Së shpejti Forumi Ekonomik bilateral Kosovë-Mali i Zi

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci i shoqëruar nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka qëndruar të hënën për vizitë zyrtare në Podgoricë, ku ka zhvilluar takime të ndara me homologun e tij malazez, Ministrin e Ekonomisë, Vladimir Kavaric dhe drejtues të Odës Ekonomike të Malit të Zi.

Ministri Stavileci gjatë takimit me Ministrin Kavaric ka theksuar se është koha që të qohet përpara agjenda ekonomike mes Kosovës dhe Malit të Zi, duke shtuar se odat ekonomike të të dyja vendeve kanë ndërmarrë nisma konkrete për thellimin e bashkëpunimit.

Stavileci ka nënvizuar me këtë rast se dy vendet mund të implementojnë projekte të përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit rajonal, që rrjedh nga Forumi i Berlinit dhe Vjenës, mirëpo shtoi se zhvillimi i infrastrukturës mes Kosovës dhe Malit të Zi është parakusht që determinon avancimin e bashkëpunimit ekonomik bilateral.

Në fokus të këtij takimi ishte intensifikimi i bashkëpunimit në fushën e energjisë, transportit dhe sektorë tjerë të interesit të përbashkët, për çka të dy ministrat shprehën gatishmërinë e tyre për të quar përpara agjendën ekonomike, ndërsa forumi dypalësh ekonomik Kosovë-Mali i Zi që pritet të mbahet brenda këtij viti u vlerësuar si një hap i rëndësishëm në këtë linjë.

Nga ana e tij, Ministri i Ekonomisë, Vladimir Kavaric shprehu gatishmërinë e Podgoricës zyrtare për bashkëpunim më të ngushtë me Prishtinën në kuadër të projekteve rajonale, duke përmendur këtu linjën e gazit dhe interkoneksionin.

Më pas, Stavileci me bashkëpunëtorë vizitoi Odën Ekonomike të Malit të Zi, ku theksoi se biznesi më së miri lidh urat e bashkëpunimit dhe konfirmoi mbështetjen e MZHE-së për realizimin e forumit bilateral.

Ndërsa, kreu i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu në të dy takimet, kërkoi nga autoritetet e Malit të Zi që të angazhohen në eliminimin e barrierave aktuale, duke renditur këtu infrastrukturën e dobët mes dy vendeve, policat e sigurimeve etj.

Gërxhaliu theksoi rëndësinë e forumit ekonomik dypalësh, i cili do t’i adresojë të gjitha nevojat edhe barrierat e biznesit si dhe do të konkretizonte bashkëpunimin.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …