Kancelari austriak, Sebastian Kurz, është cituar të ketë deklaruar se Austria do ta mbështesë çdo zgjidhje me të cilën pajtohen në dialog Serbia dhe Kosova, përfshirë edhe korrigjimin e kufijve. Ai duke folur për agjencinë serbe “Tanjug” ka folur për ndikimin e Bashkimit Evropian në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, emërimin e të dërguarit special amerikan për Ballkanin, rrugëtimin evropian të Serbisë dhe tema të tjera. “Qëndrimi ynë është i qartë, mbështesim çka do që palët merren vesh, edhe mundësinë e korrigjimit të kufijve, nëse në fund kjo parasheh një zgjidhje të përbashkët e cila mund të sjellë stabilitet. Caku duhet të jetë që të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen me marrëveshje”, u shpreh ai, duke nënvizuar se është e rëndësishme që dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojë përsëri në mënyrë që të gjitha temat e hapura të zgjidhen në tavolinën e bisedimeve.
