leoni

Salih Kabashi: UDB-ashët përditë lëvizin para hundëve tona

Edhe në Kosovë kohëve të fundit u kujtuan të shtrojnë pyetjen nëse duhet dënuar ose jo krimet e komunizmit. Ky vend dhe ky popull do të duhej të ishte në mos i pari, atëherë me siguri ndër të parët popuj evropianë që do të kishte vendosur që periudhën 1944-1999 ta shpallte kohë të degradimit ekstrem të të drejtave civile, njerëzore dhe të ndërhyrjes kriminale, të dhunës sistematike dhe të abuzimeve gjakatare me jetët njerëzore nga Partia – Shtet. Pse kjo nuk është bërë, nuk është vëshirë të jipet përgjegje. Një ndër përgjigjet është se Kosova nuk ka pasur një shkëputje të njëmendët me sistemin socialist. Udhëheqja e kohës 1989-1999 nuk ka mundur të kërkojë shkëputje të tillë, sepse ajo ka qenë pjesë e një kontinuiteti. Edhe më saktë: ata që gjoja u vunë në ballë të lëvizjes për pavarësi të Kosovës, pozicionin e tillë e kishin marrë jo për të çuar gjërat përpara, po për të frenuar dhe mbajtur (bashkë me Serbinë) nën kontroll energjitë e potencialet e jashtëzakonshme çlirimtare e demokratike të shqiptarëve dyfish të shtypur të Kosovës, apo të shqiptarëve të shtypur në një anë e të mashtruar në anën tjetër.
Debati që po zhvillohet aktualisht në Kosovë lidhur me hapjen (ose jo !!!) të dosjeve në Kosovë është në esencën e tij demagogjik dhe pervers. Dokumenti për këtë çështje, i cili i është ofruar Kuvendit të Kosovës për aprovim, si tekst, lë shumë për të dëshiruar në aspektin e ndërtimit e të argumentimit më cilësor dhe më themeltar. Por, nuk është problemi këtu, sepse aty, megjithatë, kërkohet të merret një qëndrim dhe të nxirret një ligj.
Edhe debati në Kuvend, po edhe diskutimet djallëzisht e paturpësisht të dirigjuara në disa media të Kosovës, tregojnë se tash për tash janë shumë më të fuqishëm ata që në fakt nuk duan të hapen as dosjet dhe as debati për to. Këta që rezultojnë më të fuqishëm në kundërshtimin e dosjeve, gati se kanë arritur një unison edhe me ata që në dukje janë për hapjen imediate të tyre. Unison që ka ekzistuar edhe atëherë kur këta të fundit pranuan dhe ndihmuan, për ta parë më vonë se e kishin gabim – kyqjen në tymnajën e barakës së Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Nga ky krah i personalitetetve politike e mediatike që mbase janë për hapjen e dosjeve, ka një mosnjohje brengosëse të subjektit, i cili në një mënyrë po debatohet. Kam dëgjuar këto ditë një debat lidhur me hapjen a moshapjen e dosjeve. Moderatori kishte në studio tre të ftuar dhe në linjë të drejtërdrejtë telefonike dy figura të shquara, ndoshta më të njohurat e disidencës shqiptare të Kosovës. Kolegu gazetar ishte krejtësisht i papërgatitur apo i pavullnetshëm për të organizuar debat të mirëfilltë. Ai në vend se të shtronte pyetje dhe të intervenonte në raste të caktuara dhe të domosdoshme, ai bashkëbiseduesve të tij (vetëm) po ua jipte fjalën…
• Dhe çka ndodhi?
Ndodhi që një qenie komuniste vetëqeverisëse, me titull profesor filozofie, edhepse me një fjalor të varfër dhe aftësi tepër të kufizuara elokuence, prapëseprapë, me kopillëkun e mësuar tërë jetën e tij prej servitori të pushtetit komunist, arriti që me disa floskula parademokratike të imponohej mbi të tjerët !
• Si?
Thjeshtë! Të tjerët donin të linin përshtypjen e zemërgjerëve, ndërkohë që ai herifi ishte i pacipë dhe abuzonte tmerrësisht me dhuratën e kolegut tonë në trajtë të fjalisë : E keni fjalën, zoti profesor… Dhe nga debati nuk doli asgjë. U përsërit pyetja e fillimit të emisionit: Duhet a nuk duhet të hapen dosjet? «Filozofi» i socilaizmit vetëqeverisës, që kishte kryer sociologjinë e marksizmin dhe që pastaj kishte arritur, falë besnikërisë së treguar si «junior» edhe të jipte mësim në Degën e Sociologjisë e të Filozofisë Marksiste në UP. Ai e pleqëroi punën siç i përshtatej atij dhe shokëve të tij titokomunistë të Kosovës: Kosova, nëse hap dosje, ajo paska nevojë t’i hapë dosjet nga 1989 deri më 1999! (Në atë kohë kumunizmi serb më nuk kishte nevojë për servitorë shqiptarë, se ata i kishte mjelë e shterrë për dekada me radhë…).
Ai «filozof» as nuk u skuq, (e thashë se ishte horr siç ka qenë gjithmonë të betuarit në rrugën e Titos), përkundrazi duke i bërë lajka atyre dy personaliteteve të disidencës, punën e dosjeve e paraqiti si punë të vështirë për t’u realizuar, jo vetëm pse ato gjenden në Serbi, por se, thoshte ai, për hapje dosjesh as koha nuk është…
Duke qenë se pohimi se dosjet nuk i paskemi ne, është një pretekst për ta lënë punën jo vetëm të ftohet por edhe të harrohet fare. Dua ta jap mendimin tim për këtë çështje. Ka njëzetë vjet që e kam thënë: • Dosjet i kemi ne!
• Dosjet janë rrotull nesh!
• Janë në trajta të njerëzve të pushtetit të dikurshëm tito-stalinist.
• Dosjet për çdo ditë parakalojnë para nesh.
• Ata janë mësuesit që tradhtuan kolegët e tyre,
• janë mësimdhënësit që denoncuan në komitet e UDB nxënëst e vet,
• janë ndër gjyqtarët që dënuan edhe me dhjetë vjet burg pesëmbëdhjetëvjeçarët që kishin shkruar dy fjalë : Kosova Republikë apo vetëm dy shkronja KR. • Dosje tonat janë sekretarët e gjallë e të vdekur të komiteteve komunale,
• të organizatave themelore të Lidhjes së Komunistëve, • dosje janë shitës të ndryshëm dhe jo të pakët nëpër shitore fshati,
• dosje janë studentët aktivistë që spiunuan më 1968, më ’81, më parë dhe më pas.
• Dosje është secili kryetar komune i kohës së komunizmit.
• Dosje dëng të fryra janë kontributet «teorike» të biçimit të atij « filozofit » nga emsioni i përmendur. • Dosje janë komentet e kohës në Radio Prishtinë,
• në TVP,
• në shtypin…
• Dosje janë anëtarët e kryesive të Lidhjes së Komunistëve,
• të Lidhjes Socialiste të Popullit Punues,
• të Lidhjes së Sindikatave,
• të Lidhjes së Rinisë Socialiste…
• Dosje janë mediat e kohës. Atje krimi ka lënë gjurmët e veta.
• Dosje janë kryeshefat e shefat e Sigurimit Shtetëror dhe operativistët e tij.
• Dosje janë njerëzit që kanë lëshuar pasaporta.
• Dosja plot janë prokuroritë e Kosovës.
• Ka aq shumë dosje!
• Ato përditë lëvizin para hundëve tona.
• E ne? Ne duke e parë ujkun përditë, kërkojmë gjurmët e tij.
O burra! Shikoni rreth jush se ka plot dosje që ecin dhe, si puna « filozofit » i emisionit të sipërpërmendur, e devijojnë temën e debatit dhe fërkojnë duart: Ua hodhëm edhe një herë «enveristëve»!


E, nëse tito-komunistët na e hedhin edhe këtë herë, le të dihet se na e hodhën përfundimisht.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …