Me 27 shtator ora 5:15 minuta në mëngjesin e ditës së diele po sa ishim zgjuar filluan granatimet nder dy tri granatat e para njëra ra në oborr

Sadik Halitjaha: Marrëveshja e Ohërit e 13 gushtit 2001

Marrëveshja e Ohërit e 13 gushtit 2001

Kjo marrëveshje ndërpreu luftën ndërmjet dy palëve, shqiptarëve dhe maqedonasve. Lufta bëhet për të fituar lirinë, ndërsa marrëveshjet bëhen për të përfunduar luftën dhe për të ndërtuar paqen. Asnjëra palë nuk dëshiron luftën, por ajo lind si domosdoshmëri e mosdurimit të robërisë së rëndë dhe si detyrim për liri.

Përveç luftës në Kosovë gjatë viteve 1997-1999 dhe luftës në Luginë të Preshevës, në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë gjatë viteve 1999-2000, filloi lufta në rajonin e Pollogut dhe tërë Iliridën, e cila vazhdoi deri në vitin 2001, kur u ndërpre me ndikimin ndërkombëtar dhe u arrit marrëveshja e Ohërit më 13 Gusht 2001.

Bazuar në komunikatën e lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i nënshkruar nga Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ali Ahmeti, më 9 Mars 2001, u lëshua komunikata nr. 6. Në këtë komunikatë janë paraqitur disa kërkesa që i paraprinë marrëveshjes së Ohërit.

Të arriturat nga kjo marrëveshje përfshijnë:

  1. Të ndalohet diskriminimi civil dhe ushtarak.
  2. Të mos diskriminohen shqiptarët në arsim, kulturë dhe shkencë.
  3. Të hiqet diskriminimi në administratë, ekonomi dhe zhvillim.
  4. Të hiqet diskriminimi politik; të krijohen mundësi dhe norma për vendimmarrje të drejtë dhe të barabartë për shqiptarët.
  5. Të lirohen të burgosurit politikë dhe të kthehen të mbijetuarit dhe të kërkuarit mbi baza politike që janë emigrantë jashtë vendit.
  6. Të mos ndërhyjnë shtetet e tjera në luftën për mbështetje të maqedonasve kundër shqiptarëve, si Bullgaria, Greqia, Rusia, etj.

Komunikata përfundon me thirrjen ndaj nënave maqedonase që t’i ndalojnë djemtë e tyre të mos bien pre e pushtetarëve maqedonas.

Për të dalë kjo komunikatë me këto qëndrime, ka ndikuar Ambasadori i Amerikës në Maqedoni, James W. Pardew, miku i madh i shqiptarëve dhe mik i veçantë i Ali Ahmetit. Në këtë kohë, Ambasadori Amerikan Jon Mexis më thirri në Kosovë në mesnatë dhe më kërkoi që të kontaktoja Ali Ahmetin për t’i përcjellë kërkesat që komunikata të përmbushë kërkesat dhe të publikohej të nesërmen.

U përpoqa të kontaktoj Ali Ahmetin, por telefoni i tij ishte i mbyllur. Po ashtu, u përpoqa të kontaktoj Gëzim Ozdrenin, Haxhi Baben, Azbi Likën dhe shumë shokë të tjerë me të cilët kisha lidhje. Më në fund, më kujtua të telefonoj në numrat e vjetër në Zvicër, Lucern, ku Musa Xhaferi (Ramizi) e mori rastësisht telefonin atje dhe e njoftova për kërkesën e Ambasadorit Jon Mexis që komunikata të publikohej nesër, pasi pas dy ditësh do të ishte mbledhja e Këshillit të Sigurimit.

Amerika dëshironte të mbante një qëndrim të qartë dhe të drejtë ndaj luftës së UÇK-së në Maqedoni. Komandanti i Përgjithshëm, Ali Ahmeti, ishte personi kyç për përfundimin e luftës. Ai kishte gjithë fuqinë dhe ishte i besuari i Amerikës, Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve. Aliu bëri gjithçka që dinte dhe mundi, si komandant dhe lider politik.

Si nuk janë të pranishëm politikanët dhe ekspertët e jurisprudencës së Kosovës dhe Shqipërisë, historianët, gjeografët dhe demografët në ballë të proceseve dhe marrëveshjeve si ajo e Rambujesë, e Konçulit dhe kjo e Ohërit?

Tani, në retrospektivë, pas asaj kohe që ka kaluar, konstatoj se po të kishte angazhime serioze dhe profesionale, zgjidhjet do të ishin të plota, ndryshe nga si shkuan deri tani. Kush sot e përmend apo e di se çfarë përmban marrëveshja e Konçulit?

Marrëveshja e Ohërit nuk ishte maksimalja dhe nuk ishte ajo që shqiptarët dhe UÇK-ja kishin kërkuar dhe dëshiruar. Por ajo ishte e pranueshme dhe e domosdoshme, pasi vetëm kaq kishte mbështetje dhe mundësi që na lejonin ndërkombëtarët.

Aliu bëri shumë analiza dhe kalkulime se si do të ndahej territori ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve. Ishte e pamundur, sidomos në disfavor të shqiptarëve, për shkak të demografisë së vendosur me dekada dhe shekuj nga sllavët që kishin kolonizuar pjesë të shumta dhe më vitale, të cilat do të mbeteshin në anën tjetër.

Se pse parimi i ndërkombëtarëve është: “Të kujt janë delet, ai është livadhi!” Nuk përfillet parimi historik dhe i trashëgimisë, as kur është autokton.

Mendoj se do të ishte mirë që marrëveshja e Ohërit e vitit 2001 të përcaktonte një formë federative ose konfederative. Dy Republikat, Ilirida dhe Ilindeni, ose si do t’i quanin ata, do të kishin kufijtë administrativë, katastralë dhe strukturat e tyre, si dhe sigurinë rajonale, planifikimin ekonomik dhe zhvillimin. Qeverisja dhe federata e përbashkët do të ishin me rotacion, me një kushtetutë të përbashkët dhe ligje republikane dhe rajonale në Maqedoninë e Përbashkët. Duke pasur në mëvetsi sigurinë rajonale dhe të përbashkët territoriale, politike dhe të drejtat e përfaqësimit kombëtar e ndërkombëtar.

Kjo nuk ndodhi; u hartua marrëveshja e Ohërit nga një mik i madh i shqiptarëve, me mendësi amerikane. Prof. Dr. Raul Williams e përpiloi marrëveshjen, duke pasur parasysh jo vetëm mendësinë amerikane, por edhe mundësitë e realizimit dhe arsyetimin përpara Këshillit të Sigurimit dhe Europës. Europa, e cila gjatë historisë ndau tokat shqiptare në pesë pjesë, duke i kënaqur kërkesat ruse dhe apetitet serbo-sllave.

Marrëveshja e Ohërit nuk ishte me të drejta maksimale, por ishte e pranueshme dhe e domosdoshme. As sot, pas 23 vjetësh, nuk po zbatohet siç duhet, edhe pse ndërkombëtarët dhe aleatët ishin garantë.

Sllavo-maqedonasit, duke qenë shumicë, po e keqësojnë dhe po e keqtrajtojnë popullin shqiptar, duke mos zbatuar në plotni marrëveshjen. Shumë shpejt mund të bëhen të padurueshëm, dhe shqiptarët nuk e durojnë më sundimin. UÇK-ja vuri themelet e lirisë dhe vulën e së drejtës legjitime për të jetuar shqiptarët të barabartë në Maqedoninë e Veriut.

Nëse sllavo-maqedonasit dhe sllavofile shqipfolës e kanë harruar vitin 2001, Ali Ahmeti është ende gjallë dhe shumë më i fortë se kurrë më parë, bashkë me çlirimtarët. Nëse vazhdojnë të mos respektojnë marrëveshjen, shpejt do të detyrohen të hyjnë në një marrëveshje të re, por me kushtet që ne do të vendosim.

Rroftë populli shqiptar në tokat e veta, Rroftë UÇK-ja! Lavdi dëshmorëve!

31 Korrik 2024 Sadik Halitjaha

 

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti në Malësinë e Tetovës: Numri 3 dhe BDI bashkon tetovarët

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti iu ka dërguar letra drejtuesve të lartë shqiptarë dhe ndërkombëtarë për mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit

Bashkimi Demokratik për Integrim ka njoftuar se kryetari i saj, Ali Ahmeti iu ka dërguar …