leoni

SAHIT KRASNIQI – DJALOSHI QË RININË IA FALI DHURATË LIRISË

Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, me rastin e përvjetorit të dëshmorit Sahit Krasniqi, në një postim të tij në facebook ka shkruar: Sot, kujtuam janarin e vitit ’99, ditë që përjetësoi shumë dëshmorë që fatin dhe rininë e tyre ia falën Lirisë së Kosovës. Bëmë homazhe në vendin e rënies së dëshmorëve në Rogovë të Hasit, ishim pjesëmarrës në Akademinë Përkujtimore në Gjakovë si dhe bëmë homazhe në vendin e lindjes së dëshmorit Sahit Krasniqi, aty ku pushon përjetësisht ai me shokë. Ishte e parashikueshme se vendosmëria për të ecur rrugës së luftës, ka dhimbje e mundime shumë. Atdhetarët e përcaktuar zgjedhin që t’i shërbejnë lirisë së popullit të tij, nuk njohën ikjen por ballafaqimin, nuk zgjedhin të notojnë në ujëra të turbullta apo të jenë spektatorë, t’i qëndrojnë pas ngjarjeve por të tillët dalin në ballë. Të tillë ishin dhe mbeten djemtë si Sahiti e shumë bashkëluftëtarë të tij, që në tentim për të shkuar drejtë kufirit e të ktheheshin me armatimin aq të nevojshëm për UÇK-në, ranë dëshmorë dhe fituan përjetësinë: Agron Rama, Agim Zeneli, Sejdi Rama, Agush Gjocaj, Bahtiar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetaj, Gaspër Karaqi, Gëzim Ademaj, Hamdi Berisha, Haxhi Kleçka, Ilir Merturi, Kasim Shala, Luan Smajli, Vëllezërit Memë e Prend Lleshi, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Sahit Krasniqi, Valon Gashi dhe Vesel Avdyli.

Veprimtaria e Sahit Krasniqit dhe shokëve të tij nuk ishte në pajtim me filozofitë pacifiste që atëbotë po shtriheshin në masë të madhe në Kosovë. Ata ishin të bindur që e vetmja rrugë e drejtë dhe e duhura për çlirimin e vendit ishte lufta çlirimtare, andaj lanë gjithçka për t’u përkushtuar deri në vetëflijim. Në një kohë kur gjendja përveç se ishte e vështirë e komplekse, nuk qe aspak e lehtë të zgjedhësh atë që mund të bartte pasoja për jetën tënde. Në një moshë shumë të re, padyshim Sahiti ishte i përcaktuar të ecte kah ecin njerëzit që përditshmërinë e kthejnë në mision, ani se dukej i pamundur. Nuk ishte e vështirë për Sahitin që të ecte në rrugën e lirisë së popullit të tij të robëruar. Nuk ishte e vështirë të ecje drejtë, po të ishte shembull i traditës patriotike të familjeve tona, të cilat edhe në situata më të rënda ditën të përballen me sfida të ndryshme dhe dolën faqebardhë. E tillë ishte edhe familja e Sahitit. Sahiti e mbajti drejtimin edhe kur përplasjet e erërave të forta, tundonin që të ikje për të qetësuar veten apo për t’u përshtatur si kameleoni. Sahiti ishte gjakftohtë dhe nuk turbullohej para dilemave të kohës, ai bëri hapa për të përmbysur konceptet e qëndrimit duarkryq, në një kohë kur mendimet të ngatërroheshin në kokë, e kur ishin prezentë pritjet se liria do të vjen e gatshme, Sahiti vepronte si aktivist i LKÇK-së drejt luftës e cila pashmangshëm po vinte si domosdoshmëri jetësore për t’i hapur rrugën lirisë. Fronteve të vështira nisen vetëm besnikët, të sprovuarit dhe të përgatiturit. I tillë ishte Sahiti me Memën, Prendën, Gegën e shokë të tjerë që bënin rrugën e vdekjes, për ta mposhtur vdekjen e luftëtarëve që prisnin armatime dhe municione, për të shpëtuar të plagosur e për të transportuar nëpër borë e nëpër male, nëpër të ftohtë e nëpër rreziqe. Vdekja për t’i dhënë jetë Kosovës është dëshmi e sakrificës më sublime i luftëtarëve që përjetësuan fuqinë e pasosur të idealit njerëzor. Sahit Krasniqi nga Ratkoci me shumë bashkëluftëtarë të zotët fituan përjetësinë në Rogovë të Hasit, me 29 janar 1999, duke lënë boshllëk të madh në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe te të gjithë ne. Në mëngjesin e 29 janarit, në tentim për të strehuar e shpëtuar luftëtarët e plagosur u flijuan dhe rogovasit Rrustem Morina me djemtë Selmanin, Muhametin e Nusretin, Ibrahim Kryeziu, Xhevdet Berisha, Zyber Shala, Adem Shala dhe Rifat Shala. Rënia e aq shumë luftëtarëve në atë fund-janar tregon për përmasën e sakrificës dhe peshën e madhe të humbjes që patëm. Sa herë që rikthehemi në kujtimin e veprës së heronjve, krahas dhimbjes njerëzore që kemi për mungesën e tyre, gjejmë shembullin se çfarë duhet të bëjmë që rrugëtimi ynë, të jetë dinjitoz e ballëhapur. Atyre që me flijimin e tyre për atdhe, na bëjnë përherë krenar, ju themi me zemër Lavdi! Lavdi të riut Sahit Krasniqi që rininë e tij ia fali Kosovës e Lirisë së saj!

Emri i tij lavdiplotë u bëftë dritë e ideal për gjeneratat e reja!

I përjetshëm kujtimi për të, ka thënë ndër të tjera kryetari Latifi në postimin e tij në facebook

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …