I shtrenjtë është çmimi i lirisë. Njeriu me rënien për atdhe e përmbledh gjithë veprimtarinë e vet jetësore. Koha kalon por emri nuk i harrohet kurrë. Njëri ndër të tillët është edhe luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sadri Vishaj.
Dëshmori Sadri Vishaj u lind më 31 maj të vitit 1970, në fshatin Beleg të Deçanit, në një familje atdhetare, që herë pas here kishte përjetuar dhembjet nga shtypje e pushtuesit serb. Prindërit Hajdar dhe Ajne Vishaj, nëntë muaj pas lindjes, Sadriun, që ishte fëmija i katërt i tyre, ua dhanë për birësim vëllait dhe kunatës, Mehmet dhe Mejreme Vishajt, që nuk kishin fëmijë. Sadriu ishte i martuar dhe pas vetes ka lënë gruan Hasimen dhe dy vajzat, Mirandën dhe Sarandën, e cila u lind pas rënies së babait dëshmor. Shkollën fillore e mbaroi në Carrabreg, ndërkaq të mesmen në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Menjëherë pas kësaj shkoi në shërbimin ushtarak në armatën jugosllave. Në ato kohë të rënda, kur veprimet antishqiptare të pushtetit të Beogradit kishin arritur kulmin, Sadriu burgoset gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak.
Në vitin 1995 shtëpia e tij bastiset nga policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve, me ç’rast Sadriun gjatë tërë kohës së bastisjes e mbajnë të lidhur për trungun e bojlisë në oborrin e shtëpisë e më pas e dërgojnë në stacionin policor të Deçanit, ku torturohet shtazarakisht. Prej andej e lirojnë me kusht që të nesërmen të lajmërohet prapë. Për këtë arsye, edhe pse ishte i martuar dhe kishte vajzën të vogël, lë nusen, nënën e babain dhe detyrohet të largohet nga Kosova. Nga Shqipëria kalon në Gjermani, ku merr statusin e azilit. Pas tri vitesh, kthehet në vendlindje. I prekshëm ishte takimi me familjen, me nënën, gruan, vajzën.
Ishte kjo kohë e vlimit të aksioneve çlirimtare anembanë Kosovës. Ndërkaq në Dukagjin, 24 marsi i vitit 1998 shënon fillimin e luftës frontale. Sadriu pa hezitim i përgjigjet kushtrimit të luftës për liri. Mobilizohet në kuadër të Shtabit Lokal të UÇK-së në fshatin Beleg, duke ndihmuar luftën çlirimtare me të gjitha mundësitë, duke marrë pjesë në frontet e luftës në Deçan, Carrabreg, Beleg etj. Disa herë kalon kufirin shqiptaro-shqiptar për të sjellë armatim.
Vie shtatori i dhembjes krenare. Ofansiva serbe kundër Kosovës kishte marrë përmasa. Sadriu detyrohet të lë nusen shtatzënë se nuk kishte mundësi të kalonte këmbë përmes bjeshkëve. Ndahen në fshatin Kotradiq. Pas disa muajsh ajo lindi vajzën e dytë, që sipas porosisë së babait e pagëzuan me emrin Sarandë. Këso kohe, Sadri Vishaj me shumë bashkëluftëtarë gjendet në Bjeshkët e Nemuna. Shumë civilë, të plagosur ishin nisur të gjejnë shpëtim përtej kufirit. Por në trekëndëshin kufitar Kosovë-Shqipëri-Mal i Zi, ushtria serbe kishte zënë pritat. Kush do të nisej drejt tyre? Kush do të vëzhgonte, kush do t’i mbante me luftë, për të mundësuar kalimin e popullatës dhe të plagosurve. Kush do të shpërthente kufirin? Vullnetarë dolën luftëtarët Sadri Vishaj, Xhevat Sejfijaj nga Gllogjani, Shpëtim Bobi nga Lybeniqi dhe Rexhep Nikçi. Me të arritur në vendin e ngjarjes, duke parë se situata ishte tejet serioze, Rexhepin e dërguan për të kërkuar përforcime.
Sadriut i kishte kaluar para sysh gjithë jeta e tij, dy palë prindërit, nusja shtatzënë, vajza e vogël Miranda. I dukej se po i mbronte ata, e dinte se ky ishte momenti që nuk kishte kthim prapa, se mizoritë serbe nuk kishin kufi. Prandaj, nuk i kishte dëgjuar këshillat e askujt. Kishte vendosur që të dalë në mbrojtje të tyre, të flijohet denjësisht. Aty në bjeshkën e Belegut, ku Sadriu kishte rritur shtatin, bri shkëmbinjve të thepisur, fillojnë luftimet. Në luftime të rrepta, të zhvilluara kundër ushtrisë jugosllave dhe njësive speciale serbe, më 11 shtator 1998, luftojnë deri në frymën e fundit heroikisht e bien pranë njëri-tjetrit luftëtarët e lirisë Sadri Vishaj, Xhevat Sejfijaj e Shpëtim Bobi.
Vlerësimet e Sadriut kishin qenë të sakta. Në fundmarsin dhe fillimprillin e vitit 1999, vendlindja e tij, Belegu, përjeton një nga masakrat më të rënda, të cilën e kryen forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe. Mbi 66 veta, shumica banorë të Belegut, por edhe të fshatrave të tjera të komunës së Deçanit që ishin të strehuar në këtë fshat, në mesin e tyre edhe fëmijë, qysh atëherë konsiderohen të zhdukur, pa shenjë, pa gjurmë. Në mesin e tyre edhe axhallarë, kushërinj e bashkëfshatarë të Sadriut. Vrasje mizore, plagosje, djegie, keqtrajtime në sy të fëmijëve, zhdukje kufomash. Nënë Mejremja e përjeton edhe këtë masakër. Gjithnjë mendja i rrinte te djali. Disa i thoshin se është plagosur, se ende është në spital. Shpresonte e lutej me tërë fuqinë e shpirtit se Sadriu nuk është vrarë, se do të kthehej një ditë pranë nënës, pranë bashkëshortes Hasimes dhe vajzave: Mirandës, që gjithnjë e kujton babain, e Sarandës që nuk e pa kurrë.
Sadriu, Xhevati e Shpëtimi luftuan e ranë bashkërisht. Të tre as sot nuk prehen në vendlindjet e tyre. Dëshmitarët thonë se trupat e tyre janë bartur me helikopter nga forcat ushtarake serbe dhe janë varrosur në livadhet e Plavës. Por deri më sot, ndonëse kanë kaluar njëmbëdhjetë vjet, edhe pse familjarët e tyre kanë trokitur në shumë dyer, trupat e tyre ende vazhdojnë të mbahen peng. Ata kanë një ditërënie, më 11 shtator 1998, kanë një emër të përbashkët: dëshmorë lirie.
Për heroizmin e pashoq dhe kontributin e dhënë në luftë për liri, Sadri Vishaj, pas rënies është nderuar me mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, nga komanda e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” të Zonës Operative të Dukagjinit, nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së etj. Me shkrime e kanë përjetësuar Fetnete Ramosaj, Hasan Hasani etj. (F. R.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …