Sejdi Veseli: AMANETI I YJEVE TË PASHUAR, OBLIGIM PËR RIBASHKIMIN E SHQIPËRISË NATYRALE

Edhe 8 shkurti është njëri prej përvjetorëve të qëndresës dhe heroizmave të Yjeve të Pashuar, në terë hapësirën e Shqipërisë Natyrale, të cilët me shëmbëlltyrën e tyre e pasuruan, e bënë të pakontestueshëm dhe e përjetësuan Kalendarin e krenarisë e të lavdisë tonë njerëzore e kombëtare. 
8 shkurti 2008 është njëzet e katër vjetori i rënies heroike, në lulen e rinisë, të njërit nga dëshmorët e shumët të kombit shqiptar, Bajram Hajrush Bahtiri – Besniku! Njëzet e katër vjet më parë, në Kodrën e Trimave të Prishtinës, ende pa u mbushur një muaj pas qëndresës heroike të dy bijve të Shqipërisë Natyrale, Rexhep Malës e Nuhi Berishës, gjatë një përballje luftarake me hordhitë gjakpirëse serbo-çetnike, serish po rezistohej. 
Me 08 shkurt 1984, veriu i kësaj lagjeje të Kryeqendrës së Kosovës, ende me plagë të freskëta që mori në natën e 11 dhe orët e hershme të 12 janarit dhe ato që iu shkaktuan nga sjelljet vandale të njësive të specializuara të milicisë serbe gjatë valës së arrestimeve të djemve dhe vashave të saj, u trondit serish nga uturima e automjeteve të blinduara, breshëritë e armëve dhe shpërthimet e bombave kimike. 
Për këtë Vatër të qëndresës shqiptare, nuk ishte ndonjë risi, sepse ajo ishte mësuar me sjellje të tilla vandale të milicisë serbo-çetnike dhe të këlyshëve të saj shqipfolës. Shpejt u morr vesh, se në pjesën veriore të kësaj lagjeje ishte bllokuar lëvizja e qytetarëve. Arsyeja: gjatë tentimit për arrestimin edhe të një veprimtari të çështjes kombëtare, milicia serbo-çetnike kishte hasur në rezistencë të armatosur. 
Epilogu edhe i këtij vandalizmi serbo-çetnik dihej. Ishte kjo edhe një betejë e dështuar e kriminelëve, për ta mposhtur edhe një luftëtar të vendosur për çlirimin dhe ribashkimin e Shqipërisë Natyrale. 
U dëshmua katërçipërisht, se ashtu dhe doli! 
Ngjarja ndodhi kështu. 
Pasi që e kishin vënë nën një rrethim shtëpinë e Bacë Hajrush Bahtirit, sigurimsat e pushtuesit kishin tentuar të futeshin brenda ( siç e kishin bërë shprehi) për ta kapur dhe arrestuar Bajramin, vëllain dhe bashkëluftëtarin më të ri të atëmemëdhetarit të dëshmuar Rahman Bahtirit, i cili gjendej i burgosur dhe po u qëndronte me stoicizëm persekutimeve, të cilat ushtroheshin ndaj tij nga, bishat e sigurimit serb. Por, edhe kësaj radhe, këto bisha i kishin bërë hesapet pa hanxhiun. 
Falë shkathtësisë së tij prej luftëtarit të lirisë, Bajrami, në vend se të hutohej ai ndërmori veprimet përkatëse për rrethanat e krijuara. 
Me shpejtësi të rrufeshme ai hidhet në kundërveprim për ta qarë rrethimin. 
Që në hapin e parë, me Staier-in e tij të vjetër, trashëgim nga babagjyshi, e palosi për tokë survejuesin shqipfolës të armikut dhe çau rrethin e parë me forcën e armës së tij. Tërhiqet drejt vendit të quajtur Majdeni i Sali Bullakut, që gjendet jo larg shtëpisë së tij. Por, aty përballet me rrethin e dytë të forcave armike, të cilat pa paralajmërim hapen breshëri zjarri të kryqëzuar drejt pozicionimit të tij. 
Në pamundësi për ta ndërruar vendin e pozicionimit, Bajrami kishte vendosur për të rezistuar, deri në fishekun e fundit. 
Kriminelët, të bindur se nuk mund të përparojnë në drejtim të tij, pa e paguar me jetët e tyre, përnjëherë e ndërpresin zjarrin dhe i referohen taktikës tjetër. Ata nëpërmjet megafonave i kërkojnë Bajramit që të dorëzohej. Kohëzgjatja e kësaj taktike ishte parallogaritur, që të jetë e mjaftueshme për të pozicionuar snajperët e tyre të etshëm për gjak shqiptari, të ardhur nga qendra e tyre në Hajvali. 
Ashtu, sikur e Rexhepit dhe e Nuhiut, ishte përgjigja e Bajramit! 
Predhat e Staier-it të shoqëruara me tingujt e këngës “Ja vdekje ja liri”, drejt pozicioneve armike, deri në momentin kur predhat e snajperëve e goditën për vdekje, ishin përgjigja e Yllit të Pashuar! 
Trupin e Bajramit e varrosi familja e tij e ngushtë, nën rrethimin e hekurt të forcave të shumta të sigurimit të pushtuesit. 
Në ballë të kortezhit të përmortshëm qëndruan me stoicizëm Babë Hajrushi dhe Lokemadhja Nailja. 
Para se t’ia dorëzonin Tokës nënë, birin e saj besnik, Lokemadhja e puthi në ballë djalin dhe iu drejtua me këto fjalë: 
“Biro, Nëna ka pritur që të përcjell dhëndër, por tani po të përcjellë për në Përjetësi. Bajram bir, nëna nuk po derdh lot, sepse Ti e nderove veten, familjen, shokët e idealit dhe kombin që aq shumë e deshe. Hallall të qoftë gjiri që të dhashë!” 
Ishim nëpër qelitë e kazamateve dhe, me vonesë e morëm lajmin e hidhur për rënien e Bajram Bahtirit-Besnikut, njeriut të shtrenjtë të zemrave tona, bashkëluftëtarit tonë të dashur, pjesëtarit besnik të Frontit Nacional-Çlirimtar të Kosovës. 
E shkurtër ishte jeta fizike e Bajram Bahtirit, por veprimtaria e tij e pasur patriotike, deri në sakrificën më të lartë, do të mbetën shembull i ndritur, jo vetëm për bashkëluftëtarët e tij, por edhe për të gjithë njerëzit tanë. 
Bajrami për nga mosha ishte i ri, por ai dinte të mendonte dhe vepronte si burrë i pjekur, sepse Ai ishte i edukuar drejt dhe mirë, në frymën e shëndoshë, atë kombëtare. Bajrami ishte nga ata nxënës të shkollës së mesme, që në ditët e para të Pranverës 81, u bashkua me rininë studentore dhe punëtorët shqiptar, të cilët nëpër sheshet dhe rrugët e qyteteve të Kosovës, me grushte të ngritur lart brohorisnin parullat “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, “Trepça është jona”, “Ne jemi shqiptar, jo jugosllav”…, pa u trembur fare nga policia e Herleviqit dhe zagarët e tij shqipfolës. 
Bajramin e burgosi dy herë armiku, e torturoi rënd. Trupin e tij të njomë e lanë me gjak, por ai qëndroi i pathyer. Sapo dilte nga burgu ende me plagë në trup e vazhdonte punën patriotike. Për Bajramin, jeta pa luftë, pa përpjekje për t’u çliruar dhe pa rreziqe, përderisa populli shqiptar ishte i robëruar nuk kishte kuptim. 
Lufta e Bajramit dhe përpjekjet e tij, brenda radhëve të organizuara u bënë model edhe për brezat që erdhën e që do të vijnë pas tij. 
Nëpër shtigjet që hapi Bajrami me shokë, duke e shkrirë jetën e tyre të re, marshojnë një rini e terë, një rini e shëndoshë dhe e pastër, për të arritur në cakun e ëndërruar shekullor të popullit që i lindi. 
Kur u dha kushtrimi nga Famëmadhja Ushtria Çlirimtare e Kosovës, shëmbëlltyra e Dëshmorëve të Kombit ishte shtizë e Flamurit tonë kombëtar, për të valuar krenar nëpër beteja! 
Kujtimi për Bajramin dhe yjet tjerë të pashuar, do të jetë i pavdekshëm. Do t’u jap forcë, vullnet dhe zemër të gjithë atyre të cilët janë të vendosur për t’i mbajtur të papërlyera frytet e luftës çlirimtare. Ai mbetet obligim i atyre të cilët, jo vetëm për asnjë çmim nuk do të shkelin mbi gjakun e shokëve të rënë, por që janë të vendosur për të sakrifikuar ç’është e domosdoshme që amanetin e Bajramit dhe të yjeve tjerë të pashuar, ta përmbushin plotësisht. 
Vetëm atëherë kur do ta bëjmë Atëmemëdheun tonë, ashtu siç e deshën yjet e pashuar të kombit, të lirë, të ribashkuar dhe demokratik, mund te themi se e kemi përmbushë këtë Amanet, plotësisht dhe me besnikëri!

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …