Deklarimi i Presidentit të SHBA-ve, vendit të cilin për nga simpatia, ne shqiptarët e radhisim menjëherë pas Atëmëmëdheut tonë të vetëm, Shqipërisë Natyrale, më shtyri të mendoj dhe të arrijë në këto përfundime:
- Se Presidenti aktual dhe në shkuarje i një Superfuqie, nuk po poseduaka as njohuritë më elementare për atë çka flet;
- Se si “përfaqësuesi” i Kosovës (kinse kryeministri), ashtu dhe do shoqërues dhe mbështetës të tij, u dëshmuan në vepër se qenkan do specie pa kurrizorësh, do servilë të gërditshëm, e që nga të tillët do të ishte iluzion po të pritej një reagim i drejt dhe me dinjitet, ndaj asaj çka u tha para tyre, fjalëve barazuese mes atyre që kryen veprime gjenocidi të thundrakëve serbo-çetnik dhe viktimës – shqiptarëve të Kosovës.
Kam bindjen, se po të ishin vërtetë besnik të popullit në emër të të cilit paraqiteshin, do të reagonin si u ka hije, ndaj vënies me pa të drejtë të shenjës së barazimit ( sipas deklarimit të Presidentit Trump), në mes gjenocidit shekullor serbo-sllav ndaj shqiptarëve, në trojet e tyre shumë shekullore dhe kinse gjenocidit të shqiptarëve të ushtruar ndaj serbëve: “Jam i sigurt ( deklaron Trump), se është një çmim Nobel për Paqe. Ne jemi duke ndaluar vrasjet masive midis Kosovës dhe Serbisë. Ata kanë vrarë njëri-tjetrin për kaq shumë vite. Ata do të ndalojnë vrasjet…”
Mendoj, se reagimi i “Kryeministrit” tonë dhe i shpurës se tij, i cili do duhej të bëhej, do të ishte i qëndrueshëm sepse do të kishte mundësi për t’u bazuar në shumë argumente të mbështetura në të vërtetën e dëshmueshme lehtë dhe nga burime me peshë. E vërteta është një dhe e pa kontestueshme, se thundrakët serbo-sllavë ishin ata që sulmuan, terrorizuan, dogjën, dhunuan, që shkaktuan lumenj lotësh dhe të gjakut dhe që përzunë nga trojet e tyre të shkrumbuara, me qindra mijëra shqiptarë, të cilët kishin shpëtuar pa u përshkuar nga plumbat dhe “kama” çetnike. Pra, të gjithë ata që llomotisin në shërbim të barazimit të viktimës dhe kriminelit, ngjashëm siç thotë Trump, se u bënë vrasje masive mes shqiptarëve dhe serbo-çetnikëve, ose janë serbo-sllavofil ose janë të marrë.
Sejdi Veseli
22 shtator 2020