Për shkak të mungesës së kuorumit, Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë seancën e djeshme ku është diskutuar për projektbuxhetin 2018, për të vazhduar sot në ora 10.00. Kërkesa për vazhdimin e seancës së Kuvendit është bërë nga deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, kërkesë kjo e cila u mbështet edhe nga përfaqësuesit e partive tjera politike. Ndryshe, projektbuxheti për 2018 është përcjellë me debate të ashpra dhe mospajtime ndërmjet deputetëve të partive në pushtet dhe atyre të opozitës.
Gjatë prezantimit, ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se buxheti për vitin e ardhshëm parasheh të hyra prej 1 miliard e 829 milionë euro. Nga kjo shumë, 687 milionë euro parashihen të jenë investimet kapitale. Sipas parashikimeve të Qeverisë së Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës do të grumbullojë 446 milionë euro, ndërsa Dogana e Kosovës 1 miliard e 175 milionë euro. Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, e ka cilësuar si joreal dhe me shifra të fryra projektbuxhetin e prezantuar nga Qeveria, ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se buxheti për vitin 2018, degradon dhe e kthen situatën para vitit 2015, kur ka pasur një planifikim të dobët buxhetor.