Në përvjetorin e dhjetë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, kryetarit të LDK-së, sërish institucionet më me peshë të dy republikave shqiptare, natyrisht në kor edhe mediat, në vend se të hapnin debatin politik mbi fenomenin Rugova në politikën shqiptare, me kohë u interesuan ta mbysin atë (debatin) përmes një kakofonie të pa shembullt.
Ka ca personalitete, gjithësesi pa ndonjë begraund shkencor, që vazhdojnë tutje të ligjërojnë për kuazitrashëgimin politike të Ibrahim Rugovës!
Disa sosh, vijnë prej mileut social të “botës së letrave”. Për rrjedhojë, ata nuk kanë idenë se kjo trashëgimi është krejtësisht e mjerë.
Natyrisht derisa po vazhdojnë të heshtin sociologët, politologët, historianët… me analiza të kësaj natyre, që për objekt studimi do të kishin struktura të tëra të shoqërisë, fenomenet shoqërore…por edhe personalitetet me ndikim, qoftë ky edhe Ibrahim Rugova, në Kosovë, kryesisht këtë përqasje e bëjnë shkrimtarët dhe, si për t’ia vënë kurorën, me panegjirik special na paraqitet edhe ndonjë nga ish ofizerët e Armatës Jugosllave, i njohur si pjestarë i Zbulimit Ushtarak (KOS-it), apo ndonjë ish redaktor i gazetës jugosllave “Komunisti”!
Liria dhe drejtësia ishin dhe vazhdojnë të mbesin temat qendrore të filozofisë politike. Qëllimi kryesor i saj mbetet tutje dhe përherë rivlerësimi i parimeve bazë që rregullojnë raportet brenda shoqërisë, pasojat dhe ndikimet e rrymave të reja të mendimit politik dhe vetë jeta institucionale shtetërore, por edhe ndikimi i tyre në jetën dhe mirëqenien e njeriut.
Filozofia politike i jep përgjegje një varg çështjeve esenciale që ndërlidhen me raportet e individit dhe shtetit. Në traktatet politike, studjuesit e çdo epoke, i kanë dhënë përgjegje çështjeve që kanë të bëjnë me shtetin, politikën, lirinë, raportet e shtetit me qytetarin etj.
E gjithë “krijimtaria” intelektuale e Rugovës, që pretendohet dhe nga pasuesit e tij si bazamenti teorik i trashëgimisë së mendimit politik, ndërlidhet me esenë “Refuzimi estetik”. Kjo ese ka objekt trajtimi interpretimin e ideve kulturore, raportet e letërsisë me politikën dhe rrjedhimisht mund të trajtohet si një traktat i mendimit estetik. Kaq.
* * *
Çështjet esenciale të filozofisë politike që kanë të bëjnë me Njeriun si qenie politike dhe Shtetin, vazhdimisht, në çdo epokë, mëtojnë t’ i japin përgjegje pyetjeve që ndërlidhen me politikën dhe raportet e qytetarit me politikën.
Një pjesë të shoqrisë sonë e karakterizon tutje papërmbajtja politike, tipike për shoqëritë e vonuara, tek të cilat mendimi filozofik kaherë ka marrë arratinë nga sistemi shkollor, siç është rasti i Kosovës.
Kjo lagje publicistësh e shkrimtarësh, jo rrallë, na servirin refleksione që janë produkt i mentalitetit autoritar. Për pasojë përqasja që kanë ata ndaj fenomeneve shoqërore, përjashton çfardo mendimi kritik politik që do t’ i shërbente tejkalimit të kësaj prapambetje pothuajse historike.
Ky soj kuazi-intelektualësh nuk hezitojnë të sillen kaq oportun dhe krejtësisht të padinjitetshëm, duke tërhequr paralele mes Ibrahim Rugovës dhe personaliteteve të mëdha të Kombit!
Pavarëisisht diskursit moralizues me sfond human, kjo kategori vazhdon të jetë në esencë tepër konservatore dhe pengesa ndër më seriozet për rikëndelljen politike që kërkon momenti historik, çasti që po kalojmë si shoqëri.
Këtë soj homosapiensi politik, Ukshin Hoti e cilësonte me plot të drejtë si përralltarë.
21. 1. 2016