Sali Onuzi: AVDI SADIKI DHE KULLA E TIJ NË LUMË

Avdi Sadiki dhe Kulla e tij në Lumë hynë në histori në vitin 1909. Hynë furishëm dhe u bënë të famshëm. Pati për të dy një jehonë  jo vetëm në Lumë e Kosovë, por dhe më gjerë.

Ç’kish ndodhur? Një ditë vere një batalion osman rrethon kullën e Avdisë në Cane (Bicaj), aty mbi verrishtë, në pjesën më të lartë të fshatit. Kishin kohë që e kërkonin zaptijet osmane kaçakun, por nuk e kishin kapur. Morën vesh se kishte ardhur në shtëpi dhe e rrethuan. Ndodhej brenda me dy fëmijët e tij  të vegjël. Duhet të ketë qenë në vitet tridhjetë te jetës së tij.

Çdo kërkese për dorëzim iu përgjigj kundër. Filloi pushka. U pa që nuk dorëzohej.

Atëherë hyri në luftim batalioni i “Bimbash Arapit”, i cili e rrethoi shtëpinë qark në një distancë të caktuar. Solli dhe vendosi tek vorret e mëdha (vorret e Bogdanit) artilerinë dhe filloi ta gjuajë shtëpinë me gjyle topi. Avdia me dy fëmijët  u përgjigjën me pushkë nga frëngjia në frëngji.[1] “Asht për t’u shënuar këtu se djali i Abdiut 12 vjeç dhe vajza 9 vjeçe, luftuan me ushtrinë më shumë se një orë, gjë që nuk është parë e dëgjuar në tjetër vend”, i shkruante Hasan Pishtina   Dërvish Himës më 1910.[2] .Në fakt ,bashkë me to, luftonte edhe Aliu, (rreth 25 vjeç) vëllai i Avdisë.

Ushtria osmane hodhi  me dhjetëra predha mbi kullën e Avdi Sadikit![3] Një pjesë e tyre ranë mbi shtëpi. Në fillim predhat shembën oxhakun e kullës dhe ballin e parë të katit  sipërm.[4] Bashkëkohës të ngjarjes kanë treguar se një gjyle, që ra ende pa shpërthyer nga oxhaku në katin e parë, të rrethuarit e mbështollën me një postoqi dhe e hodhën në oborr ku plasi.[5]

Më në fund, kur iu mbaruan fishekët, e arrestojnë dhe e dërgojnë në Prizren e Shkup ku e “ gjykojnë “ dhe dënojnë.

Por ngjarja nuk mund të mbyllej në burg, ajo kish marrë dhenë. Lumjanët reaguan fort dhe e dënuan ashpër këtë mizori osmane kundër shtëpisë së një familjeje, kundër fëmijëve dhe pjesëtarëve të saj. Çfarë shteti ishte ky i xhonturqëve, i këtyre që kishin ardhur në pushtet me revolucion për “ hyrrjet”, (liri) dhe në fakt po instalonin një diktaturë edhe më të rëndë ndaj kombit shqiptar !

Lumjanët vendosën  të përgjigjen ndaj batalionit osman. “Gjatë kthimit (për në Prizren S.O) forcat turke u sulmuan disa herë.Një përpjekje me ta u bë  edhe në Theth, pranë Shkallës së Keqe (në lindje të Bicajt) Këtu lumjanët të prirë nga Islam Spahia e Hasan agë Bilali, vranë disa ushtarë të armikut në mes tyre edhe topçiun që shtiu mbi kullën e Avdi Sadik Gjanës.”.[6]

Por duket se lumjanët nuk e lanë me kaq. “Ngjarja natyrisht bëri bujë dhe ngriti në këmbë gjithë krahinën. Lumjanët u nisën kundër Prizrenit, morën fshatin Zhur (një orë larg Prizrenit) dhe kërkuan lirimin  e Abdi Sadikut. Turqit u përgjigjën më gjuhën e armëve, bombarduan fshatin Zhur, por  në Lumë nuk u futën dot,” ka shkruar në kujtimet e tij Eqrem bej Vlora.[7]

Ngjarjet shkuan zinxhir njëra pas tjetrës. Për të shuar valën e zemërimit e të kundërshtimit, Stambolli urdhëroi Xhavit Pashën, komandant i forcave osmane ne Mitrovicë dhe ky e bëri rrugën në shtator 1909,deri në Lumë me zjarr e hekur.[8] Qëndresa e Avdi Sadikit u kish shtuar urrejtjen por edhe shpirtin e revoltës lumjanëve e më tej. Ushtria vinte me 8 batalione këmbësorie dhe dy bateri të artilerisë malore që ta vinte Lumën në “qetësi”, ta bënte tërbijet, të paguante taksat, të jepte nizamë për shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe të çarmatosej.

Ky inkursion i Xhavit Pashës në Lumë dihet si përfundoi, me thyerjen dhe tërheqjen e tij të turpshme. Por ky katil para se të largohej qëlloi me top 37 kulla në Bicaj dhe dogji 5 fshatra,shkatëroi krejtësishy fshatin Kolesjan[9]. Vrau në Lumë, siç thuhet në memorandumin e Greçes, (1911) fëmijë, gra e pleq të pafajshëm.[10] Kjo e acaroi edhe më tej situatën në mbarë Kosovën e cila u përgjigj me Kryengritjet e fuqishme të vitit 1910 e 1912.

Ngjarjet e Lumës të vitit 1909 prodhuan atë që nuk bëhej dot as për 20 vjet, shkruante shtypi i kohës.[11] Këto ngjarje hynë në faqet e shtypit evropian e kapërcyen Atlantikun edhe në Revistën e njohur amerikane, “The national Geopgraphic Magazine”.[12]

Avdi Sadiki dhe Kulla e tij ishin bërë legjendë. Ai konsiderohej si një hero i kohës së tij. Jehona e veprës së tij vazhdoi dhe vijon edhe sot e kësaj dite.

Çfarë ndodhi më Avdi Sadikin? U burgos dhe e çuan në burgun e Shkupit.  Me largimin e zaptijeve dhe forcave osmane nga Prizreni me 30 tetor 1912, Avdi Sadiki del nga burgu.

Një vit më vonë, më 1913 kur po kthehej nga pazari i  Prizrenit   rrugës e sulmoi një grup ushtarësh serbë, që po vrisnin e digjnin në Përbreg dhe e vranë Avdi Sadikin.[13] Këta oficerët e soldatët serbë, që e hiqnin veten si “çlirimtarë”, e vranë pikërisht heroin e qëndresës shqiptare antiosmane. Serbia vinte për të zëvendësuar në Lumë e në gjithë Shqipërinë sunduesin e djeshëm osman me një sundim edhe më të egër serb.

Po vepra e Avdi Sadikit vazhdoi jehonën e saj, ajo nuk mund të shuhej nga kujtesa popullore. Vjen Lufta e Parë Botërore, republika dhe monarkia e zogiste; vjen e ikën Lufta e dytë Botërore, po Avdi Sadiki kujtohej me dhimbje, respekt dhe krenari bashkë.

Pas Çlirimit dhe vendosjes së sistemit të socializmit shtetëror në vend, arrestohet i biri, Beram Avdia dhe e shoqja e tij, e cila lirohet shpejt, por Berami bën 10 vite burg, për “agjitacion e propagandë.”[14] Ai që kish qenë kryeplak në vitet e luftës, dhe kryetar i Këshillit popullor pas  Çlirimit, sepse ish djali i Avdi Sadikit dhe njerëzit i besonin.

Sado që shtypin, botimet dhe zërin e radiove e mbushën ngjarjet e Luftës e të pas Luftës së Dytë Botërore, Avdi Sadiki dhe Kulla e tij bënin dritë në kujtimet e lumjanëve të brezit të tij. Aso kohe deri në vitet 1980 jetonin ende ata që e kishin përjetuar këtë ngjarje në fëmijërinë e tyre. Aq e madhe ishte në popull kjo jehonë saqë regjimi, desh s’desh, u detyrua ta dekoronte Avdi Sadikin më 1962 (Në 50 vjetorin e Pavarësisë) me Medaljen për veprimtari patriotike si luftëtar trim e shembull trimërie në luftërat e popullit tonë për sigurimin e lirisë të pavarësisë e të sovranitetit të Atdheut. 281.

Kjo do të përsëritej edhe në vitet 1970-80, kur edhe pasi kishin arrestuar “për agjitacion e  propagandë” dy nipërit e tij, Avdiun e dytë dhe Hasanin, 282) pushteti i kohës do të lejonte që në tekstin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Lumës, në pjesën e parë të tij, të shkruhej për  qëndresën e Avdi Sadikit një paragraf(!) me 7 rreshta e një fjalë. 283. Jo se donin zyrtarët e kohës,por që të mos përmendej në një tekst të historisë së krahinës së Lumës, vepra e Avdi Sadikit, kjo do të shkaktonte habi dhe mosbesim në popull.

Megjithatë teksti mbeti maket, ai nuk u botua kurrë.

Historia në një formë tjetër: Avdi Berami (Gjana) nipi i Avdi Sadikit edhe ky do të ngujohej në Kullë si gjyshi i tij kundër Turqisë. Pasi ish dënuar e kish vuajtur 9 vjet burg për “agjitacion e propagandë”, ish-mësuesi, nuk pranoi të merrte pjesë në votime. Një votë ish, po kjo bënte “hatanë”, e prishte rezultatin 100% për të cilin kërkohej me ngulm nga lart. E arrestuan, por nuk e burgosën dot përsëri, e futën tre vjet në Spitalin psikiatrik në Elbasan, edhe më keq se në burg, thotë Avdiu sot.284

Ngjarjet e kohës kanë sjell pasojat e tyre.  Çfarë nuk jepet në televizionet tona e çfarë nuk shkruhet për patriotizëm, po qëndresa e Avdi Sadikit dhe Kullës së tij rrjedh vetëm në kujtimet gojore të lumjanëve dhe është  shkruar  në botimet e dy studiuesve nga Bicaj, Shefqet Hoxhës dhe Isa Halilajt. Por nuk kam lexuar për të deri më sot as një artikull, as një tregim, as kam parë një dokumentar, apo të kem dëgjuar për një dekoratë  tjetër!

Ka në botime dhe në ekranet e televizioneve plot kulla të bukura, me arkitekturën e tyre imponuese. Kanë të drejtë, etnografia merret më shumë me këtë aspekt të ndërtimit të banesave. Por një Kullë nuk mund të vlerësohet vetëm nga bukuria e saj arkitektonike, nga etnografia e saj. Vlera e saj më e madhe është historia e saj reale, luftërat që ka përballuar, plumbat dhe gjylet që kanë rënë mbi të, hekurat dhe dyert e burgut që kanë vuajtur për liri familjaret e saj.

Ka plot kulla në Lumë.

Po  ajo e Avdi Sadikit në Cane është një kryekullë.

Këtu më vjen ndërmend një tregim i Ismail Kadaresë. Shkruan e tregon për bukuritë e impresionet që i bënë kështjellat e Evropës, sidomos ato të Skandinavisë. Ishin, siç ishin ndërtuar :pa një beden të prishur,pa një gjyle të qëlluar. Plot me turistë që i vizitonin. Shkrimtari i madh tregon se iu kujtuan kështjellat e rrënuara të Shqipërisë, të rrënuara nga barbaria osmane. Atëherë shkruan se e kuptova që si Kështjellat e Shqipërisë, nuk kish në Evropë, ato ishin sakrifikuar për atë që ishin ndërtuar, për luftë dhe qëndresë.

Ata ishin Troja jonë.

Edhe Kulla e Avdi Sadikit është si një kështjellë e tillë, tipike shqiptare. E gjuajtur, e dëmtuar dhe e rrënuar me top, por e rritur, e ngritur e ndritur në shpirtin e popullit.

E po, kjo është Kullë.

Kulla është për mbrojtje, jo thjesht     për ekspozitë.

Foto e Dekoratës së Avdi Sadikut.

  1. 281. Dekret nr. 3608, Tiranë, me 26 nëntor 1962 i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë.

282 Wikishqipopedia.org.Abdi Gjana, Hasan Gjana.

283 Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Lumës (1939-1944) Maket. Kukës, korrik 1982.f.28

284 Gazeta Panorama. Datë 23 qershor 2013. Shih gazetën edhe në internet: “Avdi Gjana. Jam shqiptari i vetëm që s’votova kurrë”.

 

[1]Hoxha, Shefqet: Luma në luftërat për liri. Tiranë 2002, f. 76-77:“Po kush ishte komiti Avdi ? Bëmat e tij njihen mirë në Bicaj dhe në viset për rreth. Ky kishte marrë pjesë në luftën e Prokup(l)es e të Nishit (1876) kundër agresorëve serbë të atjeshëm bashkë me qindra malësorë të bajrakëve të Lumës. Atje u plagos  dhe shokët e tij e sollën në spitalin e Shkupit, ndërsa kalin e plaçkat, Avdiu i nisi me anë të një përbregasi për në Bicaj. Por i përbregasi u tregua i pabesë, nuk ia çoi amanetin në shtëpi. Për këtë, mbasi doli nga spitali, Avdi Sadiku u hakmor mbi të pabesin, duke e qëlluar me pushkë. Ky akt tërhoqi vëmendjen e xhandarmërisë e cila kërkonte ta ndalojë dhe, gjatë përpjekjes me armë, plagoset një nga efektivi i saj. Meqë pak më vonë Avdiu plagos edhe një xhandar tjetër, kapet e përcillet për në burgun e Shkupit, por rrugës u ikën xhandarëve e kthehet në Bicaj. Këtu, edhe pse ishte në ndjekje nga xhandarmëria, thyen itifakun dhe konfrontohet me katundin. Xhandarmëria e rrethon në shtëpi dhe lufton me të dhe me njerëzit që e mbështesnin, për disa orë, por edhe kësaj here ai shpëton i gjallë. Ndërkaq vajza e tij Fija, i zë pritë Yzbashit të xhandarmërisë, Rezhep Hadri, dhe shtie mbi të, por s’e vret dot. Kjo ngjarje pati jehonë në mbarë nahijen e Lumës e më gjerë, prandaj qeveria turke urdhëroi të kapet i gjallë dhe të ekzekutohet… Me të ardhur batalioni turk në Bicaj për të kapur Avdi Sadikun, për të cilin kishte disa fletë-arresti, komandanti “Bimbash Arapi” (kështu e njeh populli) urdhëroi rrethimin e kullës së tij dhe prej Vorreve të Mëdha (Vorret e Bogdanit) nis të gjuajë me artileri mbi “keqbërësin” e rrethuar.”

[2] Prishtina, Hasan: Letër dërguar më 1910 Dërvish Himës në Stamboll: “Shkaqet e ngjarjeve në Lumë. Arkivi i Institutit të Historisë të Akademisë së Studimeve Albanologjike. Tiranë. Dosja A-4-100. Shënim  im : Ne fakt vajza , Fija, ishte më e madhe , dhe Berami më i vogël.

[3] Halilaj, Isa: Në kujtesën e Historisë. Tiranë 2006 f.179: “Në Bicaj kulla e Avdi Sadk Gjanës do të kthehej në kështjellë dhe vetëm pas goditjes së saj me mbi 53 predha, do ta detyronin Avdiun me dy fëmijët e tij (djali Bajrami 12 vjeç e vajza, Fija 9 vjeçe) me luftë, të dilnin prej saj duke u bërë heronjtë e ditës nga Luma deri në Stamboll.”

[4] Hoxha, Shefqet: Luma në luftërat për liri.Tiranë,2002. F.77.

Shënimi im: Viti i qëndresës së Avdi Sadikit, 1905, që është dhënë në faqen 75 për këtë ngjarje, në librin e autorit “Luma në luftërat për liri “duket të jetë një gabim tipografik, pasi konsulli austro-hungarez Prochaska, që përmendet bashkë me ngjarjen e Avdi Sadikit, ka shërbyer në këtë detyrë në Prizren nga viti 1906-1912.Shih Shqipëria në dokumentet Austro-Hungareze (1912) v.VI, Tiranë 2012.f.339.

[5] Nga kujtimet e Rustem Ramës, djali i vëllait të Avdi Sadikit.

[6] Hoxha, Shefqet: vep. e cituar, f.77

[7] Vlora, Eqrem: Kujtime, vëllimi i parë 1885-1912.Tiranë 2001.Përkthyer nga gjermanishtja nga Afrim Koçi, f.249:

“Një proçkë të ngjashme, si dikur me Isa Boletinin, Turqit e rinj kurdisen edhe në Lumë kundër njërit prej krerëve vendor, të quajtur Abdi Sadiku. Ata e kishin inatin se ky burrë i nderuar kishte qenë besnik i madh i Sulltanit. Doemos Abdi Sadiku nuk ishte ndonjë engjëll dhe nuk ua kishte bërë borxh disave. Por të rrethohej pa asnjë shkak të dukshëm kulla e tij në male, të vriteshin disa njerëz të tij, të arrestohej si dhe të mbyllej në kështjellën e Prizrenit, nuk ishte as e drejtë, as e mençur. Ngjarja natyrisht bëri bujë dhe ngriti në këmbë gjithë krahinën. Lumjanët u nisën kundër Prizrenit, morën fshatin Zhur (një orë larg Prizrenit dhe kërkuan lirimin e Abdi Sadikut. Turqit u përgjigjën më gjuhën e armëve, bombarduan fshatin Zhur, por në Lumë nuk u futën dot.”

[8] Po aty, f.250: … “pas kësaj ngjarjeje gjeneral brigade Xhavit pasha, i njohur për energjinë e tij, me vjegën e mbledhjes së armëve apo diçka tjetër, sulmoi fshatra, filloi të bombardoi me topa kulla dhe shtëpi, duke vrarë më të shumtën njerëz të pafajshëm dhe jashtë çdo loje.”

[9] Historia e popullit shqiptar, vëllimi II.ASH, Tiranë 2002.f.408

[10] Nika, Nevila: Përmbledhje dokumentesh mbi kryengritjet shqiptare 1910- 1912.Prishtinë 2003. Botim i Institutit të Historisë f.121.

[11] Gazeta “Dielli”, 26 nëntor 1909,marrë nga Histori e Shqipërisë vëllim i II, botim 2002 Tiranë, f 411.

[12] Theron. J Damon: Kush janë shqiptarët në “The national Geopgraphic Magazin”, USA, numri i nëntorit 1912

[13] Hoxha, Shefqet: vep. e cituar, f. 76.

Onuzi, Sali: Intervistë me gjyshin tim Rustem Rama, Bicaj 1981. Shih në këtë libër art.nr.6

[14] Wikishqipopedia.org.Bajram Gjana.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …