Said Najdeni - "Hoxhë Voka" 1864-1903

Said Najdeni – “Hoxhë Voka” 1864-1903

Rilindja Kombëtare Shqiptare ishte një lëvizje e gjerë politike e kulturore që synonte çlirimin e të gjitha tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre në një shtet të vetëm e të pavarur, si edhe zhvillimin e gjuhës, të arsimit e të kulturës kombëtare. Ajo përfshin një epokë të tërë historike që filloi në gjysmën e parë të shekullit XIX (1830) dhe mbaroi më 1912 me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në përputhje me kushtet historike të Shqipërisë, rilindësit tanë përpunuan edhe programin kombëtar të Rilindjes, i cili përmbante: çlirimin e Shqipërisë dhe formimin e shtetit kombëtar shqiptar, mbrojtjen e tokave shqiptare nga rreziku i copëtimit, përhapjen e arsimit e të kulturës në gjuhën amtare dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Rilindësit e parë dhe pasuesit e tyre u bënë ideologë të çlirimit kombëtar dhe mësues, hartuan tekste shkollore, si dhe vepra shkencore e letrare. Me shkrimet e tyre, ata u përpoqën të shtonin dashurinë për atdheun dhe për gjuhën amtare. Ata i dhanë më shumë rëndësi sidomos lëvrimit të gjuhës amtare mbi bazën e një alfabeti të përbashkët dhe përhapjes së shkollës shqipe, si mjete jo vetëm për të nxjerrë vendin nga pa dituria dhe nga errësira, por edhe për të afirmuar botërisht individualitetin e vetëqenies kombëtare të popullit shqiptar.

Kësaj plejade apo më mirë të themi armate të Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare i takon edhe Said Najdeni nga Dibra, i cili njihet edhe si Hoxhë Voka apo Hoxhë Vogli. Se kush ishte ai, dhe se sa u mundua dhe sakrifikoi për gjithë çka ishte në interesin kombëtarë do të shohim në vijim të këtij shkrimi. Ndonëse jam i bindur se ky shkrim por edhe shkrimet tjera që janë shkruar deri më tani për personalitetin e këtij hoxhe veprimtar të pa kursyer, nuk do të mund të përfshijnë opusin e gjerë të lëvizjeve dhe aktiviteteve të tija në përgjithësi.

Said Islam Najdeni, rilindës, patriot, atdhetar, dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, lindi në Dibër të Madhe në vitin 1864. Ishte biri i Islam dhe Esma Najdenit që rridhnin nga një familje zejtare. Arsimin fillor dhe atë plotor Saidi i kreu me sukses në vendlindje në vitin 1882, ndërkaq që inteligjenca dhe zgjuarsia e tij bënë që babai i tij me dëshirë dhe vullnet të madh për ta shkolluar të birin sa më shumë e dërgoi së pari në Edrene e më pas në Stamboll, ku Saidi me sukses i përfundon studimet e larta teologjike në medresenë e Hajdar pashës.

Gjatë studimeve të tija në Stamboll, edhe pse ishte i ri, Saidi pati fatin që të takohej me Naim e Sami Frashërin, dhe Ismail Qemajlin, të cilët ia forcuan vendosmërinë për t’iu kushtuar me tërë energjinë dhe potencialin intelektual dhe moralin e karakterin e lartë njerëzor që kishte, idealit të çështjes kombëtare, që edhe popullit të tij sikurse popujve të tjerë të iu mundësohet arsimimi dhe shkollimi në gjuhën amtare. Gjatë shkollimit të tij në Stamboll në medresenë e Hajdar Pashës, Saidi u njoh dhe lidhi një shoqëri shumë të afërt me hafëz Ibrahim Mitrovicën të cilin e pati shokë të medresesë, i cili po ashtu më vonë u dallua me aktivitetin dhe veprimtarin e tij për çështjen kombëtare. Në Stamboll asokohe zhvillohej një veprimtari mjaftë e gjerë propagandistike për çështjen kombëtare, ku krerët e Rilindjes dhe të Lëvizjes kombëtare shtëpitë e veta i kishin kthyer në klube në të cilat mbaheshin dhe dëgjoheshin ligjërata mbi historinë dhe kulturën kombëtare, ku nxiteshin dhe frymëzoheshin kuadrot të reja për veprim kombëtar. Një vizitor i shpeshtë i këtyre shtëpive ka qenë edhe vetë Saidi. I ushqyer nga gjithë ajo që shihte, që dëgjonte, dhe që perceptonte në Stamboll sikurse që shprehet studiuesi i njohur dr. Mahmud Hysa në një shkrim të tij të veçantë kushtuar Said Najdenit, ai mundohej të njëjtën gjë ta zbatojë edhe në Dibër. Kjo vërehej qartë ngase, sa herë që vinte Saidi në Dibër gjatë pushimeve shkollore, bënte propagandë për mendimet dhe idetë e rilindëseve.

Pas kryerjes së shkollimit në Stamboll në vitin 1888, që sapo ishte bërë një vit pasi ishte hapur shkolla e parë shqipe në Korçë, Saidi i urtë dhe i dashur, punëtor i pa lodhur dhe trim, i frymëzuar për idealin kombëtar, u kthye në atdhe ku iu përvesh me zell çështjes kombëtare. Saidi morri me vete një sasi të madhe abetaresh të Shoqërisë së Stambollit (1879), dhe ato të Samiut (1886), me dëshirën e flaktë që të hap në vendlindje shkollën e parë shqipe, por pa lejen e autoriteteve sepse e dinte se ata nuk do ta lejonin.

Dhe në të njëjtin vit më 1888 me përpjekje të mëdha dhe guxim të pa shoq, i vetëdijshëm për rrezikun që mund ti kanosej, Saidi arriti që në shtëpinë e vet ta hap shkollën e parë shqipe e cila punonte në fshehtësi. Aso kohe shtypi i kohës për Dibrën shkruante: “Si në vende të tjera, edhe këtu në Dibër zuri me hy dashuria e mëmëdheut bashkë me të gjuhës! Sot në Dibër kemi shumë zotëri pleq të ndershëm që përpiqen për pavarësinë e gjuhës shqipe…i madh e i vogël thërrasin: me gjuhë ruhet mëmëdheu, me shkollë mirësohet kombi!” Në këtë shkollë të cilin e udhëhiqte Said Najdeni përveç elementeve të para të shkrim-leximit me alfabetin e Stambollit, mësohej diçka edhe nga matematika, nga shkencat natyrore, mësime fetare, bisedohej për tema nga historia e kultura kombëtare, bisedohej për veprimtarin e Stambollit, për ngjarjet më aktuale etj. Nxënës të parë të kësaj shkolle ishin fëmijët e patriotëve dibranë, të cilët më vonë u bënë luftëtarë të çështjes kombëtare, përhapës të librit shqiptarë, mësues të shkollave shqipe, ithtarë të alfabetit shqip etj. Dibranët Said Najdenin e quanin Hoxhë Voka, ndonjëherë Hoxhë Vogël, me çka sikur donin të tregonin se fjala e tij iu ngrohte zemrat dhe iu ndriçonte mendjet, duke ngjallur tek ta dashurinë për atdheun, për gjuhën dhe shkollën shqipe.

Mirëpo duhet ditur se çdo herë e më tepër veprimtaria e kësaj shkolle vinte duke u vështirësuar, sepse ishte e pa mundur që mos të zbulohej nga autoritet osmane, aq më tepër pse ajo bëri një jehonë të madhe në opinion. Ndërkaq që autoritet turke dhe ata pro turke Hoxhë Vokën filluan ta akuzojnë, si njeri që dëshiron ta helmojë rininë dhe ta largojë atë nga rruga e fesë, duke e njollosur se “hoxha është prishur nga feja”, “është kaur” etj., andaj e shpallën si të pa fe, dhe shkuan aq larg sa që nuk e lejonin të falej në xhami. Hoxhë Voka i mençur, i vendosur, plot energji, elan dhe guxim, ishte zotuar se çfarë do që i del përpara nuk do të mundet ta shmangi nga rruga e interesit kombëtar, dhe për akuza të tilla nuk ia ndiente fort veshi, ndërkaq që ai kishte si udhërrëfyese për besimtarët fjalët: “Myslimanët e vërtet duhet të dinë se feja islame urdhënon me e dashur atdheun”, dhe “Për mëmëdhenë duhet me qenë shërbëtorë, njeriu sa dashuri të ketë në mëmëdhenë, aq dashuri ka në fenë”.

Kjo shkollë punoi vetëm një vit, sepse atë e mbyllën autoritetet pushtuese. Megjithatë shkolla edhe pse punoi vetëm një vit, ajo gjatë jetës së saj, sado që të shkurtër, pati një jehonë të madhe në popull dhe ndikoi mjaft në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare. Me mbylljen e kësaj shkolle, masat represive u shtuan dhe u ashpërsuan edhe më tepër ndaj librave shqipe dhe kulturës shqiptare. Autoritetet osmane Hoxhë Najdenit i ofruan punë në administratën turke, por ai e zgjodhi dhe eci në rrugë tjetër, siç kishte thënë edhe vetë: “Nuk vuaj për para e për grada, por për komb e atdhe. Unë dua të fitoj liri me i mësua këtij populli gjuhën shqipe, që ta njeh veten e tij e të përpiqet për vetvete”.

Rrugën që e kishte filluar hoxhë Najdeni, edhe pse ishte e rrezikshme, tek ai gjithnjë e më shumë ngjallej dashuria dhe ndërgjegjja. Veprimtarin dhe aktivitetin ai nuk e pushoi, dhe pa marrë parasysh për pasojat që mund ti ketë, Saidi përsëri e rihapi shkollën në vitin 1893, duke i pajisur nxënësit me tekste shkollore libra dhe fletore të cilat i sillnin tregtarët dibranë dhe patriotët siç ishin Selim Rusi dhe Kadri Fishta. Ndërsa një ndihmesë të veçantë me libra, gazeta dhe revista në gjuhën shqipe për shkollën e Dibrës dha edhe Josif Bageri, një patriot shqiptar nga Reka e Dibrës, i cili kishte emigruar herët nga vendi i tij dhe kishte gjetur strehim në Bullgari, prej nga zhvillonte një aktivitet të gjerë politik, me të cilin mbante kontakte Said Hoxha. Me rihapjen e kësaj shkolle, interesimi për mësim në gjuhën shqipe vinte gjithnjë duke u shtuar, kështu që numri i nxënësve prej 9 tashti kishte arritur në 26. Për mbajtjen në këmbë të kësaj shkolle paraqiteshin pengesa dhe vështirësi të mëdha, por ato nuk arritën ta zmbrapsin Said Najdenin nga rruga që e kishte nisur.

Shkolla shqipe në Dibër dhe në disa fshatra në rrethinë dhe librat shqip, që qarkullonin gati në çdo shtëpi nxitën armiqtë që shkollat t’i mbyllnin, librat të ndalohen dhe Hoxhë Voka të ndiqet nga pushteti. Kështu që shkolla e Dibrës sërish pas një vit pune për herë të dytë u mbyllë me1894. Shkollat u mbyllën por jo edhe ideja, këshillat, dhe frymëzimi i Hoxhës që ndikonte edhe në rrethanat politike. Në këtë mënyrë dhe në këto kushte dhe rrethana Hoxhë Saidi, ndiente nevojën për të kontaktuar drejtpërdrejti me krerët dhe veprimtarët e lëvizjes shqiptare të Stambollit që t’i njoftoj me gjendjen në Dibër e cila ishte mjaft kritike. Ashtu që në vitin 1895 Saidi bashkë me shokun e tij të medresesë hafëz Ibrahim Mitrovicën marrin rrugën për në Stamboll. Autoritetet turke e ndoqën lëvizjen e tyre dhe i arrestuan në burgun e Edrenesë, ku ndodheshin të burgosur patriot të tjerë shqiptarë si Haxhi Zeka dhe Hamdi Ohri. Të dytin gjyqi turk e kishte dënuar me 5 vjet burg për veprimtarin antiturke. Hamdiu ishte mësues i shqipes në Ohër, ndërkaq që ai veprimtarin e tij nuk e ndalte as në burg, dhe në qelinë e burgut kishte organizuar kursin e gjuhës shqipe, të cilin e ndiqnin fshehurazi shumë shqiptarë të burgosur. Nga ky burg shumë shqiptarë dolën të mësuar me shkrim dhe lexim shqip. Hamdiu pas lirimit nga burgu, përsëri në shtëpinë e vet hapi një shkollë shqipe ku arriti të mbledhë 80 nxënës, ndërsa autoritetet turke nuk mundën ta kuptojnë punën e kësaj shkolle, e cila megjithatë nuk mundi të qëndrojë kohë të gjatë. Saidin dhe hafëz Ibrahimin i dënuan me nga 15 muaj burgim të rëndë dhe të mundimshëm. I linin pa bukë pa ujë dhe në terr. Njëmbëdhjetë muaj i mbajtën pa i pyetur fare për asgjë. Gjatë qëndrimit në burg Saidi kishte qëndisur një flamur të cilin më vonë e nxirrte në dasma. Publicisti, veprimtari e demokrati shqiptar Shahin Kolonja, interesohej për të burgosurit shqiptar në burgun e Edrenesë të cilët edhe shumë shpesh i vizitonte, dhe arrinte që në burg atyre t’u fut libra shqipe.

Një fjalë e urtë popullore thotë; “Pësimi është mësim”, kjo i shërbeu Hoxhë Saidit si moto në veprimtarinë e tij të mëtutjeshme, e që ai tani doli nga burgu moralisht më i fortë, më i vendosur, dhe më i mobilizuar. Me të kthyer në Dibër nga burgu i Edrenesë, Hoxhë Voka vazhdoi punën. Ai e dinte se prezenca e tij në Dibër ishte më se e nevojshme, por nuk qëndroi aty nga se mendonte se më me interes kishte me qenë po ti vizitonte qendrat tjera të lëvizjes kombëtare që të përcjellë përvojat nga atje dhe të përfitojë më shumë. Si pikë e parë Saidi vizitoi vilajetet shqiptare të Shkodrës, Manastirit, Kosovës dhe të Janinës. Nëpër këto vende Hoxhë Voka pati rastin që të takohet dhe të bisedojë gjerë e gjatë për çështjen e lëvizjes kombëtare me personalitete dhe patriot të rëndësishëm si për shembull, Dervish Hima, Sotir Kolea, Nuredin Xhema, Dedë Karbunara etj. Me qëllime të njëjta Saidi më vonë vizitojë edhe ngulimet apo kolonit shqiptare në Itali (në Shën Mitër Koronë, Bari, Napoli, Romë), Bullgari dhe Rumani. Ndërsa me ftesën që ia bëri Ismail Qemali në përmes mikut të tij Xhafer efendi Peshtanit ai shkoi dy here edhe në Stamboll.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Hoxha për një kohë ishte mysafir në shtëpinë e Hafëz Ibrahimit, shokut të tij të ngushtë, me të cilin organizonin dhe mbanin fjalime në të cilat flisnin për çështjen e shtrirjes së lëvizjes, për çlirimin e vendit, për armiqtë e shumtë që e rrethonin vendin etj. Hoxhë Voka me këtë rast në fjalimet e tija kishte theksuar mbarimin e luftës greko-turke e cila asgjë të re nuk u kishte sjellë shqiptarëve, por përkundrazi i kishte dërmuar edhe më shumë, (fjala është për luftën greko-turke, prill-maj 1897, që zgjati një muaj, SH.V.). Për këtë propagandë autoritetet osmane në Shkup e arrestojnë Hoxhë Vokën. Mirëpo falë shokëve dhe miqve të cilët intervenuan në Stamboll për lirimin e tij nga burgu, ai nuk qëndroi shumë i arrestuar. Si dorëzon për lirimin e tij nga burgu kishte hyrë Zejnel agë Shkupi. Autoritet osmane lirimin e tij nga burgu e kushtëzuan që Hoxhë Voka të qëndroi në Dibër e jo në Stamboll.

Përkundër ndjekjeve arrestimeve, vështirësive të ndryshme dhe pengesave që i paraqiteshin, e para se gjithash shëndetit e cila kishte filluar ta dobësoj, ai nuk e shihte të arsyeshme që ta ndërpret aktivitetin e tij. Në Dibër në fushën Qernanica diku qëndron Kërnanica me iniciativën e Saidit u organizua një kuvend i ngjashëm me atë të Lidhjes Shqiptare të Pejës të janarit 1899 të kryesuar nga Haxhi Zeka. Ky Kuvend punimet e saja i filloi me një miting të madh dhe të hapur më 27 shkurt 1899 ku morën pjesë 1000-1500 vetë, varet sipas burimeve. Në te përveç kadive, e myftinjve kishte edhe qytetarë, zanatlinj, tregtarë, fshatarë dhe persona të cilët deri atëherë kishin qenë të mbyllur nga gjakmarrja. Kuvendi i Dibrës i kishte kaluar edhe caqet lokale të këtij sanxhaku dhe ishte kthyer në një mbledhje të përgjithshme shqiptare, në të cilën kishin marrë pjesë delegatë edhe nga vise tjera të Shqipërisë së Veriut dhe të Mesme. Kuvendit iu dërguan gjithashtu letra nga Gjakova, Gucia, Prizreni, Shkodra dhe nga qytete tjera, në të cilat shprehej solidariteti i popullsisë së këtyre viseve me shqiptarët e Dibrës dhe Kuvendin e organizuar prej tyre. Në organizimin e këtij kuvendi një ndihmesë të madhe dha edhe Said Hoxha.

Me që në njërën nga vendimet e Kuvendit të Dibrës ishte edhe hapja e shkollave shqipe në territorin e Dibrës, Hoxhë Voka nuk ndeji duarkryq, por menjëherë iu vërsul angazhimit, dhe pasi që në Dibër tani më veç e kishte një rreth përkrahësish e sidomos duke e pasur mbështetjen e Xhemal Pashës, Sali bej Dohoshishtit dhe të Abdurahman Salihut, hapi në vitin 1900 për herë të tretë një shkollë të vogël për mësimin e gjuhës amtare. Kjo shkollë pati një rëndësi të veçantë për zonën e Dibrës. Nxënësit vijuan të përhapin mësimet dhe këshillat e Hoxhë Saitit. Por kjo shkollë sërish shumë shpejtë u detyrua të mbyllet nga autoritetet turke. Sidoqoftë ajo për një kohë shumë të shkurtë sa funksionoj arriti që t’i jap frytet e saja.

Lëvizjet dhe angazhimet e mëdha pa i dhënë vetit pushim, të Said Najdenit për çdo gjë që ishte në interes të kombit filluan me të madhe t’ia keqësojnë shëndetin edhe ashtu mjaft të dobët që e kishte, tek i cili tani më kishin filluar të paraqiten shenjat e para të tuberkulozit, për ç’gjë prindërit e tij qysh edhe më herët kishin filluar të brengosen me ç’rast babai i tij Islami kot ishte munduar ta këshillonte që të hekë dorë nga këto lëvizje dhe angazhime. Ndërkaq që Hoxhë Voka i drejtohej babait me këto fjalë: “Po shkon Shqipëria, babë, po shkon nderi i shqiptarit e shqiptari rrinë në gjumë e s’e din se çështja qëndron deri në këtë shkallë. Po të ndjej o babë, po më këshillon me shpëtua jetën time. Po ç’vleftë ka jeta ime kur asht tue vdek i tanë një komb!…Nji për këtë qëllim o babë unë po vuaj e po përpiqem bashkë me shokët e mij…

Në vitin 1903, Hoxhë Vogli ndërmori një udhëtim të vështirë, por të nevojshëm për çështjen kombëtare në Tripoli, ku do të hartohej programi për një kryengritje shqiptare. Në këtë mbledhje Sait Hoxha përfaqësonte Dibrën dhe Kosovën, Refik Toptani Shkodrën, simboli i pavarësisë babëloku Ismail Qemali përfaqësonte Janinën. Mbledhja kryesohej nga Xhemajl Pasha. Lajmi për këtë takim të përfaqësuesve shqiptar e kishte tronditur Stambollin, e cila menjëherë ndërmori aksionin e saj për ndjekjen e pjesëmarrësve të tyre. Hoxha me ndihmën e shokëve arriti të kthehet në Tiranë. Por ky udhëtim ia kishte keqësuar me të madhe shëndetin, me ç’rast ai kthehet përsëri në Dibër, ku ra në shtrat dhe nuk arriti të çohet më. Për sëmundjen e tij na informon edhe Ismail Qemali në kujtimet e veta kur thotë: “Një nga miqtë e mi më të vjetër shqiptarë, Saaid Efendi me rastin që shkonte në Tripoli, erdhi të konsultohej në Romë, për të patur një marrëveshje me Mareshal Rexhep Pashën. U kthye pas pak kohësh nga Tripoli shumë i vrarë, nga një sëmundje që e shqetësonte prej kohësh. U bë një konsultë me mjekët më të mirë të Romës, por ishte një sëmundje e pa shërueshme. Arriti të marrë pak forca, dhe shkoi në qytetin e tij të lindjes në Dibër, ku vdiq pak ditë më vonë.” Gjatë kthimit të tij për në atdhe i kishte ndihmuar shumë Refik Toptani, në shtëpinë e të cilit Hoxhë Voka i lodhur dhe i sëmur rëndë i kalon dy ditë, dhe pastaj fshehurazi me tre kuaj që i siguroi vetë Refi Topatani nisen për në Dibër ku arrin pas katër ditësh. Pas një kohe shumë të shkurtë më 21 nëntor 1903, idealisti dhe punëtori i pa lodhur për të mirën dhe përparimin e kombit të vetë Hoxhë Said Najdeni në moshë mjaft të re 39 vjeçare ndërroi jetë.

Në momentet e fundit të jetës, para se t’i pushoi edhe për pak qaste rrahja e zemrës, Hoxhë Saidi kishte lënë këtë porosi: “Pa fituar Shqipëria lirinë, mos më vini gurë mbi varrin tim. Pasi të fitohet liria të m’i vini gurët duke i shkruar shqip. Mbi ta të vini një flamur.” Pra siç po shihet Saidi nuk e humbte shpresën se do të vijë dita kur edhe zogu edhe bilbili do të këndojnë lirisht shqip. Hoxhë Voka prej gjuhëve të huaja fliste turqisht, arabisht dhe frëngjisht.

Me rastin e vdekjes së Said Hoxhës nëpër gazetat e kohës u botuan artikuj nga njerëz që e njohën dhe i çmuan përpjekjet e tij për çështjen kombëtare, me ç’rast ne do ti veçojmë disa. Kristo Luarasi do të shkruajë: ” Në fund të motit 1903 vdiq në Dibër shqiptari me zemër e me mend Said Hoxha…Ish njeri i matur, me vetia të mira dhe do t’i kish bërë shumë shërbime kombit sikur të kish rrojtur akoma.” Nikolla Naço do të shkruaj: “Me të keqe të madhe mësuam vdekjen e atdhetarit tënd Said Dibrani një shqiptari të vërtetë, një të madhi ushtar të pa lodhur të Shqipërisë.” Kurse Sotir Kolea duke e portretizuar personalitetin e Hoxhës do të shkruajë: “I butë e i urtë, fjalë e gojë mjaltë, me zemër të gjerë dhe të thellë. Said efendiu qe atdhetar i rrallë, i pjellë e i lindur për punë propagande së cilës i qe dhënë me mish e me shpirt.” Ndërsa Shahin Kolonja njeriu i cili i ndihmoi hoxhës shumë, gjatë vuajtjes së dënimit me burg në Stamboll do të theksoja: “Said Efendi

Dibrani përhapi mendime të pëlqyera e bëri punë të mirë, po guvernë e fëlliqur e ndiqte si >Firauni Musanë> dhe kishte urdhëruar ta bënin syrgjyn…Said Efendiu ishte shqiptarë i vërtetë, i stolisur me vetia të mira e me urtësi, me mish e me shpirt për mbarëvajtjen e Atdheut.”

Delegatët e Kongresit të Dibrës (1909) në mesin e të cilëve ishin edhe Aqif, Pasha, Mutesim Këllëçi, Sadik Pasha, Islam Vrioni, Qenani Abdyli, Prenç Xhelali, Dervish Biçaku, Dervish Hima, dr. Ibrahim Temo, dhe Hafëz Ali Korça e vizituan varrin e tij dhe mbajtën fjalime.

Dijetari dhe atdhetari i shquar hafëz Ali Korça, për këtë rast ka shkruar një kujtim për Said Najdenin: “Një kujtim për të ndjerin Hoxha Sait Vokën: Atë ditë që do të ndahemi prej Dibrës, vizituam varrin e ndritur të të ndjerit hoxhë Sait Vokës. I ndjeri Sait pati qenë një nga idealistët e vjetër, është përpjekur tepër për shkronjat shqipe, pati shkruar edhe një libër me titull . I mjeri ka vuajtur, por edhe ka vdekur i tuberkolizuar në rrugë të atdhetarizmit.”

Prej veprave që na kanë mbet nga ky rilindës janë dy: “Fe rrëfenjësja e myslimanëve”, botuar në shtypshkronjën Mrothëria në Sofje në vitin 1900, që ka 64 faqe dhe e dyta është “Abetare e gjuhës shqipe ndë të folë gegënisht”, botuar po në Sofje më 1900, por pa emër të autorit, pra anonime me 16 faqe. E para është një vepër fetare e mbështetur në parimet Kur’anore, që janë të detyrueshme për të gjithë besimtarët myslimanë. Ky përfaqëson një manual fetar, por me mjaft të dhëna patriotike dhe filozofike. Ai pranon dy dituri: atë fetare dhe atë të mendjes, të cilat, duke u mbështetur në Kur’an, nuk i kundërvihen njëra-tjetrës. Nuk e mohon rolin që luan feja në ndërtimin moral-etik të njeriut, por e mban edhe mendimin se feja nuk e pengon njeriun të ketë dashuri ndaj atdheut… dhe nëse shqiptari e pranon alfabetin latin nuk bën kurrfarë mëkati, sepse mund të mbetet përsëri besimtar i devotshëm. Dituria për të është një armë e fuqishme, që mëkon ndërgjegjen kombëtare, që e njeh njeriun me shumë të dhëna, i jep atij pavarësi dhe e bënë të barabartë me të tjerët. Parulla e Hoxhë Najdenit ishte: “Që shqiptarët të shpëtojnë nga rreziku, ka vetëm një rrugë: me u zgjua kombi, me mësue gjuhën e tij, me i dalë zot vetes.”

Në shenjë nderi dhe respekti sot në qytetin e Dibrës një shkollë mbanë emrin e këtij patrioti dhe veprimtari të pa harruar.

Burimi www.mesazhi.com

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …