Sadete Muhamet Tërnava-Osmani: Vit emocionesh për arsimin, liberalizimin, veriun, dhunën ndaj grave, dy euroshin falso dhe 100 eurot dhuratë

Vit emocionesh për arsimin, liberalizimin, veriun, dhunën ndaj grave, dy euroshin falso dhe 100 eurot dhuratë
Miq, Gëzuar Viti i Ri!
Kam përshtypjen se muaji dhjetor është me i dashur se muajt e tjerë. Përveç distancës se gjatë kohore ndërmjet janarit e dhjetorit e cila na bën të harrojmë se çka ka ndodhur para një viti, muaji i fundit mbahet ne mend për shkak se i finalizojmë aktivitetet e planifikuara, gjysmë-vjetoret neper shkolla e fakultete pothuajse përfundohen, urimet fillojnë te këmbehen, blihen dhurata, dhe nder te tjera kudo organizohen ndeja fund-viti me muzike e vallëzime ku shtrohet ushqim i mirë dhe interesant me kombinime të ndryshme, që nga flija jonë e deri te sushi i huaj. Gjatë darkave zakonisht komplementohet për elegancën, për bukurinë, botoksin e për veshjet, urohet për ndonjë gëzim familjar e si kalimthi përmendet ndonjë regres apo progres shoqëror. Ngase ka me shumë disponim shkëmbehen edhe batuta me kripë e pa të, dhe pashmangshëm debatohet herë me sarkazëm e herë me admirim për çështjen me te nxehta te vitit – arsimin, liberalizimin, veriun, dhunën ndaj grave, dy euroshin falso dhe se fundmi për 100 eurot e qeverise dhuruar fëmijëve e te moshuarve, për te pasuar përplasjet emocionale për vetë-aktualizim nëpërmjet temave përkatëse dhe ato tej-kombëtare. Shumë tema e sa emocione!
Në njërën prej këtyre ndejave te fund-vitit, ulur përgjatë një tavoline me ndonja dy-trembëdhjetë veta, posa pushoi muzika, dy kolege qe ishin përballë e qe nuk i njihja mirë, ngase te shumtën e rasteve përshëndetemi pa u ndalur, filluan te bisedonin: “Kësaj here, një janari po më duket si datë arbitrare për ta filluar vetë-përmirësimin”, tha njëra. Tjetra me thumbim ia priti: “Hahaha, ke arsye të mira psikologjike për ta bërë këtë. Duhet te përmirësohesh!”. E para mbet sy e gojëhapur me sallatën e lakrës varur pirunit dhe me ton ku ndihej një pezëm i thellë ia ktheu: “Unë e di se ti s’mund te ma durosh tipin tim te pëlqyer nga te gjithë, por për këtë flasim ne ndonjë rast tjetër, sepse e kemi edhe dike tjetër afër e po me vjen keq me ta tregue vendin. Zoti të ndihmoftë!” U ngrit dhe shkoi te tavolina tjetër, ndërsa zonja qe mbeti e këndonte refrenin e këngës pa e prishur terezinë. Unë trokisja me gishta në tryeze….
Kjo situatë u bë pjese e këtij reflektimi për vitin e ri sepse ne te gjithë qofte vetvetshëm qofte me të tjerët i bëjmë planet për ndryshime dhe normalisht presim miratim nga familja, shoqëria, koleget etj., edhe pse mendojmë qe një pjesë e madhe e këtyre qëllimeve të mira përfundojnë me zhgënjim. Për ata që nuk e ndjekin këtë logjike, vetë akti i krijimit të një vendimi për vitin e ri mund të duket i palogjikshëm. Ndoshta edhe s’do te duhej të bëjmë “presionin” e panevojshëm mbi veten për ta ‘përmirësuar’ jetën tonë në hapjen e një kalendari të ri kur shume gjera nuk varen nga ne. Megjithatë, hulumtimet e fundit psikologjike sugjerojnë se ka shumë arsye për të filluar një regjim të ri në ditën e parë te vitit të ri sepse ne të gjithë mund t’i rrisim shanset tona për t’iu përmbajtur synimeve të reja për vitin 2024. Ky i bie te jete efekti pozitiv për një fillimi të ri edhe pse si komb s’është se kemi krijuar ndonjë tradite për të bërë vendime (Rezoluta-Resolutions) të vitit të ri, siç ta zëmë bëjnë popujt perëndimorë te cilët natëne e vitit te ri vendosin të bëjnë ndryshime në jetën e tyre. Kjo traditë është më shumë se 4000 vjet e vjetër dhe daton që nga babilonasit, të cilët sipas historisë atëbotë vendosën t’i paguanin borxhet e vjetra dhe t’i kthenin gjërat e huazuara në fund të vitit.
Pavarësisht nëse qëllimi juaj është të kaloni më shumë kohë me familjen, te mësoni me shume nëse jeni nxënës apo studentë, ta ndiqni ndonjë kurs profesional apo ndonjë hobi qe e keni ëndërruar gjatë, t’i respektoni gratë e vajzat me shumë, t’ia shkruani urimet njeri tjetrin me emër e jo me copy-paste, kur të pezmatoheni mos të shpërtheni me vrull e me sharje ose thjesht nëse do t’i gëzoheni liberalizimit duke udhëtuar, përdorimi i vitit te ri si shënjues për ndryshim mund te na ndihmojë t’i arrijmë qëllimet duke u bere me të dobishëm. Imagjinojeni çfarë e arriture do te ishte për shëndetin e tyre sikur duhanpirësit e alkoolistet t’i premtonin vetes se s’do te pinë më duhan e raki, sikur hileqarët mos t’ju vinin gracka zogjve, e sikur ajo kolegia e këtij shkrimi t’ia kishte miratuar e inkurajuar kolegen për idenë e saj për ndryshim.
Sot, përgjithësisht kemi mundësi qe secila/i brenda komunitetit te vet te jete i/e devotshme dhe shembull. Nëse nuk po mundemi ditëve e muajve tjerë, qe nga nesër do të mund të hynim në vendime e bashkëpunime grupore për reformimin tonë individual, familjar, shoqëror, shkollor, mjekësor, ekonomik, politik, ambiental, shpirtëror e human dhe kështu t’i shkurtonim të metat tona kolektive me ndryshime pozitive pas një sezoni hedonist që filloi me festen e 28 Nëntorit.
Është koha ta pastrojmë shpirtin individual dhe kolektiv. Ta hapim mendjen e ta organizojmë trurin dhe t’i respektojmë kujtimet dhe historinë e vendit sepse sa herë që kemi një moment që duket si një ndarje kohe, mendja jone punon me pozitivisht për një fillim të ri, për mësime nga dështimet e së kaluarës.
Sonte, ndërsa një numër burrash mund të veshin sako vezulluese me tegela e gratë fustana ballosh e perla për ndejat e tyre me sushi, një numër tjetër do t’i ndjekim programet televizive te parvjetshme duke i shijuar fliat e mantiat. Diku-diku, dikush, në mos një numër i madh do t’i shpenzojnë 100 eurot e fëmijëve e të moshuarve kush e di si, ndoshta duke i paguar faturat ose duke blerë llamba me vajguri.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …