Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të udhëtojë në Shqipëri dhe Gjermani në periudhën 14-17 shkurt, ka njoftuar Departamenti Amerikan i Shtetit. Blinkeni do të vizitojë Shqipërinë, pasi e konsideron një partnere kyçe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”. Në Gjermani, ai do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë të Munihut, ku do të diskutojë për Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe sigurinë transatlantike, ka njoftuar DASH. Lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka hyrë në muajin e pestë dhe është konflikti më vdekjeprurës që palët kanë zhvilluar deri më tani. Si pasojë e sulmeve të Hamasit më 7 tetor, në Izrael u vranë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe u rrëmbyen afër 250 të tjerë. Nga ofensiva izraelite, që po vazhdon, në Gazë janë vrarë mbi 27.000 persona. Përveç luftës në Gazë, komuniteti ndërkombëtar po vazhdon të mbështesë Ukrainën, e cila që nga shkurti i viti 2022 po përballet me luftën e paprovokuar të nisur nga Rusia.
