“Amanet baba Shaban:
Lypma trupin kah e kam!
Çom’ te Kulla n’at Gllogjan,
Çom’ te Kulla në oborr
Edhe gjoma ni vend për vorr!”
(kushtuar Sadri Lokajt, nga rapsodi popullor)
Se ç’rëndësi ka varri për familjen e luftëtarit të lirisë që bjen heroikisht në fushëbetejë, dëshmon prezenca e motivit të kërkimit të varrit, apo të gjetjes së këtij objekti, si në këngët popullore, ashtu edhe toponimet me bazën varr, që shtrihen anembanë trojeve etnike shqiptare. Këtë rëndësi e ngreh lart balada për Hysen Smajlin, i cili me mall e brengë kërkon varrin e Mic Sokolit dhe të Smajl Hysenit, nëpër fushën e Shtimes, prandaj edhe oferta për zbuluesin e varrit qëndron në lartësinë sublime për ta sajuar imazhin artistik: Hysen Smajli, kalëron anembanë fshatrave të Shtimes për ta gjetur varrin e djalit të vrarë, të cilin atë vit kishte vaden për t’u martuar:
Kush t’ma gjon, haj, vorrin e tij,
Ja jap tokën me gjithë mulli,
E mullinin me gjithë shpi,
E livadhet me gjithë nji vijë,
Ja jap kullën me dy-tri shpi
Ja jap dhentë me gjithë dhi”
(kënga: N’fushë t’Kosovës …)
Dhe ta marrim me mend se çka janë IJë gjendje për të ofruar e dhënë etërit e dëshmorëve të kombit, Shaban Lokaj prej Vokshit, e Rexhep Merturi i Gjurgjevikut të Madh, për t’i gjetur varret e dëshmorëve Sadri Lokaj e Ilir Merturi! Prandaj del i madhërishëm amaneti i dëshmorit Sadri Lokaj për babain, Shabanin, për nënën Ajnishahen, për vëllezërit dhe për motrën e cila vajtonte brigjeve të Drinit të Bardhë për ta gjetur të vëllanë Sadriun, dëshmor, me nam por pa varr, i cili në amanetin e tij të skalitur në rapsodinë e cituar porosit Shaban-babën që t’ia gjejë trupin, e ta varrosë në Gllogjanin legjendar, në oborrin e Kullës së Rezistencës pranë Qerimajve, Mustafajve , Mehmetajve e Haradinajve, pranë djelmoshave “Të Gllogjanit, ku u dha kushtrimi”, pranë petritave e sokolave të “Rrafshit të Dukagjinit”.
Sadri Shaban Lokaj është i lindur më 26 prill të vitit 1979, në Gjakovë. Doli prej një familje fshatare të Vokshit, e rënë në Gjakovë si shumë familje të tjera malësore që braktisnin thepat e shkrepat, duke kërkuar që me djersë ta gjejnë kafshatën e bukës e pastaj edhe kulmin mbi kokë e me luftë t’i nxjerrin tapitë e gjyshit jetik, prandaj, në histori rrallë ngjan që diçka të zhvillohet rastësisht. Shaban Lokaj, me Ajnishahën e Rahavecit, stërnipa të Sulejman Vokshit njëri, e të Halil Hamzës tjetri, kishin pesë fëmijë, katër djem e një vajzë. I rritën dhe i ngritën në frymën kombëtare, duke dëgjuar këngë e gojëdhëna për të parët trima, në të gjitha valët e lëvizjes kombëtare, si në rrafshin kulturor ashtu edhe në atë patriotik, sepse vinin prej shkrepave “që i kanë kullat me themelet prej çeliku”. Shkollën, fillore dhe të mesmen, teknike, Sadriu i mbaroi në Gjakovë, e krahas të mesmes, me korrespodencë kreu edhe Medresenë e Mesme në Prishtinë, por më 1991, i ndjekur detyrohet të migrojë në Republikën e Shqipërisë. Aty qëndron deri në vitin 1995. I ati, Shabani, me kohë i angazhuar në lëvizjen kombëtare të veprimit ilegal, e viziton të birin në Shqipëri, takohet me Komandantin legjendar Adem Jashari, dhe radhitet në grupin e djelmoshave që përgatitjet dhe stërvitjet i zhvillonin në Fierzë. Kujtimet nga takimi me Komandantin dhe nga ushtrimet e kaluara atje, Shabanit edhe sot ia ushqejnë krenarinë.
Tradita patriotike familjare, dinamika e zhvillimit të ngjarjeve pas 24 marsit 1998, kur “Në Gllogjan u dha kushtrimi”, nga njëra anë, dhe rëniet heroike të luftëtarëve në Rrafshin e Dukagjinit si: Adrian Krasniqi, Luan Haradinaj, Edmond Hoxha, Agron e Gazmend Mehmetaj, Himë Haradinaj, Astrit e Bekë Hadërgjonaj, Abdyl Duçi, Bekim Kelmendi, Bekim, Sadik, Bilall, Tahir e Xhemajl Alijaj, Shefqet Mazrekaj, Blerim Jonuzaj, Edmon Dabiqaj, Gazmend Ramaj, Gëzim Pepshi, Hajdar Thaçi, Haki Kamberaj, Hasan Tahiraj, Haxhi Tolaj, Hazir Mala, Nimon Kadrija, Sadri Latifaj, Ukë Shabanaj, Vehbi Hasanaj, Veli Noci, Xhafer Krasniqi me kushërinjtë e Sadriut; Hajdarin, Isufin, Selmanin dhe Beqë Lokajn, nga ana tjetër, e shtynë Sadriun që më 10 maj 1998 të betohet solemnisht te “Lisi i Gllogjanit” dhe t’u bashkohet shokëve në frontet dhe aksionet e Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit. Veproi në kuadrin e Njësitit Special “Shqiponjat e Zeza”. Vigjilenca, shkathtësia, besnikëria dhe virtytet e tjera të Sadriut, në këtë moshë, shkëlqejnë nëpër frontet e Carrabregut, Pacajt, Dobroshit, Rracajt dhe në betejat e tjera në Rekë, Dushkajë e Rekë të Keqe edhe nën komandën e Xhelal Hajdës – Tonit, Fadil Nimanit – Tigrit, Maliq Ndrecës e të Daut Haradinajt, veçanërisht të komandant Agim Ramosajt.
Forcat serbe, më 2-3 gusht 1998 pretendojnë për ta thyer e për ta marrë Shqiponjën e Agim Zenelit, e Sadri Lokaj qëndronte i pathyeshëm. Gjendet në krye të luftëtarëve dhe thehen forcat serbe afër Shqiponjës. Luftimet vazhduan në vijën e frontit Shaptej-Gramaqel-Baballoq e Gllogjan, e këtu është krahu i djathtë i komandantit Ramush Haradinaj dhe Fadil Nimanit, komandant Tigrit. Në këtë vazhdë është e njohur Beteja te Mullini i Broliqit, në të cilën mori pjesë Sadri Lokaj me një kompani. Të gjithë shend e verë, sikur të shkonin në dasmë, ngadhënjyen edhe në këtë betejë, duke thyer prita e vija frontale, deri në Shqiponjë, ku u riorganizua Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Zonën Operative Rrafshi i Dukagjinit, e Sadri Lokaj pozicionohet në pikën Gurëzit e Kralanit, edhe pse pika ishte e fokusuar dhe nën shënjestrat e snajperistëve serbë. Mirëpo, tani Sadri Lokaj forcohet, pasi dëgjon se po i arrinin luftëtarët e riarmatosur, Xhelal Hajda – Toni, Selajdin Mullabazi – Mici, Bekim Sylka – Beka, Xhafer Kadiri, Skënder Gashi, Bashkim Gashi, Xhavit Elshani dhe Ramë Ratishi me një skuadër, prandaj ky ishte gëzimi më i madh në jetën dhe luftën e Sadri Lokajt. Komandant Ramushit i është dukur se i “erdhën krahët për të fluturuar”, mirëpo, në krye të detyrës, ndërsa zhvillon operacione vëzhgimi të terrenit në fshatin Neticë, Sadri Lokajt i zhduken gjurmët, bie në një pritë serbe në këtë fshat.
Ishte 27 shtatori i vitit 1998, kur në pritën e kurthuar merr pavdekësinë dëshmori Sadri Shaban Lokaj, i njohur si “Hoxha”. Mirëpo, babë-Shabanit i është dashur kohë që, së bashku me bashkëluftëtarët e të birit, të kërkojë e më në fund t’ia gjejë varrin për ta marrë trupin, e për ta vendosur në Oborrin e Kullës së Qëndresës në Gllogjan, ashtu siç ishte gërshetuar amaneti në rapsodi.
Bashkëluftëtarët e Sadri Lokajt, i cili ra në prehrin e Sukës së Cermjanit, e kujtojnë si djalë besnik, të fortë e tejet vigjilent. E karakterizonte guximi prej burri e invencioni prej talenti të madh në lëmin e artit luftarak. Ishte altruist i pashoq; përherë në gatishmëri shpirtërore e fizike për t’u sakrifikuar për shokët, prandaj rënia e tij u bë humbje e madhe veçanërisht për “Shqiponjat e Zeza”, për Rrafshin e Dukagjinit dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Sot, buzë rrugës që shpie kah Shqiponja heroike, rrëzë Suke, shkëlqen një pllakë modeste dhe shënon vendin e rënies, kurse në të djathtë të rrugës magjistrale Gjakovë – Deçan u ngrit fragmenti i pjesës frontale të Kullës së Rrafshit të Dukagjinit, me derë e dritare pa frengji, por me portrete dëshmorësh, në mesin e të cilëve është edhe Sadri Shaban Lokaj; duket se kundron prej dritares në oborrin e kullës, del si i buzëqeshur dhe i papenduar për tërë atë që bëri për Kosovën, ndërsa varri në mesin e shokëve dhe rapsoditë, e bëjnë të madhërishëm dhe të gjitha këto flasin për një rënie sublime – udhërrëfyese këto për gjeneratat që do të vijnë. (S. C.)