Tani të pazakontat po na kthehen në të zakonshme! Ata që e kanë fyer e sharë Rugovën, shkojnë e përulin kokën te varri i tij, si në tyrben e Sulltan Muratit!
Shkojnë para se të shkojnë te Dëshmorët, te Adem Jashari e te Adem Demaçi, Heronj!
I shanin, i spiunonin, i rrihnin Veprimtarët e Çështjes Kombëtare të lëvizjeve të fshehta, për armiqtë të njohura dhe legale për popullin tonë!
Kuislingët, kolaboracionistët, i denigronin, përbuznin dhe i lininqonin veprimtarët që vepronin dhe luftonin në interes të popullit dhe të Atdheut!
Këta harbutë udbashë, tani futen në mesin e veprimtarëve politikë Kombëtarë dhe rreshtohen në nderim të ngjarjeve, shënimeve të pllakave përkujtimore si në Tetovë, Iliridë, e gjithandej nëpër Kosovë, në përkujtim të vlerave të sakrificës dhe përpjekjeve për liri e Atdhe!
Udbashët, spiunët e veshur me pushtet, kujtojnë se e kanë fituar edhe të drejtën e patronazhit të ngjarjeve historike kombëtare, që këta farë pushtetarë zagarë ishin kundër; i shanin, i fyenin, spiunonin, burgosnin e torturonin veprimtarët Patriotë!
Në kohën e fundit, krejt hapur dhe pa turp, kur është dita e çlirimit, rastis që Kryetari i Komunës, që nuk ka qenë fare në luftë, të marrë nën patronazhin e tij organizimin e manifestimit, ndërsa ky fare nuk bashkëpunon me çlirimtarët!
Ky farë kastraveci kujton se lufta i është bërë tapi; ai vetë cakton skenarin, vetë flet e vetë vendos!
Ulet në vendin e parë, pa i përfillur familjarët e Dëshmorëve, invalidët që lanë gjymtyrët në luftë, as komandantët që udhëhoqën luftën!
Këtyre zagarëve, pushtetarëve duhet t’ju tregojmë qartë vendin. Ju thojmë: ju bëni festa e ahengje, festivale e karnavale!
Të çart duhet ta keni se dita e çlirimit, dita e Dëshmorëve, Dita e Flamurit dhe e Pavarësisë, në radhë të parë ju takon Veprimtarëve Çlirimtarë!
Jo juve, pushtetarë zagarë, që nuk doni t’i respektoni vlerat, si s’keni turp t’i vishni meritat e të tjerëve dhe t’i përbuzni me prezencën dhe sjelljen tuaj!
Meritorët e çlirimit, ata që sollën lirinë!
E ti, ti more zagar, ju grabite padrejtësisht pushtetin dhe u bëre sundimtar i tyre, duke ua shkelur vlerat dhe duke u mohuar lirinë, tuj ju krijuar varfëri ekonomike dhe vështirësi të mbijetesës deri në vetëvrasje!
Ti, o dallkauk pushtetar, mos i grabit vlerat, mos i vesh tirqit e Haxhi Rrustet se s’ke b. për ta!
Prezenca dhe rreshtimi pranë varreve e lapidarëve të Dëshmorëve ju takon bashkëluftëtarëve, familjarëve të Dëshmorëve, invalidëve që janë Dëshmorë të gjallë!
Ditët dhe evenimentet e luftës ju takojnë luftëtarëve, jo pushtetarëve zagarë!
Një pushtetar rasti sillet si padron para luftëtarëve edhe pse i ka pranë invalidët dhe heronjtë e gjallë; sillet si komandant i tyre edhe pse aty ka komandantë të devotshëm, nga kom. skuadre deri te komandanti i Zonës apo i Përgjithshëm!
Lirinë jua sollem, pushtetin jua dhamë! Ama poshtërimin nuk e durojmë!
Kështu kur s’ka shtet, ligje e protokoll shteti, një klysh e keqpërdor pushtetin!
Askujt nuk i thonë, por duhet thënë: jeni ju ata që shanit atëherë, e kush dreqin jeni tani? Çfarë cirku luani ju kameleonë!
Lavdi Dëshmorëve, respekt për çlirimtarët!
31 gusht 2024
Sadik Halitjaha