Së shpejti në Skenderaj do të hapën mbi 70 vende të reja të punës

Për herë të tretë nënkryetari i komunës së Skenderajt Fadil Nura, ka pritur investitorët gjermanë të interesuar për investime në fushën e përpunimit të mishit të shpezëve. Si rezultat i takimeve dhe konsultave të shumanshme është konkretizuar puna e regjistrimit të biznesit si shoqëri aksionare që merret me përpunimin e mishit të shpezëve, investim ky që fillimisht do të krijoj mbi 70 vende të reja të punës.

Kompania “Weng Fat Poultry” e regjistruar tashmë në Skenderaj do të nis shumë shpejt investimet në ndërtimin e objekteve për përpunimin e mishit të shpezëve që do të importohet në vendet e BE-së, kurse në te ardhmen e njëjta do të rrisë fushëveprimtarinë edhe në kultivimin e patave.

Edhe një herë nënkryetari Nura ka shprehur gatishmërinë për punë të palodhshme të institucioneve lokale në shërbim të ofrimit të kushteve për investitorët nga Gjermania. Ai e theksoi si shumë të rëndësishëm dhe jetike krijimin e vendeve të reja të punës nga investimet në prodhimtari dhe siguroi për kushte të favorshme për investime që ofron Skenderaj.

Përfaqësuesi i investitorëve z. Mu Phung, në emër të aksionarëve ka shprehur më këtë rast falënderimin për mundësitë e ofruara nga Komuna e Skenderajt në lehtësimin e proceduarave për regjistrim të biznesit dhe për ofrim të kushteve për investime në Kosovë. Ai më këtë rast premtoi se ky është vetëm hapi i parë i investimeve pasi si aksionarë janë të interesuar në zgjerimin e veprimtarisë në fushën e kultivimit të patave.

Komuna e Skenderajt po vazhdon me përkushtim të jashtëzakonshëm përpjekjet për thithje të investimeve nga jashtë, sidomos në fushën e prodhimit, pasi investimet e tilla ulin nivelin e papunësisë dhe ndikojnë direkt në zhvillimet e përgjithshme ekonomike. Sfidë për investimet nga jashtë për institucionet lokale mbetet mungesa e hapësirës ligjore që mundëson procedura më të thjeshtësuar për investitorët e huaj.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …