leoni

Sejdi Fazli Shala (5.3.1964 – 5.11.1998)

Sejdi Fazli Shala (5.3.1964 – 5.11.1998)

Fshati Kopiliq i Drenicës është fshat i njohur i historisë shqiptare. Aty ka lindur dhe është rritur kryetrimi i Mesjetës, Milush Nikollë Kopiliqi, i cili më 15 qershor të vitit 1389 vrau në fushë të Betejës së Kosovës, Sulltan Muratin e Parë të Turqisë. Kanë mbijetuar kohën gjurmët në toponimi dhe në kujtesën e anasve, për trimin i cili e shkroi me gjak epokën e lavdishme të luftës kundër invadimit të huaj. Luftës së UÇK-së Kopiliqi i ka dhënë 12 dëshmorë e martirë. Radhëve të luftës për çlirim iu kishte bashkuar tërë djalëria e fshatit, por edhe burrat e moshuar.

Sejdi Shala, lindi më 5 mars të vitit 1964. Babai, Fazliu dhe nëna, Zarife lindën dhe rritën me mund e djersë bijtë: Sejdiun, Baliun, Hysniun, Fehmiun e Shefkiun dhe bijat: Luljetën, Vjollcën dhe Antigonen. Sejdiu mësimet fillestare i mbaroi në fshatin Turiqec, meqë asokohe nuk kishte shkollë në Kopiliq. Drejtimin e përgjithshëm të Gjimnazit e ka kryer në Skënderaj. I edukuar në frymë atdhetare, Sejdiu  merr pjesë në revoltat dhe demonstratat e viteve 1988-1989.  Duke qenë se kishte shpirt të kryengritësit dhe dashuri të madhe për kombin e atdheun, Sejdiu qysh i ri konstatonte  se çlirimi i Kosovës do të bëhej me armë dhe luftë kundër okupatorit serb. Për këtë arsye edhe merrej me armët dhe i mbante fshehur. Më 30 dhjetor të vitit 1991, në kohën kur ushtria dhe policia serbe kishte rrethuar kullën e Jasharëve  në Prekaz, ku ndodhej edhe komandanti i ardhshëm i UÇK-së, Adem Jashasi, Sejdi Shala së bashku me Vesel Selimin dhe Avdullah Veselin nga Açareva dhe  Shaqir Gashin e Kopiliqit… Pas përpjekjeve për të shkruan në ndihmë të Jasharëve të rrethuar nga policia më 30 dhjetor të vitit 1991, Sejdi Shala ishte identifikuar nga policia. Ai arrestohet në fshatin Brojë nga policët por arrin të ikë…?

Policia ishte në dijeni të aktivitetit të Sejdiut dhe ai prore ishte në shënjestër për ta arrestuar  me qëllim për ta dorëzuar armën që ia kërkonin. Në vitin 1995, policët e arrestojnë dhe e dërgojnë te shtëpia e tij në Kopiliq me qëllim për t’ia marrë armën. Sapo Sejdiu futet në shtëpi. Lajmëron babanë dhe vetë ikë nga shtëpia. Policët kontrollojnë shtëpinë dhe ia marrin automatikun e markës “Thomson”. Policët arrestuan babanë e Sejdiut, Fazliun të cilin më pas e lirojnë. Herën e dytë policia serbe e arreston te kryqi i rrugëve në Skënderaj. Ndërkohë policët ndalojnë në rrugë dhe Sejdiu sërish ikë. Policët shkrehin armët dhe e plagosin në dorë po nuk e zënë dot.

Herën e tretë, në vitin 1996, policët serbë  e arrestojnë Sejdi Shalën gjatë një kontrolli në fshatin Kijevë. Asokohe ishte së bashku më vëllanë Shefkiun dhe Abdullah Veselin…   Edhe kësaj radhe Sejdiu iu shpëton nga duart, ndërsa policët në shenjë hakmarrjeje për ikjen e Sejdiut, e torturojnë fizikisht vëllanë, Shefkiun dhe Abdullahun. Duke qenë në rrjedhë të organizimit të fshehtë luftarak, Sejdi Shala tashmë kishte kontaktuar me bashkëmendimtarët, të cilët po e projektonin çlirimin e Kosovës jo me durim e pritje pacifiste,  por me armë dhe kundërvënie të armatosur. Asokohe, Sylejman Selimi, nga Sejdiu kishte marrë dy bomba dore dhe një dylbi.  Ai mbante kontakte të ngushta ilegaliteti edhe me Rasim Shalën, Isuf Shalën dhe Xhafer Haxhën, vëllanë, Shefkiun, kushëririn Halil Shala e të tjerë

Fillimi i luftës së UÇK-së djalërinë e fshatit Kopiliq e gjen krejtësisht të gatshëm për t’iu bashkuar radhëve. Ata tashmë ishin të armatosur jo vetëm me pushkë e automatikë por edhe me mitraloz. Më 5 mars, në kohën kur forcat e panumërta të policisë dhe ushtrisë serbe kishin rrethuar Prekazin dhe veçmas Kullën e Qëndresës të Adem Hamëz dhe Shaban Jasharit. Po atë ditë në mëngjes një konvoj i forcave të motorizuara serbe kishte zënë udhëkryqin e rrugës që shpinte në Kopiliq të ulët dhe drejt Açarevës. Atë ditë të shënuar të historisë së UÇK-së, Sejdi Shala, Sylejman Selimi, Rexhep Selimi,  Mujë Krasniqi, Rasim Shala, Halil Shala, Hysni Shabani, Shefki Shala, Bashkim Shala, Isuf Shala, Ali Shala, Azem Shala, Zenel Shala, Rexhep Havolli, Avni Haxha, Miftar Miftari, Xhafer Haxha, Beshir Shala, të gjithë të armatosur, zunë pritë në Drenogllavë mes Kopiliqit dhe Açarevës.

Prej asaj dite, me qëllim për t’iu ushtruar rezistencë të armatosur forcave okupatore serbe, trimat e Kopiliqit krijuan edhe pikat mbrojtëse në Fshat.

Pika e Parë u themelua në shtëpinë e Musli Tahirit, pika e Dytë te lagja Kurulli, ndërsa pika e Tretë u themelua në lagjen Hajzer Imeri. Komandant ishte caktuar luftëtari i dalluar i lirisë, Rasim Shala. Më 11 mars, në këto anë  edhe komandanti i mirënjohur i luftës, dhe heroi i luftës së Kroacisë kundër Serbisë, Bekim Berisha, Abeja, si dhe bashkëluftëtari i tij, Kadri Hamit CD-ja.

Lufta e UÇK-së ishte intensifikuar sidomos pa rënies së komandantit legjendar Adem Jashari. Po thuajse tërë djalëria trime e Drenicës ishte ngritur nën moton e njohur historike, “Liri a vdekja”!. Kolipiqi, Açareva, Buroja, Llausha Rezalla, Likoci, Abria e fshatra të tjera të kësaj pjese të Drenicës u bënë bastione të pamposhtura të luftës deri në çlirimin e vendit. Prej asaj kohe e deri në mbarim të luftës, në qershor të vitit 1999, rreth 30 mijë banorë të Kopiliqit, Açarevës, Brojës e fshatrave të tjera jetuan luginave dhe maleve të kësaj ane, por kurrë nuk u dorëzuan dhe nuk u mposhtën. Sejdi Shala ka marrë pjesë në shumë luftime dhe aksione të armatosura të luftës tonë çlirimtare si në  Kopiliq të Ulët, Te Kryqi i Brojës, te Varri i Beqir Mehmetit, në Resnik e gjetkë. Ishte shok i pandashëm sidomos me Rasim Shalën, i cili ishte komandat i luftës në këtë fshat, Bashkim Shalën, pastaj me kushëririn Halil Shala, Hysen Shabanin, Skënder Shabanin  e të tjerë.

Sejdi Shala ka marrë pjesë në luftimet e UÇK-së kundër forcave serbe në vendin e quajtur “Te Topat e Siçevës”, në Lagjen “Fylli” të Açarevës, në Likoc, në Ozdrim e Jashanicë. Ai së bashku me  Halil Shalën, Avni Haxhën, dhe Miftar Miftarin nisen për të marrë pjesë në zënien e  Grykës të Llapushnikut, më 9 majit të vitit 1998.  Mori pjesë në luftimet që u zhvilluan te Pika e parë e luftës, në shtëpinë e Musli Tahirit, kah fundi i muajit maj, me ç’ rast ra dëshmor  në altarin e lirisë, Fatmir Sahiti, nga Kopiliqi ( 1961-1998) i cili sapo iu kishte bashkuar luftës, meqë për këtë qëllim kishte ardhur nga mërgimi, nga gjermania ku ishte i zënë me punë.

Ka marrë pjesë edhe  luftimet që u zhvilluan gjatë kohës së ofensivës serbe të fillimit të gushtit të vitit 1998, në Açarevë, kur komanda serbe kishte marrë aksione të shuma për ta shkatërruar luftën e UÇK-së në këto anë. Atë ditë, gjatë luftimeve heroike kishte rënë dëshmor, Avni Zhabota ndërsa ishin plagosur edhe disa luftëtarë të tjerë. Sejdi Shala mori pjesë edhe në ofensivën serbe të 25 shtatorit të vitit 1998. Atë ditë forcat okupatore serbe, të stacionuara përballë Kopiliqit, në rrugën Klinë-Skënderaj filluan ofensivë të ashpër kundër vijës së frontit të UÇK-së në fshatrat: Burojë, Kopiliq i Ulët, Açarevë, Rakinicë, Ticë, Tushillë, Resnik e më gjerë. Atë ditë, gjatë luftimeve kundër forcave serbe bie dëshmor, Xhevat Shala po nga ky fshat heroik. Ndërkohë vriten edhe Xhavit Haxhaj dhe Zymer Kadriu.  Ka marrë pjesë edhe në luftimet që u zhvilluan te lagja “Hajzeraj” e Açarevës, me ç rast janë plagosur 12 luftëtarë të UÇK-së.

Karakteri luftarak i Sejdi Shalës, dëshira e zjarrtë për ta çliruar vendin nga barbaria pushtuese, bënë që ai të ishte  vullnetar i përhershëm në çdo vend ku luftohej armiku. Shtëpia e Sejdi Shalës në fshatin Kopiliq i Ulët,  tashmë frekuentohej edhe nga kreu i luftës së UÇK-së, ndërsa Sejdi Shala kishte bërë emër si komandos i vërtetë i luftës. Ai në veturën e tij të hapur,  kishte vendosur mitralozin dhe godiste pandërprerë forcat okupatore serbe. Më 9 nëntor të vitit 1998, rreth orës 9.00, Sejdi Shala me veturën e tij të tipit Toyota niset në drejtim të fshatit Jashanicë, me qëllim për të biseduar me pronarin e mullirit për blerë miell për ushtarët e UÇK-së dhe popullatën e zhvendosur, e cila po strehohej maleve. Ndalon rreth 50 hapa larg mullirit, ndërkohë që befasisht parakalojnë forcat policore serbe, me të cilat fillon të shkëmbehet zjarri. Sejdiu bie dëshmor. Jo larg nga ai vendit ku bie Sejdi Shala bie edhe luftëtari, Ilmi Aliu, ndërsa plagoset Naser Haliti nga fshati Ozdrim. Kufomën e Sejdiut e merr policia serbe dhe e varros në varrezat e qytetit të Pejës. Trupin e  tij dhe të dëshmorëve të tjerë nga fshati Kopiliq, familjarët dhe bashkëluftëtarët  i rivarrosen, më 25 shtator të vitit 1999 në varrezat e fshatit, ku tani prehen në përjetësi. Në pllakën përkujtimore të janë skalitur emrat e dëshmorëve dhe martirëve:  Sejdi Fazli Shala, Xhevat Salih Shala, Shefqet Kamber Shala, Fatmir Shala, Rushit Rrahman Shala, Hamit Zenun Shala, Dibran Shaban Idrizi, Sejdi Shaban Idrizi, Brahim Tafil Shala, Milazim Sadik Shala, Fazile Istref Uka.  Në lapidarin për dëshmorët është skalitur edhe emri i martirit,  Naser Shaqir Gashi, i cili ishte vrarë nga eprorët  serbë, në Tollmin të Sllovenisë, në vitin 1984, në kohën kur po e kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në armatën e ish-Jugosllavisë. Gjatë luftës nga ky fshat janë plagosur 12 luftëtarë të UÇK-së, ndërsa pothuajse të gjitha shtëpitë e fshatit janë rrënuar e djegur nga forcat pushtuese serbe. Sejdi Shala ka lënë prindërit: Fazliun dhe Zarifen, bashkëshorten, Bukurije, bijat: Argjentinën, Florentinën dhe Adelinën si dhe bijtë: Argjendin dhe Diamantin. Ka lënë vëllezërit: Baliun, Hysniun, Fehmiun dhe Shefkiun, motrat: Luljetën, Vjollcën dhe Antigonën. Familja Shala, për djalin dëshmor ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës dhe nga shoqata e luftës. ( A.Q. )

Kontrolloni gjithashtu

Posta e Kosovës ka emërtuar pullën postare me portretet e heronjve ë kombit, Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu në 29 vjetorin e rënies

Nezir Myrtaj: Dëshmorët Afrim Zhitia e Fahri Fazliu i kishte bashkuar ideali deri në vdekje

Është e njohur thënia se dëshmorët e kombit “nuk kanë hierarki dhe ata janë të …