Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: VIZITA E SHEFIT TË NATO-s NË KOSOVË DHE NË TË NJËJTËN DITË DJALI I TRUMP-IT NË SERBI!

Edhe pse deklarimet e Ruter-it ishin të zbutura, ishin ato të djalit të Trump-it shumë të ashpra e të dëmshme për Kosovën!
Deklaroi kundër granatimeve të NATO-s gjatë luftës çlirimtare, i tha Vučić-it: “Gabim ka qenë granatimi!”
Aq më keq, ky shpalosi një hartë ku Kosovën e paraqet pjesë të Serbisë!
Nuk u mjaftua me kaq, kritikoi NATO-n dhe Clinton-in pse i granatuan forcat serbe gjatë luftës!
Çuditërisht e justifikoi granatimin e atëhershëm, siç thotë ky, e bëri Clinton-i për ta mbuluar aferën në Shtëpinë e Bardhë me Lewinsky-n!

Kjo është skandaloze, të akuzosh Clinton-in, Albright-in, Bush-in, Clark-un dhe gjithë strukturat vendimmarrëse të Amerikës të asaj kohe dhe të mos ndëshkohesh, të mos ndihet zëri i asnjë amerikani?!
Ky Trump-i i ri mund të jetë pro-serb, por nuk i lejohet t’i shembë të gjitha të arriturat e deritanishme të Amerikës në botë për interesat e veta!
Atëherë pse e mbajnë të heshtur aferën e Trump-it plak, akoma në gjyq për dhunim seksual?!

E pakuptimtë dhe jo logjike, çfarë ka të bëjë seksi me luftërat, me rregullimet shoqërore, ato strategjike e gjeostrategjike?!
Me çfarë autorizimesh vepron Trump-i i ri, apo mjafton të jetë djalë i presidentit dhe të luajë bixhoz me fatet e popujve e të shteteve të tjera?!
Mos vallë ky na qenka ndonjë pastor dhe nuk paska marrëdhënie seksuale me askënd?!
Ku janë strukturat dhe ish-lidershipi i Amerikës që nuk ndihen të gjallë?
Ishin dikur, por ku janë tani?!

Ju mbetet përgjegjësi që heshtni!
Të heshtësh para të keqes do të thotë pranim dhe dakordim me të!
Ky dakordim me të sotmen do të thotë se ishit keq në të djeshmen, si dhe pajtoheni me pasojat e së ardhmes!
Bota pret nga ju, amerikanët, ku u tretët, pse nuk mbroni vlerat që kishit?!
Aq lehtë e ngritët flamurin e bardhë, sikur të mos kishit qenë fare!
Dikur do të jetë vonë dhe nuk kthehen as nuk riparohen gjërat!

Neve po na dhemb fort, jo vetëm se mund të na bëhet keq, por pse verbërisht besuam dhe e deshëm Amerikën më shumë se amerikanët!
Ky president, si duket, i ka hipur kalit mbrapsht! Dreqi e di ku do ta katandisë botën!
A mos vallë do ta shkatërrojë edhe Amerikën, që ne e patëm simbol dhe prijëtare të demokracisë?!
Pse ne shqiptarët duhet të shpresojmë se ka me na ra mirë nëse Amerika po tjetërsohet?!
Pse duhet të gëzohemi apo të idhërohemi që po bie Vučić-i e hip një viç tjetër, kur dihet se këta që po vijnë janë duke ardhur me kauzën kundër Kosovës?!

Kosova nuk zhbëhet më kurrë derisa ne jemi të gatshëm të vdesim për liri!
Pse duhet t’i vargojmë gotat në kafehane e klube, duke matur lindjen me perëndimin, duke rrahur gjoksin cili e ka patronin më të fortë dhe në adresë të kujt e bën spiunazhin?!
Pse shqiptarët presin deri sa të pjellë mushka, atëherë kur bëhet shumë vonë, do të themi: “O bo bo, çka na gjeti!”

Të bashkohemi kudo që jemi!
Mos t’i varim shpresat në gozhdën e komshisë!
Të bashkuar e të fuqizuar i bëjmë punët tona më mirë, do të jemi kafshatë që s’mund të kapërdihemi!

15 mars 2025
Sadik Halitjaha

Kontrolloni gjithashtu

Hajrush Kurtaj: KUJTESA JONË: SHTIGJEVE TË UÇK-së

26 – vjetori i Betejës së Ivajës, në komunën e Kaçanikut, më 8 mars 1999 …