Reagim ndaj artikullit të autores Jonida Çabej me titull: “ Pseudogjuhëtarët sulm kundër gegërishtes, kërkojnë ndalimin e reformimit të gjuhës shqipe”.
Në daç ta njohësh kulturën e një njeriu – DËGJOJA FJALORIN – autori: (Nga libri: FJALSHKURTA TË MOSHËS – të sitës e të shoshës)
Në numrin 248 të gazetës javore NACIONAL u botua artikulli me titull: “Pseudo-gjuhëtarët sulm kundër gegërishtes, kërkojnë ndalimin e reformimit të gjuhës shqipe” të autores Jonida Çabej. Ky artikull, në ballinën e gazetës Nacional, doli edhe më bombastik me mbi titullin: “Letra e 20 gjuhëtarëve një turp për Akademinë e Shkencave” si dhe me titullin: “Pseudo-gjuhëtarët “atentat” gegërishtes, kërkojnë ndalimin e reformimit të gjuhës”.
Së pari mendojmë se gazeta Nacional meriton një lëvdatë, por edhe një kritikë miqësore. Lëvdatën e mbështesim në faktin që kjo gazetë, në njëfarë mënyre, është bërë tribunë e vetme kulturore në gjithë hapësirën shqiptare, ku trajtohen probleme madhore kombëtare, njëri prej të cilave është edhe aktualizimi i normës gjuhësore, apo i standardit gjuhësor të shqipes së sotme. Kurse kritikën e mbështesim mbi faktin tjetër që redaksia e kësaj gazete, me nxjerrjen e këtij mbititulli dhe të nëntitullit të përmendur, sikur i ka fryrë pak idesë së një autoreje për një shkrim të pamatur, injorues dhe denigrues lidhur me aktualizimin e sforcuar të baraspeshës gjuhësore, gjithsesi të nevojshme – të futjes së dy kryedialekteve tona në standardizimin e gjuhës sonë në të ardhmen. Gjithashtu habit fakti që gazeta NACIONAL në vend se së pari ta paraqesë ngjarjen (shkrimin e letrës së 20 nënshkruesve) pastaj reagimin e Jonida Çabejt, kjo gazetë së pari ka botuar reagimin (!) pastaj më poshtë ka botuar letrën. Megjithatë ne nuk po merremi më tutje me faktin nëse botimi sipas kësaj radhitjeje ishte një paragjykim i qëllimshëm, apo ishte lëshim redaktorial (mosdije).
Dhe tani disa fjalë për shkrimin e autores Jonida Çabejt. Së pari: të marrësh guximin dhe t’i etiketosh si “pseudogjuhëtarë” gjuhëtarët, studiuesit e shkrimtarët si Emil Lafe, Jorgji Gjinari, Xhevat Lloshi, Moikom Zeqo, Nasi Lera, Kiç Blushi e të tjerë, të cilët, në shkrimet e veta tërë jetën ia kanë kushtuar studimit, pasurimit dhe përsosjes së gjuhës shqipe – kjo na duket një pamaturi e madhe për një njeri, kushdoqoftë ai apo ajo. E dyta: t’i thuash: “plak dhe shurdhmemec” një studiuesi të spikatur, siç është Kristo Frashëri, i cili gjatë gjithë jetës së vet ka dhënë kontribut të vazhdueshëm në një shkencë dhe tani, mbase, mund të jetë që e kanë lodhur pleqëria dhe sëmundjet – edhe kjo më duket se është një gjuhë tepër fyese dhe jodinjitoze, në rend të parë, për vetë personin që i drejton këso fjalësh dikujt.
Gjithashtu, për mendimin tonë, për arsye të bagazhit kulturor dhe gjuhësor që kanë gjuhëtarët, shkrimtarët , historianët, përkthyesit dhe botuesi që janë nënshkruar në letrën drejtuar kryeministrit Rama, gjegjësisht për kontributin e madh dhe të pamohueshëm shkencor që kanë dhënë këta shkencëtarë gjatë dekadave, letra e tyre, për peshën që ka bagazhi kulturor dhe shkencor i shkruesve të saj, ky fakt do duhej respektuar më shumë, andaj shkrimit të kësaj letre nga ana e 20 intelektualëve të shquar shqiptarë do duhej dhënë një rëndësi dhe vëmendje më të madhe, si dhe do duhej botuar para shkrimit të një autori që merr guximin për të kritikuar punën e tyre. Thënë ndryshe: dija jonë individuale është shumë modeste dhe e mangët, në krahasim me dijen e 20 intelektualëve të nënshkruar në atë letër.
