Bajram Bahtiri

Sejdi Veseli: Në 35-vjetorin e rënies së dëshmorit të Kombit, Bajram Bahtiri-Besniku

Mbi popullin tonë kanë kaluar shumë furtuna, por, sado të mëdha që ishin, nuk arritën ta mbysin shpirtin e tij liridashës. Thënë më thjesht, jo vetëm se nuk arritën ta zhdukin popullin tonë, por, përkundrazi, ato e kaliten atë për të qëndruar stoikisht dhe për ta vazhduar luftën deri në çlirimin e tij të plotë nga thundrat e bishave pushtuese, dhe, për realizimin e aspiratës së tij shekullore për t’u ribashkuar në shtetin e tij të vetëm – Shqipërinë!

Sot, më 8 shkurt 2019, mbushen 35 vjet që kur ra heroikisht, në lulen e rinisë, i pavdekshmi Dëshmor i Kombit, Bajram Hajrush Bahtiri – Besniku.

Duhet rikujtuar, se, Bajrami, ishte fëmijë i një punëtori krahu, Bacë Hajrush Bahtirit, dhe, qysh në fëmijëri filloi t’i ndiejë e përjetoi thellë peripecitë e skamjes; t’i ndiejë dhe përjetoi dallimet në mes fëmijëve të punëtorëve dhe fëmijëve të të pasurve. Padyshim, shpjegimin elementar se për çfarë ndodhnin këto dallime e mori nga puna e palodhshme dhe në vazhdimësi e Bacë Hajrushit, për ta brumosur te fëmijët e tij karakterin liridashës e kombëtar, bujarinë, besën dhe gatishmërinë për të sakrifikuar, çfarë lypset për të përgjithshmen. Përpjekjet e Bacës, për t’ua dhënë fëmijëve të tij një edukatë të shëndoshë njerëzore dhe kombëtare, u mbështetën fuqimisht nga shoqja e tij e jetës, Lokemadhe Nailja.

Edukata e shëndoshë familjare e Bajramit, në vazhdimësi, pasurohej dhe kalitej nga përpunimi i literaturës së përzgjedhur kombëtare, që vinte nga pjesa e lirë e At-Mëmëdheut, Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.

Këtë literaturë, Bajrami, nuk e përpunonte vetëm. Ai, qe mishëruar me sistemin për përpunimin e literaturës së fshehtë. Pra, fillimisht, këtë punë e bënte me vëllain e tij më të madh, Rrahmanin, njërin prej kuadrove drejtuese të Frontit Nacional-Çlirimtar. Më vonë, këtë punë shumë të rëndësishme e bënte me shokët e tresheve e të rinjve që drejtonte.

Niveli i kënaqshëm i edukatës politike dhe qytetare i Bajramit, dëshmohej në vepër, përditë e më shumë. Arsyeshmërive të Bajramit, ua kishin lakmi edhe më të pjekurit, për nga mosha. Këtë e dëshmoi në vepër vendosmëria dhe gatishmëria e Tij për të sakrifikuar çfarë është e domosdoshme për interesat më madhore, njerëzore dhe kombëtare, të At-Mëmëdheut.

Bajrami, ishte njëri prej atyre të rinjve shqiptarë, të cilët, që në moshën jomadhore, u përcaktuan për t’u rreshtuar në radhët e veprimtarëve aktivë për çlirimin dhe ribashkimin e trojeve shqiptare. Ky përcaktim i tij, patriotik e kombëtar, filloi të konkretizohej në vepër, gjatë Demonstratave të përgjithshme popullore shqiptare, të paraprira nga rinia studentore dhe ajo e shkollave të mesme, të njohura si Pranvera’81.

Shpërthimi i këtyre demonstratave të përgjakshme e gjeti Bajramin, për nga mosha, fare të ri, në përfundim të vitit të tretë të shkollës së mesme. Por, Ai, diti të veprojë drejt dhe për së mbari (jo pa sugjerimin e vëllait të tij më të  madh, Rrahmanit), duke u radhitur  aty ku i rezistohej regjimit të pushtuesit dhe argatëve të tij “shqiptarë”, veprim ky që mund të paguhej edhe me jetë. Por, ky ishte çmimi që duhej paguar për interesat e shenjta të çlirimit dhe të ribashkimit të më shumë se gjysmës së At-Mëmëdheut,  të robëruar dhe aneksuar nga pushtuesit hegjemonistë sllavo-grekë.

Bajram Bahtiri-Besniku, ishte nga ata nxënës, të cilët, që në ditët e para të Pranverës ’81, me dhëmbë dhe grushte të shtrënguar shkruanin në dërrasat e zeza të shkollave: “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, “Trepça është jona”, “Poshtë pushtuesit jugosllavë”, “Liri a vdekje”…, etj.

Bajrami, që në hapat e parë të veprimtarisë së organizuar patriotike, u lidhë për jetë me shokët e grupit që vepronte. Ishte në rreshtat e parë, nëpër sheshet dhe rrugët e qyteteve të Kosovës, aty kur rinia studentore, punëtorët dhe fshatarët shqiptarë përlesheshin me milicinë dhe zagarët shqipfolës të Herleviçit.

Gjatë zhvillimit të demonstratave të Pranverës ’81, sipas udhëzimeve të vëllait të tij më të madh, Rrahmanit, Besnikun e kemi njohur dhe e kemi parë në vepër. Për nga mosha, fare i ri, trupimët, i shkathët, me konstrukt muskulor, i sjellshëm dhe i dashur për shoqet dhe shokët e tij të shumtë. Kjo ishte kultura e veprimtarëve të kohës, në shërbim të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare, sepse, të gjithë, s’ishim tjetër veç ushtarë të thjeshtë të popullit tonë liridashës, të vendosur për të luftuar dhe sakrifikuar ç’është e domosdoshme për interesat e çlirimit të trojeve shqiptare nga pushtuesit  serbo-sllavë, dhe, për ribashkimin e tyre në një shtet të vetëm shqiptar.

Te Besniku, vërehej shprehja e vullnetit të rinisë tonë heroike, e cila, me siguri, nuk do ta kursejë as jetën, për ta bërë realitet aspiratën legjitime të brezave shqiptarë, të ndarë dhunshëm nga Shqipëria Londineze, duke u përdorur si mall për kusuritje, nga mujsharët evro-rusë, në pazarllëqet e tyre.

Servilët dhe puthadorët shqipfolës të Beligradit, na shanin, për veprimet tona. Na quanin “irredentistë, separatistë, farë e keqe e popullit”…, sepse, po ua e rrënonim “vëllazërim-bashkimin” dhe “bashkëjetesën me vëllezërit serbë”… ngase, ata, për veten e tyre ishin të kënaqur dhe kënaqeshin duke i lëpirë eshtrat që ua hidhte nën tryezë Beligradi zyrtar. Por, “qentë lehnin, karvani çante përpara…”, e, ne dinin se çfarë bënim dhe çfarë duhej të bënim më tutje.

Si pjesëmarrës shumë aktiv në Demonstratat e Pranverës ’81, Bajrami, u ra në sy zagarëve shqipfolës të UDB-së, prej të cilëve përndiqet këmba këmbës, arrestohet dy herë dhe dënohet me 60 ditë izolim. Gjatë asaj kohe përjeton tortura të rënda nga katilët e UDB-së (shumica shqipfolës), por, jo vetëm se nuk thyhet, përkundrazi, kalitet dhe i përforcohet vendosmëria për ta intensifikuar edhe më veprimtarinë çlirimtare.

Sapo doli nga burgu, ende me plagë në trup, vazhdoi me punën, sepse, për te, jeta pa luftë, pa përpjekje dhe pa rreziqe, nuk kishte kuptim.

Më 8 shkurt 1984, veriu i lagjes “Kodra e Trimave” të Prishtinës, ende me plagë të freskëta, që i mori në mesnatën e 11 dhe 12 janarit, edhe më të rënda ishin ato që i shkaktoheshin nga sjelljet vandale të njësive të specializuara të milicisë serbe, gjatë valës së bastisjeve dhe të arrestimeve, të djemve dhe të vashave të saj, kur u trondit serish nga uturima e automjeteve të blinduara, breshëritë e armëve dhe shpërthimet e bombave kimike.

Për këtë Vatër të qëndresës shqiptare, kjo nuk ishte ndonjë risi, sepse, ajo ishte mësuar me sjellje të tilla vandale të milicisë serbo-çetnike dhe të këlyshëve të saj shqipfolës.

Shpejt, u mor vesh se në pjesën veriore të kësaj lagjeje ishte bllokuar lëvizja e qytetarëve.

Arsyeja: gjatë tentimit për arrestimin edhe të një veprimtari të çështjes kombëtare, milicia e “Kosovës”, në shërbim të serbo-çetnikizmit, kishte hasur në rezistencë të armatosur.

Epilogu, edhe i këtij vandalizmi serbo-çetnik, mund të paramendohej. Ishte kjo edhe një betejë e dështuar e kriminelëve, për ta mposhtur edhe një luftëtar të vetëm, të vendosur për çlirimin dhe ribashkimin e Shqipërisë.  U dëshmua katërçipërisht, se, ashtu dhe doli!

Ngjarja u zhvillua kështu, rrëfejnë dëshmitarët

Pasi e rrethuan, jo vetëm shtëpinë e Bacë Hajrush Bahtirit, por, të tërë lagjen, në vijën “Përroi i Zatriqit” – “Bunari i Hajratit”, kriminelët në shërbim të pushtuesit, të shoqëruar me milicë të uniformuar dhe të armatosur deri në dhëmbë, kishin tentuar të futeshin brenda (siç e kishin për zakon), për ta kapur dhe arrestuar Bajramin, vëllain dhe bashkëluftëtarin më të ri të atmëmëdhetarit të dëshmuar Rrahman Bahtirit, i cili, asokohe, ishte i burgosur, dhe, po u qëndronte me stoicizëm persekutimeve që ushtroheshin ndaj tij, nga bishat e trajnuara nga sigurimi serbian. Por, siç u dëshmua edhe kësaj radhe, këto bisha i kishin bërë hesapet pa hanxhiun.

Falë shkathtësisë së tij prej guerilasi, Bajrami, në vend se të hutohej, ndërmori veprimet përkatëse për rrethanat e  krijuara. Me ndihmën e zjarrit nga pistoleta e tij e vjetër Steyer Hahn M1911 cal.9 mm (kujtim nga babagjyshi), e palosë përtokë denoncuesin  shqipfolës të armikut dhe arrin ta çanë rrethimin.

Tërhiqet drejt gurthyesit të vjetër, jo larg shtëpisë, në vendin e quajtur “Madeni i Salih Bullakut”, ku edhe pozicionohet, i vendosur për ta vazhduar rezistencën e armatosur. Nuk vonojnë shumë, dhe, forca të mëdha të milicisë (ku dominonin pjesëtarët e njësisë speciale) e ngushtojnë rrethimin e vendpozicionimit të Bajramit, dhe, pa paralajmërim, fillojnë të shtinë, si të çartur, drejt tij. Për pasojë, vendpozicionimi shndërrohet në shënjestër të zjarrit të kryqëzuar, nga armët mësymëse të këmbësorisë.

Kriminelët, të bindur se nuk mund të përparojnë në drejtim të tij pa e paguar me jetët e tyre, përnjëherë, e ndërpresin zjarrin, dhe, i referohen taktikës tjetër. Provojnë, mos, vallë, do ta mashtronin Bajramin, duke e ftuar nëpërmjet megafonit, që të dorëzohet, natyrisht, duke i premtuar trajtim “korrekt”, ndërsa, në anën tjetër, kryenin veprime taktike për ta ngushtuar rrethimin, dhe, për t’i pozicionuar snajperët e specializuar. Por, nuk ia dalin ta mashtrojnë.

Predhat, nga pistoleta e tij, drejt caqeve të përzgjedhura mirë, ishin përgjigja, e ngjashme me përgjigjen e dëshmorëve, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, në mesnatën e 11 dhe 12 janarit 1984. Por, gjatë këmbimit të zjarrit, në këtë luftë të pabarabartë, Bajrami, goditet për vdekje nga predhat e snajperëve, dhe, bie në duart e hienave me fytyrë njeriu, në shërbim të armikut shekullor.

Duhet thënë, se, nga mercenarët shqipfolës të Beligradit, Bajrami, i plagosur për vdekje, tërhiqet zvarrë (afër 500 m), deri te binarët e hekurudhës që kalon afër shtëpisë së familjes Bahtiri, për t’u ngarkuar në “Pizgauerin” e milicisë.

Të nesërmen, Dëshmori i Kombit, Bajram Bahtiri-Besniku, varroset nga rrethi familjar dhe një numër modest i të afërmve, nën rrethimin e dendur policor dhe nën masa të rrepta të vëzhgimit, të zbuluesve të hasmit serbomadh.

Në ballë të kortezhit, qëndronin me stoicizëm dhe ballëlartë, Bacë Hajrushi, Nënëloke Nailja, shoqja e Rrahmanit, vëllai më i vogël dhe motrat.

Para se t’ia dorëzonin Tokës nënë, birin e saj besnik, Lokemadhja e puthi në ballë djalin, dhe, iu drejtua me këto fjalë:

“Biro, Nëna ka pritur që të të përcjell dhëndër, por, tani po të përcjellë për në Përjetësi. Bajram bir, nëna nuk po derdh lot, sepse, Ti e nderove veten, familjen, shokët e idealit dhe kombin që aq shumë e deshe. Hallall të qoftë gjiri që të dhashë!”

Ishim nëpër qelitë e kazamateve, ku, me vonesë e morëm lajmin e hidhur për rënien e Bajram Bahtirit-Besnikut, njeriut të shtrenjtë të zemrave tona, bashkëluftëtarit tonë të dashur, besnikut të Frontit Nacional-Çlirimtar të Kosovës së pushtuar shqiptare.

Kur, në Kosovë, u dha kushtrimi, edhe Bajrami, ky trup i patretur dhe shpirt i pavdekshëm, si ai i Fazli Grajçevcit, Shaban Shalës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut, Ismet Krasniqit, Ahmet Haxhiut, Metush Krasniqit dhe shumë dëshmorëve të tjerë, u dridh i mallëngjyer dhe u ngrit, u ngjitë në shtizën e Flamurit Kombëtar Shqiptar, me të cilin e patën mbështjellë babë Hajrushi dhe nënë Nailja, kur e përcollën në pavdekësi. Thirrja e tij u bashkua në një pikëzëri me ato të shokëve të rënë të idealit: ”O vëllezër, të vrarë nga dora e udbashëve serbosllavë dhe e servilëve të tyre shqipfolës, në këmbë! At-Mëmëdheu po na thërret!”…

Kjo thirrje depërtuese e përshkoi Kosovën, trojet shqiptare anekënd dhe diasporën cep më cep. Bashkoi bijtë e bijat më besnikë-e, e trima të kombit tonë, në radhët e Famëmadhes Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të vendosur për çlirimin e trojeve atmëmëdhetare nga thundra e pushtuesve, dhe, për bashkimin e tyre në një shtet të vetëm shqiptar.

U ngritën në këmbë të gjithë dëshmorët kombit, sepse, konsideronin se misioni i tyre s’kishte mbaruar. U ngritën për ta vazhduar luftën për liri, dhe, kështu, Bajrami me dëshmorët e tjerë u radhitën në shtizën e flamurit tënd, o popull, që u shndërrua në flamur të UÇK-së dhe na udhëhoqi drejt lirisë dhe ribashkimit kombëtar.

Ashtu, sikurse edhe dëshmorët e tjerë, edhe Bajrami nuk e sakrifikoi atë më të shtrenjtën, jetën e tij, në lulen e rinisë, për këtë që po përjetojmë sot. Por, ashtu, sikurse edhe dëshmorët e tjerë, që u sakrifikuan për çlirimin e plotë të trojeve tona, të ndara dhunshëm nga mujsharët evro-rusë, për ribashkimin e tyre në një shteti të vetëm shqiptar, ngulmoi edhe Bajrami, për një jetë me dinjitet e të pa nëpërkëmbur të popullit, për të cilin, shokët e idealit, punuan me përkushtim!

Sikurse edhe të dëshmorët e tjerë, edhe te Besniku mbisundonte bindja, se para gjokseve të rinisë tonë heroike, brenda të cilave rrihte zemra e një populli të tërë, do të thyhen keqas bajonetat e thundrakëve serbo-çetnikë dhe të mercenarëve rusë, rumunë… Dhe, vërtetë, nuk u gabuan, sepse, kjo bindje u vërtetua katërçipërisht në Epopenë e lavdishme të luftës tonë të armatosur, çlirimtare, që zhvilluam nën flamurin e UÇK-së, me mbështetje nga ajri nga aviacioni i NATO-s.

Qëndresa, me plot stoicizëm, përballë ushtrisë, milicisë dhe falangave të paramilitarëve serbo-çetnikë dhe spiunimit nga zagarët udbashë, shqipfolës, të armatosur me armët më moderne të kohës, vërteton katërçipërisht një urtësi të një ushtaraku madhor shqiptar: “…një popull i bashkuar dhe i vendosur për t’u çliruar, ai mund të shuplakohet në ndonjë fushëbetejë, por, nuk do të mposhtet kurrë!”

Me siguri, luftëtarët e lirisë, nuk do t’i mposhtë as kjo farë Gjykata speciale, që pretendon të zhvillojë procese politike raciste, jashtë vendit dhe vetëm ndaj shqiptarëve, për të vetmin “faj” pse e paskan luftuar pushtuesin serbo-çetnik, jo pse e urrejnë popullin serb, por, për t’u çliruar njëherë e përgjithmonë nga thundra e huaj, që, edhe shqiptarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të ligjshme për të vetëvendosur lirshëm për të ardhmen e tyre!

Padyshim se nismëtarët dhe mbështetësit e kësaj ndërmarrjeje kundër-shqiptare do të pësojnë fiasko të plotë!

Në këtë pikëpamje, sakrifica sublime e Bajram Bahtirit-Besnikut dhe e dëshmorëve të tjerë të Kombit, ishte dhe mbetët  paralajmërim serioz për kundërshtarët e çlirimit dhe të ribashkimit tonë kombëtar, brenda dhe jashtë vendit, se, kohët, kur jetësoheshin pazarllëqet e bëra me trojet shqiptare, kanë tretur në pakthim!

Shtigjeve që çeli Bajrami dhe shokët e tij, duke shkrirë jetën e tyre të re, duhet të vazhdohet marshimi nga shtresa liridashëse e popullit, e vendosur për të sakrifikuar çfarë është e domosdoshme për jetësimin e Amanetit të Dëshmorëve të Kombit.

Për të gjithë ata që mendojnë dhe jetojnë shqip, ky Amanet nënkupton diçka të shenjtë: se, nuk duhet kursyer asgjë, për ta arritur bashkimin e tërë potencialit tonë mendor dhe veprues, me një synim të vetëm dhe të qartë, për të arritur në cakun e ëndërruar, me shekuj të tërë, nga populli i ynë – ribërjen e Shqipërisë shqiptare!

Kur ta bëjmë At-Mëmëdheun tonë ashtu siç e deshën Dëshmorët e Kombit, atëherë, mund të themi se e kemi kryer me besnikëri dhe e kemi çuar në vend amanetin e tyre.

Lavdi jetës dhe veprës së Dëshmorit të Kombit, Bajram Bahtirit-Besnikut dhe të gjithë dëshmorëve të Kombit Shqiptar!

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …