Salih Selman Bytyçi (17.1.1956 - 2.4.1999)

Salih Selman Bytyçi (17.1.1956 – 2.4.1999)

Dëshmori i kombit Salih Bytyçi i xha Selmanit dhe nënë Dinores, i vëllai i Sheremetit, Fahredinit dhe Fadilit, u lind më 17 janar të vitit 1956 në fshatin Shkozë të Llapushës, komuna e Malishevës. Katër klasë të shkollës fillore e kreu në Shkollën Fillore “Shkëndija” të vendlindjes, ndërsa katër klasët e tjera i përfundoi në Shkollën Fillore “Emin Duraku” të fshatit Dragabil të Malishevës. Dëshira e tij e flaktë ishte të vazhdonte shkollimin në gjimnazin e Malishevës e pastaj kishte dëshirë të flaktë të studiojë në Universitetin e Prishtinës. Por, pas përfundimit të gjimnazit në Malishevë, për shkak të kushteve ekonomike, regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Xhevdet Doda”, në degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe. Absolvoi në këtë degë, por kushtet e vështira ekonomike e detyruan t’i ndërpresë studimet dhe të merret me ndërtimtari, ku punoi si murator.
Gjatë viteve 1986-1989 u punësua arsimtar në shkollën fillore të fshatit të lindjes, shkollë që sot mban emrin e tij, dëshmorit Salih Bytyçi. Në këtë shkollë Salihu u shqua si mësimdhënës i denjë. Pas mbylljes së shkollës shqipe nga pushtuesi serb, në vitin 1991, ai u detyrua ta ndërprejë punën dhe t’i rikthehet zejes së ndërtimtarisë.
Salih Bytyçi rrjedh nga një familje me tradita patriotike. Dashuria ndaj atdheut i lindi që në fëmijëri kur i ati, Selmani i rrëfente atij për luftërat e të parëve të familjes Bytyçi, si në rezistencë kundër Perandorisë Otomane, ashtu edhe kundër sllavëve serboçetnikë. Ai pati pati rastin të dëgjojë rrëfime për heroizmin e Alush Smajlit nga Llazica e Llapushës, që njihet për rezistencën heroike në luftë kundër regjimit jugosllav e në lëvizjet e tilla të rezistencës kishte marrë pjesë edhe Selman Bytyçi, i ati i dëshmorit Salih Bytyçi. Salihu, kur dëgjonte rrëfimet për këto ngjarje nga veprimtaria patriotike e mulla Ademit të Shkozës, Mustafë Ibishit të Kromnikut, Qazim Bajraktarit të Astarzupit, Xajë Pataçanit të Rahovecit e të Malë Bashotës nga Carraviku, zemra i bëhej mal, por në shpirtin e tij shtohej urrejta ndaj pushtesve dhe gjakpirësve serboçetnikë.
Demonstratat e vitit 1981 e pastaj edhe lëvizjet popullore të mëvonshme në Kosovë, në vitet 1989-1990, për Salih Bytyçin ishin frymëzim i fuqishëm. Ai entusiazmohej ndërsa shihte masën e organizuar në protesta gjithëpopullore në Rahovec nën udhëheqjen e profesor Ukshin Hotit e në Malishevë. Tubimet e popullatës shqiptare, si brenda në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj, që organizoheshin në shenjë të përkrahjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, djalin liridashës që tani kishte moshë të pjekur, e frymëzuan edhe më tepër. Salihu dhe disa bashkëfshatarë të tij morën armët dhe iu bashkuan ushtrisë së Adem Jasharit me qëllim të çlirimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare.
Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Salih Bytyçi angazhohet në shtator të vitit 1998, pjesëtar i kompanisë III, Batalioni IV në Brigadën 122 “Imer Krasniqi” që vepronte në Zonën Operative të Pashtrikut dhe mbulonte rrëzat përreth Bjeshkëve të Rahovecit.
Radhitja e Salihut në këtë njësit ishe e mirëpritur sepse tani shokët e tij të luftës e kishin afër tyre një luftëtar trim që u jipte zemër e forcë dhe ua ngriste atyre moralin luftarak, sikurse edhe bashkëfshatari i tij, Muharrem Hoxha, sot të dytë dëshmorë të kombit. Shokët e tij të luftës e përkujtojnë: “Aty ku ishte Salihu, ishte zjarri dhe gatishmëria e pashoqe, aty ishte morali i lartë për luftë!”
Arsimtari dëshmor Salih Bytyçi në fillim u angazhua në vëzhgime speciale kah Rahoveci dhe Hoça e Madhe, por duke qenë i përgatitur mirë dhe njohës i armatimit, u sistemua në fushën e operativës. I këtillë ishte në sulmin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në magjistralen Malishevë-Rahovec, te ambulanca e Dragabilit, pastaj në sulmin te “Arat e Dulës” ndërmjet Rahovecit dhe fshatit Astarzup, në sulmin afër “Kryqave” në drejtim të Hoçës së Madhe dhe gjatë depërtimit nëpër Samardanet e Rahovecit për në “Majën e Shkodranit” të cilën e mbronte formacioni “Shkoza” me të cilin komandonte Sefer Bytyçi, në kudër të Brigadës 124 “Gani Paçarizi” të Zonës Operative të Pashtrikut.
Në prill të vitit 1999, forcat serboçetnike qenë nisur prej fshatit Hoçë e Madhe e prej Rahovecit dhe kishin ndërmarrë ofensivë në drejtimin verior të frontit të Anadrinit. Për depërtim zgjodhën fshatin Shkozë, jo larg Hoçës së Madhe. Por, pikërisht më 2 prill forcat barbare serboçetnike hasën në rezistencë të luftëtarëve të lirisë në “Vidhishtë”, prej nga forcat serbe synonin të depërtonin në drejtim të Astarzupit, për ta prerë e marrë aksin e magjistrales Rahovec-Malishevë. Gjatë luftimeve në këtë pikë, jo larg shkollës fillore, më 2 prill të vitit 1999, përjetësohet në altarin e lirisë edhe arsimtari i kësaj shkolle, Salih Bytyçi, në të cilën u shkollua dhe punoi deri në marsin e Jasharëve të vitit 1998. Trupin e dëshmorit arritën ta tërheqin nga istikamet, djali i vëllait Bajram Bytyçi, i cili e ndihmoi në tërheqje të Saliut, por e ndihmuan edhe pjestarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Besir Bytyçi, Lulzim Bytyçi, Ilir Bytyçi dhe Ramadan Bytyçi. U varros në oborrin e Melit Metë Bytyçi, më 3 prill, ndërsa sot trupi i dëshmorit Salih Bytyçi pushon në “Kposhtin e Dëshmorëve” në Malishevë, e mbishkrimi mbi portën e shkollës së fshatit të lindjes dhe në lapidarin pranë oborrit të kësaj shkolle, ku shkëlqejnë emrat e dëshmorëve të këtij fshati e në krye të tyre edhe emri i Salih Bytyçit, ruajnë nderin dhe krenarinë e luftëtarëve të Adem Jasharit. Nderin shkollës fillore të fshatit Shkozë sot e ruajnë bijtë e bijat e dëshmorit, Afrimi, Rehidja, Shehidja, Zejnija, Nashidja, Arta, Liridoni dhe Valbona, për të cilët kujdeset nëna Gjylë, zonjë e nderuar nga të gjithë vocërrakët e Shkollës Fillore “Salih Bytyçi” të fshatit Shkozë afër të cilës gjendet edhe obilesku i dëshmorëve të fshatit, ndër lapidarët më madhështorë që është ngritur në fshatrat e Llapushës e në komunën e Malishevës. Në familjen e Salihut, ruhen mirënjohjet e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Zonës Operative të Pashtrikut, të Brigadës 122 “Imer Krasniqi”, të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës e të Komunës së Malishevës. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …