Komandanti i Zonës së Drenicës gjatë luftës dhe anëtari i Kryesisë së PDK-së, Sami Lushtaku, ka reaguar kundër deklaratës për vëllavrasje të kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, zyrtar i lartë i Vetëvendosjes, i cili ka thënë se kryetari Hashim Thaçi duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja, në të kundërtën do të ketë vëllavrasje në vend.
Kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Lushtaku, ka thënë se liria e qytetarëve është më e vlefshme se cilido individ dhe kushdo që mendon se do ta rrezikojë popullin me nxitje për dhunë, dhuna do ta dënojë vet atë.
“Këto ditë, shumë anëtarë e mbështetës të LV-së kanë bërë thirrje për dhunë e anarki, deri te vëllavrasja e lufta civile. Po habitem se si mbi 20 vjet pas çlirimit të vendit, njerëz që s’kanë dhënë asnjë kontribut për vendin, kanë guxim për të bërë thirrje të tilla. Këta që s’kanë guxuar që t’i dalin përballë armikut kur është kërkuar prej tyre, s’besoj që e kanë guximin që t’i dalin përballë shtetit dhe popullit të Kosovës. Kushdo që është aq i çmendur, do ta marrë përgjigjen që e meriton. Liria jonë është më e vlefshme se cilido individ dhe ata që mendojnë se do ta rrezikojnë popullin me nxitje për dhunë, le ta dinë se dhuna do t’i dënojë vet ata. Kush luan me zjarr, do të digjet vet prej tij”, ka shkruar Sami Lushtaku.