilluan disa aksione të përbashkëta në rajonin e Drenicës, Çyqavicës, Jezercit, Rugovës, Bajgorës, Zatriqit e vende të tjera. MPB-ja dhe UJ-ja i kishin koordinuar planet e tyre para këtyre operacioneve të përbashkëta.

Forcat rezervë të UJ-së – Përveç rezervistëve të rregullt që u rekrutuan në të gjithë territorin e RFJ-së, në kuadër të forcave ushtarake rezervë në Kosovë u inkuadruan edhe serbët lokalë. Detyrë e këtyre serbëve ishte mbrojtja e vendbanimeve të tyre, si dhe pjesëmarrja në operacionet ushtarake në rajonet e tyre. Ishin serbët lokalë ata që udhëzuan forcat policore e ushtarake serbe kundër popullatës shqiptare në Kosovë, pasi ata flisnin gjuhën shqipe dhe njihnin fqinjët e tyre shqiptarë, dhe në këtë mënyrë u bënë pjesëmarrës në vrasjet dhe spastrimet etnike.

Mbrojtja territoriale dhe civile – Përveç forcave të MPB-së dhe UJ-së në Kosovë vepruan edhe forca të tjera, të cilat ishin nën kontrollin e organeve shtetërore dhe që mund të konsideroheshin si “forca të RFJ dhe të Serbisë”. Këtu përfshiheshin njësitet e mbrojtjes territoriale e civile në kuadër të Ministrisë Federale të Mbrojtjes. Në mbledhjen e kolegjiumit të Shtabit të Përgjithshëm të UJ-së, në shkurt të vitit 1999, të pranishmit u informuan se UJ-ja kishte armatosur rreth 47 000 serbë dhe se ishin dërguar municione nëpër fshatra. Detyrë e këtyre serbëve ishte që së bashku me njësitet e UJ-së të merrnin pjesë në operacionet në rrethinën e tyre.

Raportet dhe bashkëpunimi

Në fillim të vitit 1998 në Kosovë ishin aktive vetëm policia e rregullt, ajo speciale dhe Sigurimi Shtetëror. Ushtria, edhe pse e pranishme, kufizohej vetëm në ruajtjen e sigurisë përgjatë kufirit me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Por, një gjë e tillë ndryshoi në prill të vitit 1998 kur ushtria mori pjesë në operacionet policore në jugperëndim të Kosovës përgjatë kufirit me Shqipërinë. Më 23 prill 1998, rripi kufitar me Shqipërinë u zgjerua deri në 5 km. Ky rrip nënkuptonte zonën e përgjegjësisë së forcave të armatosura të RFJ-së përgjegjëse për sigurimin e kufirit. Zgjerimi i këtij rripi nënkuptonte mundësinë që forcat jugosllave të sigurisë të qëndronin aktive në një pjesë më të gjerë të rajonit. Më 21 korrik 1998, rripi kufitar me Shqipërinë e Maqedoninë u zgjerua edhe më tej, kurse një zgjerim edhe më i madh u bë me vendimin e 5 marsit 1999. Vendimet për zgjerimin e rripit kufitar u morën nga Shtabi i Përgjithshëm i UJ-së pas kërkesës së Korpusit të Prishtinës. Ky ishte momenti i fillimit të bashkëpunimit midis UJ-së e MPB-së (prill 1998), i cili do të merrte një formë më të organizuar dhe më të koordinuar nga qershori dhe korriku i vitit 1998 me miratimin nga udhëheqja më e lartë politike e ushtarake e RFJ-së të “Planit për shkatërrimin e terrorizmit në Kosovë”, prezantuar nga komandanti i Korpusit të Prishtinës, Pavkoviq dhe më pas të formimit të Komandës së Përbashkët.

Më 30 maj 1998 (apo në një datë të përafërt) në Beograd u zhvillua një mbledhje në kabinetin e kryetarit të RFJ-së. Në këtë mbledhje morën pjesë: kryetari Millosheviç, shefi i Sektorit të Sigurimit Shtetëror, ministri i MPB-së, shefi i Shtabit të MPB-së në Kosovë, shefi i Sektorit të Sigurisë Publike, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UJ-së, komandanti i Korpusit të Prishtinës etj. Në këtë takim u diskutua situata në Kosovë dhe si rrjedhojë lindi iniciativa për kryerjen e përgatitjeve për ta vëzhguar situatën lidhur me aktivitetet e forcave shqiptare, në mënyrë që të mos ishte një “befasi” për UJ-në apo MPB-në.

Në fillim të qershorit 1998, ushtarakët e lartë të Korpusit të Prishtinës u ngarkuan me hartimin e një plani për shkatërrimin e UÇK-së. Për të hartuar një plan të tillë, ata mblodhën informacione nga të gjitha strukturat jugosllave që vepronin në Kosovë, përfshi MPB-në dhe sektorin e saj të Sigurimit Shtetëror. Më 9 qershor 1998, Këshilli Suprem i Mbrojtjes në mbledhjen e mbajtur lidhur me zhvillimet në Kosovë, në bazë të propozimeve të Millosheviçit vendosi që, UJ-ja të reagonte në “mënyrë adekuate”. Kjo do të thotë se, UJ-ja mori detyrë, që krahas mbrojtjes së kufijve, t’u ofronte ndihmë forcave të MPB-së në luftën kundër UÇK-së. Kështu, më 9 qershor 1998, UJ-ja hartoi planin që nënkuptonte edhe veprimin e koordinuar midis UJ-së dhe MPB-së. Ky plan u miratua më 21 korrik 1998 në një mbledhje të nivelit të lartë ushtarak dhe politik serb, përfshirë Millosheviçin dhe figurat kryesore në UJ dhe MPB. Komandanti i Korpusit të Prishtinës të UJ-së, gjenerali Pavkoviq, e prezantoi planin në hartë duke specifikuar zonat e parashikuara për operacione të policisë dhe të ushtrisë. Plani u miratua pa asnjë ndryshim, si dhe u lëshua urdhri për zbatimin e tij. Si rrjedhojë, intensiteti i veprimeve ushtarake u shtua nga korriku i vitit 1998 e në vazhdim, me beteja të ashpra dhe të përgjakshme, ndërmjet forcave serbe dhe atyre të UÇK-së.

Në këtë periudhë komandant i Armatës III ishte gjeneralkoloneli Dushan Samarxhiq, i cili kishte unifikuar komandën mbi të gjitha njësitë e Armatës III. Ndërkohë, në një mbledhje tjetër që u mbajt në Prishtinë, Vlastimir Gjorgjeviq bëri të ditur formimin e një komande të nivelit të lartë, që do të quhej Komanda e Përbashkët. Komanda e Përbashkët përbëhej nga funksionarë të lartë politikë, udhëheqës të lartë të MPB-së e të UJ-së. Në krye të saj gjendej Nikolla Shainoviq, atëherë zëvendëskryeministër në qeverinë federale, të cilit i ishte besuar bashkërendimi i ushtrisë dhe i policisë. Vetë emërimi i Shainoviqit tregon për rëndësinë dhe kompetencën vendimmarrëse të kësaj trupe, vendimet e së cilës do të manifestoheshin me vrasje, dëbime dhe shkatërrime të vendbanimeve shqiptare në Kosovë. Nga 22 korriku 1998 e deri në fund të tetorit 1998 Komanda e Përbashkët u mblodh së paku 2-3 herë gjatë një jave, varësisht nga rrethanat apo intensiteti i luftës. Takimi i parë u mbajt në ndërtesën e MPB-së në Prishtinë, kurse të tjerat kryesisht në ndërtesën e Këshillit Ekzekutiv në Prishtinë. Megjithatë, dokumentacioni tregon se Komanda e Përbashkët kishte vepruar së paku deri më 1 qershor 1999.

Në mbledhjen e Komandës së Përbashkët të datës 26 shtator 1998 Pavkoviq dhe Lukiq raportuan se operacioni në rrethinën e Abrisë së Epërme kishte përfunduar. Në këtë operacion morën pjesë forcat serbe të sigurisë me ndihmën e forcave të Korpusit të Prishtinës. U ekzekutuan 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e të cilëve gra dhe fëmijë. Fshati Abri e Epërme ishte shkatërruar në masë. Më 28 shtator Komandanti i Korpusit të Prishtinës, përveç të tjerave, njoftonte komandën e Armatës III se: “BG-125-1, BG-125-2 dhe një pjesë e BG-243-2 të vazhdojnë t’i ofrojnë mbështetje MPB në shkatërrimin e plotë të FDT të rrethuara në sektorin e fshatit Obri e Epërme”. Raportet lidhur me këtë operacion dërguar Komandës së Përbashkët dëshmojnë, se Komanda e Përbashkët kishte urdhëruar operacionin në fjalë. Edhe në procesverbalin e kolegjiumit të UJ-së, të datës 21 janar 1999, vihet re se edhe operacioni në Reçak ishte urdhëruar nga Komanda e Përbashkët. Nga numri i madh i urdhëresave të lëshuara nga Komanda e Përbashkët, lidhur me udhëheqjen e operacioneve luftarake në Kosovë, shihet se ajo kishte pasur rol kryesor në planifikimin dhe komandimin e operacioneve të përbashkëta midis UJ-së dhe MPB-së. Lidhur me këtë edhe në komunikatën e lëshuar nga Komanda e Përbashkët, më 15 prill 1999, thuhet se Korpusi i Prishtinës i UJ-së, ishte ngarkuar me detyrën që t’i mbështeste forcat e MPB-së në “shkatërrimin dhe asgjësimin” e forcave të UÇK-së.

Duhet theksuar se, që nga koha e përfshirjes së UJ-së në operacionet luftarake në Kosovë e deri te fillimi i zbatimit të Planit në fjalë, në mesin e strukturave të larta ushtarake jugosllave kishte fërkime lidhur me rolin e UJ-së. Duke qenë se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UJ-së, Momçillo Perishiq, kërkonte në qershor të vitit 1998 të shpallej gjendja e jashtëzakonshme në mënyrë që përdorimi i forcave të UJ-së të ishte legjitim, duke argumentuar se UJ-ja ishte përgjegjëse vetëm për kufirin dhe agresionin e jashtëm, sepse në rast të kundërt mund të nxitej intervenimi ndërkombëtar, Nebojsha Pavkoviq, atëherë komandant i Korpusit të Prishtinës, e akuzonte Perishiqin se për shkak të bllokadës në përdorimin e forcave të UJ-së “terroristët shqiptarë” kishin arritur të kontrollonin deri në 60% të territorit të Kosovës.

Ndonëse Pavkoviq ishte për një qëndrim më radikal ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi, nuk do të thotë se Perishiq ishte më i butë në këtë drejtim. Ndryshe nga i pari, i dyti kërkonte mbrojtjen ligjore në veprimet e tij. Një kërkesë e tillë mbështetej nga përvojat që ai i kishte fituar në ballafaqimin me Tribunalin e Hagës për krime lufte në Bosnjë-Hercegovinë.

Sidoqoftë, detyrë parësore e Komandës së Përbashkët ishte mbikëqyrja e realizimit të planit të shkatërrimit të UÇK-së dhe koordinimi i aktiviteteve politiko-ushtarake në këtë drejtim. Plani në fjalë ishte hartuar nga ushtarakët më të lartë të UJ-së dhe fillimisht parashihej që realizimi i tij të kryhej në tri faza. Faza e parë përfshinte angazhimin e njësive kufitare të UJ-së në zonën kufitare. Në këtë fazë policia nuk kishte autorizime, përveç kryerjes së detyrave të rëndomta policore dhe kontrollimit e verifikimit të lëvizjeve të njerëzve e automjeteve. UJ-ja e kishte si detyrë kryesore parandalimin e kalimit përmes kufirit të forcave shqiptare të UÇK-së. Faza e dytë përfshinte angazhimin e forcave të MPB-së, me mbështetjen e UJ-së, në shkatërrimin e forcave të UÇK-së përgjatë rrugës kryesore Pejë-Gjakovë-Prizren, në rripin 10-15 km nga kufiri. Faza e tretë nënkuptonte mbështetjen e UJ-së për MPB-në në zhbllokimin e rrugës Mitrovicë-Runik-Pejë, rrugës Prishtinë-Klinë-Gjakovë dhe rrugës Shtimje-Suharekë-Prizren.

Në tetor dhe nëntor këtij plani iu shtuan edhe dy faza të tjera. Faza e katërt nënkuptonte shkatërrimin e forcave të UÇK-së në Drenicë, në Qyqavicë, Jabllanicë dhe rrethinën e gjerë përfshi edhe Gllogjanin, si dhe rrethinën e liqenit/malit të Jezercit dhe Duhlën. Faza e pestë, e cila u hartua pas marrëveshjes së Tetorit (marrëveshja Millosheviç-Holbrooke), nënkuptonte angazhimin e shtatë skuadrave luftuese për të siguruar rrugët në rripin kufitar si dhe të tri skuadrave të përziera në rrethinën e malit Volljak. Detyrë e MPB-së ishte që të formonte patrulla dhe pika kontrolli. Një nga detyrat e drejtpërdrejta që buronte nga ky plan ishte edhe angazhimi i përbashkët i forcave të MPB-së dhe të Korpusit të Prishtinës të UJ-së, kundër UÇK-së.

MPB-ja dhe UJ-ja zhvilluan operacione të koordinuara kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që bashkëpunimi i forcave serbe ishte i ngushtë dhe i realizuar nën një zinxhir komandues, pra sipas urdhrave nga Komanda e Përbashkët, mund të dëshmohet përmes këtyre fakteve: 1- një dokument i komandës ushtarake të Armatës III, datë 9 gusht 1998, urdhëronte njësitë vartëse që ta mbështesnin MPB-në në “shkatërrimin e forcave terroriste shqiptare” në rajonin e Gramaqelit, Prilepit dhe Gllogjanit për ta siguruar rrugën Gjakovë-Deçan-Pejë; 2- një raport i Shtabit të Përgjithshëm, i datës 17 gusht 1998, urdhëronte komandën e Armatës III që “të vazhdohet koordinimi dhe bashkëveprimi me forcat e MPB për të shkatërruar forcat terroriste shqiptare”; 3- masakra e Reçakut: ushtria e granatoi fshatin e pastaj vazhdoi granatimin në pjesë të tjera të fshatit e jo në drejtimin ku njëkohësisht po lëviznin forcat policore në drejtim të fshatit; 4- në masakrën e Rugovës, komuna e Gjakovës, 29 janar 1999, eprori ushtarak komandonte njëkohësisht edhe forcat policore etj. Kështu, zinxhiri komandues udhëhequr nga Komanda e Përbashkët nuk ishte vetëm në drejtim të luftës së UÇK-së, por edhe në pjesëmarrjen e tyre në masakrat e ndryshme dhe dëbimin e dhunshëm të rreth 1 milion shqiptarëve. Duke pasur parasysh historikun e politikës serbe të shkatërrimit dhe dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre dhe po ashtu motivin, karakterin dhe qëllimin e krimeve më 1998-1999 në Kosovë, arrijmë në përfundimin se ato paraqesin gjenocid ideor, teorik e praktik kundër popullsisë shqiptare në përgjithësi.

Lufta në Kosovë përfundoi me Marrëveshjen tekniko-ushtarake të nënshkruar më 9 qershor 1999 në Kumanovë midis përfaqësuesve të NATO-s dhe të UJ-së. Kushtet e paqes parashihnin tërheqjen e plotë të forcave të sigurisë së RFJ-së nga Kosova në një afat prej 11 ditësh. Në dy ditët e para duhej zhvendosur gjithë sistemi i mbrojtjes kundërajrore, në mënyrë që NATO-ja pa pengesë ta kontrollonte hapësirën ajrore. Nuk u lejua që forcat e tërhequra jugosllave të sistemoheshin në Mal të Zi. Kosova u nda në tri zona evakuimi për forcat MPB-UJ, që duheshin realizuar brenda 11 ditësh: a) zona 1 – Prizren, Gjakovë, Ferizaj, Prishtinë, Aeroport – afati për tërheqjen e forcave serbe ishte 6 ditë; b) zona 2 – pjesa qendrore e Kosovës – afati për tërheqje 9 ditë; c) zona 3 – Mitrovicë dhe Leposaviq – afati i tërheqjes 11 ditë. Forcat e Korpusit të Prishtinës u tërhoqën me këtë itinerar: komanda e korpusit u transferua në Leskovc, Brigada e motorizuar 549 kaloi në Vranjë, Brigada 15 e blinduar në Prokuplje, Brigada 125 e motorizuar kaloi në Krushevc, Brigada 243 e motorizuar në Vranjë etj.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

Roli i OZNA-s dhe KGB-së në përpjekje për ta përmbysur regjimin e Enver Hoxhës në Shqipërinë e pasluftës së Dytë botërore

Christopher Andrew dhe Oleg Gordievsky, i pari historian britanik dhe tjetri agjent i dyfishtë sovjeto-britanik, …