Sejdi Veseli: Truallit të shqiptarëve heronjtë nuk i kanë munguar dhe as që do t’i mungojnë!

“Asnjëri nuk është më tepër skllav,se sa ai që mendon se është i lirë, pa qenë i lirë  (Johann Wolfgang von Goethe)

Për ne shqiptarët mund të thuhet pa hezitimin më të vogël, se jemi nder ata pak popuj, që as edhe një datë të vetme të kalendarit vjetor nuk e kemi të thjeshtë. Për ne, të gjitha datat janë ditë të dhembjes, vuajtjeve, qëndresës, të heroizmave, të lavdisë dhe të krenarisë kombëtare. E tillë është edhe 08 shkurti 2014, përvjetori i tridhjetë i rënies heroike, në lulen e rinisë, të Bajram Bahtirit-Besnikut, njërit prej lajmëtarëve të çlirimit dhe të ribashkimit të Shqipërisë Natyrale, të copëzuar pamëshirshëm nga mujsharët e Evropës Plakë, për t’u pushtuar dhe aneksuar më pas nga këlyshët e “Ariut të Sibirit”.

Përballë realitetit të sotëm, është shumë e vështirë të përgatitët një shkrim përkujtimor për dëshmorët dhe martirët, për ata që dhanë çka patën për çlirimin tonë nga thundra e huaj, kur nga disa sojsëz, para syve tanë shkelet mbi gjakun dhe amanetin e tyre. Duhet theksuar, se jo pak prej këtyre sojsëzëve thirren në “kontributet “ e tyre për kombin, e që në realitet për këtë farë të prishur, paraja, krimi dhe jeta e shthurur janë komb e atëmëmëdhe. Mjerisht, kështu po ndodh, jo edhe pa fajin tonë. Kur përballë këtyre paudhësive, shumica prej nesh bëjmë rolin e strucit, për mos me thënë po vazhdojmë t’i mbyllim sytë përballë këtyre dukurive shumë shqetësuese, për të sotmen dhe të ardhmen tonë.

Bajram Hajrush Bahtiri-Besniku u lind me 04 mars 1961 në një familje gallabase, ekonomikisht të varfër, por e njohur për bujari dhe fisnikëri, dera e së cilës  priste dhe përcillte njerëz të besës dhe të nderit.  Në krahasim me veprimtarinë e tij, jeta fizike e Bajramit ishte e shkurtër, por do të mbetët shembull i ndritur, jo vetëm për bashkëluftëtarët, por edhe për brezat që vijnë.

Veprimet konkrete të Bajramit në shërbim të zgjidhjes së çështjes kombëtare, dëshmojnë se ishin kuptuar drejt orientimet e shëndosha, që kishte marrë nga babë Hajrushi, nënë Nailja, vëllai më i madh Rrahmani dhe ato nga pedagogët e tij në Shkollën tetëvjeçare “Zenel Hajdini”, në Prishtinë. Andaj, pa dyshimin më të vogël mund të thuhet, se nuk ishte rastësi, që në moshë fare të re, të përcaktohet drejt, duke u radhitur krah për krah me bashkëveprimtarë tjerë, në kuadër të FNÇK. Kur është fjala për Shkollën Zenel Hajdini, në Kodrën e Trimave në Prishtinë, është për t’u theksuar, edhe një e dhënë shumë e rëndësishme për historinë tonë të re, se u shfrytëzua atmosfera e shëndoshë kombëtare në këtë shkollë, për t’u themeluar FÇK, me 28 nëntor 1978, për t’u quajt më vonë FNÇK.

Gjatë demonstratave gjithë-popullore të njohura si Pranvera ’81, Bajrami iu bashkohet demonstruesve përkrah vëllait të madh Rrahmanit. I vendosur për çdo sakrificë, Bajrami, pa iu trembur syri, përballet me milicinë gjakatare. Ai me grushtet e shtrënguar dhe të ngritur lart, brohoriste si dhe demonstruesit tjerë: “Republikë, kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, Trepça punon, Beogradi ndërtohet”, “Trepça është jona”, “Poshtë pushtuesit jugosllavë”, “Liri ja Vdekje”… Bajramin e burgosi dy herë armiku, e torturoi rëndë. Trupin e tij të njomë e lanë me gjak, por ai qëndroi i pathyer. Sapo dilte nga burgu, ende me plagë në trup, vazhdonte me punën patriotike.

Ashtu, siç ishte për Bajramin veprimtaria e vëllait më të madh, Rrahmanit, po ashtu ishte veprimtaria e tij model për motrën më të vogël, Zet’hanen, e cila edhe pse e mitur, sillej si një militante e moshës madhore. Për pasojë, edhe Ajo përjetoi tortura nga milicia serbo-çetnike dhe mercenarët e saj shqipfolës.

Aspirata e popullit  tonë për të jetuar i lirë, dinjitozë në trojet e veta, me të drejtën e pa kontestueshme për t’u përcaktuar dhe për të vetëvendosur lirshëm për të ardhmen e tij, nuk u fashitë asnjëherë. Ky ishte frymëzimi dhe ushqimi kryesor shpirtëror edhe për dëshmorin, Bajram Bahtiri-Besnikun.  Tridhjetë vjet më parë, me 08 shkurt 1984, pa u mbushur as edhe një muaj i plotë nga rënia heroike e Dëshmorëve të Kombit, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, dy rrëfyesve të rrugës të vetme, por të sigurt, të cilën duhej ta ndiqnin shqiptarët deri në realizimin e plotë të aspiratës së tyre të ligjshme dhe shekullore, për t’u çliruar nga thundra e okupuesve, jo vetëm banorët e lagjes në “Kodrën e Trimave” të Prishtinës, serish tranden nga uturima e mjeteve luftarake të pushtuesve dhe breshëritë e armëve. Shpejt u kuptua, se ishte kjo edhe një betejë e dështuar e kriminelëve serbë dhe mercenarëve të tyre shqipfolëse, për ta mposhtur edhe një luftëtar të vendosur për çlirimin dhe ribashkimin e Shqipërisë.

Pasi që e kishin vënë nën rrethim, jo vetëm shtëpinë e Bacë Hajrush Bahtirit, por edhe tërë lagjen, kriminelët tentuan të futeshin brenda dhe ta arrestonin edhe Bajramin, vëllanë e atëmëmëdhetarit Rrahman Bahtirit, i cili gjendej i prangosur dhe po u qëndronte me stoicizëm persekutimeve, të cilat ushtroheshin ndaj tij nga neo-mengelat serbo-çetnike dhe zagarët e tyre shqipfolës. Por, siç thotë populli, kriminelët edhe kësaj radhe i kishin bërë hesapet pa hanxhiun. Falë vigjilencës së tij prej luftëtarit të lirisë, Bajrami e kishte përcjellë situatën. Ai, nuk u hutua për asnjë moment, por në përputhje me rrethanat e krijuara planëzoi veprimet që duhej ndërmarrë.

Duke shfrytëzuar shkathtësitë bazike nga arti i luftës guerile, Bajrami hidhet në kundërveprim. Fillimisht palosë për tokë një zbulues të armikut, dhe me zjarrin e Stayer-it të vjetër (trashëgim nga babagjyshi), arrin të çajë rrethimin. Ai, duke taktizuar, arrin deri në vendin e quajtur “Majdeni i Sali Bullakut”( një mbetje nga një gurëthyes i vjetër e cila gjendet jo larg shtëpisë së familjes Bahtiri). Por, aty përballet me rrethin e dytë të forcave armike, të cilat pa paralajmërim hapin zjarr të kryqëzuar në drejtim të tij. I gjendur në terren të hapur dhe nën zjarrin e milicisë, Bajrami nuk hutohet, ai duke kombinuar shkathtësinë me shpejtësinë arrin të tërhiqet në një pozicion më të përshtatshëm, nga ku vazhdon rezistencën.Kriminelët të bindur se nuk mund të përparojnë në drejtim të tij, pa e paguar me jetët e tyre, ndërpresin zjarrin. Me synim të fitimit të kohës së mjaftueshme për sjelljen dhe pozicionimin e snajperëve me përvojë. Ata, i referohen një taktike tjetër, nëpërmjet megafonit përpiqen që të bindin Bajramin,  për t’u dorëzuar.  Ashtu, sikur Rexhepi dhe Nuhiu, edhe Bajrami duke brohoritë “Ja vdekje ja liri”, dhe  me plumbat nga Stayer-i, në drejtim të pozicioneve të policëve,  ishte kjo përgjigja drejtuar hasmit, deri në momentin kur goditet për vdekje nga  plumbat e snajperëve të ardhur nga qendra e tyre në Hajvali.

Para se t’ia dorëzonin tokës nënë, përballë trupit të pa jetë të Dëshmorit, qëndronin me stoicizëm Babë Hajrushi, nënë Nailja, vëllai më i vogël, motrat dhe kunata. Nënë Nailja e puthi në ballë dhe iu drejtua me këto fjalë:

“Biro,
Nëna ka pritur të të përcjellë dhëndër, por tani po të përcjelle në Përjetësi.

Bajram bir, lotët që po derdhim, janë lot të krenarisë, sepse Ti e nderove familjen dhe kombin që iu përkushtove.

Hallall të qoftë gjiri që të dhashë!”.

Nën rrethimin e hekurt të forcave të shumta të sigurimit të pushtuesit dhe mercenarëve të tij, trupi i Bajramit u varros nga familja e tij e ngushtë.  Ishim në qelitë e burgjeve, kur e morëm lajmin e hidhur për rënien e Bajram Bahtirit-Besnikut, njeriut të shtrenjtë të zemrave tona, bashkëluftëtarit tonë të dashur, pjesëtarit besnik të Frontit Nacional-Çlirimtar të Kosovës. Gjaku i dëshmorëve Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri dhe Ismet Krasniqi, ndikuan që Vranjevci i dikurshëm të merrte emrin meritor Kodra e Trimave!Nëpër shtigjet që hapi Bajrami me shokë, shkuan një rini e terë, një rini e shëndoshë dhe e pastër, për të marshuar me krenari në radhët e Famëmadhes Ushtria Çlirimtare e Kosovës… Të na shërbejë ky përvjetor jubilar i përkujtimit dhe i respektit për dëshmorin e lirisë tonë kombëtare, si betim se do ta qojmë deri në fund Amanetin e gjakut të derdhur. Përmbushja e këtij Amaneti është obligim për ne, nëse nuk duam të na mallkojë historia!  Vetëm atëherë kur t’i çlirojmë dhe t’i ribashkojmë Trojet tona, në një shtet të vetëm shqiptar, mund te themi se këtë Amanet e kemi përmbushë me besnikëri dhe në plotni!

Lavdi rënies heroike të dëshmorit, Bajram Bahtirit-Besnikut!

Sejdi Veseli: Bajram Bahtiri (1961 – 1984), yll i pashuar i lirisë së Kosovës

Edhe 8 shkurti është njëri prej përvjetorëve të qëndresës dhe heroizmave të Yjeve të Pashuar, në terë hapësirën e Shqipërisë Natyrale, të cilët me shëmbëlltyrën e tyre e pasuruan, e bënë të pakontestueshëm dhe e përjetësuan Kalendarin e krenarisë e të lavdisë tonë njerëzore e kombëtare.

8 shkurti shënon përvjetorin e  rënies heroike, në lulen e rinisë, të njërit nga dëshmorët e shumtë të kombit shqiptar, Bajram Hajrush Bahtiri – Besniku!

Më 8 shkurt të vitit 1984, në Kodrën e Trimave të Prishtinës, ende pa u mbushur një muaj pas qëndresës heroike të dy bijve të Shqipërisë Natyrale, Rexhep Malës e Nuhi Berishës, gjatë një përballje luftarake me hordhitë gjakpirëse serbo-çetnike, serish po rezistohej.

Më 8 shkurt 1984, veriu i kësaj lagjeje të Kryeqendrës së Kosovës, ende me plagë të freskëta që mori në natën e 11 dhe orët e hershme të 12 janarit dhe ato që iu shkaktuan nga sjelljet vandale të njësive të specializuara të milicisë serbe gjatë valës së arrestimeve të djemve dhe vashave të saj, u trondit serish nga uturima e automjeteve të blinduara, breshëritë e armëve dhe shpërthimet e bombave kimike.

Për këtë Vatër të qëndresës shqiptare, nuk ishte ndonjë risi, sepse ajo ishte mësuar me sjellje të tilla vandale të milicisë serbo-çetnike dhe të këlyshëve të saj shqipfolës.  Shpejt u morr vesh, se në pjesën veriore të kësaj lagjeje ishte bllokuar lëvizja e qytetarëve. Arsyeja: gjatë tentimit për arrestimin edhe të një veprimtari të çështjes kombëtare, milicia serbo-çetnike kishte hasur në rezistencë të armatosur.

Epilogu edhe i këtij vandalizmi serbo-çetnik dihej. Ishte kjo edhe një betejë e dështuar e kriminelëve, për ta mposhtur edhe një luftëtar të vendosur për çlirimin dhe ribashkimin e Shqipërisë Natyrale.  U dëshmua katërçipërisht, se ashtu dhe doli!

Pasi që e kishin vënë nën një rrethim shtëpinë e Bacë Hajrush Bahtirit, sigurimsat e pushtuesit kishin tentuar të futeshin brenda ( siç e kishin bërë shprehi) për ta kapur dhe arrestuar Bajramin, vëllain dhe bashkëluftëtarin më të ri të atëmemëdhetarit të dëshmuar Rahman Bahtirit, i cili gjendej i burgosur dhe po u qëndronte me stoicizëm persekutimeve, të cilat ushtroheshin ndaj tij nga, bishat e sigurimit serb. Por, edhe kësaj radhe, këto bisha i kishin bërë hesapet pa hanxhiun. Falë shkathtësisë së tij prej luftëtarit të lirisë, Bajrami, në vend se të hutohej ai ndërmori veprimet përkatëse për rrethanat e  krijuara.

Me shpejtësi të rrufeshme ai hidhet në kundërveprim për ta qarë rrethimin.

Që në hapin e parë, me shtaier-in e tij të vjetër, trashëgim nga babagjyshi, e palosi për tokë denoncuesin  shqipfolës të armikut dhe çau rrethin e parë me forcën e armës së tij. Tërhiqet drejt vendit të quajtur Majdeni i Sali Bullakut, që gjendet jo larg shtëpisë së tij. Por, aty përballet me rrethin e dytë të forcave armike, të cilat pa paralajmërim hapen breshëri zjarri të kryqëzuar drejt pozicionimit të tij. Në pamundësi për ta ndërruar vendin e pozicionimit, Bajrami  kishte vendosur për të rezistuar, deri në fishekun e fundit.

Kriminelët, të bindur se nuk mund të përparojnë në drejtim të tij, pa e paguar me jetët e tyre, përnjëherë e ndërpresin zjarrin dhe i referohen taktikës tjetër. Ata nëpërmjet megafonave i kërkojnë Bajramit që të dorëzohej. Kohëzgjatja e kësaj taktike ishte parallogaritur, që të jetë e mjaftueshme për të pozicionuar snajperët e tyre të etshëm për gjak shqiptari, të ardhur nga qendra e tyre në Hajvali.  Ashtu, sikur e Rexhepit dhe e Nuhiut, ishte përgjigja e Bajramit!

Predhat e Shtaier-it të shoqëruara me tingujt e këngës “Ja vdekje ja liri”, drejt pozicioneve armike, deri në momentin kur predhat e snajperëve e goditën për vdekje, ishin përgjigja e Yllit të Pashuar! Trupin e Bajramit e varrosi familja e tij e ngushtë, nën rrethimin e hekurt të forcave të shumta të sigurimit të pushtuesit.

Në ballë të kortezhit të përmortshëm qëndruan me stoicizëm Babë Hajrushi dhe Lokemadhja,  Naile.

 

Para se t’ia dorëzonin Tokës nënë, birin e saj besnik, Lokemadhja e puthi në ballë djalin dhe iu drejtua me këto fjalë:

 “Biro, Nëna ka pritur që të përcjell dhëndër, por tani po të përcjellë për në Përjetësi. Bajram bir, nëna nuk po derdh lot, sepse Ti e nderove veten, familjen, shokët e idealit dhe kombin që aq shumë e deshe. Hallall të qoftë gjiri që të dhashë!”

Ishim nëpër qelitë e kazamateve  dhe,  me vonesë e morëm lajmin e hidhur për rënien e Bajram Bahtirit-Besnikut, njeriut të shtrenjtë të zemrave tona, bashkëluftëtarit tonë të dashur, pjesëtarit besnik të Frontit Nacional-Çlirimtar të Kosovës.

E shkurtër ishte jeta fizike e Bajram Bahtirit, por veprimtaria e tij e pasur patriotike, deri në sakrificën më të lartë, do të mbetën shembull i ndritur, jo vetëm për bashkëluftëtarët e tij, por edhe për të gjithë njerëzit tanë. Bajrami për nga mosha ishte i ri, por ai dinte të mendonte dhe vepronte si burrë i pjekur, sepse Ai ishte i edukuar drejt dhe mirë, në frymën e shëndoshë, atë kombëtare.

Bajrami ishte nga ata nxënës të shkollës së mesme, që në ditët e para të Pranverës 81, u bashkua me rininë studentore dhe punëtorët shqiptar, të cilët nëpër sheshet dhe rrugët e qyteteve të Kosovës, me grushte të ngritur lart brohorisnin parullat “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”, “Trepça është jona”, “Ne jemi shqiptar, jo jugosllav”…, pa u trembur fare nga policia e Herleviqit dhe zagarët e tij shqipfolës.

Bajramin e burgosi dy herë armiku, e torturoi rënd. Trupin e tij të njomë e lanë me gjak, por ai qëndroi i pathyer. Sapo dilte nga burgu ende me plagë në trup e vazhdonte punën patriotike. Për Bajramin, jeta pa luftë, pa përpjekje për t’u çliruar dhe pa rreziqe, përderisa populli shqiptar ishte i robëruar nuk kishte kuptim.

Lufta e Bajramit dhe përpjekjet e tij, brenda radhëve të organizuara u bënë model edhe për brezat që erdhën e që do të vijnë pas tij.

Nëpër shtigjet që hapi Bajrami me shokë, duke e shkrirë jetën e tyre të re, marshojnë një rini e terë, një rini e shëndoshë dhe e pastër, për të arritur në cakun e ëndërruar shekullor të popullit që i lindi.

Kur u dha kushtrimi nga Famëmadhja Ushtria Çlirimtare e Kosovës, shëmbëlltyra e Dëshmorëve të Kombit ishte shtizë e Flamurit tonë kombëtar, për të valuar krenar nëpër beteja!

Kujtimi për Bajramin dhe yjet tjerë të pashuar, do të jetë i pavdekshëm. Do t’u jap forcë, vullnet dhe zemër të gjithë atyre të cilët janë të vendosur për t’i mbajtur të papërlyera frytet e luftës çlirimtare. Ai mbetet obligim i atyre të cilët, jo vetëm për asnjë çmim nuk do të shkelin mbi gjakun e shokëve të rënë, por që janë të vendosur për të sakrifikuar ç’është e domosdoshme që amanetin e Bajramit dhe të yjeve tjerë të pashuar, ta përmbushin plotësisht.

Vetëm atëherë kur do ta bëjmë Atdheun tonë, ashtu siç e deshën yjet e pashuar të kombit, të lirë, të ribashkuar dhe demokratik, mund të themi se e kemi përmbushë këtë Amanet, plotësisht dhe me besnikëri!

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …