Sali Onuzi: Kujtim për Hamdi Gjanën në 70 vjetorin e lindjes së tij

Hamdi Gjana ka mbaruar shkëlqyer, me pesa, nga klasa e parë fillore, përfshi Liceun Artstik “Jordan Misja”, (shkollë kombëtare me emër) për çdo vit e në çdo lëndë. Sa ishte pionier, Kukësi e dërgonte në mbrëmjet qendrore që zhvilloheshin në Tiranë me rastin e vitit të ri. E çoi edhe ne Lice. Kaq. Më tej, Hamdi Gjana ishte sipas meje, një “i penguar profesional” ,një mënyrë specifike dënimi. Ndonëse nuk kish asnjë pengesë politike biografike,ndonëse punonte me përkushtim,ndonëse vit për vit bënte kërkesë (“lutje” quhej atëherë),pushteti vendor i Kukësit nuk e lejoi të ndiqte shkollën e lartë.(Institutin e lartë të Arteve) me justifikime bajate “se na prish punë”,” nuk kemi me kë të të zëvendësojmë”,” mirë je, nuk na duhesh me shkollë të lartë”,(!)” nuk kemi ku të të çojmë se nuk kemi organikë, të shkon shkolla e lartë kot !”,” se ti shkon atje, por nuk na kthehesh më këtu” etj etj. Ky ishte mentaliteti sa injorant i drejtuesve të rrethit, aq edhe djallëzor e poshtërues, po aq dhe hileqar e mesjetar për njeriun e punës dhe të artit .

I mërzitur nga këto ndalesa më kujtohet që më tha njëherë:” duhet të punosh keq që të të largojnë prej këtu e të të çojnë në shkollë të lartë. Po unë nuk di të punoj keq se !”

Inteligjent ,tip që nuk u ndahet librave dhe profesionit Hamdiu studionte shumë vetë që të ngrihej profesionalisht. Dhe më vjen mirë që ky nivel artistik i tij ka qenë dhe është  i njohur dhe i çmuar publikisht : “Hamdi Gjana është muzikanti i parë profesionist kuksian, shkruan me të drejtë regjisori Bilbil .Hereni.Me një karakter brilant , i sjellshëm , i respektueshëm me njerëzit Hamdiu  ishte dhe është një  humanist i vërtetë.

Sa shumë shokë e miq të mirë , kishte  dhe ka !

Po atë që pushteti i kohës nuk ia dha  direkt ( ta çonte në shkollë të lartë), ia dha në mënyre të pandërgjegjshme dhe indirekt:

Ngarkesa me detyra dhe konkurimi me veprimtari të mëdha në shkallë republike i grupeve artistike dhe kulturore të Kukësit, si ne Festivalet folklorike të Gjirokastrës, në Festivalet e këngeve për Fatosa dhe Pionierë ,në Festivalet  kombëtare të Estradave profesioniste etj,e ndihmuan të rritej  profesionalisht. Pushteti qëndror dërgonte në Kukës për dënim artistë të mëdhenj të muzikës si Zef Grudën (Artist i Popullit), Aleksandër Lalon etj. Kështu, në vend që të shkonte Hamdiu të studionte në Tiranë i erdhën nga Tirana në Kukës profesorë të shquar të muzikës, me të cilët Hamdiu do të punonte dhe përfitonte prej tyre. Njëkohësisht unë jam dëshmitarë se si e çmonin njëri -tjetrin Zefi dhe Hamdiu.

Edhe në kohën e demokracisë ,sa për të qenë në listë ,e dekoruan me një urdhër të klasit të II., ndërkohë që grupe mësuesish dekoroheshin me po atë urdhër, por  të klasit të I (!)

Nuk mund të them se ky lloj mosvlerësimi dhe pengimi sistematik zyrtar e bëri që të largohej përfundimisht nga Kukësi dhe nga Shqipëria dhe të emigronte në SHBA.Hamdi Gjana kishte dhe ka në Kukës dhe në Lumën e tij të dashur, po edhe në Has, në Gorë, në Malsi, në Tiranë dhe kudo që njihet, plot shokë e miq që e rrethonin me shumë respekt dhe dashuri,me një miqësi të vërtetë, që ia zbukuronin jetën, dhe e frymëzonin emocionalisht. Jam i bindur që këto ai i mbart me vehte  në shpirtin e tij të butë, në zërin e tij të ëmbël, në buzëqeshjen e tij të gëzuar, në dashurinë e tij të pafund për Atdheun.

Po e mbyll këtë ese të shkurtër me fjalët e regjizorit Bilbil Hereni për Hamdiun :

”Zemra dhe jeta e tij janë një këngë e pafund, jehona e së cilës nuk shuhet kurrë..”

Gëzuar ky jubile  i bukur i 70 vjetorit, i dashur Hamdi! Urime per suksese te reja!

Tiranë

4.shtator 2014

 

 

 

Një vështrim enciklopedik”, i Nazif Dokles “ Mësues i Merituar”, për Hamdi Gjanën

 

 

Hamdi Gjana ka lindur më 6 shator 1944    Bicaj të Lumës . Kreu shkëlqyer  ( 1958-1962)Liceun artsitik  “ Jordan Misja” në Tiranë , në degën e kulturës, profili Fizarmonikë.  Ka punuar si instrumentist, drejtues muzike në Estradën profesioniste e Shtëpinë e Kulturës, mësues muzike, metodist e drejtues i Qendrës Kulturore të Fëmijëve në qytetin e Kukësit. Kjo karrierë përfshin dhe një krijimtari të pasur muzikore. Këngët  “ Borë e parë” dhe “ Qytetit tim” (1964) janë  kompozimet e tij të para. Më 1967 fiton cmimin e parë në anketën e Radio-Tiranës me këngën “ Një kujtim”.Vazhdon më këngët “ Trimërinë ruajnë keto male”(1969), “ Alba”, “Fishekë  maliherit “ (1980) etj. Hamdi Gjana është vlerësuar disa herë me cmimin e parë në festivalet e këngës për fatosa e pionierë : “Mësojmë shkronjat”(1970,” Pse nuk fle shqiponja”(1982),” Katër stinët”,” Bjeri ciftelisë”, “ Dy gjëza muzikore “ etj.

Ndër gjinitë e mëdha muzikore  shënojmë “ Lum e lum’ o moj Shqipëri”, suitë vallesh festive (1979), tabllotë koreografike “ Mësojmë, punojmë, kalitemi”(1973). ”Macoku”(1987), suitën korografike “ Vallja e barinjëve” (1974) etj.

Është autor i teksteve të shumë këngëve.

Ka punuar për  zbulimin e përgatitjen e  talenteve të reja dhe organizmin e shumë veprimtarive të mëdha kulturore e folklorike te rrethit të Kukësit.

Hamdi Gjana ka vite që  ka emigruar në SHBA familjarisht. Jeton ne Filadelfia,ku nuk i ndahet punës krijuese në muzikë, në vecanti me fëmijët  e shqiptareve atje, me të cilët ka organizuar të parin festival të këngës shqipe të femijëve shqiptarë në SHBA.

Për punën  dhe krijimtarinë e tij është dekoruar me disa urdhëra dhe medalje.

Po ashtu dhe në Filadelfia ka  merituar mirënjohje publike.

Hamdi Gjana është i martuar me  Hëna Corapin  nga Borja dhe kanë një  djalë dhe dy vajza.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …