Mes PD-së dhe Ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu mosmarrëveshjet dhe kritikat nuk mbahen më sekret. Në dy ditët e fundit, fillimisht ish-kryetari, Sali Berisha dhe më pas kryetari i PD-së, Lulzim Basha kanë bërë deklarata të ashpra. Siç transmeton Koha Jonë, në të dy rastet sulmohet hapur ambasadori Donald Lu. Vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha, në një komunikim me gazetarët ka thënë: “Nuk ka nevojë të mi citoni fare deklaratat e Donald Lu-së sepse unë nuk pres nga asnjë ambasador të më tregojë se cila është detyra kushtetuese e PD-së, e opozitës apo e imja si qytetar. Ambasadorët kanë detyrën e tyre, unë kam detyrën time dhe e kam kryer me ndërgjegje të plotë”. Sali Berisha, mbajti qëndrimin më të ashpër ndaj diplomatit numër një të SHBA në Tiranë, Donald Lu. Ai tha se deklarata e ambasadës për protestën e shoqërisë civile ishte njëlloj si të jetë shkruar nga Gramoz Ruçi. Sipas Berishës, diplomati që përfaqëson interesat e SHBA-së në Tiranë është bërë një përkthyes i interesave të Kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste.
Berisha shkoi edhe më tej në qëndrimin e tij, teksa e cilësoi ambasadorin si një guvernator dhe përmendi çështjen e sovranititetit të vendit. Nuk ka se ku të shkojë me keq marrëdhënia mes një ambasadori të huaj dhe një partie politike, e cila mbetet opozita kryesore. Në historinë e Shqipërisë, deklarata të tilla ndaj SHBA janë bërë vetëm gjatë Berishës vitet 1996-1997. Në ato vite marrëdhëniet e Presidentit Berisha arritën acarimin më të madh me Uashingtonin për shkak të manipulimit të zgjedhjeve në vitin 1996, lirisë së medias dhe dënimeve që po u bëheshin kundërshtarëve politikë. Por sidomos të zgjedhjeve të vjedhura të 26 majit dhe mospranimit të sugjerimit amerikan për përsëritjen e zgjedhjeve në 40 zona elektorale. Pas 26 maj 1996 filloi plani amerikan “Çarls Walsh” që rezultoi me rrëzimin e Berishës në vitin 1997, pas luftës civile.