Sot u mbushën 35 vjet, nga rënia për të mos vdekur kurrë e militantit të Frontit Nacional-Çlirimtar shqiptar, Dëshmorit Bajram Hajrush Bahtiri, pas një përpjekjeje me forca të shumta të milicisë serbo-çetnike dhe kuislingëve shqipfolës.
Rënia e Dëshmorit të Kombit, Bajram Hajrush Bahtiri–Besniku, në Kodrën e Trimave, me 8 shkurt 1984, ende pa u mbushur një muaj i plotë nga rënia heroike e Dëshmorëve të Kombit, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, pati ndikim të madh në popull. Ky ndikim u materializua në bashkimin luftarak dhe rreshtimin, sidomos, të të rinjve, pas Flamurit Kombëtar Shqiptar. Të gatshëm për të marshuar nën Betim, drejt përmbushjes të së drejtës të ligjshme për të jetuar të lirë, dhe me dinjitet të pa nëpërkëmbur, në Atëmëmëdheun e tyre të çliruar dhe të ribashkuar–Shqipërinë!
Kjo rënie heroike, përkundër dhembjes që përvëloi zemrat e dy prindërve, nënë Nailës dhe babë Hajrushit, motrave, vëllezërve, shokëve dhe popullit liridashës, në përgjithësi, ndikoi edhe në ngritjen e frymëzimit dhe të përforcimit të bindjes, se çlirimi i trojeve të cilat dergjeshin nën thundrën e okupuesve serbomëdhenj dhe të sivëllezërve të tyre sllavo-grekë, si dhe për ribashkimin e tyre në një shtet të vetëm shqiptar, nuk mund të arrihet, pa grykët e armëve në duart e çlirimtarëve.
Bajrami, ashtu si vëllai më i madh i tij, Rrahmani (i cili po torturohej ato ditë nga hienat udbashe shqipfolëse – besnike të Beogradit), ishte i thjeshtë dhe shumë i sinqertë, si për nga sjelljet, ashtu dhe për nga fjalët që thoshte.
Vepra e tij ishte vetë heroizmi, ishte përkushtimi vetëmohues i një atëmëmëdhetari të bindur, se çlirimi dhe bashkimi kombëtar mund të bëhet realitet, vetëm me luftë të armatosur çlirimtare, sakrifica të shumta dhe të dhembshme.
Vepra e tij ishte heroizmi i një atëmëmëdhetari të devotshëm, i cili me vetëdëshirë hoqi dorë nga të gjitha gëzimet e moshës, për t’iu rrekur një pune të vështirë dhe me plotë rreziqe, siç është lufta për çlirimin e pjesëve të robëruara të atëmëmëdheut, dhe, për sjelljen e lumturisë e të dinjitetit për popullin e vet.
Besniku ra në lulen e rinisë, për të mos vdekur kurrë.
Vepra heroike dhe virtytet e tij të larta, njerëzore e kombëtare, mbetën shembull konkret për edukimin patriotik të gjeneratave të sotme dhe atyre që do të vijnë.
Nëpër shtigjet që hapën Bajrami dhe dëshmorët tjerë, duke shkrirë jetët e tyre të njoma, ku, marshuan krenare FAMËMADHJA USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS (UÇK) dhe simotrat e saj në Luginën e Preshevës dhe të Vardarit.
Bajrami, së bashku me të gjithë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e rënë gjatë përpjekjeve shekullore të popullit tonë për të mbijetuar përballë terrorit dhe për t’u çliruar, vetëvendosur dhe ribashkuar në një shtet të vetëm shqiptarë, ishin, janë dhe do të mbeten përjetësisht, lavdia dhe krenaria e kombit.
Gjaku i të rënëve për liri – është Amanet!
Ky Amanet, është obligim për ta përmbushur ne të vdekshmit, nëse nuk duam të na e mallkojë NËNA GJIRIN dhe të na mallkojë historia!
Mendoj, se, për fund, duhet konstatuar, se Amaneti i Dëshmorëve nuk përmbushet duke shkelur mbi gjakun e tyre, mjerisht, siç edhe po veprohet aktualisht nga klane “thundrakësh”, të cilët, për fatin e keq të tyre, komb dhe atëmëmëdhe kanë lekun dhe jetën e shthurur!
Ky amanet përmbushet, duke punuar pa hile, me përkushtim, me vendosmëri dhe vetëmohim, deri në përmbushjen e plotë të tij!
Lavdi Veprës së Dëshmorit të Kombit Bajram Bahtiri-Besniku dhe të gjithë dëshmorëve tjerë!
Prishtinë, 8 Shkurt 2019