Një monument i vonuar po vendoset më në fund në Gjilanin e heroit Kadri Zeka. Shumë e çuditshme pse kjo nuk ndodhi më herët , shumë më herët!!!??? Kam dëgjuar këto ditë nga familjarë e veprimtarë të heroit, të cilët janë përpjekur të më ngushëllojnë, por edhe vetë të ngushëllohen me shprehjet “mirë që më në fund po ndodhë kjo” dhe mua kjo shprehje nuk më ka gëzuar, përkundrazi më ka tingëlluar si një mëshirim për heroin. Heronjtë nuk kanë nevojë për mëshirim. Heronjtë janë të shenjtë dhe nuk duhet luajtur me sakrificën e gjakun e tyre. Heronjve u duhet dhënë vendi i merituar nga shteti, institucionet e jo të ndikohen nga bindjet ose simpatitë partiake e politike. Me të vërtetë jam habitur e çuditur pse kjo nuk ndodhi deri më sot Kjo duhej të ndodhte shumë më herët, sepse heroi Kadri Zeka ishte ambasadori i parë të Kosovës në Evropë, ishte ideologu dhe veprimtari i guximshëm, i cili në Perëndim që në vitin 1981 doli para botës perëndimore në mbrojtje të të drejtave të popullit të Kosovës, duke lëkundur kështu themelet e Jugosllavisë së kalbur, eci me kohën, ose them pa hezitim, sepse isha në rrugë me të: i parapriu kohës. Dhe kjo nuk ishte e lehtë. Duhej përgatitje, por njëkohësisht edhe guxim i madh dhe Kadriu i kishte këto cilësi. Ai ka nderuar Gjilanin e gjithë shqiptarinë e kudondodhur, prandaj nuk duhej trajtuar si hero të vonuar, hero të tepërt, të cilit mezi iu gjet një vend për monument. Kjo nuk na bën nder, por na turpëron, andaj detyrë e institucioneve shtetërore është të jenë shumë të kujdesshme se si sillen me heronjtë, sepse falë gjakut të tyre të shenjtë, ato po gëzojnë privilegjet.
Lavdi jetës së heroit Kadri Zeka dhe veprës së tij atdhetare
Lavdi të gjithë të rënëve për liri