Sejdi Muharrem Sejdiu (8.7.1960 - 28.9.1998)

Sejdi Muharrem Sejdiu (8.7.1960 – 28.9.1998)

Sejdi Sejdiu ka ‘lindur më 8 korrik të vitit 1960, në fshatin Nerodime e Poshtme të Ferizajt. Ai ishte rritur, si fëmijë i hareshëm dhe plot vrull. Ndër fëmijët e lagjes ishte dalluar me frymën e guximit e të iniciativës, në lojë dhe në aventurat e tjera fëmijërore. Ai u rritë edhe me dy motrat Hyria e Shaha dhe vëllai, Isai. Shkollën fillore Sejdiu e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa të mesmen në Ferizaj. Me gjithë dëshirën e madhe për ta studiuar mjekësinë në Universitetin e Prishtinës, për shkak të rrethanave të caktuara, studimet i vazhdoi në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Shkupit, në degën biologji-kimi. Sejdiu i përkiste atij brezi të të rinjve tanë, të cilit i takoi fati të jetë bartës i shumë ngjarjeve dhe zhvillimeve në Kosovë, që shënuan kthesa epoka le në lëvizjen për çlirim kombëtar.

Fushata që po ndërmerrte pushtuesi serb kundër këtyre të rinjve, i ndihmuar zellshëm edhe nga bashkëpunëtorët e tij shqiptarë, nuk e topiti, por,përkundrazi, e kaliti edhe më shumë ndjenjën e tyre liridashëse. Këtë ndjenjë e kishte zgjuar te Sejdiu i ri edhe arrestimi, nga sigurimi serb, i dhjetëra të rinjve shqiptarë në Ferizaj, në fund të viteve ’70. Ky arrestim ishte bërë në përpjekje për të fashitur ndjenjat shpërthyese liridashëse të rinisë shkollore të asaj kohe. Mirëpo, zemrën e tij e çojnë peshë sidomos demonstratat masive të pranverës së vitit 1981, anembanë Kosovës.

Sejdiu merr pjesë aktive në këto demonstrata në Ferizaj, të cilat, për të, sikurse edhe për shumë të rinj të tjerë, u bënë shkollë e çmuar e edukimit kombëtar. Si rezultat i vazhdimit të veprimtarisë në frymën e kësaj shkolle, në vitin 1982, ai arrestohet në Gjevgjeli të Maqedonisë, ku ndodhej duke punuar punë të ndryshme fizike, për të siguruar ekzistencën ekonomike. Në maj të po këtij viti, nga Gjyqi i Qarkut të Prishtinës u dënua me 3 vjet burg për veprimtari të organizuar ilegale kundër shtetit jugosllav. Së bashku me të u dënuan edhe disa pjesëtarë të tjerë të organizatës që i përkiste Sejdiu, në mesin e të cilëve ishin edhe Fehmi Hajrullahu, Naser Kuka, Hysen Shehu etj. Dënimin e vuajti në Mitrovicë, në Sarajevë dhe në Zenicë, duke kaluar shumë kohë në kushte izolimi e vetmie. Pas daljes nga burgu, më 1985, Sejdiu rivënë lidhjet me lëvizjen ilegale kombëtare të asaj kohe, si anëtar i Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës. Ndërkohë, i përfundon edhe studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Shkupit. Në vitin 1987 filloi të punojë si mësimdhënës në shkollën fillore “Skënderbeu” të fshatit Jezerc. Një ditë më vonë, në Osjek të Kroacisë regjistroi degën e biologjisë, por zhvillimet e asaj kohe në Kosovë ia ndërprenë studimet.

Në fund të viteve ’80 u angazhua me tërë qenien në vlimet kundër robërisë serbe. Me ngazëllim e përkushtim të veçantë u angazhua edhe në aksionin për faljen e gjaqeve dhe për zhdukjen e hakmarrjes, në vitet 1990-1991. Pas zbatimit të aparteidit serb mbi shkollën shqipe, më 1992, Sejdiu filloi të punojë në paralelen e shkollës fillore “Konstandin Kristoforidhi” të Nerodimes, në Dremjak. Në këtë kohë, përveç me veprimtari ilegale kombëtare, ai u angazhua edhe në kuadrin e Nënkëshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Ferizaj, ku mblodhi dhe shpërndau shumë informacione lidhur me dhunën serbe të ushtruar mbi shqiptarët. Sejdiu nuk e ndërpreu asnjëherë aktivitetin kombëtar, edhe pse ishte në shënjestër dhe nën vëzhgimin e përhershëm të policisë serbe.

 Kjo polici, në verën e vitit 1993, arrestoi shumë bashkëveprimtarë të tij në Ferizaj dhe në anë të tjera të Kosovës, ndër të cilët edhe Enver Topallin, Bajrush Xhemajlin e të tjerë. Ai i shpëtoi kësaj fushate, por u detyrua të kalojë në ilegalitet dhe të arratiset nga Kosova. Nga Kosova shkoi në Zvicër, ku u bashkua me shumë shokë të mërgatës dhe vazhdoi aktivitetin kombëtar në kuadrin e Lëvizjes Popullore të Kosovës. Njëkohësisht ai edhe punon në një shkritore zvicerane. Shpërthimi i luftës së armatosur kundër pushtuesit serb në Kosovë, u bë moment dhe përjetim i veçantë në jetën e Sejdiut. Këtij momenti, ai ia kishte kushtuar tërë vitet e pjekurisë së tij. Njëzetekatër qershori i vitit 1998, ishte dita kur në frontin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do ta zërë pozicionin e merituar edhe Sejdiu. Atë ditë, në Zvicër lë bashkëshorten, Sebahaten, me tre fëmijët, Liridonën, Atdheun dhe Arbrin, e me automatikun e tij në dorë niset për në Kosovë, për ta çliruar atdheun e robëruar, e për t’i sjellë tokës së arbrit, lirinë e ëndërruar me shekuj. Dy ditë më vonë, njofton të shoqen se kishte arritur në Drenicë dhe se tashmë po kryente detyrat e ushtarit të lirisë.

Pas marrjes së detyrës ushtarake, në zonën e Drenicës, Sejdiu sistemohet në njësitet ushtarake të Zonës së Pashtrikut, me bazë në Budakovë. Në muajt e ardhshëm, ai me shokët e pushkës merr pjesë betejë pas beteje kundër pushtuesit, i cili po ndërmerrte ofensiva të pandërprera kundër pozicioneve të UÇK-së, në këtë anë dhe në të gjitha zonat e luftës. Nga Zona e Pashtrikut, përkatësisht nga pika ushtarake e Llanishtit, pas një kohe Sejdiu u vendos në fshatin Jezerc të Nerodimes. Atëbotë, zona e ardhshme operative e Nerodimes kishte rangun e nënzonës ushtarake. Njësitet e kësaj nënzone komandoheshin nga komandant “Ferri”. Një ofensivë të kobshme, në gjysmën e dytë të muajit shtator të vitit 1998, militarët serbë ndërmorën edhe në nënzonën e Nerodimes.

Në këtë kohë, Sejdiu, i njohur me emrin e luftës” Labinoti”, ishte në pozicionet e fshatit Jezerc, në cilësinë e komandantit të pikës II të kësaj nënzone të UÇK-së. Tri ditë betejë e pandërprerë u zhvillua në mbrojtje të pozicioneve të UÇK-së të kësaj nënzone ushtarake. Në luftë të pabarabartë me pushtuesin, më 28 shtator të atij viti, Sejdiu ra në fushën e nderit. Atë ditë, në këto pozicione, në altarin e lirisë së Kosovës ranë edhe luftëtarët Gursel Sylejmani, Bajram Sylejmani, Lulëzim Guta, Kemajl Hetemi, Arsim Zeqiri dhe Bashkim Vishi. Në afërsi të vendit të rënies së Sejdiut, plagoset edhe bashkëluftëtari i tij, Islam Hasi.

Pas kësaj beteje, forcat serbe arrijnë t’i marrin trupat e dëshmorëve Sejdi Sejdiu, Bashkim Vishi dhe Bajram Sylejmani dhe i varrosin në një lagje të fshatit Nerodime. Ngjarjen e kishte soditur një banor i këtij fshati, nga tavani i shtëpisë, ku kishte qenë i strehuar në atë kohë. Në bazë të këtij dëshmitari, pas përfundimit të luftës, u zbulua vendi i varrosjes së këtyre dëshmorëve. Trupi i dëshmorit Sejdi Sejdiu u identifikua përmes një rrethi plastik në dorën e tij të djathtë.

Meqenëse e kishte përdorur me elegancë gjilpërën, këtë rreth ai e kishte veshur me penj të ngjyrës kuqezi, ku me penj të kuq kishte shkruar inicialet 5.5. dhe UÇK. Ky rreth, sot ruhet si relikt i dëshmorit Sejdi Sejdiu. Rivarrimi i trupit të tij u bë në përvjetorin e parë të rënies, në Varrezat e Dëshmorëve në Ferizaj. Në vendin e rënies, në Jezerc, sot qëndron e zbuluar pllaka përkujtimore. Heroizmi i dëshmorit Sejdi Sejdiu dhe flijimi për lirinë e Kosovës është përjetësuar edhe në lapidarin e tij të ngritur në fshatin e lindjes, si dhe në emrin e një rruge të qytetit të Ferizajt.

Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, familjes së dëshmorit ia ka dhuruar pllakatën me mbishkrimin Nderim, në shenjë respekti ndaj gjakut të derdhur të birit të saj për çlirimin e Kosovës. Vepra e dëshmorit është nderuar me Mirënjohje edhe nga manifestimi kulturor “Flaka e janarit”, si dhe nga klubi i karatesë i Ferizajt. Dëshmori Sejdi Sejdiu ishte marrë edhe me sportin e karatesë dhe para se të arratisej nga Kosova kishte qenë anëtar i këtij klubi.

Përveç pasionit për lexim, dëshmori Sejdi Sejdiu herë pas herë është marrë edhe me shkrimin e poezive, dy prej të cilave ishin botuar edhe në të përkohshmen “Bashkimi”.

Të dua

Shqipëri, të dua

për malet-kështjellë

për fushat pjellore

dhe lumenjtë e kthjellët.

Të dua

për njerëzit e gjakut tim

Për besën dhe qëndresën.

Më fort të dua

Për të nesërmen.

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …