Sa po i drejtë i vlerësojmë?
Po i vlerësojmë apo çvlerësojmë?!
Po i madhërojmë apo i zvogëlojmë?!
Mos vallë po i denigrojmë?
Për t’i vlerësuar drejt, duhet që t’i njohim mirë në të gjitha aspektet jetësore: t’ia njohim veprimtarinë, karakterin, sakrificën dhe lartësinë e vlerave që kishte dhe që i dha Dëshmori apo Herori për Atdhe!
Patjetër, ai që flet për Heroin apo Dëshmorin, duhet të ketë heroizëm në vetvete, duhet të ketë qenë i dëshmuar për Atdhe!
Folësi, nëse flet për Heroin e për sakrificat, duhet t’i dijë cilat i pati Heroi–Dëshmori!
Kur flet për organizimet, duhet ta dijë çfarë organizimesh kishte bërë, kur dhe me kë i bëri. Nëse flet për strategjinë, duhet ta dijë çfarë strategjie kishte dhe si e përdori atë. Nëse flet për vizionin, cili ishte vizioni i tij dhe sa e si u realizua!
Jo kështu siç po ndodh: fjalime të thata, përkëdhelëse e të përshtatura!
Pse i caktojnë familjarët kush duhet e kush jo të flasë për Heroin apo Dëshmorin?!
Familjari mund të flasë në emër të familjes dhe për familjen, por mund të ndodhë shumë herë që familjarët nuk e kanë njohur sa duhet dhe nuk kanë qenë në rrugëtimin e përbashkët kombëtar me Heroin apo Dëshmorin!
Si dhe mund të mos kenë as heroizëm e as dëshmi kombëtare!
Aq më keq kur ndërhyjnë dhe thonë “të flasë ky shok”, apo nipi, daja, i preferuari i familjes… Edhe më tej: që është bërë zakon i shëmtuar që pushtetarët dhe disa “intelektualë e personalitete” të flasin!
Pse? Sepse ia kërkon interesi aktual i familjes!
E çfarë dinë këta për Heroin apo Dëshmorin? Jo që nuk kanë qenë të njëjtë e në veprimtari të përbashkët, por as kafe kurrë s’e kanë pirë me Dëshmorin!
Pastaj si do ta çmojë e vlerësojë ky i përzgjedhuri, që s’ka fije heroizmi e as dëshmi kombëtare?!
Shkohet edhe më tej: bëjnë filma dokumentarë pa argumentuar e dokumentuar asgjë! Bëjnë edhe libra për qejfin e tyre!
Po i çvlerësojmë edhe me mënyrën e homazheve, përkujtimoreve dhe të ashtuquajturave “Akademi Përkujtimore” – që shumë herë nuk dinë të dallojnë e të kornizojnë çka duhet të përmbajë njëra apo tjetra!
Pikërisht pse nuk dinë t’i respektojnë protokollet, edhe këtu i lihet në dorë të organizojë një papak që nuk di, as nuk do!
Pse nuk bëhet këshilli organizativ, apo të paktën ndonjë skenar paraprak?!
Në këso raste mblidhen njerëz me zemër e bindje të mirë për Heroin–Dëshmorin, me plot merita. Por nuk priten as nuk përcillen nga askush, as nga familjarët!
Spontanisht, kush me kë takohen, i japin dorën, fotografohen… ndoshta nga malli për njëri-tjetrin, por edhe për të dëshmuar se ishin aty!
Thonë apo nuk thonë asgjë nga ato që duhet thënë në këto raste – me rëndësi që dikujt iu dha fjala, u dëgjua deri te rreshti i parë apo i dytë, pati zë apo jo, me mikrofon, autoparlantë, apo foli me vete – s’ka rëndësi?!
Folësi ishte apo jo i organizuar me Heroin–Dëshmorin, në veprimtari apo në luftë – s’ka asnjë rëndësi?!
Ka lidhje me veprën apo fare – as ka dëgjuar ndonjëherë për të – flet se ia ka thënë dikush të flasë!
Folësi ishte në luftë apo mijëra kilometra larg saj?
Flet se e ka parë luftën në televizor!
Kështu si po veprohet, po i çvlerësojmë padrejtësisht vlerat e pamohueshme të Heronjve dhe Dëshmorëve!
Ngritja e shtatoreve nga vetë familjarët, pa marrë askush përgjegjësi profesionale!
Të manipuluar me çmim, i bëjnë të vogla!
Më e vogël shtatorja se vetë Heroi–Dëshmori që ka qenë!
Çdokush duhet të ketë aq vetëdije se shtatorja duhet të shpërfaqë madhështinë e Heroit – për këtë ka një standard: minimumi duhet të jetë një herë e gjysmë më e madhe se përmasat që kishte vetë Heroi–Dëshmori!
Si të kuptohet kur bëhet më e vogël se që ishte? Me qëllim apo jo, qoftë edhe nga padija – si mund të lejohet kjo, ta shpërfaq Heroin apo Dëshmorin botërisht, para popullit, në vende publike?!
Nëse nuk ua duam madhështinë, si mund t’i duam më të vegjël, e t’ua zbehim lavdinë e merituar?!
Sa dhe si do të shkojë ky degradim dhe denigrim i vlerave?!
Mendoj: aq gjatë sa s’ka shtet funksional, si dhe zbatim të protokollit shtetëror!
Deri sa s’ka në pushtet njerëz me vetëdije dhe të formuar kombëtarisht e të përkushtuar!
Aq sa u lihet në dorë injorantëve, që sipas tyre, po ju ngjesin vetullat – realisht po ua nxjerrin sytë!
M J E R I M
25 prill 2025
Sadik Halitjaha