(Tri Shatrija)
Sot e plotë 33 vite, në Istogun e Dukagjinit, në Stacionin e Policisë, i mbushur përplot policë të Njësive Speciale të ardhur nga vise të ndryshme të Jugosllavisë, në zyrën e inspektorit të sigurimit shtetërorë të Serbisë, u dëgjuan stuhishëm krisma arme. Në një përleshje fyt për fyt, mes Naser Shatrit dhe T.Baboviqit, mbetet i shtrirë në dysheme, inspektori famëkeq.
Pse kishte jehonë kjo ngjarje?
Inspektorët dhe UDBASH-ët e asaj kohe u kishin futë frikën në palcë shqiptarëve, duke i maltretuar, sharë, rrahur, poshtëruar, vrarë etj. në zyret e sigurimit. Dy policë “gegja” hynin në treg, legjitimonin dhe maltretonin qytetarët, duke ju sharë Nënën shqiptare.
Dita e 3 tetorit 1989, përgjithmonë theu heshtjen e frikën, inspektori famëkeq i “paprekur”, mbeti i shtrirë në dysheme duke lëmetitur.
Jehona e kësaj ngjarje u ndie anekënd globit. Trimit ju thur kënga për së gjalli, rast i rrallë:
Baboviç të thafshin krahtë ,
qysh me i ra Naserit sh’plakë
Me ja sha shqiptarit Nanën
Me dorë tande ta ban gjamën…
N’kam o çue tanë Serbia,
vin avionat përmi shpia
Rrethim t’fort në katër anë
Naser Shatrin gjall me n’zanë…
Po a ishte hera e parë që Serbia ballafaqohej me Tomocin e Shqiponjave?
Mos t’harrojmë, nga viti 1949 deri në vitet 80-ta, Jugosllavia shpesh herë kishte përdorë ushtrinë, policinë dhe sigurimin shtetërorë për ta likuiduar apo zënë të gjallë, diversantin sy-shqiponjë Sali Shatri i cili nga Tirana, bashkë me grupin diversant, vinte ilegalisht dhe vepronte në të gjitha viset shqiptare të Jugosllavisë. UDB-ja në të gjitha përpjekjet ushtarake kishte dalë e humbur!
Ma vonë kjo juntë ushtarake kishte burgosur intelektualin-militantë të kësaj familje, Xhafer Shatrin i cili njihej si i burgosuri kryengritës i panënshtruar. Ai arriti të arratiset nga burgu i Prishtinës në vitin 1982, për të drejtuar në Diasporë, punën Atdhetare.
Pra, Serbia ishte gënjyer keq, duke menduar që me vdekjen e Sali Shatrit, u mbyllë përgjithmonë e tërë dosja liridashëse e familjes Shatri. Saliu kishte lënë pas vehti gjurmët e tija Atdhetare, që ma vonë prodhuan atributin ma të shtrenjtë, LIRINË. Ato gjurmë, ishin shtrirë thellë në të gjitha viset shqiptare, anembanë ish-Jugosllavisë.
Në vitin 1993/94 gazeta borba do shkruante një artikull:
“TRI SHATRIJA” ku gazetari do paraqiste veprimtarinë seperatiste të tre pjesëtarëve të kësaj familje: Sali, Xhafer dhe Naser Shatri!
(Sqarim: Këtë numër të gazetës ma solli baballaku im kur isha i fejuar, duke më thënë: për një e kam ditë po që janë tre, nuk paskna ditë”. Unë i thashë: nuk janë vetëm tre, ka akoma ma shumë!)
Çka shkruante në “Borba”
Në mes tjerash autori kishte bërë një ndërlidhje të të gjitha veprimtarive të familjes Shatri kundër Jugosllavisë me ideatorin e separatizmit, Sali Shatri, i cili nga viti 1949 jetonte e punonte në Tiranë. Sipas tij, i frymëzuar nga veprimtaria separatiste e Sali Shatrit ndër vite kundër Jugosllavisë, Xhafer Shatri ishte angazhuar si student në grupimet ilegale irridentiste e seperatiste, ku për shkak të veprimtarisë së tij ishte dënuar me shumë vite burg dhe i cili kishte arrit të arratiset nga burgu i Prishtinës, për të dalë në perëndim-Zvicër, ku nga andej ka udhëheqë lëvizjen seperatiste në Diasporë.
Më vonë sipas autorit edhe një anëtarë i po kësaj familje i frymëzuar nga idetë seperatiste të Saliut dhe Xhaferit, kryen një “akt terrorist” në Stacionin policor në Istog në vitin 1989, ku në zyrën e Inspektorit policor Federativ Tomisllav Baboviq, plagos rëndë inspektorin, që nga plagët e marra mbetet përjetë i paralizuar.
Sipas autorit për tre “Shatrajt” Jugosllavia bukur shpesh, ka vënë në lëvizje ushtrinë dhe policinë, por pa sukses.
Foto e Naserit me dorën e ngritur në shenjë “STOP” dhe intervista e tij shtypit të huaj, tregon që shqiptarit sojnik nuk i shahet Nëna, sharja e fyerja kushtojnë me jetë, KUJDES …