Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e Legjislaturës VI, nën drejtimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli, është mbledhur sot për të diskutuar lidhur me përgatitjet për seancën konstituive të Legjislaturës VII të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në mbledhje ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare të Legjislaturës së Shtatë. Kryetari Veseli rikujtoi se konform vendimit të presidentit, seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet më 26 dhjetor 2019, në orën 15:00. Ai po ashtu bëri të ditur se në përbërjen e re parlamentare do të jenë të përfaqësuara 14 subjekte politike. Veslei njoftoi se seanca do të kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, përkatësisht Jahja Koka, shoqëruar nga deputeti më i ri, në rastin konkret, deputetja Fjolla Ujkani. Pikë e parë e seancës do të jetë formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, për t’u pasuar me betimin e deputetëve. Seanca konstituive do të përmbyllet me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit.
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë, po ashtu u përcaktuan edhe ulëset për grupet parlamentare. Kështu, konform rregullores dhe praktikës së deritashme, grupi më i madh parlamentar (Vetëvendosje), do të ulet në qendër, grupi i dytë me radhë (LDK), në anën e djathtë të kryesuesit të seancës, ndërsa grupi i tretë (PDK), në anën e majtë të kryesuesit. Përcaktimi i ulëseve për grupet e tjera do të bëhet gjatë ditëve në vijim.