Këtu te ne duhet të veprojë ligji anti-terrorizëm!
Në konventat dhe normat ligjore ndërkombëtare janë të sanksionuara: çka konsiderohet akt kriminal, terrorist, diversant, e çka krim në masë, krim kundër njerëzimit!
Kur akti i veprimit rrezikon shumë jetë njerëzish të pafajshëm dhe të pa seleksionuar, bazuar në urrejtjen racore, kjo merr përmasa edhe më të rënda dhe mund të konsiderohet gjenocid!
Fakti që ky veprim terrorizon psikologjikisht dhe lëndon jetën, apo pamundëson jetën normale të shumë njerëzve të gjinive e moshave të ndryshme, pa kursyer pleq, fëmijë e gra, krejtësisht të pafajshëm!
Kjo duhet të konsiderohet:
- Krim kundër njerëzimit!
Këta terroristë, po të kishin mundësi, edhe digën do ta shkatërronin, dhe fshatra e qytete uji do t’i mbulonte!
Nëse me konventa ndërkombëtare në luftë është e dënueshme djegia e grunajave, e karburanteve, e shtëpive, e vrasjeve në masë, e shfarosjes dhe dëbimit, e pastrimit etnik, gjenocidit racor, kulturocidit e konfeksionocidit, atëherë edhe kjo është e ndaluar!
Krejt këto janë të ndaluara e të dënueshme nga Konventa e Gjenevës – Mbi të Drejtat në Luftë!
Si ka mundësi kjo të ndodhë në një gjendje paqe dhe të mos gjykohet si krim kundër njerëzimit?!
Duhet ashpër të godasë ligji anti-terrorizëm!
Frika e ruan rrushin, do të thoshte populli!
Mirë që shtohet kontrolli, mirë që po zbulohen armët e fshehura e të përgatitura për luftë! Vetë fakti që gjenden armë të gjitha llojeve e të gjitha kalibrave!
Duhet të zbulohet edhe trotili dhe lloji i tij, që u përdor në shkatërrimin e ujëpërçuesit të Iber Lepencit!
Me siguri edhe helme do të gjenden. Të gjitha këto që i posedon e prodhon Serbia dhe i përgatit e i furnizon bandat diversante, i urdhëron të veprojnë në dëmtimin e infrastrukturës vitale dhe rrezikimin e njerëzve në Kosovë!
Kjo që ndodhi është më shumë se argument për aleatët dhe ndërkombëtarët që të mos mbetet veriu dhe varësia e Kosovës në dorën e Serbisë me resurset vitale!
Ashtu siç është sjellur Europa deri tani, i bie sikur me ia lënë delet me i ruajtur ujku!
Edhe opozita duhet të zgjohet nga apatia e thellë, sepse po goditet Kosova, jo Albini!
Nuk duhet të mendohet se marrja me të mirë e Serbisë do ta shtyjë atë të sillet miqësisht dhe njerëzisht ndaj Kosovës!
Këtë mënyrë jemi munduar ta imponojmë gjatë luftës: ne nuk i sulmonim civilët serbë, ne i mirëtrajtonim robërit dhe i lironim!
Pavarësisht sjelljes tonë ndaj tyre, ata armiqtë serbë na vrisnin edhe fëmijët me biberon në dorë, dhunonin e vrisnin gra, fëmijë e pleq, të paarmatosur e të pafajshëm!
Pra, dua të them: derri me lutje (me hajmali) nuk del nga kallamoqi!
Në këtë rast është vërtetuar shumëfish se ndërkombëtarët gabim e kanë pasur qëndrimin dhe çështjen e dialogut për krijimin e Asociacionit, edhe nëse këtë ia kanë premtuar Vuçiqit!
Nuk kanë të drejtë as moralisht ta mbajnë më këtë qëndrim!
Prandaj ky alarm duhet të ju shërbejë të gjithëve, kombëtarëve e ndërkombëtarëve, të gjithë kanë hapur sytë me gisht edhe miopët!
Të mos ia lënë zjarrin në dorë piromanëve!
Prandaj na duhet unitet, qëndrim kombëtar unik, bashkë me aleatët me i thënë stop Serbisë!
Asnjë milimetër mos të përzihet e mos të prekë Kosovën, sepse kjo nuk është vetëm përzierje në shtetin tonë, por është goditje dhe sulm për shkatërrimin e shtetit tonë sovran!
Për kaq sa ka ndodhur, do të shpërthente lufta mes dy shteteve, por këtu te ne na e kanë përzier me kos, sikur i kanë kompetencat KFOR-i!
Ne duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të përgatitemi për çdo situatë e çdo mënyrë të mundshme, duke pasur strategji e gatishmëri të shkallës së parë e të dytë!
Të variantit -A- dhe -B-, sepse ky popull do rrymë, ushqim, mirëqenie, liri, do siguri e pacenueshmëri!
Krejt këto do t’i kemi nëse do ta bëjmë sa më shpejt bashkimin kombëtar. Të gjithë shqiptarët e bashkuar do ta siguronim paprekshmërinë dhe do të ishim faktor stabiliteti në Europë!
Si dhe të rëndësishëm për aleatët e përhershëm anglo-amerikanë dhe NATO-n!
Duhet të sigurohet paprekshmëria e Kosovës, të mbrohet çdo cep e çdo pëllëmbë e fituar me luftë e larë me gjak!
30 nëntor 2024
Sadik Halitjaha