Me marrjen e lajmit se komandantët Xhelal Hajda –Toni, Selajdin Mullabazi – Mici, Gëzim Hamza – Piktori, Abdullah Bugari, Bekim Sylka e Mizahir Isma, kanë arritur prej fshatit Drenaj të Zatriqit, në Shkollën Fillore të fshatit Astarzup të Llapushës, dhe se aty, në “Zonën e Lirë” të Malishevës, krahas formacioneve: “Lumi”, “Pëllumbat” dhe “Çeliku” që ato ditë ishin në veprim, po formohej Batalioni i Rahavecit, Samir Nurkasa, me djalin e axhës, Xhaferin, me Xhevat Kasapin e me Gëzim Mullabazin, të gjithë dëshmorë të kombit, ngarendi për t‘iu bashkuar “Djemve të Rahavecit”dhe t’u bëhet një krah i fortë Jasharajve dhe Haradinajve, në Prekaz e në Gllogjan. Krismat heroike të Atyre që “Kosovës do t’ia falin jetën e do t’u duket pak” jehuan anekënd, prandaj edhe Samir Nurkasa nuk hamendet më, sepse Ushtria Çlirimtare e Kosovës i kishte arritur te strehet e çatisë në lagjen e Nurkasëve, patrullat e para të kësaj ushtrie tashmë po dukeshin afër “Kronit të Gurit”. Xhelal Hajda –Toni, së bashku me Selajdin Mullabazin-Micin e me Daut Haradinajn, tashmë kishin nisur për të patrulluar deri te “Rrasat e Rahavecit” e Samir Nurkasa së bashku me Xhaferin, nisi këngën e lirisë për të mos e ndalur deri në “Betejën e Lugut të Shqipeve” më 25 korrik kur edhe përjetësohen: Habib Berisha i Gurbardhit, Ramadan Xhuliqi i Maralisë, Ramadan Morina i Qypevës, të gjithë nga komuna e Malishevës, Gëzim Mullabazi, Xhevat Kasapi e Xhafer Nurkasa të Rahavecit e në krye të tyre përjetësohet edhe Samir Selim Nurkasa.
Dëshmori i kombit Samir Nurkasa është i lindur më 25 janar të vitit 1973 në Rahavec. Rrjedh prej një familjeje të varfër bujqësore anadrinase: i ati Selimi, me bashkëshorten Hilminë, bijë e Lezëve të Hoçës së Vogël, me katër djem e një vajzë, kishte dëshirë të madhe për t’i shkolluar të bijtë, por kushtet e vështira ekonomike të familjes vreshtare Nurkasa, nuk i premtonin xha Selimit as mundësi për shkollimin e bijve.
Shkollën fillore Samiri e mbaroi në Rahavec, të mesmen e filloi në Gjimnazin tash “Xhelal Hajda-Toni” të cilin Samir Nurkasa e kishte mik shtëpie, bashkëluftëtar, idol dhe komandant. Si nxënës i gjimnazit, Samiri me shokë merr pjesë në demonstratat e janarit të vitit 1990 ku edhe zë fill aktiviteti rinor patriotik, të cilin Samiri e nisi në fshatin Hoçë e Vogël, me rastin e formimit të Unionit të Pavarur të Nxënësve të Shkollave të Mesme të Kosovës, atëherë nën drejtimin e veprimtarit Smajl Latifit. Kështu, Samir Nurkasa edhe inkuadrohet në ilegalen e Hoçës së Vogël, të Nagacit, të Krushës së Madhe, të Celinës, të Fortesës e të Drenajt dhe duke bashkëvepruar me Abdullah Bugarin e Mizahir Ismën, përcjell vlimet patriotike në tërë Rrafshin e Anadrinit. Samiri kishte dëshirë të madhe për të studiuar në Universitetin e Prishtinës, por nuk pati mundësi materiale. U bë bashkëprodhues i vyeshëm me t’anë, Selimin, dhe me vëllezërit, por humbiste durimin kur shihte tmerre e trishtime nëpër punktet e kobshme të policisë serbe që mbillnin tmerr e trishtim nëpër pikat kontrolluese si “Rrasat e Rahavecit”, “Rrihjet e Rahavecit”, “Kisha e Berjakës” dhe “Ura e Therandës”. Për herë të parë Samiri takohet me luftëtarët e lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 maj të vitit 1998 në fshatin Burim i Epërm gjatë ceremonialit të përcjelljes së fundit të dëshmorëve: Sakip Xhamali Bellaqa, Feim Avdi Gashi dhe Përparim Ali Thaçi, që ranë në “Udhën e Përudhës”, ndërmjet fshatrave Fortesë e Xërxë, më 27 maj të vitit 1998.
Atë ditë, Samiri betohet se do t’u bashkohet luftëtarëve të lirë dhe “e thënë, e bërë”. Së bashku me shumë shokë, ai sistemohet në skuadrën “Dallëndyshet” dhe merr një rrugë për ta thyer Pashtrikun. Shtegton me Grupin e Dytë të logjistikës, së bashku me shokët: Selami Merxha, Selami Hajrullaga, Ilvi Salihmusa, Hasan Rexha, Selim Shabandula, Bilall Durguti, Jahja Danuza, Dritan Hamza, Mehmed Tara, Shaban Jupa, Sabit Jupa, Fazli Hasani, Behar Haxhimustafa e Fadil Durguti.
Të gjithë nisen me këngë e hare, dukeshin shend e verë sikurse të shkonin në dasmë, sepse për luftëtarët e lirisë kjo ishte me të vërtetë një dasmë e madhe për Kosovën, sepse duhej që sa më shpejtë luftëtarët të furnizoheshin me “Zjarrin e Lirisë”, andaj edhe Samir Nurkasa vihet në krye të bartësve të këtij zjarri të shenjtë. Pasi u kthye grupi, Batalioni i Rahavecit, braktis Shkollën Fillore të fshatit Astrazup dhe vendoset në “Kërshin e Keq”, bri “Arave të Dulës”, bri “Lugut të Shqipeve” e bri “Lugut të Zdredhës”. Gjatë luftimeve përreth Rahavecit prej 17 deri më 22 korrik, Samir Nurkasa gjendet në pikat më të zjarrta si: “Rrasat e Rahavecit”, “Vorri i Baba Agushit”, “Vorret e Shkijeve”, “Kroni i Gurit”, “Vuçaku”, “Mahalla e Sahatit”, “Gardhina”, “Qendra” dhe deri te “Rrihjet e Rahavecit”. Në luftimet përreth Rahavecit Samir Nurkasës i përjetësohen shokët më të ngushtë: Abdullah Bugari, Gëzim Hamza, Faik Rama, Bajram Veliu, i ranë bashkëluftëtarët që kishin ardhur prej anekënd Kosovës për t’u ndihmuar anadrinasve në Fortesë e Rahavec: Agim Çelaj i Pejës, Agim Kelmendi i Fortesës, Sadik Shala i Kleçkës, Hmadi Berisha i Gurbardhit, Afrim Krasniqi i Bardhit, Limon Gegaj i Zogajt, ndërsa gjatë luftimeve për mbajtjen e “Majës së Shkodranit” i ranë edhe: Mizahir e Bekim Isma, Remzi Ukshini, nga Rahaveci, Arian Brahimi nga Shkodra e Eshrafedin Kastrati nga Drenajt e Zatriqit, por edhe forcat serboçetnike u dëmtuan dhe u thërmuan tërësisht, u paralizuan deri në ofensivën në “Lugun e Shqipeve”, më 25 korrik të vitit 1998.
Pas tërheqjes së luftëtarëve të lirisë dhe të banorëve të Rahavecit në drejtim të fshatrave të Llapushës, në krye të Batalionit të Rahavecit, arrin Xhelal Hajda – Toni me Selajdin Mullabazin- Micin dhe kështu vendoset “Gardhi defansiv” në krye të “Lugut të Shqipeve” për ta prerë aksin e magjistrales Prishtinë-Rahavec, nëpër Malishevë, me qëllim të mbrojtjes së popullsisë, e cila ishte tërhequr dhe qe strehuar nëpër fshatrat e Llapushës, madje deri në Senik e në Kleçkën legjendare.
Ky “Gardh defansiv” në formë harku fillonte prej fshatit Zatriq, nëpër “Lugun e Remnikut”, “Krua të Asmanikës”, nën “Kërshin e Keq”, bri “Arave të Dulës” e në drejtim të fshatit Shkozë në mënyrë që të sigurohet mbrojtja prej këmbësorisë serbe e cila avanconte prej një baze të këmbësorisë në fshatrat: Hoçë e Madhe e Zaçisht, por edhe në lagjen serbe të Rahavecit që pretendonin të shtriheshin kah Burimi i Epërm, Drenaj, Zatriq e kah “Lugu i Shqipeve”.
Samir Nurkasa i ka istikamet së bashku me Gëzim Mullabazin, Xhevat Kasapin, Nysret Cenën e Sabit Jupën, për kurrizi të “Tepsijeve”, ose bri “Lugut të Shqipeve” e bri “Majës së Shkodranit”. Deri në kthesën e parë te “Lugu i Shqipeve”, forcat serbe me një këmbësori të madhe e me batalionin e blinduar që kishte arritur nga divizioni i Prizrenit, lëviznin në avantazh, mirëpo paralizohen që në kthesën e parë kur edhe breshërohen prej “Majës së Zatriqit”, kurse afër “Kërshit të Keq” nga sulmet e sinkronizuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, forcat ushtarake, policore e paramilitare pësojnë disfatë definitive, me ç’rast në fushëbetejë ranë edhe komandantët e forcave serbe. Tanksat serbe i ndal duke i hedhur në ajër Mic Sokoli e Vojo Kushi i këtyre betejave, luftëtari i lirisë Habib Berisha, i njohur si Hoxha i Gurbardhit, legjendë e luftimeve të Rahavecit, sot dëshmor i kombit. Luftimet ishin të ashpra, të vrazhda e të një afërsie të madhe që u zhvilluan në Bjeshkët e Rahavecit të njohura për thatësi e shkurrishte, luftime këto nën temperaturën ekstreme të 25 korrikut të vitit 1998.
Në këto luftime përjetësohen: Habib Berisha i Gurbardhit të Llapushës, Ruzhdi Xhuliqi i Maralisë, Ramadan Morina i Qypevës, Gëzim Mullabazi i Rahavecit, Xhevat Kasapi dhe Samir Nurkasa i Rahavecit. Rënia e tyre ishte një goditje e rëndë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, veçanërisht për luftëtarët e Malishevës e të Rahavecit, por as në këtë ditë nuk ra Malisheva, nuk u thyen llapushasit dhe nuk u thye Batalioni i Rahavecit, i cili me luftimet dyorëshe, arriti për t’i tërhequr trupat e pajetë të Xhevetit, Gëzimit e Samirit të mbetur në “Qafën e Tepsijeve” pranë “Arave të Dulës”. Samir Nurkasa, me kushëririn Xhaferin, me Xhevat Kasapin e Gëzim Mullabazin, tërhiqen prej morgut të improvizuar të Malishevës, nën përcjelljen e bashkëqytetarëve të larguar prej Rahavecit, varrosen në “Zemër të Zonës së Lirë”, në Malishevë. Në krye të kortezhin marshonin me respekt komandantët: Musë Jashari, Xhelal Hajda, Selajdin Mullabazi, Fadil Nimani e Ibrahim Mazreku, të cilët mbetën legjenda për betejat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përgjithësi dhe të Anadrinit në veçanti.
Pas përfundimit të luftës, bashkëluftëtarët e Samir Nurkasës, të prirë nga Fahredin Hajda, Xhafer Nurkasa e Arsim Durguti, organizojnë ceremonialin e rivarrimit të dëshmorëve të “Lugut të Shqipeve” dhe të gjithë dëshmorët vendosen në “Shtëpinë e Përjetshme”, në krye të “Lugjeve të Verdha” të Rahavecit. Sot, nëna e dëshmorit, nëna Hilmije me të vetmen bijë, Sheriben, e cila ligjëron për trimëritë e të vëllait, Samirit, kushëririt Xhaferit e të kunetërve, Xhelal e Sadedin Hajda. Pranë gjyshes Hilmije, te varri i t’et, të cilin nuk e kishte parë, rri edhe Samira, e cila nuk e njeh t’anë, por dëgjon rrëfime e kujtime për trimëritë e tij. (S. C.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …