Fshati Makermal i komunës së Skënderajt, luftës së UÇK-së i ka dhënë shumë dëshmorë e martirë. Nga lagjja Gjinovci e këtij fshati janë shpallur dëshmorë, Safet Gjinovci dhe Ajet Gjinovci. Nga Lagjja Goxhuli: Faik Goxhuli, Isuf Goxhuli, Nasuf Goxhuli, Islam Asllani dhe Ilir Asllani.
Safet Gjinovci lindi më 20 janar 1968. Babai Imeri dhe nëna Sala lindën e rritën shtatë bij e bija: katër djem dhe tri vajza. Safeti ishte beniamini i familjes.
Shkollën fillore e kreu në Makërmal dhe në Tërstenik, ndërsa shkollën e mesme e ka kryer në Qendrën Shkollore në Skënderaj. Në vitin 1988, regjimi jugosllav e rekruton dhunshëm në shërbimin ushtarak, të cilin e ka kryer në Sombor të Vojvodinës. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak shkon në Zvicër ku punoi në një fabrikë qumështi nga viti 1990 deri në vitin 1999.
Gjatë qëndrimit në Zvicër ishte treguar shumë solidar, duke ndihmuar familjen por kishte dërguar të holla edhe për meremetimin e shkollës dhe rrugës së fshatit. Me rastin e fillimit të luftës së UÇK-së në Kosovë, në vitin 1998, policia serbe ia burgosi vëllanë, Ahmetin, i cili me profesion ishte avokat. Luftës së UÇK-së, që në fillim iu kishte bashkuar edhe vëllai i Safetit, Izeti, i cili ishte inkuadruar në radhët e luftëtarëve të Brigadën 113 “Mujë Krasniqi” të Zonës Operative të Drenicës. Izeti me shumë bashkëluftëtarë kishte shkuar në Shqipëri dhe pasi ishte pajisur me armë e municion ishte kthyer sërish në brigadë ku kishte luftuar deri në mbarim të luftës.
Safet Gjinovci me rastin e thirrjes për mobilizim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, iu kishte përgjigjur ftesës për mobilizim në luftë për çlirimin e Kosovës nga regjimi okupator dhe vrasëtar serb.
Në mars të viti 1999 nga Zvicra arrin në Shqipëri ku sistemohet në bazat e UÇK-së. Pas disa javë stërvitjeje në kazermën e Kalimashit, dërgohet në radhët e Brigadës 138 “Agim Ramadani” në frontin e Koshares. Është kjo dita e 15 prillit 1999 kur sistemohet në këtë brigadë si komandant togu. Luftoi në rajonin e gjerë të Koshares kundër forcave pushtuese serbe. Përkushtimi i tij bëri që të emërohet komandant i togut të dytë në kuadër të Kompanisë së Dytë të B3K në drejtimin e Shkozës përkatësisht drejtimi 555, ku udhëhoqi efektivin prej 31 ushtarësh. Në këtë kohë sulmet e forcave serbe ishin të njëpasnjëshme me qëllim të rimarrjes së tyre. Nën drejtimin e Safet Gjinovcit, te Rrasa e Koshares, skuadra e tij qëndroi për pesë ditë me radhë, në pozicione, ballë për ballë me forcat serbe që çdo ditë sulmonin, nga data 24 deri 29 prill të vitit 1999.
Eprori i UÇK-së, komandanti i Batalionit, Skënder Rexhahmetaj, tregon se qysh në fillim të majit të vitit 1999 së bashku me Safet Gjinovcin dhe Maruf Haliljan, i njohur me nofkën “Shkupi” kishin vëzhguar pozicionet e Batalionit, të vendosura në vijën e parë të frontit, në malet e Koshares. “Më 18 maj 1999, në rajonin ku ishte sistemuar Safeti, kishin filluar sulme të ashpra të njësiteve të forcave armike. Njësiti i Safetit iu kishte përgjigjur me zjarr forcave serbe duke iu shkaktuar humbje në njerëz dhe teknikë lufte. Në orët e pasditës, forcat armike në kundërpërgjigje të sulmit të forcave të UÇK-së, kishin sulmuar me artileri nga pozicionet e tyre mbi fshatin Botushë. Fuqinë ushtarake dhe koncentrimin e sulmit armiku e kishte bërë mbi pozicionet e Togës së Safet Gjinovcit. Me qëllim për t’iu dhënë ndihmën e nevojshme luftëtarëve në vijën e parë të frontit, Safet Gjinovci dhe Maruf Halilaj arrijnë në pikën e luftimeve. Ndërkohë, gjatë luftimeve nga breshëria e armëve armike kishin rënë dëshmorë: Fitush Kukaj dhe Burim Graiçevci, ndërsa ishin plagosur rëndë edhe Safet Gjinovci e Hysni Gjinovci. Pasi u ishte dhënë ndihma e parë të plagosurve, bashkëluftëtarët i dërgojnë me shpejtësi në bazën ushtarake të brigadës, në Padesh, por Safeti nuk arrin të mbijetojë nga plagët e rënda që ia kishte shkaktuar predha e armëve të forcave serbe. Varrimi i dëshmorëve: Safet Gjinovci, Burim Graiçevci dhe Fitush Kukaj u bë me nderime ushtarake, më 19 maj 1999 në Varrezat e Dëshmorëve, në qytetin Bajram Curr. (A. Q.)