Duke e caktuar si temë-bosht të sesionit shkencor të Seminarit (29 – 30 gusht 2014), temën “Letërsia shqipe dhe kodet e mëdha”, Fakulteti i Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, tenton të mbulojë një plagjiaturë të njërit prej profesorëve të tij, pikërisht të Sabri Hamitit. Me ndihmën e taksapaguesit të vendit më të varfër të Evropës, vijnë njerëz nga hapësira mbarëshqiptare: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, por edhe nga Europa: Italia, Rumania, Bullgaria etj. për ta bërë të paqenë plagjiaturën që Sabri Hamiti i ka bërë teorisë së Nortrop Frajit për kodet e mëdha. Alkimia mrekullibërëse shqiptare thëngjillin e kthen në ar, ndërsa plagjiaturën e kthen në fjalë të fundit të shkencës! Për t’i dalë hakut kreatorit të plagjiaturës, Sabri Hamitit, kjo alkimi shpiku temën-bosht të Seminarit të sivjetmë Ndërkombëtar për Kulturën, Gjuhën dhe Letërsinë shqipe: “Letërsia shqipe dhe kodet e mëdha”! Pra, nëse plagjiatura në shkencë merret si një lloj krimi, me këtë veprim, tentohet të fshihet një krim!
Nuk është hera e parë që te ne plagjiatura mbulohet, duke vendosur mbi të, në vend të gjembave të turpit, kurora të lavdisë,! Po bëhet afro një dekadë që kur e kam bërë shkrimin e parë për një plagjiat të Sabri Hamitit (“Tematologjia ose plagjiatura postmoderne e Sabri Hamitit”, gazeta “Lajm”, 1 maj 2005, shih: http://www.shkoder.net/fjala/2007/sbytyci.htm dhe www.forumishqiptar.com/threads/66884-Lufta-e-korrupcionit-intelektual-në-Kosovë) dhe jo vetëm që nuk është marrë ndonjë masë kundër kësaj plagjiature, pra autorit të saj që deri më sot nuk i ka munguar asnjë qime, por libri “Tematologjia” (Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë 2005), autorin e të cilit e akuzova atëbotë për plagjiaturë, në fund të atij viti (2005), në Tiranë, mori çmimin kombëtar “Pena e Argjendtë”!!! Por autorit të saj nuk i mjaftoi çmimi kombëtar që iu dha këtij libri, ndaj të cilit një pjesë e intelektualëve ngritën zërin që, nëse ishin të vërteta ato që i përmbante shkrimi im, të kthehej ky çmim, por “Tematologjia”, e vjedhur, pas disa kohësh, në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës, në Degën e Letërsisë, hyri si lëndë e veçantë! Studentët, tani, duhet ta përgatisin këtë lëndë-plagjiaturë për të marrë notë! Si konkluzion, duhet të jetë i çmendur njeriu që thotë se është plagjiaturë një libër, i cili merr çmimin më të lartë kombëtar letrar dhe pastaj bëhet edhe lëndë në universitet! Njësoj po veprohet edhe me plagjiaturën e dytë, pra me atë të teorisë së Frajit, e cila, duke u bërë temë-bosht e sesionit të sivjetmë shkencor të seminarit, po tentohet të mbulohet. Lidhur me të ka kohë që kam shkruar. Shkrimi është botuar në Kosovë e Shqipëri, po prej asaj kohe jo vetëm që nuk është marrë ndonjë masë ndaj kësaj plagjiature, por tani kjo teori e vjedhur arriti të bëhet edhe temë-bosht e Seminarit XXXIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (Prishtinë nga 18 gusht – 30 gusht 2014)! Në vazhdim po japim vetëm një pjesë të përfundimeve që kam nxjerrë për “studimin” e Sabri Hamitit “Kodet e mëdha të letërsisë shqipe”.
Sa u përket “Kodeve të mëdha të letërsisë shqipe”, të Sabri Hamitit, kur e krah asojmë me teorinë e Frajit, plagjiaturën nuk e tregojnë vetëm marrjet e drejtpërdrejta të pasuseve nga vepra e tij, por edhe marrja e shprehjeve dhe e koncepteve, një pjese prej të cilave vetëm sa ia ndërron kontekstin, por edhe citimi i të njëjtëve autorë, siç ishte rasti i përmendjes së Dantes “sikur te Danteja” (kao kod Dante), apo thënia e Shelit për poetët si ligjvënës të shoqërisë. Se ka mospërputhje të riprodhimeve të tekstit të Frajit në tekstin e Hamitit, kjo nuk e përjashton plagjiaturën. Kjo mospërputhje më së miri do të shihet në thënien e Shelit për poetët, ku sipas Hamitit: “Poetët janë ligjtarë të fshehtë të shoqërisë’, ndërkaq te Fraji del se Sheli ka thënë: “Poetët janë ligjdhënës të papranuar të shoqërisë së vet”. Këtu kemi të bëjmë me një Shel dhe me një thënie të tij: “Poetët janë ligjdhënës të shoqërisë, por që te Fraji dhe te Hamiti nuk del njësoj”. (Si e vodhi dhe e shpërfytyroi Frajin Sabri Hamiti, shih linkun: https://www.google.com/url?sa=t&rct=j&q=&esrc=s&source=web&cd=1&cad=rja&uact=8&ved=0CBwQFjAA&url=http%3A%2F%2Fkomente.soup.io%2Fpost%2F101064143%2FSi-e-vodhi-dhe-e-shp-rfytyroi&ei=QCjuU_6ILITuyQP2xIKADA&usg=AFQjCNGwVVVpr3-4pXAnFv7-7OSTORDCPw&sig2=-LRzMNvZoLfbIoFZhT80LA&bvm=bv.73231344,d.bGQ)
Nuk është larg mendsh që nga temë seminari, jo larg “Letërsia shqipe dhe kodet e mëdha” të kthehet në lëndë universitare! Pse nuk mund të ndodhë një gjë e tillë, derisa kjo veç ka ndodhur një herë, sepse aty ku mungon institucioni i ndëshkimit, mund të ndodhin fenomene që njeriut të zakonshëm nuk ia rrok mendja fare. Në Europë, të cilën e synojmë, ndodh e kundërta: atje njerëz të pajisur me pushtet të lartë, si kryeministra e ministra (Hungari, Gjermani, Zvicër, edhe në disa shtete të Ballkanit etj.) viteve të fundit kanë dhënë dorëheqjet nga pozitat e tyre kur janë zënë në plagjiaturë. Ndërsa në hapësirën shqiptare, ndonëse është shkruar për dikë që është zënë në plagjiaturë, pothuaj nuk përmendet ndonjë rast që dikush ka mbajtur përgjegjësi për një gjë të tillë.
Dega e Letërsisë e Fakultetit të Filologjisë, në të cilën dominon klani i Sabri Hamitit, në vend që të diferencohet nga plagjiatura e tij, shpik lëndë nga këta plagjiatë ose bën temë-bosht të Seminarit nga njëri prej plagjiatëve të tij më të paskrupullt, siç është vjedhja e teorisë së Nortrop Frajit për Kodet e mëdha në letërsi! Pra, kjo degë, duke shpenzuar disa dhjetëra mijëra euro të taksapaguesve të Kosovës për të legjitimuar një plagjiaturë të Sabri Hamitit, bëhet pjesëmarrëse në këtë krim intelektual! Këtu dëmi është i shumëfishtë: plagjiatura legjitimohet dhe plagjiatori vihet në qendër të vëmendjes, si studiuesi i cili paskësh dhënë kontribut në studimin e Kodeve të Mëdha në letërsinë shqipe, pra si i pari që e ka trajtuar këtë temë në kritikën shqipe! Mesazhi i seminarit është i qartë: Hamiti nuk është plagjiator, po studiues i madh! Sa të paskrupullt dhe të padijshëm që janë?! Sipas meje, si “Penda e argjendtë” që e mori në Tiranë Sabri Hamiti për “Tematologjinë”, si bërja e “Tematologjisë” lëndë mësimore në fakultet, por edhe kthimi në temë-bosht të Seminarit të Kodeve të Mëdha (të vjedhura), përbëjnë kthim në “vendin e krimit” të autorit të tyre! Thuhet që krimineli, pa marrë parasysh nga lëviz pasi ta kryejë krimin, një ditë kthehet aty. Sipas kësaj, atij që bën më shumë se një krim, i duhet të kthehet më shumë se një herë në vendet ku i ka kryer krimet. Dhe, nëse krim në fushën e shkencës është plagjiatura, kryesit të saj, Sabri Hamitit, i duhet më shumë se një herë të kthehet në vendet në të cilat i ka bërë krimet e tij – sepse ai deri më tani nuk ka bërë vetëm një plagjiaturë! Dhe, më shumë se një herë në vendin e të njëjtit krim!!!
Përfundim
Nuk jam psikoanalist për të ditur arsyen pse kthehet krimineli në vendin e krimit, ka ai më shumë se një arsye për t’u kthyer aty apo këtë e bën pa farë arsye, por kthimi i Sabri Hamitit në plagjiaturat e tij, e ka vetëm një qëllim: fshehjen, mbulimin e tyre. Dhe këtë fshehje përpiqet ta bëjë në kohën e zhvillimit më të lartë të teknikës, kur fare lehtë mund të vërtetohet ajo! Në fakt, kjo plagjiaturë ka kohë që ka dalë në shesh. Kam shkruar unë për të, kanë shkruar të tjerët, ia ka përmendur Kadareja, kolegët që i ka në Akademi ka kohë që e pranojnë se është plagjiator… Por, përkundrazi, në hapësirën ku jetojnë shqiptarët, plagjiarizmi/plagjiatura, krimi intelektual, deri më sot jo vetëm që nuk dënohet, por paguhet dhe kjo pagë nuk është e vogël!
Është koha e fundit që korrupsioni intelektual në Kosovë të ndërpritet, sepse intelektualët këtu ende konsiderohen shtylla të një shoqërie. Kur ata, intelektualët, me të gjitha ato privilegje që i gëzojnë në jetën shoqërore por edhe në atë politike (si vlera arsimore-shkencore kanë hyrë edhe në politikë, jo pse kanë bërë ndonjë vepër politike kombëtare!!), bien me të dyja këmbët në korrupsion, si të ndalohet korrupsioni të cilin e zhvillojnë njerëz me tetëvjeçare (tani mund të kenë edhe fakultet, po me tetëvjeçare e me shkolla të mesme i zuri lufta), të cilët sot janë në organet e shtetit?! Çfarë të drejte morale kemi të bëjmë luftë kundër kësaj shtrese të ulët të njerëzve që me anë të politikës kanë marrë poste, kur njerëzit e kupolës arsimore-shkencore e politike për çdo ditë zihen në korrupsion, po nuk ndëshkohen?!
Në Kosovë nuk sundon ligji, prandaj këtu ndodhin të gjitha këto që ndodhin. Në legjitimimin e paligjësisë në Kosovë një kontribut jo të vogël po e jep edhe Tirana, zyrtare e jozyrtare. Paligjshmëritë që bëhen këtu, jo rrallë ndodh që të legalizohen në Tiranë! Atje, në Shqipëri, laureohen me çmimet më të larta, shkruhen recensione panegjirike, promovohen me pompozitet, shpallen kryevepra libra të autorëve kosovarë të cilat assesi nuk përbëjnë ndonjë nivel për të qenë, jo rrallë edhe pa u lexuar fare! Kështu do të hyjë Shqipëria në BE, pas saj edhe Kosova! E verbër është BE-ja?! Nuk sheh ajo çfarë ndodh këtu? Nuk e sheh në çfarë llumi ka rënë inteligjencia shqiptare?!
Para disa muajsh në Prishtinë u organizuan protesta të fuqishme, sepse disa pedagogë të Universitetit të Prishtinës paskan botuar punime (“me paratë e tyre”) në revista inekzistente në Indi(!), por çfarë u arrit me to, një vrimë në ujë! U zëvendësua rektori dhe çdo gjë vazhdoi si më parë!
Më i madh paska qenë faji i pedagogëve që kanë botuar punime me paratë e tyre në botë sesa botimi i plagjiaturave të Sabri Hamitit, të cilat i ka botuar me paratë e taksapaguesve të Kosovës dhe të cilat më pastaj i bën edhe lëndë studimi në Fakultet apo tema të Seminarit?!! Ku është shoqëria civile në këtë rast, nuk po e shohim në ballë të protestave Veton Surroin, ku është Ilir Deda që nuk e thotë së paku një fjalë për këtë, ku janë të rinjtë e të rejat e Kosovës, të cilët do të jenë edhe e ardhmja e saj, ku është reagimi i tyre?!
A ka ky vend Qeveri, Ministri të Arsimit, a ka Prokurori, nga kush udhëhiqet?! Çfarë shoqërie është kjo?
Nëse nuk ka ligj që sanksionon plagjiaturën, atëherë ndaj profesorëve që zihen në plagjiaturë të merren së paku masat që merren ndaj studentëve që zihen në kopjim! Besoj që të gjithë e dinë se çfarë i pret studentët që zihen në kopjim, pse një gjë e tillë të mos u ndodhë edhe profesorëve të tyre?!
Popujt me shekuj kanë hartuar ligje me të cilat janë qeverisur, ndërsa ne shqiptarët edhe më tej vazhdojmë të jemi mbi ligjin. Në hapësirën shqiptare nuk sundon ligji, po klanet e strukturuara, të cilat e kanë kapur tërësisht shoqërinë! Dhe, si përfundim, del se lufta ndaj fenomeneve negative në Kosovë e Shqipëri jo vetëm që është e kotë, por po të fillosh këtë luftë, mund të dalësh edhe qesharak në sytë e opinionit!
P.S.
1. Në Panairin e librit, që u mbajt në qershor, takova njërin nga akademikët tanë, të cilin, në mes tjerash, e pyeta pse Akademia nuk e miraton nenin e Ligjit, sipas të cilit dënohet plagjiatura?! Ai mu përgjigj se në fushat tjera, përveç letërsisë, ka plagjiaturë edhe më shumë! Sipas tij, pasi ka shumë plagjiaturë, nuk duhet të miratohet neni që e dënon plagjiaturën!!! Pra, akademikët të cilët gëzojnë shumë privilegje (edhe 6 muaj pasi të vdesin, taksapaguesi kosovar ua derdh mjetet në llogaritë e tyre bankare sikur të ishin gjallë!!!), mund të sillen si të duan, mund të marrin nga librat e të tjerëve si në bahçe të babës dhe të mos pësojnë asgjë, përkundrazi, marrin honorarë të majmë!!! Nuk thuhet kot që peshku qelbet nga koka!
2. Po me plagjiaturën e tretë, atë për Shkollat letrare, çfarë do të bëjë Sabri Hamiti? Kur do t’i kthehet asaj, do ta bëjë lëndë mësimore në fakultet apo temë seminari vitin e ardhshëm? Të shohim, ndoshta deri atëherë të dyjat, kur shtet nuk ka!