Në të vërtetë ajo që karakterizon këto dy shkrime kaq të ndryshme, jo vetëm në përmbajtje, është pikërisht kultura e gjuhës së shkrimit, në njërën anë, dhe njëfarë ngutie, injorance e mosrespektimi, në anën tjetër. Pra, në njërën anë shihen qartë paragjykimet, nënçmimi dhe përpjekjet për denigrimin e punës shumëvjeçare të gjuhëtarëve, shkrimtarëve , historianëve e përkthyesve tanë të shquar, të nënshkruar në letrën në fjalë, kurse në anën tjetër vihet në pah maturia e shkrimit të nënshkruesve të asaj letre, qëllimi i së cilës, besojmë, ka qenë ngritja e vetëdijes institucionale dhe kombëtare që gjuha shqipe të ruhet edhe me ligj, ngase, siç dihet, çdo vlerë kombëtare duhet të ruhet edhe me ligje. Në të kundërtën, sot për sot, disa nga veprimet tona gjuhësore nuk mund të quhen ndryshe, përvese: anarki gjuhësore – si në Kosovë, poashtu edhe në Shqipëri, ku secili përdor a keqpërdor gjuhën shqipe si t’i teket. Ndryshe nuk mund të emërtohen veprimet kryeneçe të disa individëve pa thirrje shkencore gjuhësore, të cilët, për çudi, kanë marrë yrysh dhe proklamojnë njëfarë të drejte që në emër të standardit të gegërishtes të fusin në fjalorin tonë edhe të folme të çoroditura, të cilat janë shumë larg gjuhës së kulturës; gjuhës së shkencës e të dijes. E, në të vërtetë, e folmja e tyre nuk është as gegërishte e pastër. Ky farë soji njerëzish, në mungesë të sanksioneve ligjore, përdhos gjuhën e bukur shqipe, gjegjësisht standardin e saj, i cili përdoret tani e disa vite në gjithë hapësirën shqiptare.
Për mendimin tonë, norma gjuhësore e një kombi është si një kushtetutë juridike gjuhësore për një komb të civilizuar, derisa çështja e pasurimit të fjalorit gjuhësor nga dy burimet kryesore: nga gegërishtja dhe nga toskërishtja, duhet të mbetet gjithmonë rrugë e hapur për të gjithë.
Duke lexuar dhe analizuar edhe për herë të dytë që të dy artikujt, shohim se: Në letrën e 20 të nënshkruarve vërehet një artikulim i mendimeve shumë të matura. Aty nuk pamë asnjë fjalë që përmend ose denigron as gegërishten, as toskërishten! Pra nuk pamë ndonjë tendencë për vënien e ndonjë dige që të mos zhvillohet, pasurohet e përsoset gjuha shqipe në pajtim me normat shkencore civilizuese, duke futur në përdorim edhe gegërishten aty ku toskërishtja është më e varfër në nuanca kuptimore. Përkundër këtij fakti, në artikullin e artikullshkrueses në fjalë, që në frazat e para, zbulohet e përdoret një gjuhë fyese, denigruese e irrituese: (pseudogjuhëtarë, pleq e shurdhmemecë) si dhe njerëz që, sipas artikullshkrueses: “nuk kanë lidhje me gjuhën”!!!) Kështu, pra fyhen rëndë gjuhëtarët, shkrimtarët, historianët e përkthyesit e nënshkruar, studiuesit e spikatur, – shumica: doktorë shkencash (anipse të gjithë nuk janë gjuhëtarë me profesion) vetëdija kombëtare e të cilëve thotë se edhe gjuha shqipe, si të gjitha gjuhët e botës së qytetëruar, duhet të ruhet si thesari më i rëndësishëm që identifikon më së miri kulturën e kombit tonë. E harrohet me këtë rast se të gjithë këta intelektualë, në shkrimet e vazhdueshme shkencore të tyre, pra edhe historianët : kujdes të veçantë i kanë kushtuar pikërisht gjuhës së shkruar, përmes së cilës punimet e tyre shkencore janë bërë pronë e gjithë kombit dhe më gjerë.
Dhe krejtësisht në fund, mendojmë se shkrimit të përmendur të autores në fjalë, nga gazeta Nacional, iu ka dhënë një vend i pamerituar që i ka bërë dëm, në rend të parë, vetë autores, pastaj edhe gazetës, si dhe gjithë kulturës kombëtare në përgjithësi, e më së paku intelektualëve të nënshkruar në atë letër. E, besojmë se është kështu, ngase lexuesi i arsimuar e ka të qartë se çfarë rëndësie ka për gjithë kombin shqiptar ruajtja e standardit gjuhësor të shqipes.
Pra: pasurim, zhvillim dhe përsosmëri të vazhdueshme të standardit të gjuhës shqipe – po, edhe me fjalët e shprehjet e gegërishtes, edhe me ato të toskërishtes, por jo edhe denigrim dhe bastardim të gjuhës me zhargone fyese, të cilat, nuk janë asgjë tjetër, përveç mungesë kulture, injorim i vlerave tona gjuhësore gjithëkombëtare, të cilat nën maskën e pasurimit të fjalorit tonë edhe me fjalët e gegërishtes, një shtresë injorantësh, me njëfarë mendjemadhësie të pashpjegueshme, po përpiqen të rrënojnë qëllimshëm: gjithë kulturën gjuhësore shqiptare, e cila është ndërtuar me aq mund dhe sakrifica, gjatë dekadave e shekujve.
Përfundim: si gjuha fyese, po ashtu edhe gjuha e kulturës, tregojnë më së miri: kush jemi dhe çfarë jemi. E norma drejtshkrimore, siç u tha edhe në titull: duhet të shërbejë si një kushtetutë juridike gjuhësore për një komb të civilizuar. Dhe krejtësisht në fund: Reagimet ndaj shkrimeve për ngjarjet e rëndësishme kulturore me rëndësi kombëtare, besojmë se janë një barometër i mirë kombëtar – për të parë: sa jemi të vëmendshëm për të reaguar kur duhet dhe si duhet.