Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka pritur zyrtarin e “Uboconsulting”, Valon Feka, me të cilin janë dakorduar për fillimin e hartimit të planit të integritetit për Komunën e Malishevës. Përmes këtij plani, synohet ofrimi i shërbimeve më transparente dhe më efikase, ndërsa ky është një projekt i UNDP-së, që implementohet nga “Uboconsulting”.
Për këtë qëllim, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka formuar edhe një ekip që do të trajnohet dhe më pas të merret me hartimin e planit të integritetit. Ky plan është një dokument strategjik dhe operativ, që del nga procesi i vlerësimit të rreziqeve të mundshme.
Plani rithekson përkushtimin e komunës për të shtuar më tej kontrollet ekzistuese operative në të gjithë gamën e aktiviteteve të kryera, me fokus në ofrimin e shërbimeve transparente dhe efikase. Përshkruan masat e bazuara në rrezik për arritjen e objektivave të saja të integritetit dhe forcimin e sundimit të ligjit, si dhe vlerat dhe standardet profesionale.