leoni

Sefë Mahmut Kosharja (1825- 20 prill 1881)

Ahmet Qeriqi: Sefë Mahmut Kosharja (1825 – 20 prill 1881)

Sefë Mahmuti ka lindur në fshatin Koshare, afër Ferizajt,rreth vitit 1825. Të dhënat gojore bëjnë me dije se  përafërsisht  rreth vitit 1855,  autoritetet turke e kanë rekrutuar në radhën e nizamëve, ku kishte shërbyer pesë vjet. Pasi kishte kryer nizamin, për shkak të meritave ishte caktuar redif, një formacion i rezervistëve të rregullt, të cilët ishin të obliguar t’i përgjigjeshin mobilizimit në rast se u kërkohej. Dy vjet të tjera si redif kishte shërbyer në Stamboll. Rreth vitit 1867 kthehet në vendlindje, martohet dhe krijon familje.

Në vitin 1876 së bashku me disa redifë të tjerë ishte ftuar në Stamboll dhe ishte caktuar të luftonte në radhët e Osman Pashës, në Frontin verior të Bullgarisë, në Plevne, ku ishte zhvilluar njëra ndër betejat më të fuqishme dhe më të përgjakshme  të kohës. Gjatë kohës së nizamit kishte qenë topçi i dalluar. Edhe në radhët e forcave të Osman Pashait, në Plevne kishte udhëhequr një bateri të topave të rëndë.

Në luftimet e zhvilluara fyt për fyt me forcat e koalicionit të popujve sllavë në Frontin e Plevnës, në vitin 1877 ishte plagosur rëndë dhe thuhet se e kishte humbur njërin sy. Pasi ishte shëruar gjatë qëndrimit në Stamboll, në pranverë të vitit 1878, lirohet të kthehet vendlindjen e tij,  në Koshare, një lokalitet i njohur i Rrafshit të Kosovës, që shtrihet në një fushë të gjerë  mes Shtimes dhe Ferizajt, (ish- Tasjan).

Dëshmitë gojore flasin se Sefë Kosharja ka marrë pjesë edhe në likuidimin e bandave greke, të cilat masakronin popullatën shqiptare islame dhe turke. Madje thuhet se në një dyluftim kishte vrarë një komandant grek, të cilit ia kishte marrë edhe shpatën si trofe. Shpata deri vonë është ruajtur te stërnipat e tij  në Shtime. Ka edhe mendime se syrin e kishte humbur në luftë kundër bandave greke.

Si veteran i luftës së Plevnës, ku Osman Pashai dhe trimat e tij kishin shkruar sa e sa shembuj trimërie, Sefë Kosharja ishte mirëpritur nga bashkëkohësit si luftëtar i dalluar dhe i kalitur ndër beteja.

Në saje të dokumenteve të zbuluara  nga pasardhësit e tij dhe të përkthyera nga gjuha gjermane nga studiuesi, Selver Islamaj, i Institutit të Historisë së Kosovës,  në vitin 2015, bëhet e ditur se Sefë Kosharja  ai ka qenë njëri ndër personalitetet më të njohura të Ligës ( Lidhjes Shqiptare të Prizrenit) Ishte shumë i afërt me Mic Sokolin, për të cilin thuhet se e kishte liruar nga burgu i Pejës, në rastin kur ushtarët turq po bënin përpjekje ta nisnin për në Stamboll. Në prill të vitit 1881, ai do të bëhet i njohur në kreun e Betejës së Koshares e Slivovës.

Asokohe, Sefë Kosharja  ishte në radhët e Mic Sokolit, Sylejman Vokshit, Smajl Hysenit, Ali Ibrës  e luftëtarëve të tjerë të njohur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Duke qenë se gjatë shërbimit në ushtrinë turke kishte qenë i njohur si artiljer, para fillimit të Betejës kishte shfaqur  mundësinë e rrëmbimit të disa topave të një baterie turke, e cila më 15 prill të vitit 1881, ishte vendosur përballë Kodrës së fshatit Koshare. Në çastin kur gjylja e topit kishte goditur Mic Sokolin dhe disa nga bashkëluftëtarët e tij, Sefë Kosharja ishte plagosur. “Në afërsi të Shtimes, Dervish Pashës ia sollën një shqiptar të moshuar, me një sy, i cili i kishte bllokuar ushtarët turq dhe kishte marrë peng një oficer turk. Ai, ishte  i njëjti Sevo ( Sefa), për të cilën  flitej se kishte shumë ndikim në Ligë, (në Lidhjen e Prizrenit). Javën e kaluar kishte  shkuar në Shtabin e  Përgjithshëm te Dervish Pashai dhe i kishte kërkuar atij që të mos e dërgonte ushtrinë në drejtim të kryengritësve, sepse gjakderdhja do të ishte e pashmangshme. Atij i kishin thënë se rrugën  e ushtrisë turke nuk mund ta ndalonte askush”. Dokumenti nr. 2.

Më 20 prill kapet gjallë nga forcat e Dervish Pashait dhe me urdhër të tij dënohet me vdekje-varje në litar. Po ashtu, autoritetet turke ia  kishin tërhequr vërejtjen familjes  dhe të afërmve, që trupi i tij të mos hiqej nga litari pa kaluar 7 ditë.

Tri ditë më vonë, gjatë natës, nipat e tij, ( bijtë e motrës) Shaban dhe Asllan Emini nga lagja Hysiqi e Shtimes e kishin liruar nga litari dhe e kishin varrosur në një vend të fshehtë. Pas një kohë kishin kontaktuar dajallarët, të cilëve u kishin bërë me dije se ku e kishin varrosur dajën e tyre, Sefë Mahmuti.

Figura e Sefë Koshares në tekstet e historisë tonë kombëtare ende ka mbetur në mungesë të të dhënave relevante dhe të dokumenteve të zbuluara ndërkohë. Zbulimi i dy dokumenteve të kohës së Austro-Hungarisë, të datuara më 23 prill 1881, ofrojnë shumë të dhëna deri tani të panjohura për jetën dhe veprën e tij heroike. Personaliteti i Sefë Koshares duhet të ndriçohet në tërësi, meqë tani nuk mungojnë dokumentet relevante historike.

Referencat:

  1. Dokumenti në katër faqe i raportuesit, Schmucke, në gjuhën gjermane. 23. 4. 1881.
  2. Dokumenti i dytë i një raportuesi anonim, po në gjuhën gjermane, faqja e fundit, nuk ka datë të caktuar, meqë është fletë e shkëputur…
  3. Historia e Popullit Shqiptar, II, Toena f. 224.
  4. Epika historike II, Tiranë 1981, f. 306.

Të dhëna gojore nga familjarët:

  1. Ilaz Mahmut Ilazi, Koshare.
  2. Afrim Mahmut Ilazi, Ferizaj.
  3. Haki Emrush Hysiqi, Shtime.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …