Saranda Shala: Lakuriqësia me disa medie të informimit

Saranda Shala: Lakuriqësia me disa medie të informimit

Komunikimi si ndërveprim përmes simboleve dhe gjuhës, konsiderohet ndër proceset më të rëndësishme jetësore të njeriut. Ne çdo ditë komunikojmë në rrugë, në shkollë, shtëpi, kudo që jemi, madje njeriu komunikon dhe me veten e tij edhe në situata më të skajshme të vetmisë.

Mjetet e komunikimit, si shtypi, radio, televizioni, internet etj. kanë ndryshuar me kalimin e viteve duke sjellë progres në kulturën dhe shoqërinë tonë. Esenca e tyre është të përçojë mesazhin apo informacionin qoftë përmes komunikimit verbal apo jo verbal. Madje ndikimi i tyre është aq i fuqishëm dhe jo kot konsiderohet si ”pushteti i katërt në botë”.

Përveç kodimit dhe dekodimit të mesazhit, një pjesë e njerëzve fillojnë të krijojnë vartësi nga media dhe televizioni duke qëndruar me orë të tëra pranë ekraneve. Po ashtu jemi dëshmitarë që një pjesë e mediumeve në transmetimet e tyre nuk respektojnë as “Kodin Etik të Gazetarisë”.

Transmetohen ngjarje dhune, lajme të paverifikuara, video deri në ndërhyrjet më intime, fotografi që nuk të ngjajnë me një gjendje normale apo të shëndoshë të personit… Thjesht sytë e një qytetari nuk po shohin asgjë më shumë sesa një gazetari postmoderne pornografie.

Për të tërhequr opinionin, gjithmonë në modë ka qenë zhveshja, por që “cullkhanja” (lakuriqësia), duhet të shprehet dhe në dhënie lajmesh ishte vërtet një befasi për opinionin mbarëshqiptar.

Një lloj kombinimi i komunikimit verbal dhe joverbal kemi pas rastin të shohim kohëve të fundit te moderatoret e një televizioni shqiptar, ku të folurit transmetohet tetëdhjetë për qind nga ana e emocioneve, përmes gjuhës objektive, shprehësit e ndjenjave, apo dhe shenjave.

Dhënia e lajmeve përmes “kërthizës dhe pa sytjene ku zbulohen gjinjtë”, tregon që tek transmetuesit ka rënie në shikueshmërinë e lajmeve dhe kredibiliteti i tyre ka humbur efektivitetin e tij. Rëndësi më nuk paraqet cilësia e lajmit, por lakuriqësia e lajmit.

Shikuar në një prizëm tjetër më të thellë, veshja jep dhe informacione të tjera për pamjen. Veshja po ashtu zbulon diçka më shumë rreth emocioneve, sjelljeve dhe diferencimit tonë. Ky efekt ka dy anë: se si ndjenjat tona ndikohen dhe se çfarë ndiejmë nga veshja jonë. Një stil i veshjes së moderatorëve është i lirë apo i detyruar. Kjo përveç që i vë në siklet ato, ndikon dhe në rehatin emocionale shpirtërore të individit. Gjendja ekonomike dhe konkurrenca, çfarë nuk i shtynë njerëzit të bëjnë për t’i kënaqur sytë e shikuesit.

Një “trendi” të tillë nuk përjashtohet mundësia t’i ikë as Kosova, pasi kopjimi për të imituar të tjerët, qoftë dhe kur janë gabim, është evident gjithmonë. Nga ndikimi i medias, fëmijët dhe të rinjtë shpeshherë janë ata që pësojnë më së shumti. Mos kontrolli i tyre familjar dhe mbivlerësimi i aftësive të tyre se tashmë janë rritur, bëjnë të mos perceptojnë dot çfarë është e pranueshme dhe çfarë nuk është.

Prandaj, duke jetuar në një kulturë, e cila po transformohet dita-ditës, duke jetuar në një shoqëri konsumi, media do të duhej që përveç transmetimit të informacionit, të ketë kontroll në përmbajtjen e programit, pasi televizioni si model mund të krijojë më tepër imazh në opinionin publik.

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Qeverisja ekonomike në shifra

Një përshkrim i asaj çfarë ka  në ekonomi brenda këtyre katër viteve : Po fillojmë …