Salë Dervishi, bija e Sheremet Dervishit nga fshati tradicional i trimërisë, Kopiliq i Epërm i Drenicës, u rrit dhe u edukua nga rrëfimet për luftërat heroike të së kaluarës. Duke qenë e pajisur me ndjenja të forta të atdhetarisë, Salë Jashari jo vetëm kishte përkrahur luftën e bijve dhe bashkëluftëtarëve të tyre, por në betejën titanike të Prekazit më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, së bashku me bashkëshortin Hamit Jashari, mori pjesë në luftime deri në momentin e fundit të jetës, derisa ra trimërisht në altarin e atdheut.
Salë Dervishi mësimet fillestare i mori në shkollën fillore të fshatit Turiqec të Skënderajt. Ashtu sikurse edhe shumë femra të tjera në atë kohë, Sala nuk pati mundësi të vazhdojë shkollimin. Me gjithë dëshirën e saj për arsimim e dituri, iu nështrua zakonit dhe që e re u bë grua me kurorë dhe nënë e dashur për fëmijët e saj.
Ishte martuar me Hamit Jasharin e Prekazit në vitin 1961. Gjatë tërë jetës së saj bashkëshortore ajo e përkrahu burrin dhe bijtë në përpjekje për të ngritur familjen. Duke qenë se ishte trimëreshë dhe kishte dashuri të pashuar për lirinë e atdheut, jo vetëm që nuk u shqetësua nga rruga militante që ndoqën bashkëshorti dhe bijtë e saj, por vazhdimisht ishte në përkrahje dhe nxitje të tyre për rezistencë kundër pushtuesit serb.
-Ajo ka ditur t’ i përdorë të gjitha llojet e armëve që i kemi pasur, thotë i biri Musë Jashari, luftëtar i radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte tejet e vëmendshme dhe sa herë që na vinin bashkëluftëtarët ajo vëzhgonte me tërë syçeltësi çdo lëvizje të dyshimtë.
Nënë Sala ishte bijë e përkushtuar e atdheut. Ajo i donte të bijtë e po ashtu, si nënëmadhe e Drenicës, i donte edhe bashkëluftëtarët e tyre. Edhe pse grua e zakonit dhe e traditës, ajo e donte lirinë dhe i besonte fitores.
-Kurdoherë ka mbajtur me vete revolen, thotë i biri Sahit Jashari, njëri ndër bashkëluftëtarët më të ngushtë të legjendarit Adem Jashari. Jo vetëm një herë në prani të bijve dhe bashkëluftëtarëve të tyre ishte shprehur:
-Edhe ne gratë kemi luftue. Ju burrat, mendoni se vetëm ju, jeni trima!
Asnjëri nga bijtë, por as nga shokët e tyre nuk dyshonte në fjalët e nënës Salë. Ata e dinin se ajo rrinte zgjuar gjatë tërë natës kur bijtë dhe shokët e tyre tuboheshin dhe bënin plane për aksione. Nëna Salë ishte trimërishë, u martua për një burrëri trim dhe lindi trima të lirisë.
Duke qenë në dijeni të veprimtarisë luftarake të bijve dhe të shokëve të tyre, Sala kreu edhe detyra me përgjegjësi në shërbim të kombit e të atdheut.
Në nëntor të vitit 1997, kur ishte përhapur lajmi se krimineli Arkan kishte drekuar në Drenas (ish-Gllogoc) dhe ndërkohë kishte marrë rrugë për në Skënderaj, disa të tjerë thonin se Arkani me kriminelët e tij me xhip, nga Klina e Begut kishte kaluar nëpër Llaushë dhe kishte arritur në Skënderaj, nëna Salë së bashku me bashkëshortin e saj Hamit Jashari bëjnë plan të shkojnë vetë në Skënderaj, për të marrë informata dhe për t’ i lajmëruar bijtë e luftëtarët e tjerë. Për të mos rënë në sy të forcave policore, Sala dhe Hamiti bëjnë gati qerren me kali dhe në të e vendosin bashkëshorten e Sahitit, Azeminen, e cila ishte shtatzënë. Atë e dërgojnë te mjeku pa shkas, por vetëm për të marrë ndonjë lajm mbi vendndodhjen e kriminelit Arkan, i cili kishte kaluar nëpër Skënderaj, por nuk ishte ndaluar në asnjë vend …
Më 5 mars 1998, në orët e hershme të mëngjesit, nënë Sala dhe bashkëshorti i saj Hamit Jashari, të parët fillojnë rezistencën në kullë, përballë Fabrikës së Municionit. Luftëtari Valdet Jashari, i cili atë natë kishte bërë roje, me të zbardhur drita i lajmëron bashkëluftëtarët se serbët kishin nisur tanket në drejtim të kullave. Armët e para kundër forcave serbe, atë ditë i shkrepin Hamit Jashari dhe bashkëshortja e tij trime, Salë Sheremet Dervishi – Jashari.
Gjatë tërë kohës sa ka zgjatur beteja, Sala luftonte dhe përkujdesej për luftëtarët e të plagosurit, rrëfen Valdet Jashari, bashkëluftëtar dhe ndër të vetmit që ka shpëtuar nga kjo betejë. Ajo me të renë e saj kishte aktivizuar edhe minat mbrojtëse, të cilat në vende të caktuara përreth shtëpisë i kishte vendosur i biri Musa me xhenierët e tij. Sapo afrohej këmbësoria armike, me baterinë e veturës e kyçte mekanizmin shpërthyes, ashtu sikurse e kishte mësuar i biri.
Gjatë tri ditëve sa zgjat beteja në kullat e Jasharëve në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, nënë Sala ka luftuar trimërisht përkrah bashkëshortit dhe bashkëluftëtarëve.
Në ditën e tretë, kur ka filluar nxjerrja e trupave të të rënëve nga rrënojat e kullave të shkatërruara që në themele nga zjarri i tërë makinerisë vrastare armike, afër vendit ku ka rënë heroina e luftës së UÇK-së është gjetur i vrarë një polic serb, të cilin e kishte goditur për vdekje në afërsi, nënë Sala.
Trupi i saj është varrosur në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve të kombit në Prekaz, së bashku me dëshmorët e tjerë të trungut të Jasharëve.
Në shenjë nderimi dhe përkujtimi për veprën e saj heroike Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, i ka dhënë Mirënjohje.
Mirënjohje për trimëri i ka dhënë edhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe Dega e Rinisë Demokratike të Kosovës në Skënderaj, më 3.3.2003.
Në ballë të kullës, ku kanë rezistuar bashkëshortët Hamit dhe Salë Jashari, vepra e tyre është përjetësuar edhe në pllakën e përbashkët përkujtimore për 12 dëshmorët e rënë në altarin e atdheut, brenda kullës.
Për Salë Jasharin është shkruar edhe një monografi e titulluar “Krismat e Prekazit” nga R. Greiçeci.
Bashkëshortët Hamit dhe Salë Jashari kanë lënë pas tre djem: Jasharin, Sahitin, Musanë, si dhe nipat e mbesat, të cilët janë krenarë për prindërit dhe për gjyshen e gjyshin luftëtarë të përkushtuar të lirisë, dëshmore dhe dëshmorë të kombit.
Emrat e gjyshërve të tyre dëshmorë i mbajnë me nderim dhe krenari, djali i Jasharit, Hamiti, dhe e bija e Musait, Sala, të lindur pas rënies së tyre. (A.Q)