Zyra e Kryeministrit të Kosovës e ka publikuar letrën e plotë që sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo ia ka dërguar kryeministrit, Avdullah Hoti. Ndër të tjera, në letrën e dërguar nga Pompeo, përmendet miqësia e Kosovës me SHBA-të, dhe vlerësimi që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë, shkruan Pompeo tutje ka shkruar se SHBA-të kanë mirëpritur vendimin e qeverisë Hoti për heqjen e reciprocitetit, që sipas tij shënoi një hap vital për rinisjen e dialogut. E kemi mirëpritur vendimin e qeverisë suaj për heqjen e të gjitha masave të reciprocitetit mbi mallrat serbe, që shënoi një hap vital për rinisjen e procesit të dialogut. Kosova duhet të jetë e gatshme të rifillojë”, thuhet në këtë letër.Po ashtu, Pompeo ka premtuar se SHBA-të do të ndërtojnë një shteg për realizim të potencialit ekonomik të Kosovës.
Letra e plotë:
I nderuar Kryeministër,
Dëshiroj të uroj Kosovën për procesin paqësor dhe demokratik të formimit të qeverisë. Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë lart miqësinë me Kosovën, si dhe mirëpresim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit SHBA-Kosovë në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Jam i bindur se mund të punojmë së bashku për promovimin e prosperitetit dhe stabilitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne vazhdojmë të mbështesim Kosovën në avancimin e procesit të normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruara në njohjen e ndërsjellë, që është esenciale për Kosovën sa i përket integrimit global dhe arritjes së potencialit të saj të plotë. E kemi mirëpritur vendimin e qeverisë suaj për heqjen e të gjitha masave të reciprocitetit mbi mallrat serbe, që shënoi një hap vital për rinisjen e procesit të dialogut. Kosova duhet të jetë e gatshme të rifillojë negociatat me Serbinë sa më parë që është e mundshme. Gjithashtu, e mirëpres zotimin tuaj për të luftuar korrupsionin si prioritet i lartë i qeverisë tuaj. Ne do vazhdojmë mbështetjen tonë për përpjekjet kundër korrupsionit, si dhe për iniciativat e tjera që synojnë të rrisin sundimin e ligjit dhe të forcojnë institucionet demokratike që mund të sigurojnë trajtim dhe drejtësi të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Së bashku do të tejkalojmë pandeminë COVID-19 dhe do të ndërtojmë një shteg për realizim të potencialit ekonomik të Kosovës. Mbetem i përkushtuar për forcimin e lidhjeve mes dy shteteve tona.