Safet HASANI: NJË STUDIM I THUKËT PËR NJË VEPËR MADHORE

Safet HASANI: NJË STUDIM I THUKËT PËR NJË VEPËR MADHORE

(Xhemail Ali PECI, Adem  Jashari dhe zjarri i shenjtë i shqiptarizmit në veprën e Bedri Tahirit, Lena, Prishtinë, 2020)

          Libri “Adem  Jashari dhe zjarri i shenjtë i shqiptarizmit në veprën e Bedri Tahirit”, i shkrimtarit të mirënjohur, Xhemail Peci, është një kontribut i merituar për artin, historinë, letërsinë dhe traditën shqiptare. Autori i këtij libri, me një përvojë të gjatë në shkrime dhe botime gjuhësore e historike, qoftë edhe atyre kritike letrare, ka arritur që në mënyrë kronologjike t’i trajtoj të gjitha ngjarjet që kishte paraqitur prof. Bedri Tahiri në librin e tij për Adem Jasharin.

Libri është paksa i veçantë, jo vetëm për lexuesit, por edhe në vetë krijimtarinë e autorit. Nuk ka dyshim se, duke lexuar këtë vepër, lexuesi mbetët i befasuar për qasjen e autorit në librin e prof. Bedri Tahirit, sasinë e analizave të nxjerra nga autori rreth jetës, veprës dhe trimërisë se Adem Jasharit dhe atyre që dhanë jetën për çlirimin e këtij vendi.

Prof. Bedri Tahiri, në librin e tij “Adem Jashari- legjendë e legjendave”, paraqet tiparet dhe pasqyrimin e dukurive reale, burimet materiale, imagjinare dhe shpirtërore. Kështu, profesor Xhemail Peci u mbështet në parim se “çdo gjë ka një arsye, qëllim”, e kjo është paraqitur që nga filozofët më të mëdhenj të kohës. Aristoteli, besonte se “gjithçka ndodh për një arsye, gjithmonë. Dhe se çdo eksperiencë në jetën tënde, vjen për të formuar dhe për të sjellë në versionin tënd më të mirë. E vetmja gjë që e pengon këtë, është të kesh zgjuarsinë për ta parë”.

Filozofi i njohur Julian Baggini, thoshte: “Tregimi i një literature të historisë, paraqet  një aftësi largpamëse, e cila pasqyron shterimin e argumenteve deri në thelb, duke lejuar që pikëpamjet e ndryshme të bëhen pjesë e një dialogu gjithëpërfshirës”.

Të gjitha këto elemente janë zbatuar me kujdes në librin e radhës të autorit Xhemail Peci, me titullin kuptimplotë “Adem Jashari dhe zjarri i shenjtë i shqiptarizmit në veprën e Bedri Tahirit”, ku me një ndërthurje të veçantë shkencore dhe një mjeshtri artistike, analizoj librin e profesor Bedri Tahirit, kushtuar heroit Adem Jashari.

Edhe pse libri përmban një titull, në dukje të parë, të një monografie të ngushtë, përmbajtja e tij është e karakterit historik universal, duke bëre që libri të dalë nga kufijtë e gjerë shkencor. Si i tillë, libri na jep shpjegime për shume ngjarje me rëndësi nga historia e familjes Jashari, ngjarjet e viteve 90-ta, që bënë kthesë historike për kombin tonë. Duke trajtuar aktivitetin e lëvizjes ushtarake të UÇK-së, me në krye komandantin e saj, Adem Jashari, në këtë libër elaborohen në detaje ngjarjet emblematike nga e kaluara shqiptare, siç është rasti i organizimit të celulave të para ushtarake shqiptare në Kosovë, veprimtaria unifikuese shqiptare, që edhe pas rënies së komandant Adem Jasharit, emri i tij i bashkoi të gjithë shqiptarët në luftë të përbashkët kundër armikut shekullor. Me këtë, profesor Bedri Tahiri kishte plotësisht të drejt kur librin e tij e titulloi “Adem Jashari-legjendë e legjendave”, sepse vërtetë Ai ishte dhe mbeti LEGJENDË.

Nga leximi i librit vërehet qartë se ngjarjet që sollën çlirimin e Kosovës erdhën fal rezistencës së armatosur shqiptare, dhe veprës sublime të Adem Jasharit. Bedriu në librin e tij s’ishte ndalur vetëm në personalitetin e Adem Jasharit, por edhe me dëshmorët e heronjtë tjerë që kontribuuan për çlirimin e vendit. Gjithashtu këtu është paraqitur një veprimtari e gjerë, e që ka edhe një simbolik të veçantë që, siç thotë edhe autori, legjendari Adem Jashari mbetet për jetë e mot: “Një frymëzim i pashuar për brezat.”

Xhemail Peci, fillimisht, pas një kohë të gjatë hulumtimi të literaturave të Bedriut, duke mbledhur materiale të shumta për të, përcaktoj emërtimin e librit. Vazhdon me shtjellimin, analizimin e gjykimin, nga këndvështrimi letrar e historik. Libri i Bedri Tahirit për Adem Jasharin, tashmë është i njohur për lexuesit shqiptarë. Por, edhe veprimtaria e Adem Jasharit ishte ekzistuese, reale, dhe s’kishte nevojë shkrime imagjinare. Vepra e tij, në rrethana të kohës, u mboll dhe u kultivua me idealin kombëtar, atdhetar dhe patriotik, duke bërë çdo gjë për të mirën e vendit, në fund duke sakrifikuar jetën e tij dhe tërë familjen për çështjen kombëtare. Autori, në mënyrë brilante bëri sinkronizimin mes dy personazheve, profesor Bedri Tahirit për veprën e tij, dhe heroit, Adem Jasharit, të cilit iu kishte kushtuar libri.

Në historinë tonë të re, janë personalitete të shumta që u morën me studime historike e shkencore, por autori i këtij studimi z. Xhemail Peci, u përcaktua në njërin prej atyre autorëve që i dha shumë lexuesve shqiptarë, si në letërsi, në histori, në kritikë, që për brezat me radhë janë një thesar i çmuar për shkencën shqiptare. Ky personalitet është profesor Bedri Tahiri që, për mendimin tim, përbën një peshë të veçantë për kulturën dhe historinë tonë të re, e në veçanti për historinë e personaliteteve historike kombëtare, nga treva e Drenicës e në tërë trojet shqiptare. Profesor Bedri Tahiri përmes shkrimeve të tij, mbi dyzet botimeve historike, ka sjell në jetë ngjarjet historike të figurave të mëdha kombëtare të kombit tonë, siç ishin, Ahmet Delia, Hasan Prishtina, Azem e Shote Galica, Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Kamer e Murat Loshi, Tahir Meha e shumë heronjve tjerë të luftës së fundit të UÇK-së me në krye Adem Jasharin, figurën më emblematike të kombit shqiptar.

Ky libër botohet në këtë vit (2020), kohën ku u shënua 22- vjetori i rënies heroike e Adem Jasharit me familje kundër regjimit serb, gjegjësisht në 21 vjetorin e çlirimit. Autorit Xhemail Peci, duke qenë një studiues i mirëfilltë i gjuhës dhe letërsisë shqipe, përkthyes i shumë shkrimeve, punonjës shumëvjeçar në Institutin për përkthime në Mbretërinë e Bashkuar, për së afërmi e ka njohur profesor Bedri Tahirin, e që ka zgjedhur ta botoi këtë studim mbi librin e tij, me titullin shumë domethënës “Adem  Jashari dhe zjarri i shenjtë i shqiptarizmit në veprën e Bedri Tahirit”.

Libri gjithashtu ka karakter informimi, afirmimi dokumentar dhe arkivor, që i dedikohet një rrethi të gjerë të lexuesish shqiptarë, por, gjithsesi, dhe në interes edhe të të tjerëve. Ky libër mund të shërbeje si pikënisje për studime të tjera, të thella dhe të detajuara shkencore për të gjithë ata që do të hulumtojnë dhe shkruajnë për historinë e figurave tona kombëtare, siç kemi në këtë rast, Adem Jasharin.

Nuk na mbetët tjetër, veçse ta urojmë profesor Xhemail Pecin për këtë vepër që patjetër do të pritet mirë dhe do të lexohet me kënaqësi, ku trajtohet në mënyrë shkencore libri i Profesor Bedri Tahirit për heroin, Adem Jashari, dhe kryesisht ajo mbi luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

 

 

 

Prishtinë, maj 2020

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …